Shqipëria kthehet në “kooperativë” të madhe të plantacioneve të hashashit, i lë targën edhe Meksikës

59

Raporti i OKB kryqëzon  Shqipërinë! Shifrat faktojnë batërdinë me plot 3601 ton bar kanabis dhe 2 ton koncentrat kanabisi. Në këto nivele që jemi aktualisht, Shqipëria prodhon më shumë kanabis edhe se Meksika. Teksa krimi shënon nivele alarmante Në 6 muajt e parë të këtij viti në 17 ngjarje kriminale, nga të cilat janë regjistruar 19 persona të vdekur.

Sigal

Shqipëria vijon të jetë një “bahçe” e madhe e kultivimit të kanabisit. Ky është përfundimi i një raporti të OKB-së, që e rendit vendin tonë mes shteteve me më shumë sasi kanabisi në harkun e një viti. Zyra kundër drogave dhe krimeve në Kombet e Bashkuara ka publikuar shifrat e kultivimit të kanabisit, prodhimit dhe asgjësimit për periudhën 2013-2021.

Vendi ynë raportohet të ketë prodhuar plot 3601 ton bar kanabis dhe 2 ton koncentrat kanabisi. Ky është niveli më i lartë i kanabisit të prodhuar që nga viti 2016, kur u asgjësua një rekord prej 2.5 milionë bimësh kanabisi. Në këto nivele që jemi aktualisht, Shqipëria prodhon më shumë kanabis edhe se Meksika.

Në vitin 2018, kur është regjistruar edhe raporti i fundit, Meksika kishte prodhuar 2,726 ton kanabis (shiko tabelat në fund). Nivelin më të lartë e ka Maroku, me mbi 20 mijë ton në vit.

3.6 ton kanabis të prodhuar në Shqipëri e ka vlerën e tregut në rreth 13 milionë euro, sipas një përllogaritjeje të përafërt, duke u bazuar në çmimin e tregut. Në raportin e kryer në vitin e shkuar, Shqipëria renditej e shtata në botë për kultivimin dhe transportin e kanabisit.

Sipas raportit vjetor të drogave, hashashi vazhdon të jetë droga më e përdorur në botë, me rreth 219 milionë përdorues (4.3 për qind e popullsisë së rritur globale) në vitin 2021. Përdorimi i drogës po rritet dhe megjithëse globalisht përdoruesit e kanabisit janë kryesisht meshkuj (rreth 70 për qind), ndarja gjinore po zvogëlohet. Për shembull, gratë përbëjnë 42 për qind të përdoruesve të kanabisit në Amerikën e Veriut.

Bilanc “lufte” në Shqipëri, 17 krime me 19 viktima në 6 muajt e fundit

Në 6 muaj të parë të këtij viti në Shqipëri janë shënuar 17 ngjarje kriminale, nga të cilat janë regjistruar 19 persona të vdekur. Qershori u përmbyll me një vrasje të dyfishtë në Shkodër ku u vranë babë e bir, ndërsa muaji me më shumë vrasje ishte Marsi, ku humbën jetën 8 persona.

Një vrasje e dyfishtë ndodhi më 29 qershor në Dukagjin. Qershori u mbyll me vrasje duke përkeqësuar bilancin përsa i përket kriminaliteti në vend.

Në 6 muaj të parë të këtij viti, u regjistruan 17 vrasje me 19 viktima. Sipas INSTAT, në 6 mujorin e parë të vitit 2023, u regjistrua vetëm një viktimë më pak se në 6 mujorin e parë të vitit 2022. Konkretisht për 6 muaj të parë të vitit 2022 u kryen 19 vrasje me 20 viktima.

Më 27 janar, një krim i dyfishtë u regjistrua në Gramsh, ky një 80-vjeçar vrau gruan dhe vëllanë e tij. Autori, Xhevit Sinani ekzekutoi me sëpatë bashkëshorten e tij, Zegjine Sinani 74 vjeçe dhe të vëllanë, Shaqir Sinani 73 vjeç.

Më 17 shkurt, një ngjarje e rëndë u regjistua në Maliq të Korçës. Lefter Brisku, ishte viktima e radhës në Kuçovë. Marsi po ashtu pati një bilanc tragjik, sa i përket ngjarjeve kriminale, ku u vranë 8 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Ky muaj nisi me masakrën e Dan Hutrës, i cili vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera.

Mbrëmja e vonë e 12 marsit shënoi një tjetër ngjarje kriminale, ku viktimë mbeti, Mimoza Paja. Kjo e fundit u vra në sytë e mbesës 10 vjeçare, teksa shërbente kafen në një lokal në Don Bosko.

Nuk kaloi shumë dhe kryeqyteti u trondit sërish. Sapo kishte hyrë data e 27 marsit, persona ende të paidentifikuar dhe që lëviznin me një Range Rover, qëlluan me breshëri automatiku ndaj godinës së një televizioni kombëtar. Për pasojë humbi jetën roja i sigurisë Pal Kola, 60 vjeç. Policia akoma është larg zbardhjes së ngjarjes së rëndë.

Në Kavajë, Sali Rexha dhe Armand Gosa vranë njëri-tjetrin. Ngjarja ndodhi më 29 mars. Armand Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë. Edhe në prill, u shënuan disa ngjarje kriminale. Më 18 prill, një 20-vjeçar humbi jetën në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”. Më 19 prill, Biznesmeni dhe eksponenti politik, Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Atentatori i kamufluar me skafander motori, maskë covid dhe një jelek fosforishent, hyri brenda lokalit dhe e qëlloi 50-vjeçarin për vdekje me 7 plumba. Maji do të niste me një tjetër vrasje. Më datën 16 të këtij muaji, një adoleshent humbi jetën në Gramsh, pas një konflikti me thika me bashkëmoshatarë të tij. Maji u përmbyll me një vrasje të ndodhur më datë 21 në qytetin e Kavajës. Ndërkohë do të vinte fundi i qershorit që armët të kërcisnin sërish në Shkodër, ku më datë 29 qershor u vranë babë e bir.

 

 

Asgjësimi i drogës në Veri. Pse heshtet për hambarët në Jug?

Prej 1 muaji, policia e shtetit ka nisur asgjësimin e parcelave me drogë në zonën e Krujës, Lezhës, Shkodrës, por aksioni është imponuar nga Agjencia Anti-trafik DEA Amerikane, e cila më 6 mars 2023 u bëri thirrje shqiptarëve, të denonconin çdo rast kultivimi e trafikimi të drogës. Kanë qenë të shumta, denoncimet te numri telefonik: +1 571 502-7846 dhe te adresa elektronike: “[email protected]” të zyrës që DEA ka hapur në Tiranë, me detaje e emra për çdo parcelë droge të mbjellë në Shqipëri.

Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe verifikimit nga burime të tjera konfidenciale, zyra e DEA në Tiranë, në zbatim të marrëveshjes së përbashkët Anti-trafik, i dha ultimatum policisë shqiptare të fillonte asgjësimin e parcelave të drogës.

Gjithsesi, fakti që për shumë parcela në Krujë, Lezhë e Shkodër, po raportohet sikur nuk dihen kultivuesit e sikur ata nuk janë kapur dot, tregon se policia po i fsheh, mbron dhe i njofton autorët para kryerjes së aksioneve.

Edhe grupi i 14 drejtuesve policorë të arrestuar e pezulluar në Shkodër, për përfshirje në kultivimin e parcelave të drogës, ishte rezultat i denoncimeve të bëra te zyra e DEA në Tiranë, ndërsa drejtuesit e lartë policorë kishin dijeni për implikimin e vartësve, por nuk vepronin, sepse kultivuesit janë të lidhur me kupolën e pushtetit. Nga Kruja e deri në krejt zonën veriore po asgjësohen të gjitha parcelat e mbjella me drogë, por zyrës së DEA-s në Tiranë, i ka bërë përshtypje fakti, se drejtuesit qëndror të policisë, po tentojnë të mos e shtrijnë aksionin në zonat e tjera. Sipas Pamfleti DEA po kërkon që aksioni i asgjësimit të drogës të fillojë urgjentisht e paralelisht në 3 zona të tjera ku ka kultivim masiv, konkretisht në zonën Pukë-Kukës-Burrel-Bulqizë-Dibër; në zonën Ballsh-Tepelenë-Përmet-Gjirokastër-Vlorë-Sarandë; dhe Elbasan-Pogradec-Korçë-Ersekë.

Por policia po heziton, me justifikimin se nuk ka forca mbasi i ka angazhuar me aksionin në Veri-Lindje dhe në ruajtjen e rendit, kur realisht policia ka forca të shumta, madje para 3 ditësh, punësoi 240 efektivë të tjerë terreni.

Por, siç duket ka marrë urdhër nga ata në krye të pushtetit, që parcelat në zonat jugore e jug-lindore të mos preken tani, që është vakti i pjekjes së drogës, fakt që DEA e di dhe ka këmbëngulur që aksioni të fillojë menjëherë.