Bujar Qesja: Dhorka – Origjinë nga Vunoi, lindi në Tiranë, jetoi në Korçë dhe Durrës, epilogu në Amerikë

1262
Sigal

-Volejbolliste dominuese në vitet 60-70-të

-Klasi i lartë i talentit të saj mbetet unikal

-Lidhi jetën me djalin durrsak Ilir Qoshja

-Titulli “Mjeshtër i Madh”, përligji gjithçka bëri në sporte

-Jeta e saj është historia cilësore e volejbollit të femrave

-Martesa me Ilirin, lindi dhe ringjalli të famshmin durrsak Hysen Qoshja

Nga BUJAR QESJA
“Mjeshtër i Madh”

Emri i saj i plotë është Theodhora. Në version e të folmes dialektore korçare, erdhi dhe u mblodh në emërtimin e njohur Dhorka. Ndonëse edhe pak muaj mbush 70-të vite jetë, as mos merr mundimin për të kapur ndonjë dukuri, që do të tregoj plakjen e saj. Fizik i palëkundur si në rini, qiri e drejtë. Me një shikim të mprehtë, por me një ëmbëlsi në të folur, ajo të kushtëzon për t’i rezervuar një respekt ekstra. E folura diku ndërmjet zhargonit korçar, përzier me elementë të origjinës së hershme të Vunoit dhe hedhur pak “kripë” me të folurën disi lokale të banorëve të hershëm të Durrësit, Dhorka Koço krijoi atë portret shumë simpatik, që e ka bërë të pazbehur deri në ditët e tanishme.

Kam do kohë, që kërkoj t’i ofrohem portretit të saj. Duhen të dhëna për familjen e origjinës, për familjen e saj, për nisjen e rrugës së volejbollit ku preket Korça dhe Durrësi, por edhe Tirana dhe ekipi kombëtar. Në çdo qytet është në kapituj aktivë, ku të marra së bashku, përbëjnë 70-të vjetorin e njërës prej heroinave të volejbollit shqiptar të femrave. Emri i saj është shumë, shumë i njohur. I vënë me shumë punë e pasion, me shumë përkushtim e vetmohim, me shumë sakrifica e privime, me shumë bindje dhe këmbëngulje, për të kaluar nëpër ato shtigje, që i japin kartabiankën e një njeriu të formatuar.

Dhorka është e bija e një oficeri kariere, Pilo Koços dhe e një gruaje të fortë Aristesë. Duke qenë ushtarak, Pilo Koço ishte tërë kohën me “rrobe në krah”, duke u transferuar së pari në Tiranë, dhe në vitin 1962 në Korçë, e duke hedhur spirancën e fundit në “detin” e Durrësit. Është motra e ekonomistes së thekur Sllavicës, bashkëshortja e durrsakut punëtor e të mënçur Skëndër Rexha, e mjekes Jeta dhe i të vetmit vëlla Simo, me profesion inxhinjer pyjesh. Kur u ndodh në Durrës, Dhorka mbaroi studimet në Institutin e lartë të Kulturës Fizike e Sporteve “Vojo Kushi” dhe punon si mësuese e fizkulturës në shkollat “Maliq Muço”, “Nako Spiro” dhe “Bernardina Qerraxhia”.

Ardhja e Dhorkës në Durrës bëri bujo. “Lokomotiva” ishte në “vdekje klinike” dhe e bija e Pilo Koços, i ofroi dorën shpëtuese këtij volejbolli, duke i rikthyer krenarinë e humbur. Bukuria në lojë, e shoqëruar edhe me bukurinë e rrallë fizike, e “tërboi” djalin durrsak, shokun tim më të parë të fëmijërisë së hershme Ilir Qoshja. Për herë të parë, disi larg u prek simpatia e Lir Qoshes, kur Dhorka luante për “Lokomotivën” në Elbasan, për të ardhur e “trashur” në vitin 1988, kur u bë edhe martesa e tyre. Ilir Qoshja, është djali i intelektualit të njohur në Durrës, një figurë shumë popullore Hysen Qoshja, nga i cili kemi dhuratë një thënie profetike: “goli të bën zotni”.

Ta lemë këtu këtë narracion, për ta rinisur në rradhët pasuese. Po Dhorka volejbolliste si doli? Dhe këtu është me vënd të kujtojmë, shkollën e famshme korçare të volejbollit, të drejtuar nga gjenerali i rrjetës Pandi Gëllçi. Pandi kishte mbaruar për rusisht dhe kjo e ndihmoi për t’iu futur volejbollit nga materialet e shumta të përkthyera. Dhorka Koço “martesën” e parë e bëri me volejbollin, diku në moshën 15 vjeçare dhe fuqia e epërsisë së saj i ngjasoi një treni “eurostar” që nuk dinte të ndalej. Vetëm 20 vjeçare “Mjeshtre Sporti”.


Volejbolli korçar do të bënte ligjin dhe në zbatim të tij “Skëndërbeu”, kishte vendosur një yll gjithnjë i ndezur, me emrin tashmë në përmasat e legjendës Dhorka Koço. Pandi Gëllçi bëri atë revolucion në volejbollin korçar, përmasat e të cilit u ndjenë në të gjithë toprrjetën e Shqipërisë. Volejbollistet korçare ishin kthyer në idhuj të tifozërisë, ku krenaria dhe autoriteti i një brezi sundues, diktonte me forcën e talentit dhe fuqinë e imponimit të nivelit dhe mjeshtërisë. Dhe Dhorka Koço, që do të bëhej më vonë Dhorka e jonë, Dhorka e Durrësit, mbetet si medaljon me një shkëlqim të pandalur në atë çka dha, për të mos iu hequr vëmëndja në një kohë pa cak, pa kufi.

“Skëndërbeu” i Gëllçit, mori lulet më tërheqëse në kopshtin e bukurisë së rrallë të vajzërisë korçare, për të qendisur dhe krijuar atë tapet gjigand të arritjeve dhe vlerave. Një nga qendistaret, ishte dhe mbetet edhe Dhorka Koça. Nostalgjia, malli, koha e artë e vajzërisë dhe e rinisë, nuk harrohen dhe kujtohen gjithnjë nga Theodhora, e cila i kërcet lotët në faqet e mpakura të një fytyre, që nuk ka ndërmënd ta humb hijeshinë dhe nurin e rrallë.


Ka qenë Myzka me të në ekip, Tamara Nikolla që ndahet nga jeta shumë e re, Ana Kiçollari, Bardha Bulku, Adelina Çiçko, Athinulla Bellovoda. Ekipi korçar dhe ai kombëtar shtohet me të tjera vajza plot talent dhe pasion si Vali, Kalemi, Aliko, Ropi, Ismaili, Duni, Miço, Mati, Qirici, Stavre, Burda, Vila, Foto, Tasho etj.

Dhorka luajti me “Skëndërbeun”, më pas me “Partizanin” dhe “17 Nëntorin” si përforcuese dhe një dekadë të plotë (1969-1979) me ekipin përfaqësues.

Pasi lë Korçën në 1997-tën vjen në Durrës dhe gjen aty trajner Dilaver Carën me volejbollistet Rukije Troplinin, Sose Gockaj, Suzana Dauti, Mimoza Estrefi, Luli Shaba, Engjellushe Ndroqi. Më pas i bashkohen këtij grupi edhe Tefta Çobani, Zhevahire Kacmoli, Valentina Nurçellari e ndonjë tjetër. Klasi i lartë i Dhorka Koços, erdhi dhe u ul butë në volejbollin e brishtë të “Lokomotivës”, e cila “lëngonte” nga problematikat. Dhe “Lokomotiva” e Dhorkës, fillon të lëvizë dhe të shtoj më pas shpejtësinë.

Dhorka është shumë e kënaqur me Durrësin. Në këtë qytet ajo arriti gjithçka duhej. Në jetën e saj 48 vjeçare në Shqipëri, 26 vite i takojnë Durrësit. Luajti volejboll, bëri trajneren dhe ushtroi mësuesinë. U martua me një djalë safi durrsak, lindi këtu edhe dy fëmijë. E gjithçka tjetër më pas çvendoset në Amerikë. I don durrsakët dhe kujton me shumë emocion kolegët, kuadrot e sportit si Anesti Petani, Kristaq Miço, Lut Bagoj, Met Kthupi, Altrime Boshnjaku, Perikli Kasapi dhe Luan Lila.

Brezi i Dhorka Koços, ku një tjetër volejbolliste e artë Farije Hoti bashkëpunonte me të, krahas shumë volejbollisteve që prekëm, u përzje gradualisht edhe me një grupim tjetër në lulëzim me emra të gdhëndur në memorie Eva Kavaja, Tase, Turdiu, Ibrahimi, Karagjozi, Bulku, Zace, Dreni, Iftiu, dhe Raço.

Dhorka do të mbahet mënd për klasin e lartë dhe mjeshtrinë e pazakontë që tregonte në lojë. Shërbimi i saj me kërcim trajtohej si unikal, shutere e fuqishme, duke patur në lojë një temperament tërheqës. Grintë dhe karakter, e pamësuar për t’u mundur, gjithnjë me kondicion fizik që e ndihmonte në nxjerrjen në pah të fuqisë dhe potencës në lojë, tipare këto që Dhorka Koço i përdori edhe në jetë.

6 muaj iu deshën Dhorkës të fitonte vëndin e titullares tek “Skëndërbeu”, kur nuk ishte më shumë se 15 vjeç. Edhe për pak vite e sigurtë në ekipin kombëtar dhe për gati 20 vite “rrëmben” historinë dhe mos harresën. Koço vlerësohet në gjashtëshen e shekullit, në më cilësoret në historinë e rrjetës durrsake, në 10 sportistët më të mira të vitit sipas një ankete të gazetës “Sporti Shqiptar”, e derisa vjen 15 prilli i vitit 2022, ku Dhorka e madhe e volejbollit, të vendosë në gjoks gjerdanin plot shkëlqim të “Mjeshtrit të Madh”.

Një rrugë e gjatë, e vështirë, me shumë enigma dhe të papritura, por të shkelura me kujdes dhe me shpresë, nga mjeshtëria e çquar e rrjetës. Punoi shumë, u lodh shumë, u përpoq shumë dhe fitoi historinë, lavdinë e një mundimi të paazakontë që sa herë ndodh kështu meriton vëmëndje.

Dhe të vijmë tek familja, e shenjtë për cilindo edhe për Dhorkën. Me Ilir Qoshen kalon në martesë dhe brenda tri vitesh, familja Qoshja shtohet me dy yje, vajza Lorejna dhe djali Hysen. Dhe këtij Hyseni, sigurisht që duhet t’i kenë thënë të tjerë para kësaj, trashëgon një emër të madh dhe me peshë në Durrës. Viti 2000, ku Dhorka ishte 48 vjeçare, me dy fëmijë të vegjël në rritje, largohet nga Durrësi në drejtim të Amerikës. Toka e bekuar për ta tashmë është Bostoni. Kulminacionet të tjera plot dritë dhe shkëlqim dhe një dramë që dukshëm tronditi jetën e saj.

Nga toprrjeta, një “lojë” edhe më e vështirë e priste Dhorkën. Toka e shenjtë nuk ta fal të mirën po nuk e kërkove. Fëmijët filluan shkollimin, e puna e re mjeshtres së njohur të volejbollit shqiptar, ishte një punishte ëmbëlsirash. Kolektivi i tëri amerikan dhe e folura në anglisht, ishte i vetëm mjet komunikimi. Gjashtë vite nga ardhja në Amerikë, ndodh një kob i madh për familjen Qoshja. Me 29 tetor 2006, pas një goditje tmerri në zemër ndahet nga jeta Ilir Qoshja. Dhorka pa bashkëshort dhe fëmijët pa baba. Humbja ndjehej edhe më shumë, pasi ishte jashtë Atdheut. Pesha rëndë e tokës së origjinës, tradita e hershme për t’u prehur pranë eshtrave të prindërve, e detyruan Dhorkën të sillte trupin e Ilirit të shtrenjtë në Durrës.

E jeta rinisi më me përgjegjësi për të mirën Dhorkë, ku përballet me sfida të pamenduara. Fëmijët u rritën dhe dolën në jetë. Lorejna pasi mbaroi masterin punon si konsulente, ndërsa Hyseni manaxher në një hotel restorat të njohur të Bostonit. Lorejna ka lidh jetën me Tedi Kujofsën, me profesion inxhinjer elektrik. Tedi është djali i çiftit të njohur durrsak Met Kujofsa dhe Dani Ylli. Gëzimi i Dhorkës i kalon kufijtë, ku bëhet gjyshe e dy nipërve të bukur Leonardo dhe Troya. Tani që ka dalë në pension, gjen kohë t’i përkushtohet dy florinjve që i fali Zoti. Dhe Ilir Qoshja gëzon në parajsën e tij, në parajsën e tokës së vendlindjes.

Në Boston prej 22 vitesh jeton një kampione e madhe, një “Mjeshtër i Madh”, një zonjë e nderuar. Ajo origjinën e ka nga Vunoi, lindi në Tiranë, jetoi 12 vite në Korçë ku nisi rrugëtimin e suksesshëm drejt historisë së volejbollit, frymëmori edhe 26 vite në Durrës, për të na lënë pas një emër të madh, po kaq të dashur dhe të respektuar.