Prokuroria bën “kurban” tre ministra

507
Tre ministrave socialistë pritet t’i komunikohet akuza e shpërdorimit të detyrës. Burime konfindenciale nga organi i hetimit bënë të ditur se shumë shpejt Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku vepron Njësia Hetimore për zyrtarët e lartë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, si shpërdorimi i detyrës apo korrupsioni, pritet ti komunikojë akuzat ministrave, hetimet e të cilave kanë nisur gjatë dy viteve të fundit. Burimet theksojnë se deri më tani ministrat ishin në fazën e verifikimeve, ndërsa prokurorë të Task Force duket se kanë arritur të grumbullojnë prova dhe fakte që mund të çojnë para drejtësisë 3 anëtarë të kabinetit qeveritar. Burimet theksojnë se ministrat nën hetim janë ai i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ai i Brendshëm Sajmir Tahiri. Duket se këto 3 hetime të zyrtarëve të nivelit të lartë janë edhe shkaku i takimeve të zhvilluara ditët e fundit mes Prokurorit të Përgjithshëm, Kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kreut të Prokurorisë së Tiranës. Burimet theksojnë se hetimet në Ministrinë e Shëndetësisë përfshijnë 3 çështje, që kanë të bëjnë me dhënien me koncesion për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it me vlerë 120 milionë dollarë. Burimet theksojnë se hetimet për 3 koncesionet me vlerë të përgjithshme 306 milionë dollarë janë zhvilluar nga Njësia Antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me asistimin edhe të oficerëve të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu dosjeve të mësipërme, prokurorët i kanë bashkuar edhe ato të hetimeve të kryera mbi tenderin për barnat për sëmundjet tumorale, hetime që kanë nisur në pranverën e 2014. 
Burimet konfindenciale nga organi i hetimit shprehen se drejt përfundimit janë edhe hetimet e nisura në Ministrinë e Energjetikës, ku ndër çështjet më të mprehta edhe këtu janë konçensionet, por edhe zgjidhja e marrëveshjes së konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë CEZ. Burimet theksojnë se për këtë të fundit, hetimet kanë nisur pas padisë së depozituar në organin e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj ministrit Damian Gjiknuri, ku KLSH pretendon për një dëm ekonomik prej 479 milionë eurosh. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se kallëzimi i KLSH-së është një dokument rreth 34 faqe. Ndërkohë që një përballje me drejtësinë rrezikon edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Burimet konfindenciale shprehen se çështja kryesore është ajo e përgjimeve të paligjshme, ku prokurorët pas verifikimit kanë kaluar nën hetim kreun e Ministrisë së Brendshme. Por gjithashtu organi i akuzës ka nisur hetimet edhe për tenderat e zhvilluara nga Ministria e Brendshme, për të cilën prokurorët shumë shpejt pritet të dalin në konkluzione. Ndërkohë që Prokuroria ka marrë edhe një kallëzim penal së fundmi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili kërkon nisjen e hetimeve për ministrin e Brendshëm pas akuzave të rënda që ai ka drejtuar ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili vendosi pezullimin e Haki Çakos nga detyra e Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe dha masën e arrestit shtëpiak për dy oficerë të policisë, në lidhje me hetimet që po kryhen për përgjimet e paligjshme. 
Sigal