Tish Daija, muzikanti shqiptar që nisi të kompozonte në shtigjet e luftës partizane

1641
Sigal


Sot, 85- vjetori i lindjes së princit të muzikës shqiptare

Muzikantë ka shumë, por Tish Daija ishte vetëm një dhe i pazëvendësueshëm në cilësinë e muzikës, që prodhonte. Tish Daija, “Artist i Popullit”, është padyshim ndër kompozitorët tanë më të shquar. Ai  lind në Shkodrën e traditave muzikore, në një familje të nderuar të qytetit, më 30 janar 1928. Që i vogël, duke u dalluar për talent të veçantë në muzikë ai u aktivizua në formacionet muzikore të qytetit. Çesku ishte nxënës i kompozitorit të njohur Pater Martin Gjoka dhe më vonë, në formacionin e krijuar, nga Prenkë Jakova, me fëmijë dhe të rinj të talentuar të qytetit, ku përfshiheshin edhe kompozitorë të tjerë, të ardhshëm, si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Simon Gjoni, e të tjerë. Qysh në moshën 14 vjeç, Tishi krijoi këngën e njohur shkodrane “Çikë o mori çikë” që këndohet edhe sot e kësaj dite dhe më tej ai, vazhdoi pandërprerje në fushën e kompozimit. Mbasi mbaroi gjimnazin, u emërua mësues në Vlorë, ku ushtroi një ndikim të dukshëm në gjallërimin e jetës muzikore të qytetit. U bë i njohur edhe si futbollist në skuadrën e Vlorës, por që nga viti 1950, e deri në vitin 1956, studioi në Konservatorin e njohur, “P.I.Çajkovski”, të Moskës. Që nga ajo kohë e në vazhdim, ai ishte udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku luajti një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë e suksesshme të këtij ansambli. Njëkohësisht, u aktivizua si pedagog në Konservator, e në Institutin e Lartë të Arteve edhe mbas daljes në profesion të lirë. Krijimtaria e tij ka qenë shumë e pasur, në të gjitha gjinitë muzikore, ku shquhet baleti i parë shqiptar “Halili e Hajria”, vënë në skenë, në vitin 1963, për të vazhduar me operat, “Pranvera”, “Vjosa” si dhe shumë opereta, romanca, kantata, muzikë filmash, si dhe shumë këngë të reja dhe të përpunuara.

 Një takim pas turneut në Itali

Ansambli ynë Shtetëror i Këngëve e Valleve Popullore, sapo ishte kthyer nga turneu i suksesshëm, në Itali. Kjo ishte një ngjarje artistike, me shumë rëndësi, për atë kohë, sepse, megjithëse afër dhe në fqinjësi, ky ansambël nuk kishte shkuar asnjëherë, atje. Tishi vjen në Shkodër, mbas kthimit nga turneu dhe disa miq të tij, shkodranë po qëndronim  në një kafe dhe po dëgjonim, me një kënaqësi të veçantë, bisedën e tij rreth këtij turneu.

 -Turneun e filluam me Milanon…Shfaqjen e dhamë në pallatin e sporteve të lojërave me dorë… Sukses i paparë ndonjëherë, nga ansambli ynë… Kur dy gazetare të njohura dhe të moshuara, po më merrnin në intervistë gjatë shfaqjes, kaloi andej Besim Zekthi, i veshur me kostumin e valles “Vallëzimi i shqipeve”. Paraqitja e tij burrërore e veshja e bukur dhe e hijshme i jepnin pamjes së tij, një karakter legjendar. Njëra prej tyre tha: “- Che bell uomo”… Kur Vaçe Zela këndoi “Firence s’ta note”, salla u hipnotizua. Me sa dukej, ai publik i rritur dhe i  edukuar me këngëtarë dhe këngë që dominonin botën, nuk e mendonin se, në këtë anë të Adriatikut, midis këtij populli heroik e të vuajtur, mund të kishte një këngëtare që, përveç këngëve perla të popullit të vet, dinte, me aq delikatesë, vokal të bukur e të pasur, të interpretonte edhe këngët e popullit italian e të hipnotizonte sallën. Në sytë e spektatorëve shihje hare……

Tishi tregonte me shumë emocion.

– Pastaj shkuam në Venecia, në qytetin mbi det, më origjinalin në botë. Në Pallatin e Dozhëve, në sallën kryesore, në një kuadrat të madh, pamë pikturën e Veronezes “Rrethimi i Shkodrës”. Kjo  nuk ishte e  vetmja gjurmë e lidhjeve të Shkodrës me Venedikut. Kishte edhe rrugë me emrin e qytetit tonë…

Pastaj i erdhi radha Firences, qytetit të qindra muzeumeve dhe të qindra monumenteve.

-Miqtë e parë që na pritën, ishin partizanët e batalionit, “Antonio Gramshi”- vazhdoi Tishi bisedën për vizitën në këtë qytet. – Në mes të tyre edhe Bruno Bruneti, komisari i batalionit, të cilin, besoj, e keni dëgjuar.   Ne të tjerët pohuam me kokë. Ai ishte mik i vendit tonë dhe vinte shpesh në Shqipëri.

Nga fundi i vitit 1943, komanda e batalionit dërgoi në Shkodër një partizan, poet për t’u takuar me një kompozitor italian, Antonio Meuçi, për të kompozuar një këngë, marsh, si himn për batalionin e tyre. Partizani italian erdhi të banojë tek ne. Por meqenëse kompozitori italian, të cilit iu drejtua për këngën, kishte frikë nga gjermanët, nuk e bëri këngën. Atëherë mora guximin dhe fillova ta krijoj unë atë këngë. E mori vesh ai dhe, meqenëse unë isha 15 vjeç dhe nuk e di a më besonte, por për të mos u kthyer bosh, miku italian i shtëpisë sonë e mori me vete krijimin e ri…

Ne  prisnin me padurim të dëgjonin se ku donte të dilte Tishi me këtë hyrje kaq të gjatë dhe ç’lidhje kishte kjo me turneun  dhe shfaqjen në Firence.

– Italiani shkroi tekstin e këngës dhe, pas disa ditë qëndrimi në shtëpinë tonë, shkoi në mal. Ndërsa, pas çlirimit, vjen në shtëpinë tonë vetë Bruno Bruneti. Atij i kishte pëlqyer shumë kënga dhe e  kishin përdorur si himn të batalionit.

Por 35 vjet më vonë, Tishi kish takuar përsëri, në Firence Bruno Brunetin.

Tishi ia shtrëngon dorën fort dhe, pas përshëndetjes së parë, i thotë italisht:

– A ka pasur batalioni juaj një këngë-himn?

Bruno Bruneti ndalet. Përqendrohet pak dhe e vështron me një shikim zhbirues.

– Po! E ka kompozuar një çunak shqiptar, Tish Daija e quanin.

Tishi bën buzën në gaz.

– Unë jam Tish Daija!

Bruneti iu hodh në qafë. Nuk thonë kot se gëzimi më i madh është ai i paprituri. E përqafoi gjatë, duke e shtrënguar fort. Kishte përpara atë djaloshin e ri shqiptar, të cilin e kujtonte shpesh dhe e përfytyronte gjithnjë ashtu, të ri. Kjo e papritur e entuziazmoi së tepërmi. Nuk dinte të shkëputej prej Tishit. E pyeti për prindërit, për vëllain e motrat.

– Sonte do të të bëj një surprizë – i tha duke qeshur.

Para koncertit. Tishin e kërkojnë në holl. I del përpara një burrë i moshuar, me gruan e vet. Tishi e njohu pa vështirësi. Ishte partizani italian  që kishte jetuar në shtëpinë e tij dhe që kishte bërë tekstin e këngës….

Tish Dajia ishte dhe mbeti një personalitet i madh i muzikës shqiptare.