Një hetim në botën e errët të eksportit të mbetjeve tregon se Italia eksporton plehra toksike në Shqipëri, të cilat më pas zhduken pa lënë gjurmë
Pavarësisht nga gjendja e dobët e industrisë ricikluese vendase janë duke u importuar mbetje toksike, përfshirë bateri plumbi, ilaçe të skaduara dhe mbetje vajore edhe pse ekziston ndalimi me ligj i këtij aktiviteti, në Shqipëri. Një hetim në botën e tregtimit të mbetjeve ka zbuluar gjithashtu se në tregun Shqiptar të mbetjeve janë përfshirë biznesmenë italianë (disa prej të cilëve mendohen se kanë lidhje me mafien) operatorë të lojërave të kumarit dhe të tjerë persona me precedentë penalë për krime financiare. Ndërkohë, Prishtina Insight ka zbuluar se përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur vendet e ndryshme nga dumping-u i mbetjeve duke zbatuar Konventën Bazel ose anashkalohen ose injorohen.
-Një treg në rritje
Qysh nga viti 2003, Shqipëria ka ndaluar importimin e të gjitha llojeve të mbetjeve, përveç atyre me leje të posaçme të Këshillit të Ministrave. Por në vitin 2004 marrëveshja midis biznesmenit Italian Manlio Cerroni dhe Shqipërisë çeli një epokë të re në tregtinë e mbetjeve në Shqipëri. Nëpërmjet firmës së tij AlbaniaBeg Ambient, Cerroni planifikoi të ndërtonte një incinerator për djegien e mbetjeve italiane në bregun tjetër të Adriatikut. Marrëveshja u pezullua në vitin 2005 pasi Kryeministri i sapoardhur në detyrë, Sali Berisha, hasi kundërshtim të gjerë ndaj projektit në fjalë. Por pas disa vitesh vetë Berisha iu avit eko-bizneseve të mëdhenj italiane për të siguruar impiante me bio-masa, ferma të mullinjve me erë dhe investime të tjera të mëdha në Shqipëri.
Me arsyetimin se industria e re ricikluese në Shqipëri nuk mund të mbijetonte vetëm me mbetjet e brendshme, qeveria Berisha miratoi në nëntor 2011 një ligj që mundësonte importimin e disa kategorive mbetjesh që përputheshin me një të ashtuquajtur “listë të gjelbër”, të përbërë prej 56 materialesh. Kjo shkaktoi reagime të fuqishme prej shoqërisë civile, çka e detyroi Ministrin e Mjedisit Fatmir Mediu të deklaronte se do ta rishikonte listën duke e reduktuar më pas numrin e llojeve të mbetjeve të pranueshme në 25.
-Mafia hyn në skenë
Në bazë të një kërkimi të kryer në regjistrin zyrtar, në Shqipëri sot operojnë ligjërisht dhjetëra kompani italiane mbetjesh. Mirëpo ekspertët e fushës paralajmërojnë se tregtarë, në dukje të ligjshëm, shpesh janë mbulesë biznesesh të paligjshme. Lorenzo Diana, i cili është ekspert i çështjeve të mafies si dhe politikan italian thotë se, pas masave që ka marrë policia në bllokimin e aktiviteteve të tjera të paligjshme, krimi i organizuar tashmë ka hyrë në sektorin e eksportit të paligjshëm të mbetjeve me Shqipërinë. Edhe Europol i tregoi Prishtina Insight-it se priste një “vëmendje në rritje në drejtim të aktiviteteve të mbetjeve të paligjshme”. Europoli ka identifikuar rritje të vëllimit të transportit ndërkufitar të mbetjeve të paligjshme”, shtoi zëdhënësi, duke shpjeguar se tregtia e ligjshme përdorej shpesh për të mbuluar dumpingun e paligjshëm.
“Kompania A lidh një kontratë me kompaninë B për të trajtuar mbetjet në mënyrë të ligjshme.”, shpjegoi ai. “Mirëpo, kemi zbuluar – vazhdoi ai – se mbetja trafikohet dhe depozitohet në mënyrë të paligjshme jashtë këtyre kontratave”. Sipas Europol-it, Shqipëria, Rumania dhe Hungaria janë destinacione kryesore për mbetjet toksike nga Evropa Jugore, sidomos nga Italia.
Lorenzo Diana ka jetuar nën mbrojtje të armatosur qysh nga viti 1994 për shkak të fushatës së tij kundër mafies. Ai është anëtar i disa komisioneve parlamentare në Itali për këto probleme, dhe u caktua drejtor kombëtar për luftën kundër mafies brenda Partisë Demokratike në vitin 2006. “Trafikantë që dikur merreshin me trafikun e cigareve midis Shqipërisë dhe Puljes i thanë një ditë vetes: “Tashmë nuk mund të trafikojmë cigare më tej. Tash e tutje të merremi me trafikun e qenieve njerëzore, drogës dhe armëve”, i shpjegoi ai Prishtina Insight-it. “Kur me Shqipërinë i vendosën kontaktet, rrugët dhe kanalet e trafikimit të kontrabandës e të armëve, ata mandej i përdorën këto rrugë edhe për trafikimin e mbetjeve”, vijoi ai. Veprimtari shqiptar i mjedisit Lavdosh Ferruni thotë se, qeveria e Tiranës nuk shqetësohet për të kaluarën e këtyre tregtarëve. “Autoritetet asnjëherë nuk kanë treguar interes për administrimin e mbetjeve ndërkohë që vendi është tejet i ndotur me mbetje urbane, çka po keqësohet përherë e më shumë”, tha ai. “Nëse i shtojmë kësaj edhe mbetjet e tjera që vijnë nga vende të tjera, kjo do të na sjellë ndotje të pakthyeshme,” shtoi ai. “Në fakt kjo është diçka që ka ndodhur tashmë. Ne nuk kemi besim tek autoritetet tona”.
-Mbetjet zhduken
Italia ka pasur një sukses të moderuar për ndalimin e eksporteve të paligjshme të mbetjeve në Shqipëri, mirëpo Prishtina Insight ka zbuluar prova që plehrat toksike ende transportohen nga Italia drejt fqinjit të tij të varfër. Me 13 tetor 2010 doganat italiane kontrolluan një anije të ankoruar në portin e Barit. Dokumentacioni që lidhej me ngarkesën prej 92 makinash larëse dhe 68 frigoriferë, me vleftë prej 1,440 Euro, ishte të paplotë dhe i dyshimtë, treguan për Prishtina Insight të dhënat nga Agjencia e Doganave. Pas një inspektimi në terren, u thirr policia italiane, e cila filloi hetimet për të verifikuar nëse kjo ngjarje ishte një përpjekje për të importuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri mbetjet elektronike, dhe jo mallra të përdorura, siç pretendohej. Ndërsa mallrat tashmë janë shkatërruar, hetimi vazhdon. Korrikun e këtij viti dogana italiane ndaloi një automjet në portin e Barit që kishte në ngarkesë 56 dengje me tesha të palara pa u shoqëruar me leje eksporti, çka nxiti fillimin e një hetimi të ri në lidhje me eksportet e paligjshme të mbetjeve nga Italia në Shqipëri.
Megjithatë, këto zbulime duket se janë vetëm përjashtimi ndaj rregullit. Prishtina Insights ka zbuluar prova se vitet e fundit janë dërguar nga Italia për në Shqipëri dhjetëra mijëra ton me mbetje toksike, të cilat nuk janë të evidentuara nga autoritetet Shqiptare. Ky transport i organizuar plehrash ka vazhduar pavarësisht nga ndalimi virtual i këtyre importeve në Shqipëri dhe pavarësisht nga kufizimet ndërkombëtare të vendosura ndaj vendeve të zhvilluara për të mos eksportuar plehra drejt vendeve më të varfra. Shumica e lëndëve të rrezikshme duket se është eksportuar në bazë të një konvente jo fort të njohur të transportit ndërkombëtar të quajtur MARPOL, e cila rregullon shkarkimin në tokë të mbetjeve të krijuara nga anijet gjatë lundrimit.
Ekspertët i kanë treguar Prishtina Insight se edhe nëse importet të kenë qenë të ligjshme, Shqipëria nuk ka impiantet e duhura për të përpunuar pjesën më të madhe të mbetjeve të rrezikshme.
Po ashtu, ne kemi zbuluar prova se mbetje jo të rrezikshme janë importuar në Shqipëri pa miratimin e autoriteteve në Tiranë. Ka shqetësime gjithashtu se mbetjet që depozitohen në Shqipëri në bazë të MARPOL janë në sasi të tepruara. Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Mjedisit e Republikës së Shqipërisë nuk kanë paraqitur prova se këto importime kanë qenë të miratuara, çka le të kuptohet se, në bazë të ligjit Shqiptar, këto transportime mund të kenë qenë të paligjshme.
-Eksportet toksike
Statistikat e mbledhura prej Prishtina Insight nga Instituti i Lartë Italian i Mbrojtjes dhe Kërkimit Mjedisor tregojnë se, më 2007 dhe 2008 në Shqipëri u shkarkuan sasi të ndryshme mbetjesh toksike dhe jo-toksike. Instituti Italian ka refuzuar të jap të dhënat e vitit 2009 edhe pse na konfirmoi se i ka mbledhur ato. Të dhënat tregojnë se në vitin 2007 u depozituan nga Italia për në Shqipëri rreth 2,500 ton vaj-llum anijesh (bilge oil). Ky është lëngu që grumbullohet në kamaret fundore të anijeve, që shpesh përfshin edhe ujërat, vajrat dhe lëngjet e tjera rrjedhëse. Vaji i anijeve klasifikohet si mbetje e rrezikshme, edhe pse në Durrës ka një impiant për trajtimin e tij.
Në vitin 2008 kompani të ndryshme me qendër në Itali shkarkuan në Shqipëri disa dhjetëra mijëra ton vaj-llum anijesh, mbetje fishekzjarrësh dhe gjysmë toni me bateri plumbi, të cilat që të gjitha ishin klasifikuar si të rrezikshme. Në Shqipëri u sollën edhe ilaçe me afate të skaduara, kabllo, hekur dhe çelik, të cilat u klasifikuan si jo-të rrezikshme. Në Shqipëri janë sjellë mbetje ndërtimore, mbetje të biodegradueshme si dhe mbetje nga tregu ushqimor edhe Rajoni i Lacios, ku përfshihet Roma. Në vitin 2009 rajoni i Kampanias eksportoi në Shqipëri dy ton mbetje bojërash dhe verniku që përmbante solvent organikë dhe substanca të tjera të rrezikshme; 200 kilogram me pajisje elektronike të rrezikshme; gjysmë toni me bateri toksike plumbi; 50 kilogram me “tuba fluoreshentë dhe mbetje të tjera me përmbajtje merkuri” si dhe 1,500 ton vaj – llum anijesh (bilge oil). Po ashtu, u sollën në Shqipëri edhe 760 kg vaj ushqimor dhe yndyra, të kategorizuara si mbetje jo-të rrezikshme.
-Injorohet Konventa e Bazelit
Konventa e Bazelit për Kontrollin e Lëvizjes Ndërkufitare të Mbetjeve të Rrezikshme dhe Depozitimin e tyre, e njohur si Konventa e Bazelit, hyri në fuqi në vitin 1992 për të ndaluar dumpingun e mbetjeve të rrezikshme nga vendet e zhvilluara drejt vendeve të pazhvilluara.
Italia dhe Shqipëria janë vende që e kanë nënshkruar Konventën. Rrjedhimisht, ato janë të detyruara për të paraqitur informacion vjetor tek Sekretariati i Konventës (që është pjesë e sistemit të OKB-së) për të gjithë lëvizjen ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme ose të parrezikshme. Konventa u miratua pas bërjes publike të një vargu skandalesh mjedisore, çka lindi edhe shprehjen “kolonializëm toksik”. Këtu përfshihej i ashtuquajturi Incidenti i Kokos i vitit 1988, ku pesë anije transportuan 8,000 fuçi me mbetje të rrezikshme nga Italia për në qytetin e vogël Koko të Nigerisë në këmbim të një qiraje mujore prej 100 dollarësh për fermën. Mirëpo Prishtina Insight ka zbuluar që kjo marrëveshje ndërkombëtare vazhdon të injorohet edhe nga vendet e zhvilluara, edhe nga ato në zhvillim. Sekretariati i Konventës Bazel tha se, ka dijeni për problemin, por nuk ka mjetet e duhura për të dënuar ata që cenojnë ligjin. “Ne kemi mandatin që të marrim nga çdo palë raporte prej qendrave të tyre të kontaktit me Konventën (focal points)”, tha një zëdhënës. “Mirëpo ne nuk kemi mjetet e duhura për të mësuar nëse ka apo jo mungesë të dhënash”, shtoi ajo. Sipas një konference për Konventën e Bazelit të organizuar në kuadrin e OKB-së në nëntor 2011, “niveli i raportimit ka pësuar rënie”. Sipas një raporti të paraqitur në Konferencë, 65 vende anëtare nga 166 gjithsej nuk kanë paraqitur asnjë të dhënë për vitin 2006; 70 vende të tjera kanë paraqitur informacione të paplota dhe me vonesë” dhe vetëm pesë vende kanë raportuar plotësisht dhe brenda afatit. Roberto Ferrigno, themelues i Greenpeace Italy dhe sot konsulent mjedisor për disa kompani në Itali dhe Europë, i tha Prishtina Insight-it se Konventa duhet të kishte bllokuar eksportet prej vendeve të pasura drejt vendeve në zhvillim. “Sot është e ndaluar që plehrat e rrezikshme të eksportohen drejt vendeve në zhvillim”, tha Ferrigno, i cili ende mbetet i angazhuar me çështjet e trafikimit të mbetjeve. “Kjo do të thotë se të gjitha lëvizjet që më përpara bëheshin ditën me diell sot kryhen të nëndheshme”, shtoi ai. Mirëpo Ferrigno tha se autoritetet Italiane ishin të prirura të injoronin Konventën.
-Vaji derdhet në Durrës
Vitet e fundit në Shqipëri janë eksportuar për trajtim mijëra ton përzierje të rrezikshme vaji dhe uji, i quajtur vaj- llum anijesh, i cili grumbullohet në trupin e anijes. Është e vërtetë se kjo mbetje detare lejohet të shkarkohet nëpër porte. Mirëpo ekspertët thonë se sasia e depozituar në Durrës nga një kompani është në nivele shqetësuese. Prishtina Insight ka marrë prej autoriteteve italiane një listë zyrtare të eksporteve. Sipas saj, dërguesi i pjesës më të madhe të mbetjeve është “Tirrenia di Navigazione S.p.a”, që është një kompani tragetesh, e cila ka mbuluar rrugën Bari-Durrës prej vitesh. Sipas Konventës Bazel, mbetjet që janë produkt i aktivitetit normal të anijes “rregullohen nga MARPOL, Konventa Ndërkombëtare për Parandalimin e Ndotjes nga Anijet, që parashikon dhe lejon që kjo lloj mbetjeje, pavarësisht nëse është apo jo toksike, të shkarkohet në port me qëllim që të shmanget derdhja e saj në det. Megjithatë, mbetet i paqartë përkufizimi i frazës “veprimet normale të anijes”. Disa ekspertë juridikë mendojnë se Konventa Bazel hyn në veprim sapo mbeturinat të ngarkohen në anije për transport. Këto rekomandime u paraqitën në një artikull të përcjellë Sekretariatit të Konventës Bazel në vitin 2011, çka nxiti lindjen e një liste propozimesh që synonte të pajtonte të dy sistemet e rregullave. Pavarësisht nga vjegat juridike, zyrtarë të qendrës Rempec të UNEP-MAP [UN Environment Programme – Mediterranean Action Plan in Malta], që monitorizon MARPOL-in, thane se sasia e vajit-llum të anijeve ishte “paarsyeshmërisht” e lartë dhe nuk mund të ketë qenë prodhuar prej anijeve që kanë rrahur vetëm atë rrugë. Gjatë një periudhe mbi dyvjeçare, firma eksportoi më shumë se 5,000 ton vaj-llum anijesh në Shqipëri. “E diskutova me kolegun tim dhe, edhe ai mendon se kjo nuk është një shifër e arsyeshme”, i tha Prishtina Insight-it një zyrtar i Rempec-ut, me kusht që t’i ruhej fshehtësia e emrit. Ka rëndësi të theksohet se kompanitë e tjera të trageteve që lidhin Italinë me Shqipërinë nuk raportojnë eksportime të vajit-llum të anijeve. Komandanti Rodolfo Giovannini i Rojes Bregdetare Italiane dhe i autoriteteve portuale, i cili punon në Ministrinë Italiane për Mbrojtjen e Mjedisore të Detit dhe Tokës, sugjeroi gjithashtu se sasia e raportuar nga Tirrenia ishte mbi normalen. Ajo sasi ishte “e krahasueshme me nivelin që mund të mblidhet çdo vit nga të gjitha anijet që ankorohen në një port si Durrësi”, tha ai, dhe jo nga dy tragetet që shërbejnë në linjën Durrës-Bari çdo ditë. Burime nga Tirrenia, e cila është privatizuar dhe tashmë quhet Compagnia Italiana di Navigazione, thanë se sasitë e përmendura nuk janë të pazakonta. “Duket si diçka e tepërt, por për mua 2,500 ton [në vit] janë sasi tepër e vogël”, tha një burim nga kompania.
-Bosi italian i kumarit i kthen sytë nga Shqipëria
Shtetasi Italian Antonio Angelo Abrusci njihet në Itali më shumë për rrjetin e tij të bizneseve Bingo. Mirëpo Abrusci, i cili është dënuar disa herë për mashtrim tatimor, është edhe një lojtar serioz për grumbullimin e mbetjeve në Shqipëri. Prishtina Insight ka zbuluar se ai është edhe pronar i një kazinoje në Rumani. Në vitin 2002 gazeta italiane La Repubblica e pat përshkruar atë si “pinjolli i një familjeje ndërtuesish që ka nxjerrë miliarderin e parë nga Puglia për vite me radhë”. I njëjti artikull vërente se Abrusci po diversifikonte “duke investuar në industrinë e mbetjeve Shqipëri”. Artikulli nuk përmendte ndonjë kompani të posaçme, por Prishtina Insight ka zbuluar se Ecoaqua, e regjistruar në Itali dhe Shqipëri në Mars 2000, ka fituar së paku dy kontrata nga Këshilli bashkiak i Tiranës për të pastruar dhe grumbulluar mbeturinat dhe ka paraqitur oferta për të bërë të njëjtën gjë edhe në qytete të tjera. Kompania është pjesërisht në pronësi të Finanziaria Immobiliare Partecipazioni, e cila midis të tjerëve vete zotërohet nga Abrusci. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Ecoaqua-s është Antonio Abrusci, nga i njëjti qytet i Acquaviva delle Fonti, i cili është bashkëpronar i disa bizneseve së bashku me emnakun dhe vëllain e tij, Antonio Angelo. Pronar i Ecoaqua-s së regjistruar në Shqipëri, fituesi i kontratave në Tiranë, është nga ana tjetër vetë firma italiane. Sipas një faqeje interneti, që i përkushtohet një konference italo-shqiptare të mbajtur në Tiranë në janar 2011, kompania e Abrusci-t shpalli se po studionte mundësinë e ndërtimit të një landfilli në Shqipëri. Ecuria e mëtejshme e këtyre planeve nuk është e qartë. Nuk dihet as se në cilat kontrata publike punon sot kompania, por ai i tha Prishtina Insight-it se sot punonte vetëm në pastrimin dhe transportin e mbetjeve urbane në Tiranë. Në fillim të viteve 2000 Abrusci ishte ndaluar të konkurronte në disa tendere publikë për licenca bingosh në Itali për shkak se ishte dënuar më përpara për mashtrim tatimor. Abrusci më pas shkoi në apel, pasi shteti Italian i dekriminalizoi krimet për të cilat ishte shpallur fajtor në vitin 2000. Në vitin 2002 një gjykatës në Bari revokoi dënimet duke cituar ndryshimet në ligj. Antonio Abrusci i tregoi Prishtina Insight-it se kompania e tij është përfshirë në transportimin e plehrave në Tiranë. Ai tha se ai bashkë me të vëllain kanë investuar në biznesin e kumarit dhe të plehrave sepse ndërtimi, ose fusha e tyre kryesore e biznesit, është bërë tepër e vështirë pas operacionit “Duar të Pastra”, ose fushatës kombëtare hetimore dhe gjyqësore kundër korrupsionit politik në Itali në vitet 1990. Lidhur me “krimin e tij të mëparshëm fiskal”, ai theksoi se ai kishte apeluar me sukses kundër përpjekjeve për ta penguar atë që të merrte pjesë në tendera.
“Mbreti i Plehrave” ia vë syrin Shqipërisë
Njëri prej sipërmarrësve të parë Italianë që shqyrtoi mundësinë për të eksportuar plehra në Shqipëri ishte Manlio Cerroni, i mbiquajtur në atdheun e tij si “Mbreti i Plehrave” për shkak të rrjetit të tij ndërkombëtar të kompanive të mbetjeve. Prishtina Insight ka mësuar se, ndërsa planet e tij të mëdha për të dërguar në plehrat e Romës për djegie në Shqipëri nuk eci kompania e ngritur për të shfrytëzuar biznesin e mbetjeve qëndron aktive ndërkohë që mjaft biznese të ndërlidhura kanë fituar kontrata qeveritare në Shqipëri. Në një libër të botuar kohët e fundit me titull “Roma si Napoli” dhe me autorë tre gazetarët Manuele Bonaccorsi, Ylenia Sina dhe Nello Trocchia shkruhet se Shqipëria ka dale në skenë si një destinacion potencial për mbetjet italiane pikërisht “në momentin e emergjencës më të madhe të mbetjeve në Lazio (rajoni i Romës)”. Marrëveshja me Shqipërinë ishte ndërtimi i një incineratori mbetjesh në Kashar, një fshat midis Durrësit dhe Tiranës, i cili do të punonte me Lëndë Djegëse e Përftuar nga Mbetjet, që ishin komponentët e mbetjes bashkiake sikurse ishin mbetjet plastike dhe të biodegradueshme, me qëllim që të digjeshin atje. Kompania që u përgatit që t’i hynte kësaj pune ishte Albaniabeg, një emër hibrid që kombinon emrin e vendit, Shqipërinë, me BEG, ose BecchettiEnergyGroup. Pronari i BEG SpA është Francesco Becchetti, nip i Cerronit, i cili përmendet edhe si pjesëtar i kompanisë. Albaniabeg zotërohet nga tre kompani: Co.La.Ri, ose kompania e mbetjeve e Cerronit, me qendër në Lazio; Energji Shpk, me aksionar kryesor Mauro De Renzis të BEG, dhe Vitre, me qendër në Tiranë, e cila edhe kjo ka aksionar kryesor një shtetas Italian të quajtur, Angelo Novelli. Energji Shpk është marrë me ndërtimin e hidrocentraleve pasi ka marrë pjesë me sukses në tendera për projekte të ndryshme. Një përfaqësues i Vitre-s i tha Prishtina Insight-it se kompania ishte e interesuar në biznesin e riciklimit në Shqipëri, por refuzoi të japë hollësi. Vitre është ende aktive dhe përmend zërin “mbetje” si njërin prej aktiviteteve kryesore të saj, mirëpo Prishtina Insight nuk ishte në gjendje të verifikonte veprimtaritë e saj të tanishme. Pas dështimit të marrëveshjes së Tiranës, jetëgjatësia aktive e landfill-it të Romës u shty deri në vitin 2007 kurse licenca e tij shtyhet çdo vit. Shtyrja më e fundit e ka prurë afatin përfundimtar të mbylljes për fundin e vitit 2012. Emri i Cerronit del në një raport tejet të hollësishëm për sektorin e administrimit të mbetjeve në Itali, të hartuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar për “Ciklin e Mbetjeve dhe Veprimtaritë Kriminale” i botuar në vitin 2000. Raporti shqyrtoi edhe pasuritë e kompanive të përfshira në fushë dhe përshkruante se si pronarët punojnë sipas parimit të “kukullës ruse, sipas të cilit një kompani kontrollohet prej një të dyte, e dyta pre një të trete, dhe kështu me radhë, pa arritur gjithsesi të identifikojnë një subjekt efektiv, të besueshëm dhe me aftësi paguese.”
*Shkrimi i hartua me ndihmën e SCOOP, një rrjet gazetarësh hetimorë nga Evropa Lindore dhe Juglindore: Gulia Baggi, Lawrence Marzouk, Marjola Rukaj, Lorelei Mihala dhe Remy Herschbach