Afërdita Selimi:Ja si realizova ciklin e emisioneve “Një emër i qytetit”, me rastin e 100-vjetorit

689
Sigal

INTERVISTA/  Flet gazetarja e talentuar e Radio -Tiranës, Afërdita Selimi: Kam shkelur Shqipërinë me pëllëmbë

Një jetë të tërë në Radio- Tirana, zëri i saj është bërë i ëmbël për të gjithë. Ishin vitet ‘70, kur ajo gjimnazistja e shkollës “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, filloi të shkruante në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Bashkimi”. Një nga emisionet e çdo të shtune ,“Mikrofoni midis jush” mbetet ndër më të ndjekurit. Dhe me radhë kronika lajmesh emisione speciale dhe transmetime të drejtpërdrejta, që pas ‘90-s, kanë qenë pjesë jo e pakët e krijimtarisë së saj në programin e parë të Radio- Tiranës.

 –Si lindi dëshira për gazetari?

 Midis viteve të shkollës 8-vjeçare dhe asaj të mesme, unë shpesh intervistoja shoqet apo shokët e lagjes. Edhe me motrat në familje kështu veproja. Nuk kisha mikrofon, por me mjete improvizuese merrja rolin e gazetares dhe të imitueses jo pak herë. Më pëlqente dhe dramaturgjia, ndaj në grupet teatrale të shkollës nuk mungoja. Ishin vitet ‘70, kur unë gjimnazistja e shkollës “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, fillova të shkruaja në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe Bashkimi. Shumë të pakta kanë qenë shkrimet e mia të asaj kohe, që me disa nga shoqet e shokët e klasës i lexonim  dhe rilexonim ato. Pse ta mohoj më vinte mirë kur shikoja emrin në gazetë dhe për më tepër kur shoqëria më nxiste për të shkruar edhe më shumë. Edhe poezi kam shkruar atëherë, (si mosha që vargun më duket se e ka të sajin) por kur nuk nxitova t’i botoja. Kështu , në vitet e gjimnazit gjithnjë edhe më mendoja të bëhesha gazetare. Në klasë ishim dy vetë që aspironim për këtë profesion, unë dhe i ndieri Ilir Gurakuqi. Të dy konkurruam dhe fituam të drejtën për të vazhduar studimet në degën Gazetari të Fakultetit të Shkencave Politike Juridike. Kur unë vendosa që të studioja për gazetari, im atë nuk ishte dakort. Ai dëshironte që të studioja për ekonomi. “Gazetare bëhesh dhe si ekonomiste”, – këmbëngulte ai, ndërkohë që, unë ngulja këmbë në dëshirën time. Ndodhi që midis dy dëshirave më doli emri në listat për të studiuar në ekonomi. Në atë shtator  studentët e fakultetit të  ekonomisë shkuan në aksion në hekurudhë, në Visokë të Ballshit. Me ta vajta dhe unë.

Mendjen e mbaja te rezultatet e pashpallura të konkursit të gazetarisë. Shkonim në turn të tretë në punë dhe unë përgjumur rrija edhe nga meraku. Kishim pedagog Viktor Nushin, që kur më shikonte ashtu me zë të lartë më thoshte: “Dritë o Dritë… do të bëhesh dhe gazetare…nuk bëhet reportazhi duke fjetur.. do shkosh dhe në fabrika e uzina në turn të tretë ..nxito..nxito”. Pak ditë ishin ato, se në Visokë  më erdhi telegrami, që më njoftonte se isha shpallur fituese e konkursit të Gazetarisë. Ishin vite të bukura ato,11 veta ishim në grup dhe pas mbarimit të studimeve na caktuan në rrethe të ndryshme të vendit. Nga Tirana u larguam ne banorët e Tiranës dhe në RTSH u caktuan dy vetë nga rrethet. Eh …dhe atëherë miku njihej. E përmenda  këtë vetëm si fakt, se për mua ishte mëme vlerë puna pranë gazetës “Shkëndia” në Lushnje, ku u emërova dhe punova rreth katër vjet. Atje preka shumë terrenin dhe për mua kjo është domosdoshmëri për gazetarin, se njeh më mirë të vërtetën e jetës.

 –Cili ka qenë emisioni juaj i parë dhe si jeni ndjerë?

 Në Radio- Tirana kam punuar edhe gjatë viteve studentore. Kam bashkëpunuar në emisionet, jo ekonomike, që drejtonte gazetarja Valdete Andoni. Sa për  emisionin  tim të parë, ai ka qenë tërësisht me ekspertë të Ministrisë së Ndërtimit. Emocion kisha si në intervistim dhe më tepër kur dëgjova emisionin në Radio, për të cilin njoftova  dhe të tjerë për të më dëgjuar. Besoj se normale është një situatë e tillë. Po me pyetjen tuaj më sollët ndër mend  dhe  kujtoj si tani që për të realizuar emisionin e lartpërmendur u nisa pasdite për të intervistuar, se atëherë në dikastere zyrtarisht punohej dhe në ato orë.

 Në ato kohë ne punonim me magnetofonin “UHER”, ku shiriti mbështillej në bobina . Çdo gazetar kishte mjetet e tij të punës, ndërsa sot, sot…me keqardhje e them se ka mungesa të theksuara.

Po të kthehem te “UHER”-i, që si magnetofon ishte i mirë, por edhe i rëndë në peshë. Isha me shërbim në Kuçovë dhe në atë qytet nga punonjësit e ndërmarrjes mekanike sapo ishin prodhuar me mbetje disa peshore  të vogla dore. Atje peshova “UHER”-in, që shënonte rreth 5.30 kg. Më kupto, e përmenda këtë si fakt dhe jo se ankohem, pasi nuk më ka rënduar pesha e tij. Pa magnetofonin me vete nuk do isha e ftuar nga ju për intervistë. Me të mbledhur zëra dhe sjell zë në valët e Radio -Tiranës.

   –Sa emisione keni realizuar deri më sot?

 Nuk besoj se do bëj dot profesionin e staticienes në këtë rast, por di t’iu them se realizoja nga dy emisione ekonomike në javë, plus emisione speciale që caktoheshin për problematika të ndryshme. Një nga ata qe dhe emisioni  i çdo të shtune ,“Mikrofoni midis jush”.që realizohej me rrotacion nga gazetarët. Dhe  me radhë kronika lajmesh emisione special  dhe transmetime të drejtpërdrejta, që pas ‘90-s, kanë qenë pjesë jo e pakët e krijimtarisë sime në programin e parë të Radio -Tiranës. Ka ndodhur që të bashkëpunoj dhe me departamentin e lajmeve në TVSH. Po ajo që dua të plotësoj qëndron në faktin se edhe kur kam qenë në drejtim, nuk i jam ndarë mikrofonit. Radioja të rrëmben më duket mua; të duket se ajo nuk bën pa ty dhe ti nuk bën dot pa të. Po kjo e fundit duhet të jetë më e vërteta. Kështu ndodh kur profesionin e do me shpirt.

Cili ka qenë angazhimi juaj me rastin e 100-vjetorit?

Eh,viti që shkoi qe i bukur i gjithi sipas meje se ishte 100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, po Nëntori ishte më i privilegjuari se e mbante në ditët e tija 28-n e Flamurit. Unë them se jemi me fat,që jetuam dhe  gëzuam në këtë festë. Personalisht , në Radio ideova dhe realizova ciklin e emisioneve “Një emër i qytetit”, ku në qendër të çdo emisioni ishte një nga anëtarët e qeverisë së Ismail Qemalit. Flisja për vendin e tyre të origjinës dhe kaloja në ato anë me trashëgiminë kulturore që ato mbajnë. Edhe kënga e kënduar dhe e zgjedhur për ata që bën historinë e bukur dhe më e bukur qe. Në Radio me krijimtarinë mund të bësh çudira. Vetëm se duhet ta duash profesionin dhe t’i njohësh gjinitë radiofonike, që fatkeqësisht  tani humbasin e humbasin.

Përsëri për 100-Vjetorin e Pavarësisë do veçoja dhe radioreportazhin “Obelisku në Mesaplik”. Udhëtoja me fugon një ditë për në Vlorë, kur nga një i njojturi im mësova se në Mesaplik të Vlorës, me iniciativë private po ngrihej një Obelisk për Ismail Qemalin. E kërkova njeriun që më thanë. Namik Jahaj quhet personi që intervistova dhe më rrëfeu se, Ismail Beu kishte qenë dy herë në atë krahinë, ndaj dhe ja ngrinin Obeliskun atje. Edhe vargjet e 30 poetëve u gdhendën atje, më tha Namiku. Kishte shkruar edhe vajza nga Mitrovica, që emrin e ka Vlora. Radioreportazhin e ilustrova me këngën labe “shkova lart Shushicës –o/vergje vergje malet –o…”.  po e lë me kaq se sado që të vazhdoj të tregoj nuk ja bie dot bukurinë, si në Radio. Me emocion përcolla dhe transmetimin e drejtpërdrejtë në Radio -Tirana të festimeve të 100- Vjetorit nga Vlora. Edhe në 90-Vjetorin e Pavarësisë transmetova po kështu nga Vlora edhe pse në atë kohë nuk isha thjesht gazetare, por drejtore e departamentit të informacionit në Radio- Tirana. Po të them se e dua Vlorën, është vendi i origjinës së prindërve të mi.

Ndërsa Ismail Selmanin dhe Enver Rekën nga Kosova i takova rastësisht në Durrës në të 24-n ditë të nëntorit të kaluar… Ata ishin nisur në këmbë nga Ferizaj dhe po ashtu  udhëtonin për të shkuar drejt Vlorës, në festimet e 100 Vjetorit. Domethënës qe akti i ish luftëtarëve të UÇK-së, që më shtyu të shkruaj në gazetë. Mos po tregoj si shumë…?

 Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

 Duke kërkuar gjithçka pozitive, synoj dhe punoj sa mundem që e nesërmja mos t’i ngjajë të sotmes.

 –Një ditë pune e zakonshme?

 Mirëmëngjes ditës së punës i them në studio, ku montoj apo regjistroj me operatorin e zërit Arben Bërxolli. Më pas dal për komunikim me bashkëpunëtorët, në mjedise pune, në aktivitetet që organizohen apo duke pirë dhe ndonjë kafe me ta. Gjithnjë në kërkim të materialeve. Intervistoj në terren, shfletoj sa më shumë literaturë për sektorët që mbuloj me emisionet e programit të parë të Radio -Tiranës. Një ditë dhe të gjitha ditët njësoj duket se janë. Realizoj emisionet me fokus ekonominë dhe turizmin,që nga tematika duket se nuk duan vetëm Tiranën,ndaj dal me shërbim edhe nëpër rrethe. Nuk dua të jem në radhë si shumë të tjerë, që falë lëvizjes së madhe i gjejnë gjithnjë personat për intervistë në kryeqytet. Për mua është e cunguar kjo gjetje, se as njeriu nuk është vendi dhe as vendi nuk është ai i intervistuari.

Keni ndonjë peng në jetë?

Sigurisht në kaq vite jetë dhe punë padyshim që kthen kokën pas në diçka që se ke thënë apo dhe që nuk ke arritur. Shumë gjëra gjykohen në kohën që jeton. Ja, ju më intervistoni si gazetare dhe unë mendoj se koha sot për profesionin tonë jep më shumë mundësi,gjë që koha e atëhershme kishte kufizimet e saj

 -Ç’është familja për ju?

  Nuk gjykoj se do dal nga vlerësimet steriotipe që familja është gjëja më e shtrenjtë dhe e shenjtë. Jam brenda kësaj vërtetësie.

 –A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

 Mendoj se ka shumë hapësirë ligjore në mbështetje të femrës në vend. Ka shumë aksese që shihen dhe nga funksionimi i shoqatave të ndryshme,që në fokus kanë  jetën e grave dhe problematikat  e tyre për zgjidhje. Ka shumë liri në mënyrën e jetesës dhe veprimit, por do theksoja se mungon në masë të konsiderueshme, një element shumë i rëndësishëm  sikurse është pavarësia ekonomike. A nuk kemi një numër shumë të lartë të grave shtëpiake ?!

 – Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

E theksova dhe pak më lart mbështetjen legjislative për to. Në vitet e fundit , sikurse është faktuar vetë partitë politike kanë vendosur përqindjen e domosdoshme në raportin burrë –grua, (në favor të këtyre të fundit ) për pjesëmarrjen në jetën politike dhe administrative. Po këtu gjykoj se dhe vet gratë duhet të përpiqen për fituar me vlerat që mbajnë dhe jo të shtojnë radhët si rastësi e një përqindjeje të kërkuar. Por meqë flasim për rolin e gruas  desha të zgjatem pak,duke sjellë në kujtesë vitet e para të punë sime në gazetë. Ishte fundi viteve ‘70 kur dola nga korniza tradicionale e botimit, me dy shkrime: “Përse shqetësohet Pavlina Shtëmbari në Gradishtë?” dhe “Ç’janë këto?.. koncepte apo rastësi ?!” Mora përgëzime nga njerëz të thjeshtë dhe kolegë gjithashtu, ndërkohë që, në Komitetin e Partisë në Rreth u kritikova ashpër. Kreu i tij me tone të ngritura më drejtohej: “E di ku të çoj…E di çfarë të bëj…”. Në mbledhje ishim të gjithë gazetarët. Me këtë nuk dua  të them se bëra disidenten. Thjesht fola realisht për gruan në zonë. Vajti e gjatë ajo histori.