Porti i Durrësit: Akuzat për projektin, që synon ta kthejë Shqipërinë në Marinën më të madhe të Mesdheut

52
Sigal

Porti i ri turistik i Durrësit është prezantuar nga qeveria shqiptare dhe investitori nga Emiratet Mohamed Alabbar, si një ndër projektet që do e shndërrojë vendin tonë në marinën më të madhe të Mesdheut. Vlera e investimit është dy miliardë euro. Marrëveshja është nënshkruar në janar 2023, por opozita ka thënë se nuk do ta njohë atë kur të vijë në pushtet, duke pretenduar se bëhet fjalë për një aferë të madhe korruptive për pastrimin e parave. Madje, është akuzuar drejtpërdrejt biznesmeni i Emirateve se ndërtuesi nuk do të jetë vërtet ai.

Sipas tyre, kompania “Emaar Properties” nuk ka lidhje me projektin e Portit të ri të Durrësit, por ai do të ndërtohet nga një kompani “offshore” e quajtur “Symphony Real Estate Development”.

“Nga media jemi informuar se kompania Emaar nuk ka asnjë lidhje me këtë, por është përdorur si kamuflim i një kompanie offshore, që quhet Symphony, e regjistruar në parajsa fiskale, pronarët e vërtetë të së cilës mbeten të dyshimtë”, ka deklaruar deputeti Ferdinand Xhaferraj një vit më parë nga foltorja e Kuvendit.

Ndërkohë, nga të dhënat e bëra publike dhe të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, del se në fakt bëhet fjalë për kompaninë “Symphony Real Estate Development”. Kjo kompani është në pronësi të Mohamed Alabbar dhe një vit më parë ka deklaruar pranë autoriteteve shqiptare ndërrimin e emrit, nga “Symphony Real Estate Development” në “Eagle Hills Real Estate Development”.

Më datë 22.06.2022, në Qendrën Kombëtare të Biznesit është depozituar kërkesa për ndryshimin e emrit të subjektit, emrit tregtar dhe largimin e administratorit. Ortak i vetëm me 100% të aksioneve i shoqërisë “Symphony Real Estate Development” ka qenë “North East Real Estate Holdings Limited”, e përfaqësuar nga shtetasi Mohamed Ali Rashed Alabbar.

Edhe nga të dhënat e OpenCorporates.al, del se shoqëria mëmë e “Eagle Hills Real Estate Development” – kompania e cila do të ndërtojë Portin e ri të Durrësit – është shoqëria tregtare “North East Real Estate Holdings Limited”, regjistruar në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, e përfaqësuar nga Drejtori dhe përfaqësuesi i autorizuar Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar.

Ndërkohë, një shoqëri e kontrolluar nga ky subjekt është “DURRËS MARINA”, shoqëri aksionare e së drejtës shqiptare, themeluar më datë 30/01/2023 me NUIS M31423504A me seli qendrore në Durrës dhe me administrator Dhimitraq Milin.

Ortakët e shoqërisë janë shoqëria Eagle Hills Real Estate Development (ish “Symphony Real Estate Development”) me 67% të aksioneve dhe shoqëria ALBANIAN SEAPORTS DEVELOPMENT COMPANY me 33% te aksioneve. Sipas të dhënave të QKB deri me datë 22.03.2023.

Administrator i kompanisë së dytë është Erlis Hereni dhe ajo ka si fushë të veprimtarisë së saj “Koordinimin dhe administrimin e proceseve të lidhura me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, etj. Zotërues me 100% të aksioneve i kompanisë “ALBANIAN SEAPORTS DEVELOPMENT COMPANY” është Autoriteti Portual Durrës.

Pra, nga të dhënat del se në fakt të gjitha kompanitë, ose më saktë kompania kryesore, që do të zhvillojë Durrësin, është nën administrimin e biznesmenit nga Emiratet, Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar. Aksionari tjetër përfaqëson shtetin shqiptar, Autoriteti Portual Durrës.

Mesa duket, ndërrimi i emrit ka krijuar konfuzion, por siç provohet nga dokumentet e dorëzuara pranë autoriteteve, drejtuesi dhe përfaqësuesi është biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe.