Fatmir Xhafaj: Jemi përgjegjës jo vetëm për ligjin e reformës në drejtësi, por edhe për zbatimin me korrektësi të Vettingut

12396
Sigal

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj duke folur në parlament nuk la pa thumbuar disa nga kolegët e tij së Partisë Socialiste në kuvend, që sipas tij nën zë e kanë kritikuar reformën. Xhafa e nisi fjalën e tij në kuvend kështu: “Kuadri kushtetues dhe ligjor është bazamenti i një procesi reformues, por zbatimi konkret i tyre, rezultatet e pritshme të tyre, janë rruga dhe procesi. Një ligj i mirë është gjysma e punës, por zbatimi i tij është suksesi i plotë. E vërteta e madhe është se me problematikat që kemi ne sot me sistemin e drejtësisë nuk lidhen aq me ligjet në vetvete, por me zbatimin, qasjen tonë ndaj tyre dhe përgjegjësitë e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, që përfshihen në proces. Seanca dëgjimore e raportuese me institucionet e drejtësisë do të duhej të ishin ngjarje të rëndësishme parlamentare edhe sepse kuvendi ka një rol teje të rëndësishëm kushtetues dhe ligjor në koordinimin e balancës dhe kontrollit nëpërmjet tre pushteteve.

“Kjo seancë në mënyrën e organizimit të saj ku njëherësh raportojnë të pesë institucionet e drejtësisë, që janë pjesë e sistemit, por me objektiva dhe problematika të ndryshme në këndvështrimin tim nuk të mundësojnë një debat konstruktiv.”

Të krijohet perceptimi se ne këtu, i dëgjojmë për të kaluar radhën, për të bërë detyrën formale dhe më pas mezi presim për të mos lënë frëngji, media a foltore politike pa i sulmuar dhe pa u përbetuar për to dhe reformën në drejtësi. Në këtë proces është shumë të kesh pritshmëri nga opozita parlamentare. Një pjesë e kësaj shumice brenda kësaj pakice, pasi e bojkotoi reformën gjatë gjithë këtyre viteve vazhdon ta sulmojë egër, ta denigrojë dhe demotivojë me lidershipin e saj, që i friket përballja me drejtësinë. Keqardhja ime shumë e sinqertë është për pakicën brenda kësaj pakice parlamentare, që për hir të së vërtetës ka disa kapacitete brenda saj për të qenë një opozitë konstruktive, kontribuese dhe aktive në këtë proces e gjendur në efektin publik të luftës me pjesën tjetër shumë agresive, por dhe viktimë dhe paranojë e drejtësisë së kapur është e tejet e shfokusuar dhe e përfshirë nga një retorikë boshe kritikash pa bosht dhe rrjedhimisht e përfshirë formalisht në këtë proces, pa kontribute konkrete edhe sipas ligjit. Në këto kushte, mazhoranca ku unë bëj pjesë ka një përgjegjësi të veçantë, të dyfishtë në realizimin e këtij procesi. Kjo mazhorancë ka meritën e madhe të inicimit, ideimit dhe hartimit të reformës në drejtësi, po prej rreth 5 vitesh ka përgjegjësinë tejet të rëndësishme, atë të zbatimit për të përmbushur pritshmëritë e duhura. Si pjesë e kësaj mazhorance, kam bindjen e thellë se shumica dërrmuese brenda saj, ka vetëdijen e plotë, përgjegjshmërinë dhe angazhimin që do t’i shkoj deri në fund të këtij procesi, të mbrojë e konsolidojë vlerat edhe standartet e këtij procesi reformues të mishëruara në frymë dhe në gërmë, në Kushtetutë dhe në ligjet e reformës. Ta udhëheqësh reformimin e drejtësisë, do të thotë të luftosh fort për vlerat dhe standartet e drejtësisë, të respektosh realisht pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohësh problematikat që ka apo nxjerr procesi, si në rrugëtimin e tij, t’i analizosh ato dhe të përpiqesh me mjete ligjore dhe institucionale të bashkëpunosh për t’i përmirësuar dhe shëndoshur ato. Askush në këtë sallë nuk mund të thotë se ne, si kuvend, nuk kemi përgjegjësinë tonë nëse gjërat në procesin e zbatimit nuk ecin siç duhet, se ne s’kemi çfarë të bëjmë se drejtësia është e pavarur… Ta trajtosh kështu ose nuk e njeh fare kushtetutën dhe ligjet e reformës ose në mënyrë të qëllimshme tenton t’i largohesh problemit për interesa të tjera, por kurrësesi në interes të qytetarëve. Ndaj, para se të artikulojmë këtu kritika për drejtësinë e re dhe institucionet e saj, siç po ndodh edhe në këtë seancë, le të shohim fillimisht përgjegjësitë tona që na jep kushtetuta dhe ligji.

“Kam dëgjuar shpesh nga disa kolegë dhe këtej nga mazhoranca, ca me zë dhe ca pa zë, se disa gjëra nuk janë bërë mirë në hartimin e reformës. Dakord, edhe mundet, sepse gjë perfekte nuk ka. Ama, nuk kam dëgjuar askënd të ketë kurajon publike dhe të thotë se çfarë nuk është bërë mirë dhe çfarë mund të bëhet më mirë, e pastaj ndodh që bëhen ndryshime si ato në 2019 – 2021 që kanë krijuar probleme të reja me sistemin dhe ende po vazhdojmë e po kërkojmë prej dy vitesh ndryshime në korpusin e ligjeve të reformës kryesisht të lobuar nga drejtuesit aktual të institucioneve, që synojnë orekset e tyre për më shumë pushtet brenda sistemit dhe disa prej tyre në thelb cënojnë frymën kushtetuese, vlerat dhe standartet e drejtësisë.”

Ne këtu, në kuvend, mazhoranca dhe opozita, kemi hapësirën e nevojshme ligjore dhe institucionale t’i monitorojmë, koordinojmë, mbështesim por edhe t’u kërkojmë llogari instituconeve të drejtësisë dhe kontrollorëve, siç i quajti paraardhësja këtu. Në emër të atyre që përfaqësojmë përmes një sërë mekanizamash ligjore siç janë raportimet, informimet, pyetje-përgjigjet, rezolutat dhe monitorimi i zbatimit të tyre e të tjera gjëra të tilla. Qeveria gjithashtu ka mekanizmat e veta siç janë rekomandimet, raportet paralele në komision, pjesëmarrjet në mbledhjet e këshillave, ankimimet përmes ILKDP-së e të tjera të tilla. Por pyetja shtrohet çfarë ka ndodhur dhe po ndodh realisht në këto 4 vjet në këtë marrëdhënie? Si janë konsideruar, vlerësuar dhe përmbushur këto detyrime? Në vlerësimin tim gjithë ky proces ende, me gjithë përpjekjet e bëra, lë për të dëshiruar dhe është shpesh një rutinë proceduriale. Mjaft të shihni vetëm rezolutat, rekomandimet tona dhe të qeverisë, por edhe memot e monitorimit dhe të zbatimit të tyre dhe do të kuptohet hapturazi gjithçka. Rekomandime për disa institucione, që nuk prekin thelbin e problematikave reale që ka sot sistemi, që kanë qytetarët shqiptare dhe vetë Raport-Progreset e Bashkimit Evropian. Kjo pasi ndërtohen pa një analizë dhe monitorim të thelluar, por mbështetur kryesisht në vetë raportet e institucioneve. Ka një mospërputhje të ndjeshme ndërmjet asaj që artikulohet në tribuna politike, në fjalime dhe debate publike dhe zhvillimeve dhe kontributeve në seancat tona dëgjimore dhe ca më keq, në vetë rezolutat, që miratojmë këtu dhe procesin për monitorimin e tyre. Ky, është tregues i qartë i faktit që ne kemi reformuar drejtësinë dhe kërkojmë ndryshimin prej saj, me të drejtë ndërkohë që kemi reformuar pak ose aspak, qasjen tonë politike, institucionale dhe parlamentare ndaj saj. Të nderuar koleg edhe kolege. Katër vjet, janë shumë pak për të parë realisht ndryshimin e kërkuar, për të përmbushur pritshmëritë me reformën për drejtësi nga institucionet e reja të drejtësisë. E megjithatë në këto pak vite kanë ndodhur e pa imagjinueshmja, krahasuar me pak vite më parë. Ndër të tjera sot, institucionet e drejtësisë, me kushtetutë gëzojnë një pavarësi të plotë, reale, ligjore, institucionale dhe funksionale. Është koha të kërkojmë që kjo pavarësi të jetë e tillë siç kushtetuta dhe ligji e kërkon. Edhe në vendimarrjen e çdo gjyqtari, prokurori, hetuesi dhe oficeri të policisë gjyqësore, një pjesë e të cilëve, por edhe disa anëtarë të këshillave kanë dëshmuar haptas vendimarrje nepotike, klienteliste, të ndikuara apo edhe te lobuara nga ndikime të paligjshme. Kemi sot goditjet e para ndaj pandëshkueshmërisë korruptive, përfshirë edhe hetimin dhe dënimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, një gjë krejt e pamenduar pak vite më parë. Janë hapat e parë por të një udhe pa kthim. Është momenti, që me përvojën e krijuar dhe strukturat e plotësuara, SPAK përmes hetimeve proaktive, mbështetur në ligj dhe në prova, të dëshmojë forcën dhe autoritetin e tij lidhur me disa çështje të mëdha, me ndjeshmëri të madhe publike pasi vetëm kështu do të dëshmoj paanësi dhe përgjegjshmëri, por edhe përmbushjen e qëllimit për të cilin janë krijuar dhe investuar nga qytetarë shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtare. Në këto dy – tre vite SPAK-u, ka iniciuar dhe realizuar me shumë sukses hetime proaktive ndaj disa grupeve kriminale në vend një pjesë e tyre fal edhe një bashkëpunimi shumë të mirë ndërkombëtar. Treguesi më i mirë është fakti që sot një pjesë e mirë e drejtuesve të grupeve kriminale janë jashtë vendit në kërkim ndërkombëtar. Aktiviteti i tyre kriminal është në ulje të ndjeshme dhe për një pjesë të tyre, pasuri të shumta janë sekuestruar dhe konfiskuar. Është momenti për ta intensifikuar më tej bashkëpunimin përmes grupeve të përbashkëta hetimore, siç u fol këtu, përdorimit më të mirë të bashkëpunëtorëve të drejtësisë këtu dhe jashtë vendit, shfrytëzimit më të mirë të teknikave bashkëkohore të përgjimit dhe vëzhgimit, por dhe mbështetjes dhe marrëveshjes së ektradimit me vendet ku ende ato mungojnë dhe që ne kemi interesa të drejtpërdrejta e të tjera të tilla.” –  tha Fatmir Xhafaj i cili shprehu edhe falenderime për partnerët mbështetës së kësaj reforme.