INTERVISTA/ JONELA Dino, pjesëtare e “Big Brother, 4”: Ëndrra në sirtar, të vizitoj Japoninë
Studion për Diplomaci, por është gjithmonë në kërkim të të veçantave në jetë. Është korrekte, e qeshur dhe e gjen gjithmonë me libra në duar. Si pjesëtare e “Big Brother, 4” ajo ka fituar një eksperiencë më shumë, por jo se e ka mbështetur të ardhmen mbi këtë eksperiencë. Në veshje është serioze dhe në kontakt me njerëzit shumë komunikuese.
Si kaluat me pushime?
Tashmë kanë ikur. Janë larg (qesh). Pushimet verore janë një mrekulli. Ashtu i kam kaluar dhe unë.
Votuat?
Pa diskutim. Intelektuali as që duhet ta vejë në diskutim votimin. Unë e shoh si një detyrim ndaj vetes dhe shoqërisë. Një njeri që nuk voton, s’ka të drejtë të kërkojë llogari ndaj shtetit dhe politikbërjes.
Mos vallë kjo do të thotë që në të ardhmen do merreni me politikë?
Jeta ka plot të papritura. Ka shumë zikzake. Kurrë mos thuaj kurrë. Ky është postulati me të cilin eci në jetë.
Studioni për diplomaci, çfarë është për ju kjo degë?
Mbarova vitin e katërt për Diplomaci, një degë që më ka tërhequr vazhdimisht. Ishte vetëm dëshira ime për këtë degë.
Cila është e veçanta juaj jetësore?
Njerëzit kanë të veçanta, por edhe të përbashkëta. Mund të them me bindje që ndryshe nga moshataret e mia, më pëlqen të marr përgjegjësi të mëdha dhe ta arrij qëllimin për kryerjen e një objektivi në lidhje me punën, gjë që te pak femra mund ta kem hasur këtë lloj force.
Ju dhe emrin e keni interesant…
Kështu më thonë shumë veta. E veçanta është se emri im është formuar në sajë të bashkimit të emrave të familjes sime dhe kurrsesi nuk do të doja ta ndryshoja me asnjë emër tjetër (buzëqesh), mbi të gjitha shpesh i falenderoj familjarët e mi që janë munduar të krijojnë këtë emër, ku të gjithë shkronjat e tyre tingëllojnë shumë bukur në një emër të vetëm dhe mbi të gjitha, që këtë e mbaj unë…
Çfarë mendon se ke armë speciale?
Veçoritë i mendoj gjithmonë. Armët e mia janë besnikëria, sinqeriteti dhe optimizmi.
Sa kohë i kushtoni look-ut?
Kontrollohem mirë para se të dal. Për mua është shumë e rëndësishme, është edukatë të mirëmbash dhe kujdesesh për trupin dhe look-un. Është një rregullues i mirë i gjendjes shpirtërore dhe një paraprezantim që i bën vetes
Aktualisht a jeni e dashuruar?
Në intervistat e mëparshme nuk jam prononcuar përsa i përket jetës private, por e ndjej ta shpreh në këtë intervistë. Jam e dashuruar.
Ëdo të thotë dashuri për Jonelën?
Ka shumë përkufizime. Ndërsa për mua është ndjenja më sublime, një ndjenjë shumë e veçantë, të cilës nuk mund t’i gjej dot asnjë lloj krahasimi.
Po urrejtja?
Urrejtja nuk bën pjesë në jetën time, nuk e njoh, nuk e di se çfarë është dhe nuk e di nëse është e kundërta.
Hobet?
Pëlqej udhëtimet, më pëlqen shumë natyra, bregdeti, vendet antike dhe me patjetër që në ditët e mia të pushimit unë do të jem e organizuar në diçka të bukur larg vendlindjes.
Cila është dhurata më e bukur që të kanë bërë?
Dhurata më e bukur, ndryshe nga dhuratat e shpeshta është portreti im, pikturë për 20-vjetorin tim nga miqtë e mi më të mirë.
Keni ëndrra në sirtar?
Kam një, të vizitoj Japoninë.
Lidhjet me kuzhinën?
Më pëlqen kuzhina. Mundohem të gatuaj sa më shijshëm duke i ndenjur strikte recetave të një prej këshillueseve më të mira të kuzhinës dhe drejtoreshës së Federatës Gastronomike Shqiptare, Katerina Gremo, me të cilën edhe punoj. Së shpejti do jetë në treg dhe libri i saj ku ia këshilloj të gjithëve.
Një risi në jetën tënde. Pse ishe në “Big Brother”Jonela?
Big Brother-i ka qenë një nga reality show më të veçantë të këtyre 5 viteve. Një reality show ndryshe nga të tjerët, ku mund të provosh më së miri veten në marrëdhënie me karaktere të ndryshme, ku rol të rëndësishëm luan intriga,tensioni, ambienti i mbyllur, kamerat etj. Është bukur ta përjetosh dhe unë do ta ruaj si një nga aventurat më të bukura të jetës sime deri më tani.
Ç’të re solli Big Brother për synimet e tua?
Një eksperiencë më shumë. Por, të ardhmen s’e kam barazuar aty. Në disa fusha kam pasur lehtësira për shkak të familjarizimit që njerëzit kanë pasur me mua nëpërmjet Tv.
Ndodh edhe sot të identifikohem kështu, si Jonela e Big Brother-it dhe të them të drejtën nuk është që më shqetëson.
Sa falso ishe në “Big Brother ″?
Aspak! S’e mendova kurrë falsitetin. Isha 100% e vërtetë, por pa përjashtuar momentet kur më duhej të dilja nga vetja, nga tipi im për të vënë në lojë të tjerët për shkak dhe të vetë tematikës që ai emision ka.
Atëherë, a mendon se e shfaqe plotësisht veten?
Deri diku po. Plotësisht do gënjeja po ta thoja, por isha e njëjta Jonelë që jam në jetën e përditshme.




















