Vrasja e Gjetës, “Arishta jetonte me ‘luftën’ në kokë, policia nuk na pyeti kur ndërmori aksionin”

448
Mjeku psikiatër Gjon Preçi, që është marrë me trajtimin e Ruzhdi Arishtës, personit që vrau shefin e FNSH në Shkodër, Simon Gjeta, thotë se ai vuante nga një lloj skizofrenie, që ia bënte realitetin si një gjendje lufte. “Ka qenë pacienti ynë. Ka pasur një psikozë mjaft rezistente, paranoide të skizofrenisë ku gjithë mjedisin ku jeton i sëmuri bëhet armiqësor sipas tij, ndaj dhe reagon ashpër”. Duke folur për gazetën ‘Panorama’, ai thotë se nuk mund ta mbanin dot në spital, pasi ai trajtohet vetëm në raste krizash, pastaj janë hallkat komunitare që merren me të. Preçi shprehet se Arishta i ka rezistuar policisë pasi psikoza bën që ai të ketë një luftë imagjinare në kokë.

Sipas tij, policia nuk i ka pyetur kur ndërmori aksionin. “Vrasja e tij do ishte shmangur nëse do e linin t’i mbaronin energjitë,” tha Preçi. Ndërkohë ish-kreu i FNSH, Hivzi Bushati ka dyshimet e tij për aksionin e policisë. “Kur ka ndërhyrë FNSH-ja, nuk ka pasur as permietër atje, as grupe të lehta, grupe të ndërhyrjes në banesë, por është marrë përsipër gati si personale. FNSH ka qenë pa asnjë lloj mjeti mbrojtës, në një kohë që këto forca kanë konsiderueshëm mjete mbrojtëse”. Ai thotë se duheshin pyetur patjetër mjekët dhe duhej vlerësuar maksimalisht mendimi i tyre.
Sigal