Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku: Nder i Sportit të Notit Shqiptar, respekt për Legjendat e gjalla

NOTI SHQIPTAR/ Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku, respekton vlerësimin e dy të mëdhenjve Ilirjan Kreshpa e Pavllo Kisi, nisiator, Mjeshtri i Madh Sadik Mema

Nga Agron KAJA

NOA

Ditën e shtunë, noti vlonjat dhe ai shqiptar do të mblidhen në Vlorë për të shpërblyer dy figura të mëdha të këtij sporti, Ilirjan Kreshpën dhe Pavllo Kisin. Dy Mjeshtra që kanë më shumë se gjysmë shekulli që japin kontributin e tyre në këtë sport, dhe për CV-në e pasur sportive që ata kanë, Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit, e mbështetur nga Federata Shqiptare e Notit dhe Presidenti Agim Çiraku, do t’u japin atyre një vlerësim që e zbardh sado pak madhështinë e vlerave të tyre. Vetë Presidenti Agim Çiraku, deklaroi dje për gazetën “Telegraf”, se të tilla vlerësime i japin më shumë dritë historisë. “Propozimin e Shoqatës së veteranëve të Notit e prita me dashamirësi dhe respekt. Do nderohen dy nga personalitetet e mëdhenj të notit vlonjat dhe atij shqiptar, Ilirjan Kreshpa dhe Pavllo Kisi. Do jetë një ceremoni me shumë vlera për vetë emrat, ndaj si President i FSHN-së ndjehem i respektuar që do të shpreh konsideratat dhe vlerësimet e mia për dy Legjenda të sportit të ujit, dhe më gjerë. Kryesia e Shoqatës së Veteranëve të Notit Shqiptar do na sjellë një atmosferë, brenda së cilës ndërthuren historia dhe realiteti i këtyre dy emrave të mëdhenj në notin vlonjat dhe atë kombëtar”, kështu e nisi dje bisedën Njëshi i Notit Shqiptar Agim Çiraku, i cili e veçon historinë e tyre për talentin, përkushtimin dhe dinjitetin.

“Në këtë histori që ka nxjerrë shumë notarë dhe notare, e kanë merituar më parë këtë vlerësim edhe emra të tjerë, por Liro dhe Pavllo nuk do thoja se janë të vonuar, ndoshta nga vitet që mbajnë mbi supe. Por kur shikon Liron me rininë e tij të dytë, dhe Pavllon me atë qetësi e meditim kampioni, e pranon se ky vlerësim vjen në kohën dhe në emrat e duhur. “Nderi i Sportit të Notit Shqiptar” është një vlerësim që do t’u kthejë këtyre legjendave retrospektivën e viteve si notarë e trajnerë, ndërsa të gjithë bashkënotarëve e trajnerëve të tjerë që kanë notuar dhe drejtuar me ta, në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë, do t’ua sjellë si të gjallë historinë e tyre. Edhe Federata Shqiptare e Notit, sot ndjehet e privilegjuar, që merr pjesë në këtë ceremoni, njëherësh duke e zbardhur në disa rradhë historinë e Liros dhe të Pavllos”. Ceremonia e vlerësimit do të zhvillohet ditën e shtunë në Vlorë.

Nderi i Sportit të Notit Shqiptar është një vlerësim që do t’u kthejë këtyre legjendave retrospektivën e viteve si notarë e trajnerë, ndërsa të gjithë bashkënotarëve e trajnerëve të tjerë në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë, do t’ua sjellë të gjallë historinë e tyre.

Shoqata e Veteranëve po vlerëson historinë

Pasi e vlerëson me emocion këtë veprimtari që do të zhvillohet ditën e shtunë në Vlorë, Zoti Agim Çiraku tregoi edhe mbështetjen që si President i FSHN-së do t’u japë vlerësimit të figurave, të cilat kanë bërë histori në Notin shqiptar. “Natyrisht që në të tilla evente nuk mund të përmënden shumë detaje, sepse historia vetë është shumë më e madhe. Por këto vlerësime për mua si President i Federatës Shqiptare të Notit do mbeten nga më të veçantët në këtë karrierë. Ndërsa Kryesinë e Shoqatës së Veteranëve të Notit Shqiptar, e falenderoj zyrtarisht për këtë ceremoni vlerësuese që do organizojë, dhe këtu Sadik Memës (Pupit) do t’i thoja që të mos ndalet me të tilla vlerësime. Federatën do ta ketë përherë mbështetje”.

Ideja dhe organizatorët bashkuan vlerat

Për të bërë të tilla vlerësime në nderim të kontributit që notarë dhe notare kanë dhënë duke shkruajtur histori në Notin shqiptar, janë bashkuar dy vlera: Federata Shqiptare e Notit me President Agim Çirakun, dhe Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit me President Mjeshtrin e Madh, Sadik Mema. Një “binom” që Notin shqiptar po e ngre në nivele bashkë kohore dhe konkurruese.

VLERËSIME NGA MJESHTËR I MADH, SADIK MEMA

Ilir Kreshpa mbetet “Ikona e gjallë” e notit shqiptar

Mjeshtër i Madh Sadik Mema, ka shumë për të thënë për një mjeshtër të historisë në Notin Shqiptar. Për kampionin e shumësporteve, por të “dashuruarin” me Notin, Mjeshtrin Ilir Kreshpa, Pupi duket sa nostalgjik, aq edhe respektues. “Ilir Kreshpa (Liro), mbetet Legjendë e notit shqiptar, i tillë në gjithë sportet në vendin tonë. Kur më kërkohet të flas për Ilir Kreshpën, së pari e them me bindje të plotë se ai mbetet “Ikona e gjallë” e notit shqiptar, por edhe e sportit në tërësi. Ai është modeli më i mirë i kujdesit të shëndetit, paraqitjes fizike dhe i vazhdimësisë të pjesëmarrjes në sport për cilën do grupmoshë. Për gjithë përkushtimin e pasionin e tij, Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit shqiptar e nderon si Nder i Sportit të Notit Shqiptar”.

 

Pavllo ishte dhe mbetet një notar e trajner kampion

Në çdo Profil për historinë e Notarëve shqiptarë, Sadik Mema e ka përmëndur Mjeshtrin vlonjat Pavllo Kisi, si nga të mëdhenjtë e Flamurtarit dhe të Kombëtares shqiptare. Fillimisht si një notar, e më pas si një trajner kampion. “Kur unë kam nisur të garoj në sportin e Notit, Pavllo ishte një kampion dhe rekordmen absolut në garat 100 dhe 200 metra në stilin Bretkocë. Së bashku e kemi udhëtuar në pishina, në det dhe në miqësinë tonë, ku edhe në vitin 2011 ngritëm së bashku Akademinë e Notit “Te Stela” në Tiranë, sot një shkollë për notin shqiptar. Por Pavllo mbetet një notar e trajner kampion në gjithë historinë e Notit Shqiptar, dhe është vlerësim i merituar që Shoqata e veteranëve të Notit i jep Nder i Notit Shqiptar”.

Vlora ka qënë konkurruese e elitës në Notin shqiptar

“Në rrugëtimin e Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit Shqiptar, vlerësimi, nderimi dhe respekti për notarët dhe notaret që kanë bërë histori me tituj e rekorde, do të vijnë emra, ekipe dhe klube. Dy të mëdhenjtë e kësaj historie, Ilirjan Kreshpa dhe Pavllo Kisi, nuk janë të parët dhe as të vetmit në Vlorën, që shumë vite konkurroi elitën e Notit shqiptar. Ky rrugëtim do të zgjasë brez pas brezi, sepse kështu historia vlerësohet duke e mbajtur të ndezur pishtarin historik”.

CV SPORTIVE TË KAMPIONËVE

ILIRJAN KRESHPA / NDER I SPORTIT TË NOTIT SHQIPTAR

Ilirjan Kreshpa sot na tregon se, vitet në supet e tij janë vetëm numra, por që e kujtojnë atë jo vetëm si një notar e trajner kampion, si një gjimnast, zhytës uji, si skiator e parashutist.

Datëlindja: 01/01/1942

Vendlindja: Vlorë Vendbanimi: Vlorë

Arsimi: Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, Tiranë.

Profesioni: Arsimtar i Edukimit Fizik

Sporte që ka ushtruar: Gjimnastikë, Not, Vaterpol, Ëin Surf, Zhytje, Ski Antika, Parashutizëm. 

Starti i karrierës në elitën e Notit: Në vitin 1958

Skuadra e parë elitare në karrierë: Me Flamurtarin.  

Stili i preferuar në gara: Stil i Lirë 

Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1958 në Durrës, Kampionati Kombëtar

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1968 në Shkodër, Kampionati Kombëtar.

Fitues në gara: Gjatë gjithë karrierës notar fitues në podium nderi për çdo garë Karriera si trajner: Në periudhën 1968-1990 trajner i Flamurtarit, për disa vite edhe trajner i Ekipit Kombëtar të Notit.

Tituj e trofe si trajner: Kampion si ekip me Flamurtarin, fitues i 4 Kupave të Shqipërisë në notin shqiptar.

Vlerësime, tituj e dekorime: Mjeshtër Sporti, SHKV të Notit shqiptar ka organizuar Kupë të personalizuar për Ilir Kreshpën; Nder i Sportit të Notit Shqiptar

Aktualisht: Biznes privat, Vlorë

 

PAVLLO KISI / NDER I SPORTIT TË NOTIT SHQIPTAR

Pavllo Kisi e ka të “stampuar” në kohë karrierën e tij në sportin e Notit, por ai mund të quhet “Miniera” që peshon shumë me produktin e saj vendor e kombëtar në historinë e notit.

Datëlindja: 9 Tetor 1951

Vendlindja: Vlorë  Vendbanimi: Vlorë

Arsimi: Universitetin e Tiranës, Dega Matematikë

Profesioni: Mësues i Matematikës

Sporti që ka ushtruar: Not

Karriera si sportist: Në vitin 1963 me Flamurtarin

Sukseset si notar: Në vitet 1966-1971, kampion dhe rekordmen në garat 100 e 200 m Bretkocë   

Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1964, Kampionati Kombëtar për të Rinj, në Durrës   

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1973, Kampionati Kombëtar për të Rritur, në Lushnje

Karriera si trajner: Në periudhën 1978-1991 trajner i Femrave të Rritura të Flamurtarit; Në periudhën 1986-1991, trajner i ekipit Kombëtar të Notit dhe Pjesëmarrës në Mitingun Ballkanik të Notit në Serez, Greqi; Në periudhën 1991-2010, trajner në KS PAOK, Selanik Greqi; Në periudhën 2011-2013, Kryetrajner në Akademinë e Notit “Te Stela”

Kualifikime e formime: Drejtues në disa seminare teknike për kualifikimin e personalitetit të trajnerit të Notit

Detyra në drejtimin e institucioneve sportive: Kryetar i Këshillit të Trajnerëve të Notit në Shqipëri, 1980-1991

Tituj e dekorime në sport: Mjeshtër Sporti; Nder i Sportit të Notit Shqiptar

Botime sportive: Në vitin 1984, “Programi Unik i Notarëve”, në vitin 2012, libri “Sporti i Notit”

Aktualisht: Në pension