Ergys Kaçe, çështja që po “djeg” Greqinë

555
Sigal


PAOK-u i “fal” një javë pushim lojtarit. Prindërit e mesfushorit largohen nga Selaniku nga frika

 Dosja “Ergys Kaçe” mund të shndërrohet në çështjen më të nxehtë të futbollit grek ndaj një futbollisti shqiptar, madje përmasat e saj priten ta kalojnë edhe rastin “Alban Bushi’, kur ish-goleadori i Kombëtares, i cili luante në radhët e Apolon Kallamarjasë, u drejtoi krahun e thyer tifozëve të Panathinaikosit në maj të vitit 2007. Mesfushori 20-vjeçar i Kombëtares (titullar në ndeshjet me Sllovenisë dhe Islandën) postoi në rrjetin social më popullor në botë, “Facebook”, një foto ku ai kishte veshur bluzën e kuqe me simbolin e “UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që për shtetin grek, një aleat i përhershëm i Serbisë, konsiderohet si një organizatë terroriste. Klima në Selanik, atje ku ka dhe qendrën PAOK-u ka qenë e nderë ditët e fundit, madje ka pasur edhe dy organizime në kontrast me njëra-tjetrën: nga njëra anë, tifozët e PAOK-ut sulmuan selinë e Partisë “Agimi i Artë”, një parti e ekstremit të djathtë, të konsideruar si e afërt me filozofinë naziste, e që përfundoi me rreth 40 të arrestuar dhe, nga ana tjetër protesta e ultrasve të PAOKU-t që kërkojnë ndëshkimin e mesfushorit shqiptar nga drejtuesit e klubit.

NJË JAVË LEJË

Portali grek “Sigmalive.com”, raportoi dje se, pavarësisht se Ergys Kaçe ishte parashikuar të mbërrinte në Greqi ditën e enjte,  drejtuesit e PAOK-ut i dhanë një javë më shumë lejë Kaçes, për të qëndruar në Shqipëri, me synimin për të qetësuar situatën e rënduar nga tifozët ultras të klubit selanikas, por dhe nga përfaqësuesit e ekstremit të djathtë grek, “Agimi i Artë”, të njohur për incidentin e fundit në Selanik.

LARGIMI I PRINDËRVE

Situatat e rënda të krijuar në Selanik ndaj lojtarëve shqiptarë nuk është një gjë e re. Qyteti ka disa ekipe në një rivalitet plot urrejtje ndaj njëri-tjetrit, dhe këtë lloj situate më parë e kanë përjetuar edhe Indrit Fortuzi dhe Edvin Murati, kur këta të dy luanin për Iraklisin e Selanikut në fillim të viteve 2000. Për t’i shpëtuar një situate edhe më të keqe, e për të qetësuar gjakrat, prindërit e Ergysit, sipas asaj që raporton “Voria.gr”, u larguan dje nga Selaniku për në drejtim të Italisë.

MASAT NDËSHKIMORE

Në fakt, sipas asaj që raportojnë mediat greke, të paktën deri dje, për momentin nuk është marrë një masë zyrtare ndaj Ergys Kaçes. Gjithçka pritet të vendoset pas ndeshjes së javës së katërt të kampionatit grek, kur PAOK-u të luajë me Verian. Pas tri javëve të para, PAOK-u ndodhet në vendin e dytë me 6 pikë, pas Olimpiakosit. Fillimisht, Kaçe do të japë shpjegime për foton e publikuar në “Facebook” dhe më pas do të merret masa.

 1 MILION EURO

Sipas, portalit sportiv grek “Sport24.gr”, PAOK-u ka bërë publike edhe shumën e shitjes së Kaçes. Gjatë merkatos së verës, mesfushori i talentuar shqiptar u kërkua nga disa klube në Itali, por shuma shkonte deri në 800 mijë euro, ndërkohë që PAOK-u kërkon për “xhuxhin virtuoz” (1.61 m) jo më pak se 1 milion euro.

PËRGJIGJA E UEFA-s

Portali grek “Gazzetta.gr” bën të ditur se, klubi grek i PAOK-ut i ka dërguar një letër Federatës Greke të Futbollit, EPO, në lidhje me trajtimin e çështjes së Ergys Kaçes dhe masat e mundshme ndaj tij. “Omospondhia” (Federata Greke) pyeti UEFA-n, e cila nga ana e saj ktheu një përgjigje evazive, duke deklaruar se nuk është një çështje në kompetencën e saj dhe se, ajo është çështje e brendshme e PAOK-ut dhe Superligës greke.

 Lirohen tifozët e arrestuar që sulmuan “Agimin e Artë”

  Sipas asaj që raportojnë mediat greke dhe ato ndërkombëtare, si “Internatioanl British Times” (Ibtimes.co.uk), rreth 40 fansa të PAOK-ut sulmuan selinë qendrore të partisë neonaziste “Agimi i Artë” (Golden Daën), në rrugën “Kazazakis” të Selanikut, pasi grupi ekstremist i djathtë bëri një koment provokativ ndaj klubit të lojtarit shqiptar Ergys Kaçe. Disa dhjetëra të rinj hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë ën zyrat e partisë ultra-nacionaliste në qytetin verior të Greqisë. Sipas, Ibtimes.co.uk, “UÇK-ja nuk shihet me sy të mirë, pasi më parë formacioni ushtarak i Kosovës kishte thënë se një pjesë Greqisë veriore i përket Shqipërisë. Versioni online i një prej gazetave më të mëdha në Greqi, “Kathimerini” (Ekathimierini.com), raportoi dje se, të 46 tifozët që ishin mbajtur në paraburgim në Selanik, u lanë të lirë, ndërsa të dyshuarit si organizatorët kryesorë të protestës do të paraqiten në gjyq, më 9 dhjetor.

Sotiris Ninis, shqiptari i greqizuar i PAOK-ut

 PAOK-u nuk ka vetëm një lojtar shqiptar, por madje dy. Përveç Ergys Kaçes me “zebrat” e Selanikut luan edhe 23-vjeçari Sotir Nini, apo Sotiris Ninis, siç është dhe emri i tij zyrtar në Greqi. Ish-mesfushori i Panithinaikosit, i lindur në Himarë më 3 prill 1990, shpenzoi gjashtë sezone me atë skuadër, por asnjë herë nuk iu përgjigj ftesave të Federatës Shqiptare dhe Kombëtares sonë, duke preferuar Greqinë, ku ndryshoi edhe emrin duke i shtuar nga një “s”: nga Sotir Nini në Sotiris Ninis.

Ninis ka luajtur 26 ndeshje me Kombëtaren A të Greqisë, duke realizuar 3 gola. Ai ka qenë pjesë e Greqisë U-19 (13 ndeshje) dhe Greqisë U-21 (3 ndeshje). Pas një sezoni aspak të suksesshëm te Parma në Itali (vetëm 584 minuta aktivizim), ai u rikthye në Greqi duke veshur fanellën e PAOK-ut (ende nuk është aktivuar). Kaçe është aktivizuar dy nga tre ndeshjet e para të këtij sezoni me PAOK-un.

 Kuqezinjtë: “Ne besojmë në projektin e trajnerit. Ka krijuar një grup me të ardhme”

 Tifozat Kuq e Zi: “Duka, mos e largo De Biazin!”

 Pas dy humbjeve të fundit kundër Sllovenisë dhe Islandës, tifozët e Kombëtares Shqiptare të njohur me emrin “Tifozat Kuq e Zi” nëpërmjet një deklarate kanë bërë me dije mbështetje për ekipin e udhëhequr nga trajneri italian Xhani De Biazi. Përmes një letre dërguar mediave, Tifozat Kuq e Zi i kanë kërkuar Federatës Shqiptare që ta ndal me çdo kusht trajnerin Xhani De Biazi, i cili sipas tyre ka meritat kryesore në renovimin e skuadrës dhe ngritjen në ranglistën e FIFA-s. “Të nderuar bashkëkombës dhe tifozë të Kombëtares. Pas gati 2 viteve dramë dhe emocion, edhe këtij sezoni eliminator po i vjen fundi. Kanë mbetur edhe dy ndeshje të fundit për të përmbyllur një sezon ku shpresa për kualifikim filloj të shuhet vetëm në dy ndeshjet e fundit të shtatorit. Dëshirojmë që, me këtë letër të tregojmë që ‘Tifozat Kuq e Zi’ gjatë gjithë këtij rrugëtimi bashkë me Kombëtaren kemi qenë nëpër të gjitha ndeshjet, qoftë brenda ose jashtë atdheut. Në shumicën prej tyre kemi qenë edhe më të shumtë në numër dhe më të zëshëm sesa vendasit, duke bërë që lojtarë tanë të ndiheshin sikur luanin në shtëpi. Qytete si Lucerni, Oslo, Lubjana e Rejkjaviku i bëmë të flasim shqip, dhe jemi krenar për këtë pavarësisht rezultateve që kemi marrë. Ne ja kemi dhënë besën Kombëtares që do ta përkrahim në fitore e humbje, në ditë të mira e të këqija dhe kështu do të veprojmë gjithnjë, derisa të ekzistoj emri Shqipëri. Humbjet dhembin madje shumë për secilin prej nesh, por asnjëherë nuk na lëkundin besimin dhe dashurinë për Kombëtaren. Pavarësisht kësaj, ‘Tifozat Kuq e Zi’ i bëjnë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që të rinovoj kontratën me trajnerin Xhani De Biazi, sepse ne besojmë në projektin e tij.

Jemi dëshmitarë të renditjes rekorde të FIFA-s dhe të afrimit të talenteve në numër po ashtu tejet të madh (rreth 40), çka na bënë se projekti De Biazi është për periudhë afatgjate, dhe Tifozat Kuq e Zi e përkrahin vazhdimin e projektit të trajnerit, duke i dhënë mbështetje morale”, – përfundon letra.

 Duka: “De Biazi ka punuar mirë”

 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, njeriu që ka të drejtën ekskluzive për të emëruar trajnerin e Kombëtares u shpreh pozitivisht në lidhje me të ardhmen e De Biazit. “Mendimi im për De Biazin është konstant. Ky trajner ka punuar mirë me Kombëtaren, duke e rinovuar në një farë mënyre. Dua që ai të vazhdojë të jetë në krye të Kombëtares. Ofertën ia kam bërë, tashmë pres unë që ai të thotë “po”. Nuk kam bërë asnjëherë biznes me trajnerët, kjo nuk është një situatë që duam të ulim apo të rrisim pazarin. Për mua, De Biazi duhet të vazhdojë dhe ne duhet të nisim përgatitjet për edicionin tjetër, pra të fillojë që tani puna për skuadrën, edhe pse na kanë mbetur ende dy ndeshje”.

  Kombëtarja bie shtatë vende në FIFA

 Kombëtarja Shqiptare ka zbritur për 7 vende në ranglistën e muajit shtator të publikuar dje nga FIFA. Dy disfatat e njëpasnjëshme kundër Sllovenisë dhe Islandës e kanë zbritur ekipin e De Biazit nga vendi i 38-të që ishte muajin e kaluar në vendin e 45-të me 652 pikë. Nga kundërshtaret e grupit E, ngjitjen më të madhe e kane pasur Sllovenia dhe Islanda që kanë përparuar për +16 pozita dhe ndodhen në pozitën e 29-të respektivisht të 54-të. Ashtu sikur kryeson grupin E, Zvicra ka përparuar për një pozitë dhe tashmë ndodhet e 14-ta, ndërsa ekipi i pozicionuar më keq nga grupi E është Qipro e cila ka shënuar zbritje prej 11 pozitash dhe aktualisht gjendet në pozitën e 134-të. Kreun e renditjes botërore vazhdon ta mbajë Spanja, por tani e ndjekur nga Argjentina.