Kuzhinierët e ekipeve, kur suksesi vjen nga pjata

1320
Sigal

Shefat luajnë një rol të jashtëzakonshëm për gjendjen optimale të lojtarëve. Dietë e personalizuar

 Mund të duket e pabesueshme, por ekipi Kombëtar i Zvicrës kishte ardhur me kuzhinier me vete në Tiranë. Edhe pse helvetët u akomoduan në hotelin më të mirë dhe më të shtrenjtë të kryeqyteti, në Hotel “Sheraton”, ku ka një kuzhinë tepër cilësore, gjithçka që kishte të bënte me ushqimin e Shaqiri e kompani është gatuar nën kujdesin e rreptë të kuzhinierit, Emil Boli. 59-vjeçari konsiderohet një artist i vërtetë në kuzhinë dhe gatuan për Kombëtaren e Zvicrës prej një kohe të gjatë, qysh nga viti 1996. Gjatë kohës “Nati” nuk grumbullohet për ndeshje, ai punon një hotel të Bernës. Interesant është fakti se, vajza e Emil Boli, Andrea, gatuan për ekipin Kombëtar U-21, ndërkohë që një nga ndihmësit e tij, Lukas Justus, shërben për Kombëtaren U-17. Boli është kuzhinier edhe i skuadrës olimpike të Zvicrës.

   Kuzhinieri i Milanit

 Në Tiranë, me kuzhinier me vete ka ardhur edhe Franca, Anglia, Gjermania, Suedia, etj. Edhe Milani me Realin e Madridit, kur erdhën për të luajur ndeshje miqësore në “Qemal Stafa” në vitet 2007 dhe 2009 kishin kuzhinier me vete. Në foton që ka sfond piktorin e famshëm italian, Leonardo Da Vinçi, një kryevepër e realizuar me gozhdë nga fituesi i pesëfishtë i çmimeve “Guinnes”, Samir Strati, është pikërisht kuzhinieri i Milanit, foto e fiksuar më 14tetor 2008, para ndeshjes miqësore Tirana-Milan, në “Qemal Stafa”.

  Kuzhinieri i Anglisë

Anglezët janë fanatikë përsa u përket ushqimeve. Stafi i ekipit t “tre luanëve” përgatit tonelata me ushqime dhe pije, përfshirë dhe ujë, kur Kombëtarja e tyre merr pjesë në turne ndërkombëtare, apo në finalet e Europianit apo Botërorit. Shefi i kuzhinës së Kombëtares angleze, Tim De’Ath është i njohur për “magjinë” e tij. Si një xhentëlmen anglez i vërtetë ai nuk harron kurrë që t’ua mësojë mjeshtërinë e tij edhe lojtarëve angleze, siç janë në këtë Deni Uellbek dhe Glen Xhonoson, të cilët gatuajnë se bashku me “bosin” Tim De’Ath.

  Kuzhinieri i Gjermanisë

 Holger Shtromberg është një nga kuzhinierët me të famshëm të Gjermanisë, i nderuar me shumë çmime ndërkombëtare. Ai ka punuar në disa prej restoranteve më të mira të Munihut, e ku padyshim kanë konsumuar ushqimet e tij edhe lojtarët e Bajenrit. Afrimi i tij në Kombëtaren gjermane është një histori më vete. Në vitin 2007, menaxheri i Kombëtares gjermane, Oliver Birhof, hëngri në restarunatin “G”, dhe pasi mbeti jashtëzakonisht i kënaqur i kërkoi atij të gatuante për Kombëtaren gjermane. Shtromberg e pranoi me kënaqësi.

Flet Bernhard Heiser, shefi i kuzhinës i ekipeve gjermane: “Çdo gjë në bazë të organizmit”

 “Receta ideale për një futbollist”

 Napolon Bonaparti e dinte se ushtritë marshojnë në bazë të stomakut, dhe e njëjta gjë mund të thuhet për futbollin. Kuzhinierët kanë një rol të dorës së parë. Dhe për një futbollist nuk është vetëm të hajë mirë, por dhe të ndihet mirë në fushë. Shefi i kuzhinës së ekipeve të Federatës Gjermane, Bernhard Heiser, shpjegon gjithçka në një intervistë për faqe zyrtare të UEFA-s.

 – Si u bërë shefi i kuzhinës së Federatës Gjermane të Futbollit?

 – Kanë qenë dy faktorë: i pari, unë jap leksione në Universitetin për Ushqyerjen dhe Sportin. E dyta, gjithkush e di, se ushqimi dhe psikologjia mund të japë një përqindje ekstra në performancën e lojtarëve, sidomos në aspektin fizik.

– Cili ështrë faktori më i rëndësishëm në këtë?

– Gabimi i parë mund të bëhet kur ti nuk e njeh sesi është ndërtuar trupi i një futbollisti. Sa është përqindja e dhjamit, sa është masa e muskujve, sa kalori ata djegin. Kjo është formula bazë që duhet të njohësh. Nëse unë ha sallatë me shumë vaj tri orë përpara ndeshjes, kjo nuk është mirë, pasi vaji ka shumë kalori dhe nuk mund të digjet në kohë përpara se ndeshja të fillojë.

– Cila është një recetë për një futbollist?

– Për ushqimin para ndeshjes, karbohidrate të thjeshta, si makarona, pasta, pana, sheqerna të thjeshta, si çokollotatë, marmeladë ose mjaltë. Duhet të kemi kujdes për balancën midis karbohidrateve dhe të bardhës së vezës, kështu që nevojitet pulë apo karkaleca.

– Si gatuani kur udhëtoni me ekipin?

– Unë u dërgoj një listë me kërkesa hoteleve, përpara se ekipi të mbërrijë atje. Kur lojtarët kërkojnë ndonjë gjë speciale, unë jua bëj.

– Cili është ushqimi i preferuar për lojtarët e Gjermanisë?

– Nuk mund ta thuash në përgjithësi. Por, nëse unë bëj pure patatesh me spinaq dhe salmon, thuajse të gjithë lojtarët e hanë. Por, disa lojtarë nuk e pëlqejnë peshkun, kështu që unë përpiqem gjithmonë të bëj një varietet të madh të ushqimeve.

– A i pranojnë të gjithë lojtarët këshillat tuaja?

– Lojtarët janë shumë të interesuar, por është e qartë se një 18-vjeçar ushqehet në një mënyrë të ndryshme nga një 30-vjeçar, i cili e njeh më shumë trupin e tij. Kam qenë i interesuar për ushqimin qysh në moshën 18 vjeç. Konceptim im është t’i paraqes gjërat në mënyrë të këndshme.

Banderlolë gjigande e tifozërisë së Partizanit në derbin e fituar me Tiranën

 Spektakli i kuq në “Qemal Stafa”

 Partizani fitoi 1-0 derbin numër 134 me Tiranën, duke qenë tashmë vetëm 1 pikë larg dy bashkëkryesuesve, Skënderbeut dhe Teutës (më nga 15 pikë). Një ndeshje e luajtur në fushë, por dhe në tribuna.

Koreografi, spektakël, këngë, kore tifozësh, por dhe sharjet do t’ia shtojnë më shumë adrenalinën derbit. Të dyja grupet, për të treguar se kush e komandon kryeqytetin. Dashamirësit e kuq përformuan në mënyrë të shkëlqyer në stadium me një koreografi të mrekullueshme. Në 134 ndeshje me Tiranën, Partizani ka fituar 54, kundrejt 39 të Tiranës. 41 takime janë mbyllur në barazim. Partizani ka shënuar 197 gola dhe ka pësuar 153. Gjatë gjithë historisë së tij futbollistike në Kategorinë Superiore, Partizani ka zhvilluar 1545 ndeshje, teksa ka fituar 826, barazuar 402 dhe humbur 312.