Lezha dhe përpjekjet për pavarësi

2091
Sigal

Lëvizje mbarëkombëtare në prag të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 1912

Në ditët kur po festohet 100- vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, është momenti më i mirë që çdo rreth e çdo krahinë të pasqyrojë luftërat që janë zhvilluar me pushkë dhe penë, të evidentojë protagonistët e tyre për të evokuar ato kohëra historike kur u vendosën fatet e Shqipërisë. Edhe Lezha dhe krahinat e saj kanë shkruar një faqe të lavdishme dhe zënë një vend nderi në këtë periudhë. Megjithëse Lezha nuk mori pjesë me përfaqësuesit e saj në Lidhjen e Prizrenit, pasi përfaqësohej nga Shkodra, kjo ngjarje historike dhe sidomos ato që erdhën pas saj, ngritën lart valën e urrejtjes dhe pjesëmarrjen e lezhjanëve në veprime të rëndësishme politike, patriotike dhe luftarake, të udhëhequra nga Lidhja e Prizrenit. Në përgatitjen politike dhe patriotike të popullit të këtyre anëve, ndikim të fuqishëm kanë patur ideologët dhe patriotët e mëdhenj që jetuan e punuan në zonën e Lezhës si Shtjefën Gjeçovi, Ndre Mjeda, Preng Doci, Ali Ulqinaku, etj.. Ata e lidhën revoltën popullore me idealin e madh të mbarë popullit shqiptar për liri e pavarësi. Në këtë periudhë dolën në pah dhe u evidentuan disa udhëheqës popullorë vendas si Dedë Coku, Gjeto Coku, Kolë Toma i Velës, Bardh Kolë Toma, Zef Simon Harapi, Shtjefën Haberi etj.. Ata u vunë në krye të lëvizjes luftarake, i udhëhoqën me sukses ato dhe ditën të mbajnë lidhje dhe të sigurojnë mbështetjen e përhershme të udhëheqësve më në zë të lëvizjes të viteve 1910- 1912 si Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi etj., patriotë që vepronin në Veriun e Shqipërisë. Historia i kishte mësuar kryengritësit që për të fituar mbi ushtrinë turke duheshin bashkuar pa dallim feje e krahine. Këtij qëllimi i shërbyen edhe Kuvendet e njëpasnjëshme që u zhvilluan në gjysmën e parë të vitit 1912. Gjatë vitit 1912, luftimet më të ashpra midis kryengritësve dhe forcave turke u zhvilluan në Bregun e Matës. Të udhëhequr nga Gjeto Coku, Dedë Coku, Llesh Nikë Daka, Zef Arapi, bregamatësit shkruan faqe të lavdishme për liri e pavarësi kombëtare. Ndër betejat më të mëdha ishte ajo e datës 22 Qershor 1912. Ushtria turke udhëhiqej nga Hasan Riza Pasha, valiu i Shkodrës. Beteja u zhvillua në një trekëndësh të gjerë Barbullojë- Pllanë- Tale duke përfshirë krejt Bregun e Matës dhe Gurëzin. Luftimet më të përgjakshme u kryen në Shënkoll tek kulla e Llesh Nikë Dakës. Në këto luftime ushtria turke la 187 të vrarë, 70 prej të cilëve u vranë rreth kullës së Lleshit, ndërsa me dhjetëra të tjerë u plagosën e u zunë rob. Lufta e bregamatësve bëri jehonë në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë atdheut. Gazeta “Liria e Shqipërisë” që dilte në Sofje, në Qershor të vitit 1912 shkruante: “Malësorët bregamatës i dolën para me 21 Qershor një ushtrie turke që po shkonte nga Lezha në Tiranë dhe i vunë pushkën. Lufta zgjati 3 orë. Ushtria  u thye keqas duke lanë të vdekur kajmekamin e Lezhës, 4 melazinë, 27 xhandarë e qindra ushtarë të tjerë të vrarë e të plagosur. Malësorët morën shumë kuaj, arka me xhebehane, rroba e mauzere. Prej malësorëve mbetën të vdekun 47 veta.” Gazeta e quan Llesh Nikë Dakën “Leonida i Bregut të Matës” dhe çetat e malësorëve, “çeta spartanësh”. Për ti shpëtuar goditjeve turke, bregamatësit larguan gra e fëmijë e gjënë e gjallë për në Mirditë. Më 15 korrik u zhvillua një betejë e dytë ndërmjet të “besëlidhurve” dhe 3 batalioneve turke. Ajo u bë e përgjakshme tek Trapat e Matit, Pllanë, Gajush e deri në Tale. Vetëm 50 veta mbetën gjallë nga ushtria turke. Më 23 korrik mbi 700 burra të armatosur të Bregut të Matës, të Mirditës e Malësisë së Lezhës që kishin zënë pozicione në vijën Velë- Pllanë- Tale, zhvilluan një goditje tjetër kundër ushtrisë turke duke e shpartalluar plotësisht atë. Në muajin gusht 1912, mbi 330 “të besëlidhur” nga Bregu i Matës, Malësia e Lezhës dhe Kurbini, u mblodhën në Milot dhe vendosën të sulmojnë Durrësin e atje të ngrinin flamurin kombëtar e të shpallin pavarësinë. Më datën 5 gusht, “të besëlidhurit” sulmuan depot e armëve të Durrësit dhe me 14 Gusht sulmuan Durrësin por ato u goditën pas shpine nga forcat turke dhe ato të Esat Pashës. Në Rrushkull ranë heroikisht 10 kryengritës e në mes tyre 6 bregamatës, 3 mirditorë dhe Zef Simon Harapi nga Shkodra që kishte marrë pjesë në shumë kryengritje në zonën e Lezhës. Të rënët e Urës së Dajlanit janë: Kolec Marku, Gjokë Doda, Tomë Xhuxhi, Marash Haka, Prel Deli Shala, Mark Pren Dudi, Mark Përzefi, Preng Nikoll Gjeçi dhe Llesh Nikë Daka i cili u plagos atje dhe pas pak ditësh vdiq dhe u varros në Rubik. Esat Pashë Toptani në tetor të vitit 1912, me një forcë ushtarake prej 10.000 vetash, hyri në Bregun e Matës, dogji 150 shtëpi dhe plaçkiti e rrënoi gjithçka i doli përpara. Shtypi i kohës shkruan për këtë ngjarje: “Më 2 tetor 1912, krisi lufta ndërmjet 300 kryengritësve bregamatës dhe Esat Pashë Toptanit. Lufta zgjati 11 orë. Nga ushtria e Esatit u vranë 47 radifë. Në hakmarrje Esati dogji e plaçkiti krejt Bregun e Matës”… Në valën e entuziazmit e të besimit që solli kudo shpallja e Pavarësisë, në prill të vitit 1913, në Lezhë u krijua qeveria e pavarur e udhëhequr nga patrioti Gjeto Coku. Ajo përfshinte Lezhën, Shëngjinin dhe një territor të gjerë që nga Bregu i Bunës në Veri e deri në Drojë, në Jug. Ndër veprimet më të spikatura të qeveritarëve të asaj kohe ishin kundërshtimi i veprimeve përçarëse e separatiste të Prengë Bibë Dodës e Esat Pashë Toptanit dhe lufta me armë kundër pushtuesve serbë, të cilët siç dihet që nga Nëntori i vitit 1912 kishin pushtuar Lezhën. Për këto qëndrime vritet pabesisht nga forcat serbe dhe atyre të Esat Pashës dhe Prengë Bibë Dodës, qeveritari i Lezhës Gjeto Coku më datën 7 Tetor 1913. Pas vrasjes së tij, në krye të qeverisë u vu i vëllai Dedë Coku, një patriot dhe udhëheqës i lëvizjes për pavarësi. Akti i parë dhe më i rëndësishëm i kësaj qeverie ishte njohja dhe bashkimi me Qeverinë e Vlorës, në Mars të vitit 1914. Kështu përfundojnë lëvizjet për pavarësi të popullsisë së Lezhës dhe krahinave të tjera. Megjithëse filluan me parullën një burrë për shtëpi, ato u shndërruan në lëvizje masive të të gjithë popullit që ishte në gjendje për të luftuar pushtuesin. Në këto luftime morën pjesë mbi 2.000 luftëtarë lezhjanë. Me to u bashkuan edhe 1.500 luftëtarë e patriotë nga Mirdita, Kurbini dhe Kruja. Nga forcat turke dhe esadiste u shpartalluan tërësisht 2 taborre turke dhe shumë mercenarë e ushtarë të tjerë. Në luftë për pavarësi e mbrojtjen e trojeve shqiptarë u vranë rreth 300 veta nga zona e Lezhës por këto dihen vetëm si shifra të dhëna nga shtypi dhe kronikat e kohës. Fatkeqësisht nuk janë të evidentuar njerëzit, zonat e krahinat nga ishin ata. Vetëm 42 prej tyre janë pasqyruar në dokumentet historike dhe janë shpallur dëshmorë të pavarësisë. Në këto luftime shpërthyen akte të larta patriotizmi që mbetën simbol për brezat e mëvonshëm. Kështu p.sh. vëllezërit Bec e Culë Patani shkruan një epope në luftë kundër pushtuesve turq në Kodër të Marlekës duke rënë të dy në fushën e betejës. Po kështu, nga familja e Llesh Nikë Dakës u vranë 5 pjesëtarë nga të cilët 2 gra dhe një fëmijë. Pra veç burrave luftuan e ranë heroikisht edhe gra.

Dr. Marash Ndoka

(Ish- Drejtor i Muzeut Historik të Rrethit Lezhë)

SI U NGRIT FLAMURI NË LEZHË, DHJETOR 1912

Në ditët e para të dhjetorit 1912, arriti në Rubik letra e Luigj Gurakuqit dhe Nikollë Kaçorrit që lajmëronin shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe masat e menjëhershme që duheshin marrë për ngritjen e flamurit në krahinat dhe qytetet e Shqipërisë së Veriut. Patriotët lezhjanë u angazhuan herët me ngritjen e flamurit. Për herë të parë flamuri u ngrit me 1911 në Kalanë e Lezhës, por ai ishte i parakohshëm dhe nuk kishte vlerë juridike, pasi nuk ishte shpallë pavarësia dhe ngritur flamuri në shkallë vendi, prandaj nuk pati jetë të gjatë. Më pas u tentua të ngrinin flamurin në Durrës në gusht të vitit 1912, por dështoi nga tradhtia Esadiste. Flamuri kombëtar pas shpalljes së pavarësisë u ngrit në ditët e para të dhjetorit 1912. Për këtë ngjarje ka një fotografi të patriotit Kelë Marubi, i cili fiksoi pjesëmarrësit e shumtë në këtë ngjarje. Iniciatorët e ngritjes së flamurit ishin Kolë Toma, Dedë Coku, Gjeto Coku, Gjin Pjetri, Gjokë Murri, Murr Koleci, Zef Xhuxha, Serafin Lusha, Kasem Met Kadia, Ahmet Osman Haxhia, Haxhi Ahmet Litja, Xheladin Hasan Aga, Kolë Gjokë Deda, etj.

“TË BESËLIDHURIT”

Kështu në Zejmen me 11 Maj 1912, 30 përfaqësues nga Bregu i Matës, Kthella dhe Mirdita lidhën besën midis tyre. Po kështu, më 17 qershor në Shënkoll u mblodh një kuvend ku pjesëmarrësit e quajtën veten “të besëlidhurit”, ndoshta të frymëzuar nga Besëlidhja e Lezhës e vitit 1444. Me 22 qershor 1912, tek Kunora e Pllanës u mblodh një kuvend tjetër, ku përveç Bregut të Matës e Mirditës morën pjesë edhe Zadrima e Kurbini. Pra rrethi i pjesëmarrësve u zgjerua dhe i kaloi kufijtë krahinorë. Këto kuvende bënë të mundur që veprimet luftarake të unifikoheshin më mirë, të zhvilloheshin në shkallë më të gjerë dhe pjesëmarrja e luftëtarëve të ishte më e madhe.