Kliton Bozgo: Ka ardhur koha për një cikël të ri te Kombëtarja

INTERVISTA / Në prag të miqësores me Luksemburgun, ish futbollisti i Kombëtares, Kliton Bozgo, është kritik

Agron KAJA

Sigal

Si ish-futbollist kuqezi, sa afër dhe larg jeni me aktualitetin e Kombëtares sonë?

Patjetër që e ndjek, sepse nuk ka kuptim që një lojtar i Kombëtares, aq më shumë  që jetoj e punoj jashtë Shqipërisë, të mos e ndjek ekipin tonë përfaqësues. Ju them të drejtën, e njoh dhe shpesh i shpreh mendimet edhe publikisht e mediatikisht.

Silvinjo u largua nga bankina kuqezi, cili është vlerësimi juaj teknik, apo edhe profesional?

Ndoshta nga që e mbylli kontratën, ndërsa ka ndikuar edhe ana financiare në këtë largim të brazilianit. Por tek ne duhetj bërë si Italia, me të gjithë ekipin të ri për një cikël të ri, nisur që nga trajneri. Duhej dhënë shansi një trajneri shqiptar.

Rolando Maran debutoi në miqësoren e humbur me Izraelin, çfarë ndryshimi tregoi skuadra pas Silvinjos?

Maran nuk kishte ndryshuar asgjë nga Silvinjo. Ishin të njëjtët futbollistë, edhe pse Izraeli nuk është skuadër e nivelit të lartë. Në përbërjen e skuadrës nuk u pa asgjë e re nga zgjedhjet e Maran, ishte një fotokopje e së shkuarës dhe pa ndryshime.

Pas 90 minutave të para, sa vlerësim merr emri i Rolando Maran për eksperiencën e trajningut të tij?

E përmënda më sipër që nuk kishte ndonjë ndryshim. Trajneri u shfaq si i pa përgatitur, sepse nuk kishte asgjë të re në zgjedhjet që kishte bërë. Luajtën futbollistë pa minuta në këmbë, dhe zëvendësimet ishin shumë të vonuara.

Zgjedhjet e bëra në ndeshjen me Izraelin, e krijuan besimin tek trajneri dhe tek tifozeria kuqezi?

Tifozeria shqiptare e konsideron si sportin numër një futbollin. Kanë të drejtë të protestojnë, sepse luajtën me një ekip të rangut të tretë. Kombëtarja përfaqëson kombin dhe humbja nuk është e thjesht justifikim. Është përgjegjësi dhe dinjitet.

Nga këndvështrimi teknik, si e komentoni ndeshjen miqësore me Izraelin?

Në një ndeshje miqësore, një lojtar mund të luajë 60 minuta dhe pastaj të bëhen zëvendësime. Por jo të bësh ndryshime në minutën e 88-të, sepse lojtari me kaq minuta nuk ka se çfarë të tregojë në fushë. Ishin pa kuptim teknik këto lëvizje.

Në listën e të preferuarve për ndeshjen me Luksemburgun, mendoni se do ketë ndryshime nga ajo me Izraelin?

Varet nga mendimi që krijoi Maran për lojtarët bazë, sepse duhet të jenë 6 deri në 8 kryesorë. Ka shumë pikëpyetje dhe do varet nga zgjedhjet që do bëjë trajneri, mbështetur në bazën e profilit të lojtarëve, ku do ndërtojë konceptin e lojës së tij.

Nëse i referohemi bilancit me Luksemburgun, është i barabartë me 3 F, 1 B dhe 3 H, do ndikojë kjo në ndeshje?

Bilancet, historia dhe traditat gjithmonë ndikojnë. Sepse krijohet psikologjia e lojës në bazë të kundërshtarit. Luksemburgu ka ndryshuar shumë dhe është skuadër e vështirë. Ka lojtarë nga nacionalitete të ndryshme dhe janë talente me nivel.

Nisur nga miqësorja me Izraelin, ju si mund ta ndërtoni një formacion të Kombëtares ndaj Luksemburgut?

Do jetë një miqësore e vështirë ku na duhet rezultat pozitiv. Absolutisht që nga trajneri Maran duhen bërë ndryshime në formacionin bazë. U duhet dhënë mundësi  lojtarëve të tjerë, pasi në ndeshjet e Ligës së Kombeve nuk mund të bëhen ndryshime.

Humbja me Izraelin sjell rënie në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi me rezultat negativ drejtimin e Rolando Maran, duke humbur në miqësoren ndaj Izraelit. Dhe ajo la menjëherë pasoja për kuqezinjtë, pasi sipas përllogaritjeve në renditjen e FIFA-s, e cila do të zyrtarizohet më 10 qershor, Shqipëria ka humbur 1 pozicion në krahasim me muajin maj, për shkak të kësaj humbje. Ajo u ka kushtuar -5,57 pikë kuqezinjve, të cilët kanë rënë nga vendi i 64-t në vendin e 65-të të klasifikimit Botëror.

ARBITRAT

Sot, 6 qershor 2026 / 20:00

Shqipëri-Luksemburg         

Kryesor: Genc Nuza

Asistent 1: Fatlum Berisha

Asistent 2: Bujar Selimaj

(Treshe nga Kosova)

Arbitër 4: Eldorjan Hamiti

Trajneri Maran dhe Hysaj flasin para Luksemburgut

Dje pasdite, trajneri i Kombëtares Rolando Maran dhe mbrojtësi Elseid Hysaj kanë dalë në konferencë shtypi para ndeshjes miqësore me Luksemburgun. Italiani u shpreh se ka rreth 20 ditë në stolin e Kombëtares dhe ka gjëra që duhet ti përmirësojmë. “Janë bërë disa gjëra mirë, disa gjëra dhe jo mirë. E prisja kur bën ndryshime, por janë rreth 20 ditë që jam trajner i kombëtares. Disa gjëra duhet ti përmirësojmë dhe unë dua t’i jap vazhdimësi kësaj skuadre. Do ketë ndryshime, por në kuadrin e provimit për vazhdimësinë që do kemi edhe për ndeshjet e ardhshme”. Ndërsa Hysaj (sot 100 ndeshje), u shpreh se futbolli ka ndryshuar ndjeshëm dhe se nuk ekzistojnë më skuadra të lehta, pavarësisht emrit.

Ndeshje me Luksemburgun

Datë 13 shkurt 2002

Ndeshje miqësore

Luksemburg-Shqipëri  0-0

Datë 2 qershor 2007

UEFA Euro 2008

Shqipëri-Luksemburg  2-0

Datë 6 qershor 2008

UEFA Euro 2008

Luksemburg-Shqipëri  0-3

Datë 7 shtator 2010

UEFA Euro 2012

Shqipëri-Luksemburg             1-0

Datë 6 shtator 2012

UEFA Euro 2012                   

Luksemburg-Shqipëri             2-1

Datë 29 mars 2016

Ndeshje miqësore

Luksemburg-Shqipëri  3-0

Datë 4 qershor 2017 

Ndeshje miqësore

Luksemburg-Shqipëri  2-1

BILANCI

Nd 7, F 3, B 1, H 3, Golat 8:7