Një kamion për mbetjet dhe hija që rikthehet mbi inceneratorin e Elbasanit

Ndërsa inceneratori i Elbasanit vijon të mbetet një nga projektet më të debatuara dhe më të hetuara në Shqipëri, një tjetër tender i zhvilluar nga shoqëria “ECO-ELB” sh.a ka ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si menaxhohen fondet dhe procedurat në sektorin e mbetjeve.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje Kamion për grumbullim mbetjesh”, me fond limit 4,166,666 lekë pa TVSH, një procedurë që në pamje të parë duket rutinë, por që në dokumente shfaq disa elementë tipikë të mungesës së konkurrencës dhe transparencës. Tenderi është zhvilluar nga “ECO-ELB” sh.a, shoqëria e lidhur me administrimin e mbetjeve në Elbasan, emër që prej vitesh lidhet drejtpërdrejt me dosjen e inceneratorit të Elbasanit dhe hetimet e SPAK-ut mbi kontratat, pagesat dhe mënyrën e funksionimit të këtij projekti.Ajo që bie menjëherë në sy është fakti se në garë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik. Fitues i procedurës rezulton kompania “ARTEO 2018” sh.p.k, ndërsa dokumentet evidentojnë qartë mungesën e konkurrencës. Në një treg ku operojnë disa kompani që tregtojnë automjete dhe mjete të specializuara, pjesëmarrja e vetëm një operatori ngre automatikisht dyshime mbi interesin real të tregut dhe mënyrën se si janë hartuar kriteret e tenderit. Por procedura bëhet edhe më interesante kur shihet se ky nuk ka qenë tentimi i parë. Dokumentet tregojnë se tenderi është rishpallur pas dështimit të një procedure të mëparshme me të njëjtin objekt dhe të njëjtin fond limit. Procedura e parë, me referencë REF-62934-09-29-2025, nuk u finalizua, ndërsa “ECO-ELB” vendosi ta rihapte sërish garën. Megjithatë, edhe pas rishpalljes, rezultati mbeti i njëjtë: vetëm një kompani në garë. Një tjetër element që ngre pikëpyetje është afati i kontratës. Sipas dokumenteve zyrtare, kamioni duhet të dorëzohet brenda vetëm 10 ditëve pune nga nënshkrimi i kontratës. Për specialistët e sektorit, një afat kaq i shkurtër për një mjet të specializuar të grumbullimit të mbetjeve lë të kuptohet se automjeti ose ka qenë paraprakisht i disponueshëm, ose specifikimet teknike mund të jenë ndërtuar mbi një produkt konkret që disponohej nga një operator i caktuar.

Sigal

Kjo sjell automatikisht pyetjen nëse kemi të bëjmë me një procedurë të hapur realisht për tregun, apo me një tender ku fituesi praktikisht dihej që në fillim.Edhe burimi i financimit është një tjetër element me interes. Në dokumente specifikohet se fondet për blerjen e kamionit do të sigurohen nga “fondet e veta” të “ECO-ELB”. Kjo hap një debat tjetër mbi mënyrën se si gjenerohen dhe administrohen të ardhurat në sektorin e mbetjeve në Elbasan, sidomos në një kohë kur prej vitesh ka diskutime publike mbi eficiencën reale të inceneratorit dhe kostot që ai ka prodhuar për publikun.Po ashtu, oferta fituese rezulton në vlerën 3,698,500 lekë pa TVSH, shumë jo shumë larg fondit limit të përcaktuar nga autoriteti kontraktor. Diferenca relativisht e vogël mes ofertës fituese dhe fondit limit është një tjetër element që zakonisht analizohet në procedurat ku konkurrenca mungon ose është minimale. Në thelb, ky tender rikthen edhe një herë vëmendjen te mënyra se si vazhdon të funksionojë sektori i mbetjeve në Elbasan, një sektor që prej vitesh ndodhet nën hijen e aferës së inceneratorëve. Dhe sa herë që në këto procedura shfaqen mungesë gare, procedura të rishpallura dhe kontrata me vetëm një ofertues, dyshimet mbi transparencën dhe administrimin e fondeve publike bëhen edhe më të forta./ D.D