Ndaj një banese u qëllua me breshëri automatiku mesnatën e sotme. Ngjarja e rëndë raportohet në fshatin Larushk në Fushë Krujë. Si pasojë e breshërive të shtëna në drejtim të banesës, ka mbetur i vrarë një shtetas me iniciale R.S. rreth 46 vjeç ndërsa është plagosur edhe një 18 vjeçar me inicialet A.B që ndodheshin në banesë.
Paraprakisht thuhet se objekti i këtij atentati mund të ketë qënë një shtetas i identifikuar si Gentian Bejtja. Ndonse Gentian Bejta mund të ketë qënë objektivi i sulmit ky i fundit ka arritur ti shpëtoj atentatit. Viktima raportohet se është kunati i tij.
Nuk dihen ende detaje dhe rrethanat sesi ka ndodhur kjo ngjarje.
Përditësim: 01:30
Policia e Shtetit ka bërë njoftimin lidhur me ngjarjen e rëndë. Më poshtë publikojmë njoftimin e policisë:
“Në fshatin Larushk, në Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., në rrethana ende të paqarta janë qëlluar me armë zjarri shtetasit R. S., 46 vjeç dhe A. B., 18 vjeç, (dajë e nip). Si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë shtetasi R. S., ndërsa shtetasi A. B., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve. Në Tapizë, te lapidari, rreth orës 00:40, është gjetur duke u djegur një automjet dyshohet tip “Volkswagen”. – thuhet në njoftimin e Policisë.
Gentjan Bejtja është një emër i njohur për policinë, pasi së bashku me Enver Stafukën, ishin personat që vodhën makinën e përdorur për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Gjithashtu, ish-polici Bejtja i ka shpëtuar edhe një atentati me minë të telekomanduar në vitin 2016, ndërsa ka edhe precedentë penalë në krimet ndaj pronës.