London Bedini:Ja si na uroi Mehmet Shehu kur prodhuam traktorin e parë

653
Sigal

INTERVISTA/ Flet inxhinieri mekanik, piktori London Bedini: Piktura ka shumë të përbashkëta me vizatimin inxhinierik

Është ekspozita e tij e parë, por që nga kritika u cilësua e suksesshme. Profesioni i tij i vërtetë është inxhinieria, që sipas tij, ky profesion ka shumë gjëra të përbashkëta me pikturën. Në këtë ekspozitë ai vjen me 50 piktura të gjitha në vaj, ku dalin në pah tre gjini, peizazhi, portreti dhe abstraksionizmi. Vetë ai më shumë pëlqen abstraksionizmin, ndërsa miqtë e tij i pëlqejnë peizazhet. Në monizëm ka qenë inxhinier në një nga kombinatet më të rëndësishme të kohës, në atë të Autotraktorëve, ku është prodhuar traktori i parë “Made in Albania”, inaugurimin e të cilit e ka bërë Mehmet Shehu. Sipas tij, ky Kombinat ishte mjaft modern dhe shpreh keqardhjen për shkatërrimin e tij.

 Pse titullohet “Rrugëtimi im në pikturë”, kjo ekspozitë?

Kjo ekspozitë quhet “Rrugëtimi im në pikturë” për disa arsye. Është fakt që me shumë mundim dhe përkushtim. të hedhësh në tablo është një gjë shumë e madhe që kërkon kokë, përkushtim, durim, mendim, elasticitet, finesë. Sidomos gjatë punës sime unë kam vënë re që ajo që më bën përshtypje është që mundohem të  kërkoj të bëj diçka, ose të mbetet diçka e  fiksuar. Kjo gjë ndodh me shkrimtarin, me poetin, skulptorin. Kjo gjë ndodh edhe me  piktorin që pasi mbaron diçka kërkon që t’ia shikojnë të tjerët. Ekspozita ime e parë është pikërisht  këtë domethënie”rrugëtimi im në pikturë”. Pra është rruga ime në pikturë. Ndoshta nuk është shumë rrugë e gjatë por është një rrugë e bukur, me vështirësitë e veta, me zigzaget e veta. Më ka pëlqyer gjithmonë ky rrugëtim dhe pse nuk jam profesionist në pikturë. Në fund të fundit piktura është ndjesi është dhunti dhe nqs nuk e ke këtë dhunti sado profesionist të jesh, nuk mund të pikturosh dot. Kështu ka ndodh dhe me mua. E kam dashur shumë pikturën dhe kam lexuar thuajse të gjithë monografitë që janë shkruar për piktorët e mëdhenj. Me thënë të drejtën jeta e tyre ka qenë dhe mbetet shumë interesante ashtu sikundër veprat e tyre. Rrugëtimi i tyre ka qenë sa i vështirë po aq i bukur.

-Sa piktura janë gjithsej?

Numri është  shumë i kufizuar si ekspozitë e parë  që është. Janë 50 piktura. Megjithëse është një ekspozitë modeste po për mua është një eveniment i rëndësishëm.  Unë mendoj se, çdo njeri me punë mbledh eksperiencë, mbledh vlera. Unë kam paraqitur këto piktura, por kam lënë edhe shumë të tjera jashtë ekspozitës. Në pikturë kam nxjerrë konkluzionin se ai që të vlerëson është profesionisti,  shoqëria dhe koha. Kjo e fundit është akoma më e rëndësishme. Sa mbetesh në kohë, aq i vlerësuar je. Koha ose të jep vlerë ose të humb përgjithmonë. Ai që i ka rezistuar kohës mbetet një piktor me vlerë…

-Ju i keni të gjitha gjinitë. Keni peizazhin, portretin, abstraksionizmin. Ku e gjeni më shumë  veten  në këto tre lloje të gjinisë së pikturës?

 Mua më duket se më tepër veten e gjej në abstraksionizëm. Jam më i lirë dhe më i çliruar atje. Ne peizazhe shplodhem. Më tepër më pëlqen që të punoj me abstraksione, por e shikoj që  dashamirësit i kam më pak afër me abstraksionet dhe më shumë i kam të afërt me  peizazhet… Në një abstraksion jepen shumë gjëra, dhe ajo që ndodh fshihet  aty brenda, por ai që e shikon kërkon që të sqarohet. Abstraksioni është që shikuesi  të marri atë që kupton ai vetë. Nuk mund të rri piktori të  sqarojë të gjithë shikuesit se çfarë kam dashur të shpreh me këtë apo atë pikturë… Prandaj është më i vështirë abstraksioni. Shumë herë abstraksionizmi është një mendim brenda vetes që rrallë mund të kuptohet tek të tjerët ashtu si e kupton vetë autori.

-Po në monizëm kush ka qenë profesioni juaj?

Kam punuar inxhinier në Kombinatin e Autotraktorëve si inxhinier. Kam qenë dhe pedagog në shkollat e mesme. Profesionin im ka qenë shumë i përkushtuar në shkencat ekzakte. Gjatë kohës që isha në profesionin  tim në  punë jam marrë edhe me pikturë. Pra nuk i ndaja nga njëra-tjetra paçka se profesionit të parë të inxhinierisë i kushtoja më shumë kohë… Kanë diçka të përbashkët.

– Mund të na thoni diçka  ekzakte për prodhimin e traktorit të parë, të cilin e ka inauguruar  Mehmet Shehu?

Mehmet  Shehu ishte një udhëheqës i zoti dhe ishte shumë serioz, potent. Momenti i inaugurimit ka qenë një moment shumë i ndjeshëm për të gjithë njerëzit. Kur erdhi Mehmet Shehu për ta inauguruar të gjithë ishim në merak. Si do të dilte prova. A do t’i pëlqente? A do të ishte traktori një prodhim si të tjerët? Por çdo gjë doli me sukses. Traktori i parë mbante firmën Made inAlbania. Ishte një gëzim i madh. Mehmeti na tha: Ju lumtë! Të gjithë duartrokitën.  Pasta ai hipi vetë mbi traktor. Ne vazhdonim duartrokitjet.

 Ishte në gjendje ky kombinat që të përballonte nevojat për pjesë këmbimi?

Po. Ishte. Ne prodhonim shumë vegla cilësore. Të gjitha ishin konkurrente në treg.

A ishte ky Kombinat bashkëkohor?

Po. Këtë e them me bindje. Ishte një Kombinat që kishte shumë dimensione.  Ne jo vetëm traktorin, por ne bënim edhe shumë elementë, prodhime mekanike të tjerë  si për bujqësinë, hidrocentralet, ndërmarrjet e shërbimit. Traktori ishte një dhe duhej për atë sistem. Ne specialistët  thonim se nuk është ndonjë gjë e madhe. Uzinën e Autotraktorëve  e kujtoj me nostalgji  sepse ishte shumë bashkëkohor dhe konkurronte vendet fqinje… Makinat metal-prerëse dhe  makineritë e specializuara që kishte kombinati ishin të gjitha bashkëkohore dhe ishin të gjitha të një cilësie dhe të një niveli shumë të lartë. Të gjitha makineritë metal-prerëse ishin të prodhimeve të fundit. Menaxhimi i tyre ishte i dobët. Nuk duhej të shkatërrohej ai Kombinat. Aty mund të punohej për shumë gjëra që i duheshin të gjitha degëve të ekonomisë tonë.