Me top përreth Globit!

700
Sigal

“Futbollistët Shqiptarë nëpër botë”, libri i Florent Hoxhës, një udhëtim historik dhe statistikor

Pakkush në botën që jetojmë nuk e ka të lidhur në një mënyrë a tjetër jetën me sportin, dhe kryesisht me futbollin. Kjo lojë magjike universale ka emocionuar, drithëruar, gëzuar e hidhëruar në pafundësinë e vet qëkur u shpik, miliona njerëz të planetit. Për çudi, ajo nuk ka pasur “shtete të privilegjuara” për shkak të statusit ekonomik apo historik. Madje “këmbët e arta”kanë lindur dhe në vendet më të varfra të Botës. Edhe nëse një vend a tjetër, në momente të vështira mund ta ketë pllakosur “zija e bukës”, nuk para është përjetuar “zija e futbollit”. Që nga fushat ranore apo gjithë driza e deri tek stadiumet moderne, loja e topit nuk ka pasur të ndalur. Qoftë në gjendje paqeje për Globin apo në gjendje lufte. Imagjinojeni një çast pa këtë lojë magjike, a do të kishte apokalips më të madh shpirtëror por dhe fizik në gjithë Bujtinën e Madhe Njerëzore!…Ky pra është futbolli, loja më e dashur universale që njerëzimi e ka shpikur për të mos e ndalur kurrë më në ekzistencën e vet!Po Shqipëria?!…Padyshim, bëjmë pjesë në “hemisferën e zjarrtë” të kësaj loje globale. Me oshilacionet e një vendi që për shkak të madhësisë, apo pozicionit gjeopolitik ndër shekuj, gati-gati deri në grahmën e zhbërjes, mund të shpjegohet dhe ajo çfarë ka ngjarë në mote me futbollin shqiptar, për më tepër me “aktorët” e këtij sporti të hareshëm. E megjithatë, ka mbijetuar për të ardhur në ditët e sotme, së paku me një kast futbollistësh që kanë bërë emër në gjithë botën futbollistike. Na ka dhënë emocione pafund ekipi Kombëtar për dekada të tëra, që nga “futbolli ideologjik” e deri në ditët e sotme. Sepse futbollin e kemi dashur si lojë të të gjithëve, pa empathi ngjyrash ideologjike. Më ka ndodhur diçka interesante teksa po hidhja këto shënime parathënëse të librit shkruar me aq dashuri e pasion nga Florent Hoxha, emigrant në SHBA.

GUIDË FUTBOLLISTIKE

Natyrisht, tej emocioneve që sjellin përballje të tilla, dhe ku, në sport ngjet dhe ndezja e një lloj ndjenje të veçantë për Kombin tënd, libri në dorëshkrim që po përcillja i Florent Hoxhës më ka dhënë të kuptoj shumë më tepër për thelbin e tij, për statistikën dhe shifrat kokëfortë, për këtë resurs të jashtëzakonshëm futbollistik që Shqipëria e Vogël i përcjell Botës së Madhe të Futbollit edhe kur na kapin ethet gjaknxehtë tipike ballkanase. Jam i bindur se kjo gjë, do të ngjasë me këdo që do e shfletojë. Libri vjen që në fillim si një guidistikë historike e futbollistëve tanë nëpër Botë. Një nga guidat më të plota, për të mos thënë e vetmja e këtij lloji. E natyrisht këtë mund ta bënte vetëm një njeri që futbollin e ka jo vetëm hobi në mënyrën sesi e përcjell, nga duart e jo nga këmbët, por dihet se statistikat marrin vlera sa më shumë kalojnë vitet, dhe për këtë gjë, brezat do t’ia dinë për nder Florentit që ka qenë aq i përpiktë, i kujdesshëm dhe skrupuloz. “Ky është Juventus, fitues i kupës së Italisë 1941-42. Ulur i pari majtas Riza Lushta. Për futbollistët tanë të paraluftës mund të ishin shkruar libra të tërë dhe prapë nuk do të ishte e mjaftueshme. Ata kanë luajtur me dhjetëra ndeshje dhe kanë shënuar dhjetëra gola për disa nga ekipet më të mira italiane e botërore, kanë fituar kupa e kampionate por mbi të gjitha kanë shfaqur shpirtin e tyre të madh në fushë dhe jashtë saj. I pari dhe ndoshta më i madhi prej tyre është sulmuesi Riza Lushta nga Mitrovica e direkt mbas tij gjakovari Naim Krieziu…”. Kështu e nis librin e tij të veçantë “Futbollistët shqiptarë nëpër botë”, autori Florent Hoxha, emigrant në Amerikë, si një prolog historik pikërisht për dy nga rishtarët shqip-tarë që më së shumti dukej se do i jepnin eposin shqiptar edhe ekipeve të mëdha italiane. E përshkruan udhën e tyre futbollistike saktë dhe me plot emocion, e ku duket se “dhimbjet shqiptare” të futbollistëve pikëtakohen, sepse pikërisht, për shembull, Lushta i madh, nëse për tre vite luan plot 80 ndeshje e shënonte 42 gola, renditur sot e kësaj dite si një ndër shënuesit me mesataren më të lartë në historinë e klubit të Juventusit, nuk e pati fatin të luante asnjëherë zyrtarisht për përfaqësuesen e Shqipërisë, edhe pse si Lushta dhe Krieziu ishin bash themeluesit e saj. Udhën e suksesit të dy shqiptarëve të mëdhenj në fushat e kampionëve të botës, Italisë së Silvio Piolës, do ta ndiqte fenomeni shqiptar i futbollit Loro Boriçi, e ngjitur me të dhe Sllavi Llambi. Autori sjell përshkrimet brilante të gazetarëve dhe komentatorëve italianë për këta futbollistë të mrekullueshëm shqiptarë, ashtu si dhe “zërat mikrofonikë” të papërsëritshëm si Anton Mazreku, kur na e sjell të peneluar aq bukur mjedisin futbollistik të asaj kohe “Losin e enthuzjazmojnë publikun italian, endin kalimet ma tërheqëse të topit e topin e dërgojnë shpesh herë me pushue në rrjetin e skuadrës kundërshtare, tue mprehë pendat e fletorarëve për ma të bukurën qindisje artikujsh, të shtymë prej pasionit të flaktë sportivë, prej klasës së vet të naltë, po edhe të nxitun prej dishirit të shenjtë me nderue Shqypnin e dashun…”! E të ndjekësh më pas përshkrimet për Loro shkodranin, sepse me të drejtën e Zotit është ashtu si e thotë Florenti: “Shkodra i dhuroi Shqipërisë Loron, njeriun fisnik e human, me një shpirt tejet të madh, edukatorin e dashur dhe të përkushtuar plotësisht, i dha babain e futbollit, Pelenë e shqiptarëve…”. Historia e Loros, duket se është historia e 5 Shqipërisë. Është rasti unikal që lidh epokat, por dhe që dashje pa dashje, për shkak të këmbëve të tij të arta, dhe i zbut epokat! La shenjë të fortë në ndërgjegjen futbollistike të Kombit italian së bashku me bashkëkombësit e tij të para luftës, por dhe frymëzoi lojën magjike të futbollit “kreativëve të pingpongut” kinezëve, mbipopulluesve të Globit, që në pak vite na kishin mbetët e vetmit miq në izolimin tonë të madh politik dhe sportiv!Vitet e pasluftës mbyllin dhe një histori endjeje të futbollistëve tanë nëpër klubet e Botës.

NDËRLIDHËSIT E EPOKAVE

Talentet e mëdha, do të mbylleshin brenda vendit pa pasur asnjë mundësi merkatoje në klubet me famë të Botës, edhe pse laboratori futbollistik i “Shqipërisë së Vogël” fabrikonte futbollistë të klasit. Këtu autori nuk është ndalur të qëmtojë më tej duke na dhënë të kuptojmë se ishte epoka e Heshtjes së Madhe!Libri vjen e plotësohet me fakte interesante pikërisht në “Pas 90-ën”, sepse pena e autorit është munduar të hyjë në gjithë kompeticionet futbollistike nëpër kontinente, duke na sjellë fakte të parenditura saktësisht deri më tash, sepse janë një dyzinë kampionatesh në gjithë kontinentet ku luajnë shqiptarë e që kanë vënë emër e famë në vendet respektive. Një përshkrim i shkurtër në ndeshjen Rexhina-Bolonjasjell portretin e një djaloshi të gjatë e simpatik, elegant, i fortë në luftën në ajër që sapo vinte nga kampionati kroat. Ishte Erion Bogdani. E më pas një futbollist tjetër po aq elegant, që vinte nga akademitë sportive të klubeve shqiptare si Partizani dhe rrjetet tona kombëtare, për të qenë të sigurt në aventurën e tyre sportive nëpër botë. Ishte biondi shtatlartë Igli Tare si një ndërlidhës epokash me atë të Loro Boriçit të madh! Futbollistët shqiptarë vijnë më pas në shënimet e autorit në klubet italiane me radhë si të ishin në shtëpinë e tyre futbollistike dhe në këtë udhë përshkrim lexuesi njihet në detaje për secilin prej tyre. Spikatin në përshkrimet e detajuara për udhën e përshkruar lojtarë që kanë mbetur gjatë në mendjen e publikut futbolldashës, që nga Altin Rraklli, Skela, portierë si Ujkani, Strakosha e me radhë. Libri ndërtohet me kapituj që i referohen Ligave të ndryshme sportive, duke filluar me Italinë e në vazhdim më Gjermaninë ku natyrisht ndalet më gjatë. “Kur në dhjetorin e 94-ës topi pushoi në rrjetën e Këpkes pas të djathtës së rrufeshme të Altin Rrakllit, shqiptarët anembanë festuan sikur tu kishim marrë pikë gjermanëve. Në fakt kjo nuk ka ndodhur asnjëherë hiq barazimin 0-0 në 1967-ën. Por ky gol ishte i madh jo vetëm se e shënonte Përfaqësuesja jonë por edhe sepse vërtetoi që ekipi i Frajburgut nuk kishte investuar kot te ky djalë i shkathët…” Ky lloj portretizimi i zhdërvjellët vjen tek lexuesi, gjë që e bën dhe për Bushin, për Zmijanin, Klodian Duron e me radhë, emra tashmë të daltuar në ndërgjegjen kombëtare. Autori ka një meritë të madhe në statistikat që sjell sa i përket dhe përfaqësimit të shqiptarisë në fushat e futbollit, duke sjellë nën të njëjtin ritëm sipas meritokracisë futbollin shqiptar (nga Kosova apo Shqipëria), teksa na përshkruan këndshëm karaktere të forta futbollistike si Besnik Hasi, si një nga shtyllat e forta edhe të Kombëtares shqiptare. “Kosova nuk ka reshtur së dhuruari trungut mëmë me dhjetëra futbollistë që prej fillimeve të lojës së top-kambës e deri më sot. Stafetën e Besnik Hasit dhe Mehmet Dragushës në Bundesligë e vazhduan të “natyralizuarit” e Kombëtares Bekim Kastrati dhe Besart Berisha”. Nuk harron në qasjen e tij të sjellë “dekadën gjermane” me Rudi Vatën, apo Altin Lalën, Skelën etj, por nuk harron bashkëqytetarin tim nga Rrësheni, Fatmir Vata, duke mos harruar se futbollistët e mëdhenj shqiptarë kanë lindur dhe nga fushat e qyteteve të vogla. Ky pra është futbolli! “Nëse deri vonë italianët e mbanin kampionatin e tyre si më të bukurin e botës, sot jo vetëm ata por e gjithë bota sportive e pranon me bindje që Anglia ka parakaluar çdo kampionat tjetër për nga cilësia e shpejtësia e lojës, stadiumet, klubet, futbollistët, spektatorët e çdo kriter të mundshëm që mat bukurinë e futbollit”. Kështu e përshkruan autori dhe duket sikur na thotë se Anglia mund të ishte “mollë e ndalueme” për këmbët shqiptare”! Por e vërteta foli ndryshe me Lorik Canën apo Eduard Abazajn.

FUTBOLL NË TOKËN E DIELLIT

Natyrisht, në këto shënime, nuk dua të zgjatem dhe aq shumë, për të kaluar specifikisht nëpër kompeticionet futbollistike të vendeve të ndryshme, sepse do e lexoni me shumë kërshëri përgjatë radhëve të këtij libri të mrekullueshëm, për të vazhduar me vetëm pak rreshta që nga “aventura kozake” e futbollistëve shqiptarë; pak Shqipëri në orientin e largët (Koreja e Jugut); Futboll në tokën e diellit (Japoni); Pak mur shqiptar në Kinë; Faraoni ynë i vetëm (Egjipt); Shqiptari futbollit latin (Uruguaj) e me radhë, ku kanë spikatur futbollistët me emër një e për një si në Itali, Gjermani, Angli, Francë, Skoci, Portugali, Holandë, Belgjikë, Austri, Norvegji, Danimarkë, Suedi, Finlandë, Zvicër, Hungari Poloni, Çeki, Sllovaki, Rumani, Bullgari, Kroaci, Turqi, Greqi, Qipro, Slloveni, Ukrainë, Rusi, Bjellorusi, Izrael, Azerbajxhan, Bosnjë, Maqedoni, Maltë, San Marino, Arabi Saudite, Iran, Kazakistan, Kore e Jugut, Japoni, Zelandë e Re. Dhe në fund me pak fjalë, kush është autori që na sjell një libër kaq të këndshëm? Florent Hoxha, ka lindur në Vlorë në vitin 1980 dhe është rritur në qytetin e Lezhës, më pas në Tiranë dhe prej disa vitesh në SHBA, diplomuar në universitetin ‘Wayne State’ në degën e shkencave politike (diplomaci ndërkombëtare), e ku jeton tashmë me familjen e tij. Me një pasion të ngjizur qëhershëm për futbollin është koleksionist i ethshëm i statistikave e të dhënave të tjera rreth futbollit shqiptar, përftues i eksperiencave publikuese në “Sport Ekspres” dhe “Sporti Shqiptar” në Tiranë, ‘Iliria’ në Nju Jork dhe në revistën holandeze “Johann”. Falë këtij pasioni dhe formimi, vjen me këtë libër të llojit të veçantë, që përshkruan bukur, thjeshtë dhe me ngjyresa të ndezura publicistike, ecurinë dhe suksesin e qindra futbollistëve shqiptar ë që kanë vënë emër në klubet e ndryshme të Botës, që nga vendet europiane, skandinave, të Amerikës apo Azisë! Kur mbaron së lexuari deri në rreshtin e fundit, të duket si një shëtitje e këndshme shqiptare me top përreth Globit! …

Gjergj Marku, Publicist