“Ditënetët e librit”, Klik Ekspo Group solli lexuesit shkrimtarët, botuesit e pikturën në një festë

767
Sigal

Muzeu Historik Kombëtar për pesë ditë me radhë u shndërrua ne kryeqendrën e librit artit e kulturës. Pesë ditë festive me librin, muzikën, pikturën dhe filmin. Të rinjtë që vërshuan, lexues, aktorë, piktorë e shkrimtarë që ndanë së bashku librin në një atmosferë nga më të rrallat të vendosura në kryeqytet. Festivali “Ditënetët e librit”, hapur të enjten e javës që shkoi, i mbyllur mbrëmë, i organizuar nga Klik Ekspo Klik në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, Bashkinë e Tiranës dhe Muzeun Kombëtar – ishte një rast që dëshmoi domosdoshmërinë e “ndërhyrjes” së biznesit, e të krijimit të një raporti të ri me kulturën. Në pothuaj 60-70 aktivitete të zhvilluara, lektorë të ndryshëm, shkrimtarë, publicistë, njerëz të arteve figurative kanë shpalosur aktivitetin e tyre në një zhvillim model për qytetin. Muzeu Kombëtar është munduar që me infrastrukturën e vet të ndihmojë sa më shumë në të gjithë këtë proces, duke e përshtatur me kërkesat e Klik Ekspo Klik që ka një traditë të mirë në krijimin e aktiviteteve të tilla. Me pjesëmarrje të veçantë të autorëve si Bashkim Shehu, Stefan Çapaliku, Ledi Shamku, Arian Leka, Kim Mehmeti, Çun Lajçi, Edmond Tupja dhe shumë përkthyes dhe publicistë kanë rrëfyer për publikun shkrimin, letërsinë, dhe u janë përgjigjur pyetjeve të publikut duke sjellë përvojat e tyre, dhe dhënë vlerësimin mbi domosdoshmërinë e veprimtarive të tilla, kaq afërt me publikun. Ndoshta, është nga rastet e rralla që vëmendjen në mënyrë totale e mori libri dhe shkrimtari, dhe jo shitjet dhe biznesi, referuar para publikut, por edhe kanë sjellë përvojat e tyre, duke dhënë sqimën e një aktiviteti të domosdoshëm për kryeqytetin. Me gjithëpërfshirjen ku në projeksione të ndryshme, karikaturat, letrat e dashurisë, spanjollët, ceremonia e çmimeve ilustratori më i mirë, dhe shumë aktivitete të Arkivit Qendror të Filmit, – është bërë i mundur një tjetër qoshk kureshtar për publikun duke pasuruar ekzigjencën e tyre për një mbrëmje në kryeqytet. Në ditët e festivalit ka pasur pjesëmarrje të gjerë nga Kosova, me autorë të cilëve u janë interpretuar poezitë si Ali Podrimja, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rexhep Hoti etj. Ndërsa tryezat modeste të shkrimtarëve, bisedat e tyre kanë pasur vëmendjen më të madh ku rrallë është folur kaq në mënyrë të sinqertë se si po shkon letërsia, autorët dhe librat mes vendeve të Ballkanit. Rasti ka qenë ‘Balkan from Balkony’, me një metaforë se si shihen marrëdhëniet dhe njohja mes autorëve të Ballkanit, të drejtuar nga shkrimtari Arjan Leka, si nismë e botimeve “Poeteka”, kontribuuesja kryesore në këto vite në këtë lëvizje që shihet prej tyre ky zhvillim më me optimizëm, dhe duket sikur shumë mure janë thyer në këto bashkëpunime. Për rreth dy orë u bisedua me njëri-tjetrin mbi shkrimtarët e Ballkanit dhe përkthimet e tyre në gjuhën shqipe, mbi përkthyesit shqiptarë dhe rolin e tyre jo vetëm në sjelljen e letërsisë bashkëkohore të Ballkanit në gjuhën shqipe, por edhe në përkthimin e shkrimtarëve shqiptarë në gjuhët “e vogla” të Ballkanit. Ligjërata me titull “Paragjykimet ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve” u mbajt nga Silvana Leka. E ftuara e veçantë e kësaj veprimtarie ishte prozatorja, gazetarja dhe psikologja nga Bosnjë-Hercegovina, Emina Zuna. Shkrimtari Arian Leka bashkëbisedoi me përkthyesit e spikatur të letërsisë ballkanike në gjuhën shqipe, Milena Selimi dhe Ben Andoni, rreth rrugës dhe përvojave që ata kanë pasur në përballjet e tyre me letërsinë e vendeve të Ballkanit. Një copëz Ballkan nga ballkoni i botimeve “Poeteka”, nën logon “Balkan from the Balcony”, pasi shqyrtoi përvojat pozitive që janë arritur, që nga fillimet e viteve të parë, trajtoi edhe problematikat që hasen në sistemin e fragmentarizuar të letrave shqiptare, me të cilat lexuesi përballet që në librari sa herë që flitet për shkrimtarët e rajonit, u prek çështja e cilësisë së përkthimeve, mbi mungesën e këshillimit letrar, domosdoshmërinë që letërsia e Ballkanit të përfshihet në kurrikulat shkollore të mesme, duke i ndalur sidomos në vëmendjen që duhet treguar në përgatitjen përkthyesve të rinj nga shkolla e gjuhëve të huaja.

Një bisedë për karikaturën, ka sjellë edhe kujtimet e Bujar Kapexhiut. “Më duhet të them se me karikaturën goditet fenomeni jo personazhi. Karikatura gjen mënyrën për të thënë se kjo nuk është bërë mirë. Është e thënë me humor. Nuk duhet fyer e as denigruar personazhi. Vetë personazhit mund t’i vijë keq por duhet edhe të buzëqeshë prej saj. Është më keq të jesh politikan e të mos kesh një karikaturë- janë vepra arti. Le të kenë një koleksion. Në vitet 1990-1991 kam pasur kërcënime sepse nuk ishin mësuar. Më kërcënuan për disa karikatura që bëra atë kohë por më pas e kuptuan se ishte reklamë”, ka thënë Kapexhiu. Ka tërhequr vëmendjen drejtorja e arkivit të filmit, Iris Elezi, duke folur mbi një temë interesante me idenë se nëse “Libri i përmirësuar nga filmi, a ndodh?”. Elezi duke drejtuar bisedën e saj me studentë të Artit skenik, dhe pjesëmarrje të kritikëve të artit, skenaristë e studentë të letërsisë, ka folur për raportin mes librit dhe filmit, shndërrimet që pëson libri kur kthehet në “pëlhurë”. Shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli kanë tërhequr vëmendjen me botimet e tyre, ashtu si dhe autorët bashkëkohorë. Vargjet e Kadaresë, e proza lirike, ashtu si libri me letërkëmbime me bashkëshorten e Dritëro Agollit kanë mbajtur lexuesit në dilema, e kërshërinë e letërsisë. Modelet e ekspozimit të librit, teknologjia, format e reja të leximit, libraritë e bibliotekat tradicionale janë “përplasur” në këtë hapësirë për të kuptuar çfarë po ndodh në këto interferime të kohës së sotme në raportet me lexuesin. Ndërsa një përmasë të veçantë, dedikuese kanë marrë nxënësit dhe studentët ku në çdo ditë nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, shkollat e mesme të kryeqytetit, dhe ato profesionale me orientim gjuhësor dhe artistik; shtëpitë botuese të teksteve shkollore që kanë propozuar tituj të rinj, krahas atyre për fëmijë dhe adoleshentë; shtëpitë botuese të teksteve shkollore propozuan titujt e rinj përkrah dhe letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë…

Poezitë e Agollit përmes ilustrimesh

Në kuadër të festivalit të “Ditënetët e librit” është mbajtur një konkurs i veçantë. Studentët e Universitetit të Arteve kanë marrë në duar poezitë e Dritëro Agollit për të realizuar mbi to ilustrime që u shkojnë për shtat. Të dielën, dekani Ardian Isufi tha se për të sjellë një risi brenda aktiviteteve, është bërë një konkurs i veçantë. “Ne si fakultet kemi zhvilluar një aktivitet që ka të bëjë me artin pamor. Sigurisht, elementi që na bashkon në formë simbolike me librin ka qenë letra” Ardian Isufi foli për pergamenën e letrën si shenjë të kulturës. “Ky është konkurs modest që në një atë ardhme po e mendojmë të jetë më i madh. Atelieri i grafikës mund të ilustrojë poezitë e Dritëro Agollit në një libër që do të jetë unik dhe kjo ndoshta do t’u shërbejë studentëve që përmes tij të përcillet kapaciteti e talenti i tyre. Pedagogu që e udhëhoqi konkursin është David Kryemadhi. Ai dhe studentët kanë demonstruar shumë përkushtim, edhe pse në pak kohë. Janë ide artistike, shumë të mira që vijnë para një komisioni, i cili ka në përbërje edhe profesor Gazmend Lekën, e që u ka bërë një analizë të detajuar. Një prej katër ekspozitave që janë përfshirë në pavijonin tonë, është ekspozita e konkursit të poezisë së Agollit”,-tha Isufi. Pas konkursit, me çmim të parë u vlerësua Enxhi Kanina nga programi i studimit grafike master dhe me çmim të dytë u vlerësua Kristi Tasho nga programi i studimit grafike. Kur fjalën e mori Elona Agolli mes emocioneve tha, se ka qenë për të shumë i rëndësishëm këndvështrimi i studentëve për poezitë.“Përgëzoj gjithë studentët, që përzgjodhën poezitë e Dritëroit për të përshfaqur talentin e tyre. Uroj t’ia kenë dalë mbanë e të jenë kënaqur me punimet e tij. Jam fatlume që jam vajza e tij!”. Elona Agolli, vajza e shkrimtarit është edhe organizatore e festivalit “Ditënetët e librit”.

“Ditënetët e Librit”, ndahen çmimet në panairin e 40 shtëpive botuese

Në mbyllje të panairit “Ditënetët e Librit”, në edicionin e parë të kësaj nisme kulturore, janë edhe çmimet. Studiuesja Klara Kodra u nderua me çmim për karrierën e gjatë si kritikë e studiuese, ndërsa në fushën e përkthimeve u vlerësua Krenar Hadëri. “Shpresoj që këto aktivitete të shprehin shpirtin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare të vendit tonë dhe të rrisin në cilësi e të çmohen për vitalitetin që i japin letërsisë sonë”, tha znj. Kodra. I konceptuar në formën e një festivali kulturor, panairi mirëpriti 40 shtëpi botuese dhe 40 ekspozues të tjerë si fakultetet dhe bibliotekat, të cilët gjithashtu u vlerësuan më çmime. Panairi nderoi Artur Sulën, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Ardian Isufin, Dekan në Fakultetin e Arteve dhe Gazmend Lekën, mjeshtrin e grafikës dhe kopertinave. “Universiteti i Arteve dhe Fakulteti i Arteve të Bukura është prezantuar me një pavijon që lidhet me simbolikën e letrës, si një nga elementët që i bashkohet “Ditënetëve të Librit”. “Dua të përshëndes Elonën dhe Luanin për mbështetjen që i bëjnë studentëve në aktivitetet e ardhshme”, tha Ardjan Isufi, Dekan i Fakultetit të Arteve Figurative. Ndër Shtëpitë Botuese, më e mira mes tyre u vlerësua, “Fan Noli” për botimin e Madaleine Albright “Të fuqishmit dhe i plotfuqishmi”. “Ju falënderoj për vlerësimin që më bëtë mua dhe shtëpisë sime botuese dhe ju përgëzoj për këtë veprimtari të shkëlqyer që keni organizuar, e cila jam i sigurt që do të pasohet nga veprimtari dhe aktivitete të tjera më të bukura e më të shkëlqyera”, tha Rexhep Hida, i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”.