Shqipëria merr titullin ndërkombëtar të bukurisë

1005
Sigal

Bukuroshja 16-vjeçare, Kleoniki Delijorgji, veç “Miss Globe 2012”, fiton edhe “Miss Shqipëria 2012”

Veç veprimtarive të tjera në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Pallati i Sportit në Vlorë ka gumëzhitur për disa ditë me radhë nga spektakli i 39-të i “Miss Globe”. Ky ishte momenti magjik i një spektakli që për rreth tre orë dhuroi surpriza dhe emocione në Pallatin e Sportit në Vlorë. 43 bukuroshe të botës kanë festuar bashkë me shqiptarët 100 vjetorin e pavarësisë, kanë garuar dhe përcjellë deri te publiku i shumtë, emocionet e garës.

Garë dhe spektakël

Producenti Petri Bozo për këtë edicion të 39-të të “Miss Globe” kishte ftuar edhe shumë miq në skenën gjigande të ndërtuar në dy kate. Kanë performuar me emocione David Tukiqi dhe Aurora Kapo, fituese e festivalit të fëmijëve “Performfest”, “Dhuratë për ditëlindje”. Aurela Gaçe ka ndezur skenën e qytetit prej nga vjen, ndërsa Besim Zekthi me balerinë të shkollës së baletit kanë përshëndetur me një numër special koreografik. Nota rinore përcollën në sallë edhe katër talente të dala nga “The Voice of Albania”, Elis Nova, Gjergj Kaçinari dhe motrat Kumria, ndërkohë që dy prezantuesit e zgjedhur këtë vit, bukuroshja Hygerta Sako dhe kryekomisari Krenar Ahmeti i kanë dhënë tjetër ritëm garës me batuta e improvizime të momentit duke ofruar një çift prezantuesish në harmoni me njëri tjetrin, i pëlqyer e duartrokitur fort edhe nga publiku.

Vajzat: “Dua më shumë Shqipërinë”

Vajzat kanë performuar në katër sfilata me veshje mbrëmje, bikini, por edhe kostumet popullore të vendeve prej nga vijnë. Emocionet e tyre morën tjetër ngjyrë kur bashkë me këngëtarët Rona Nishliu dhe Ardian Lika kënduan refrenin e “Dua më shumë Shqipërinë”.

Bukuroshja 16 -vjeçare, Kleoniki Delijorgji rrëmben kurorën

Ditët e zhurmshme me bukuroshet e botës, gjatë dy javëve të fundit, kanë marrë fund mbrëmjen e së shtunës, kur rreth orës 24.00 të mbrëmjes është zgjedhur fituesja e këtij viti e “Miss Globe”. Bukuroshja 16 vjeçare, Kleoniki Delijorgji, njëherësh “Miss Shqipëria 2012”, ka hyrë në historinë e këtij kompeticioni si vajza e dytë shqiptare që fiton titullin ndërkombëtar të bukurisë. Më dhjetë vota pro, nga 17 anëtarët e jurisë, ajo ka marrë të drejtën të mbajë kurorën e më të bukurës së Globit për këtë vit, ndërkohë që, shoqëruesja e parë është shpallur, Miss Kina, 17- vjeçarja Jinzi Huang dhe shoqëruesja e dytë, Miss Rusia, 21 -vjeçarja Inessa Yurinskaya. Ky ishte momenti magjik i një spektakli që për rreth tre orë dhuroi surpriza dhe emocione në Pallatin e Sportit në Vlorë. 43 bukuroshe të botës kanë festuar bashkë me shqiptarët 100 vjetorin e pavarësisë, kanë garuar dhe përcjellë deri te publiku i shumtë, emocionet e garës.  Kështu për të nëntin vit Shqipëria është bërë vendi mikpritës i “Miss Globe”. Por nuk ka qenë vetëm kaq festa e 43 bukurosheve, që për dy javë me radhë valëvitën flamujt e vendeve të tyre, përkrah dhe në nder të flamurit shqiptar.

Një mbyllje e bukur dhe kuptimplote

Ngjyra, performanca elegante të kuruara nga Olta Ahmetaj, ritmi muzikor i përzgjedhur nga Fabian Basha, dhe shumë elementë që kujtonin festimet e këtij viti jubile për shqiptarët kanë përmbyllur këtë edicion, i cili u bë akoma më i veçante prej emrit të fitueses: në 100 -vjetorin e Pavarësisë mbretëresha e bukurisë është një shqiptare.

UDHËTIM NËPËR SHQIPËRI GJEOGRAFI, TURIZËM DHE SPEKTAKËL

Jo rastësisht turi i vajzave, këtë vit, u mendua nga organizatorët ta kapërcente kufirin shtetëror të Shqipërisë. Miss-et u nisën nga Tiranë dhe grupi gazmor i bukurosheve pasi përshkoi qytetet historike dhe turistike shqiptare, ndali në Ulqin, ku u zhvillua edhe nata e parë e minispektaklit, pjesë e këtij kompeticioni, “Miss Talent shoë”. Më pas bukuroshet iu drejtuan Kosovës për të ndalur në Prizren ku vajzat janë njohur me historinë e këtij qyteti, kanë vizituar muzeun dhe shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, datë e rëndësishme në historinë tonë. Harta e udhëtimit ka vijuar në Mitrovicë, është vizituar kulla e Isa Boletinit, një figurë e njohur në përpjekjet shqiptare për shpalljen e Pavarësisë, është vizituar qyteti dhe më pas turi është përmbyllur në Strugë, ku janë shpallur edhe fitueset e “Miss Talent shou”: “Miss Kina”, Jinzi Huang, ka marrë votat unanime të jurisë si fituesja e këtij kompeticioni pas një performance të shkëlqyer kërcimi, veshur me veshjet karakteristike kineze. Bukuroshja Huang përcolli në skenat shqiptare jo vetëm talentin e saj, por edhe kulturën kineze në çdo detaj të interpretimit që realizoi në skenë. Vendin e dytë e ka fituar “Miss Hungaria”, Fanni Papai, e cila ka sjellë bukur në skenë ritmet belly dance. Në vendin e tretë u përzgjodh bukuroshja maqedonase, Sandra Stefanovska. Një çmim special ka marrë këtë vit edhe “Miss Kosova”, Loreta Abdyli, për të cilën juria votoi për çmimin “Miss Pavarësia.