Nase Jani/ Burimi i këngës së Dritëro Agollit

560
Sigal

Jam ulur tek burimi i këngës sate,

Mbush pëllëmbët, pi e s’kam të ngopur,

Ndjej në buzë, qumësht dallëndyshe,

Brenda gjoksit: brengë të pasosur…

Por, s’më lenë ta shuaj shpirtin e djegur,

Vjen një kalë, që s’hingëllin si kalë.

Vjen një cjap me brirë, zile e mjekër,

Një bilbil kërkon të pijë pa radhë…

Pastaj mbërrijnë njëmijë dasmorë,

Edhe gjiri i nuses bëhet krua,

Kërcen nuselala mbi një shkurre,

Grifshi-grifshën e puth ndenë ftua…

Mbi krahë-dallëndyshe vijnë turistë,

Flasin njëzetë gjuhë e s’merren vesh,

Nga një gotë kristali mbajnë në dorë,

Shkel syrin xixëllonja, pleshti qesh…

Tek Burimi i Këngës, zgjatin gotat:

“Një dopjo kampari, uiski, birrë…”

Ngre lart brirët dhe dredh mjekrën cjapi:

“Këta të huajt s’e njohin hardhinë!….”

Sa herë hëna i jep faqen diellit,

Vijnë të gjithë te ky burim-magji:

Lulet,

njerëzit,

kafshët,

zogjtë e pyllit…

Pinë, dehen, qajnë,

bëjnë dashuri…