Sejmen GJOKOLI/ Për Dritëroin, ca fjalë…

602
Sigal

Kam plot një javë që një farë Shiatiku që i thonë rëndom ma pamundësoi jo vetëm daljen, por edhe kontaktin me Facebook-un, këtë “ mik” që hera – herë themi ndonjë fjalë e nxjerrim dhe mallë… Po sot, duke ndjekur edicionet e lajmeve, mësova se ishte edhe ditëlindja e Dritëroit, këtij burri të madh jo vetëm të letrave shqipe, por edhe të mendimit kombëtar. Jam i sigurt se shumë ndër ne mund të flasin e tregojnë për të si njeri, poet, shkrimtar, dramaturg e ku di unë, por mua m’u kujtua një vizitë në shtëpinë e tij me Bardin e këngës e fjalës së Bregut, mikun e Tij Lefter Çipa. Ishte viti 1995 kur me Lefterin kishim organizuar Grupin folklorik “Bilbili” e më duhej të botoja një album me llustër në shqip e anglisht. Dritëroi, kur u njoh me qëllimin e grupit, trevat nga vinin këngëtarët, por edhe me disa nga emrat e tyre që i kishte dëgjuar, aty në tavolinë, pranë gotës së verës me ca kokrra ullinj përpara, shkroi një kushtim të jashtëzakonshëm… Jo thjesht për një grup folklorik por një hymn apo monument për polifoninë labe. Një vit më pas, bashkë me 65-vjetorin e lindjes, po atë ditë do të përuronte edhe botimin e Tij të veçantë “Shpirti i Gjyshërve” një libër shumë interesant me këngë e vargje të kënduara nga Dritëroi në dasma, davete e muhabete. Këngë të popullit, por të lëmuara nga vet Poeti.

Isha i ftuar nga Dritëroi me grupin tim “Bilbili” që, siç thashë, Dritëroi i pat dhënë bekimin.

Kënduam disa këngë të librit, aty në një nga sallat e Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë, pa mikrofona,  pa artopalante, thjesht si në një oda devolliçe apo labërishte.

Dritëroi përballë, shumë afër grupit, shkonte këngën nëpër buzë, si të ishte me ta.

Dhe sot më tingëllojnë në vesh e zemër ato fjalë e ato këngë:

O Gjirokastra me vulë

Ç’e bëre Shemo hajdunë

Lart në Grebene çe zunë

Prerë këmbë e prerë gjunjë

Brenda në Janinë ç’e shpunë

Në Kala e në bodrumë…

Kjo më kujtohet që ishte një nga këngët e kënduara, por ato ishin të gjitha xhevaire të kaluara në dorë “ustai”…

Gjej rastin të të falënderoj publikisht nga zemra, i dashur Dritëro: Për dashurinë dhe kënaqësinë që na ke falë, për gjithçka që na kanë dhënë e krijuar përmes vargjeve e poezive të Tua magjike… Të paçim sa drita, Dritëro!