Mesazh ngushëllimi nga Kryesia e Shoqatës A. K. “Labëria – Nderi i Kombit” për ndarjen nga jeta të Dr. Neki Dredha

Neki Dredha

Kryesia e Shoqatës “Labëria – Nderi i Kombit”, me dhimbje të thellë dhe hidhërim të sinqertë, mori lajmin e ndarjes nga jeta të doktor Neki Dredhës, një personaliteti të shquar të Vlorës dhe të mbarë Labërisë, mjek humanist, intelektual, publicist dhe qytetar me vlera të rralla njerëzore e atdhetare. Largimi i tij nga jeta përbën një humbje të madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për qytetin e Vlorës, për komunitetin e mjekëve, për botën intelektuale dhe për gjithë Labërinë, me të cilën ai ishte i lidhur shpirtërisht dhe njerëzisht gjatë gjithë jetës së tij. Doktor Neki Dredha shërbeu për dekada me përkushtim si mjek në qytetin e Vlorës, duke fituar respektin, mirënjohjen dhe dashurinë e qytetarëve. Ai ishte nga ata njerëz që profesionin e mjekut e shihnin si mision human dhe shërbim ndaj jetës e njeriut. Me urtësinë, kulturën dhe mirësinë e tij ai mbeti gjithmonë pranë njerëzve, sidomos pranë atyre që kishin nevojë për mbështetje dhe fjalë zemre. Përveç kontributit në shëndetësi, doktor Neki Dredha mbajti edhe detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, duke treguar qytetari, korrektësi dhe përgjegjësi të lartë në drejtimin e punëve publike. Për kontributin e dhënë në jetën shoqërore dhe institucionale të qytetit, ai u nderua në vitin 2013 me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”. Një dimension tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së tij ishte krijimtaria letrare dhe publicistike. Doktor Neki Dredha la pas disa libra dhe shkrime me vlera memorialistike, historike dhe poetike. Poema narrative “Labëria Magjike” mbetet një ndër veprat më përfaqësuese të dashurisë së tij për Labërinë, historinë, kulturën dhe identitetin e saj. Në krijimtarinë dhe publicistikën e tij ai evidentoi figurat më të mira të mjekësisë shqiptare, traditat patriotike dhe vlerat morale të popullit tonë. Pikërisht për kontributin e çmuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Labërisë, Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit” e kishte vlerësuar doktor Neki Dredhën me titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”, një vlerësim i merituar për figurën dhe veprën e tij. Ai do të kujtohet si një njeri i urtë, fisnik, masovik, komunikues dhe me shpirt të madh njerëzor. Si intelektual ai shquhej për vlerat e larta atdhetare, kulturën qytetare dhe respektin për traditat më të mira kombëtare. Në këto çaste të vështira, Kryesia e Shoqatës “Labëria – Nderi i Kombit” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Dredha, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit vlonjat. Kujtimi, emri dhe kontributi i doktor Neki Dredhës do të mbeten përherë të nderuara në memorien e Labërisë dhe të njerëzve që e njohën nga afër.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Sigal

KRYESIA E SHOQATËS
“LABËRIA – NDERI I KOMBIT”

Agim Çiraku