Niazi Kore, oficeri shqiptar që grisi flamurin fashist në Selanik

937
Sigal

Flet studiuesi Kleanth Dedi për një figurë atdhetare të njohur, por të mbuluar me heshtje e harrim

Kur të rritesh e madhohesh, të marrësh penën dhe këto kujtime të mia dhe tue pyetur të gjithë njerëzinë dhe të afërt, të shkruash një libër me emrin “Vrasja mizore e një atdhetari”. Në këtë libër duhet të shpjegosh gjithë jetën time që unë shkurtimisht po ta lë në këtë librezë (e ka fjalën për kujtimet me shkrim që ka lënë) tue fillue qysh nga lindja ime deri në vdekjen time; tue shtyrë brenda dhe lindjen tënde. Për ta bërë këtë punë duhet të mësosh shumë dhe të jesh e zonja e penës. Po ta lë si amanet që ta bësh medoemos”. Këto janë shënime të ish-oficerit të Rojes Mbretërore që ia dërgon së bijës së vetme, atëhere fare fëmijë, Liliana Kores. Por Lilaiana dhe Shadia, edhe pse u përpoqën për të njohur me imtësi jetën e Niaziut, nuk arriën dot, pasi Liliana vdiq, ndërsa Shadia e shoqja për arsye moshe nuk arriti të botonte kujtimet e burrit të saj. Në këto kushte e mora unë përsipër të botoja diçka mbi jetën e dhe veprimtarinë e patriotit, të pa cilësuar ende kështu nga organet kompetente, për shkak të mos njohjes, të gjirokastritit Niazi Kore.

Një figurë që do vlerësuar

Është fatkeqësi që historianët tanë janë kaq të pavëmendshëm dhe mosmirënjohës, do të thosha, për figura të tilla si ajo e Niazi Kores. Megjithëse ai vdiq për interesa të larta të atdheut, duke grisur flamurin fashist në legatën shqiptare të Selanikut, nuk është cilësuar ende dëshmor i Atdheut. Megjithëse ai la një vepër të shkurtër të shkruar, ku pasqyrohej aktiviteti i tij i shkurtër, por shumë atdhetar, askush nuk u mor me to. Autoritetet e kohës (periudha e mbretërisë) panë dhe vlerësuan te Niazi Kore kapacitetin intelektual që premtonte shumë. Kishte ndjekur studimet e larta në Itali. Ishte një ushtarak i kompletuar, idealist e besnik në Rojën Mbretërore Kufitare. Kanë shkuar mbi 70 vjet nga 8 gushti i vitit 1940, kur Niazi Koren e vranë me helm vdekjeprurës në burgjet greke. Por ai kaloi në heshtje vetëm në dhimbjen familjare të Vuvazit, Shados (të të shoqes) dhe Lilianës (të së bijë), të cilat për arsye të ndryshme nuk mundën të botonin disa fletë të shkruara (kujtime e porosi) që i dashuri i tyre kishte shkruar në burgun e Selanikut më 2 nëntor 1939 (nëntë muaj e 6 ditë para se ta helmonin). Këto kujtime dhe fotografi ishin të vetmet dëshmi origjinale nga i dashuri i tyre i zemrës. Qindra e mijëra herë për dekada të tëra i shfletuan dhe i lagën me lot ato kujtime. Mundoheshin të mësonin më shumë nga sa shkruante Niaziu. Në të shkuarën as mund të bëhej fjalë pale të gjente zgjidhje çështja e tij, por edhe tani i njëjti qëndrim e heshtje. Të shpresojmë që koha do ta korrigjojë këtë padrejtësi, dhe Niaziu të shpallet të paktën, dëshmor i Atdheut.

Ai bëri më shumë se detyra

Ai bëri detyrën, ishte pjesë e shpurës së Mbretit, Pastaj duhet t’i marrim gjërat në kontekstin dhe kohën kur kanë ndodhur. Njaziu nuk mund të vepronte ndryshe. Në vlerësimin ushtarak në kohë lufte, ata që duheshin të evakuoheshin e të mbroheshin të parët ishin pleqtë, fëmijët dhe të sëmurët. Pastaj, kur mori vesh se largimi ishte i përkohshëm – siç thuhej dhe pritej nga ora në orë që ta lajmëronin të kthehej suitën që shoqëronte mbretëreshën, u bind edhe më shumë për drejtësinë e vendimit të marrë dhe krijoi edhe një farë ndjesie se ndoshta shpresat për humbjen e lirisë së Atdheut e të popullit të tij nuk ishin venitur.

Mbretëresha Geraldinë për aktin e Niazi Kores

Akti atdhetar i Niazi Kores u përhap gjithandej. Mbretëresha dhe oficeri madhor Hysen Selmani kanë dhënë kujtimet e interpretimet e tyre. “Gjatë qëndrimit tonë në Larisa … dy nga oficerët tanë vajtën në Selanik për të parë Konsullin e Shqipërisë … u çuditën kur panë se flamuri i fashizmit ia kishte zënë vendin flamurit kuq e zi të Shqipërisë dhe kur panë konsullin nxorën revolet t’i binin. Policët grekë duke dëgjuar britmat e tij, i shkuan në ndihmë, por që të dy u vranë nga oficerët dhe konsulli vetë u vra. Edhe H.Selmani si dëshmitar i asaj kohe në Greqi jep në thelb të njëjtën përmbajtje e interpretim për kryekonsullin e veprën e tij profashiste dhe antishqiptare. Për këtë ndjejnë urrejtje dhe nuk ia harrojnë.

Ngjarja e bujshme e Selanikut

“Më 2 qershor 1939 ministri i punëve të jashtme të Kolonel Hysen Selmani 1895-1973, në ditarin e tij – 17 prill 1939 e përshkruan kështu aktin atdhetar të Niazi Kores e të disa oficerëve të tjerë shqiptarë në Selanik: “Dy oficerët tanë shkuan në Selanik. Aty, drejtohen për në Konsullatën Mbretërore shqiptare. Kur hynë brenda shohin se konsulli ka zbritur Flamurin Kombëtar shqiptar dhe ka vënë atë të Italisë fashiste. Këta menjëherë e thirrën konsullin shqiptar dhe i thanë: “Ule poshtë këtë flamur fashist, shkele me këmbë, merre flamurin mbretëror shqiptar, puthe, ngrije lart”, pastaj aty e vranë… Njëri nga këta ka qenë Niazi Kore. Konsulli, vrau veten. Jo në kuptimin ia hoqi vetes me dorën e tij, por me veprimet antishqiptare, mori atë që meritonte. Kështu u quajt dhe u vlerësua, që atëherë nga Mbreti dhe Mbretëresha dhe gjithë antifashistët vrasja e konsullit Vasfi Xhomo; njëherësh u evidentua Niazi Kore për t’ia përcjellë të ardhmes – historinë që ta shpallë “Dëshmor të Atdheut”. Por, s’ndodhi kështu. Niazi Kore do të shkonte në spitalin burg të Patrës dhe më pas në Selanik do të gjente vdekjen. Konsulli do të varrosej me ceremoni. Koha punonte për fashizmin…

Kleanth DEDI

__________________________________________________________________________________

RROGA E FUNDIT, LAMTUMIRË MBRET!…

Shpenzimet për akomodimin dhe ushqimin e të gjithëve u përballuan nga fondet e shtetit shqiptar. Në Larisa të Greqisë qeveria në mërgim bëri aprovimin dhe ndarjen e fondeve financiare. U likuiduan rrogat (pagesat) e prapambetura për të gjithë funksionarët, oficerët si dhe për përfaqësitë shqiptare. (legatat mbretërore) në Paris, Turqi, Egjipt. Fondet ishin tërhequr nga arka e shtetit në 7 prill 1939, për këtë veprim financiar (tërheqjen e fondeve dhe shpërndarjen e tyre u krijua një komision i përbërë nga Kryeministri Koço Kote, kryetari i Parlamentit Hyqmet Delvina, Ministri i drejtësisë Faik Shatka, Ministri i jashtëm Ekrem Libohova, Ministri i Financës Kolë Thaçi, ministri i Brendshëm Musa Juka, ,inistri i Bujqësisë Rok Gera, ministri i Arsimit Abdurrahman Dibra, Kryetari i Këshillit të Shtetit Mirash Jovaneu, sekretari i Këshillit Ministror, Stavro Stavri. Ajo masë e konsiderueshme të mërguarish shqiptarë më kreun e Mbretërisë, Qeverinë, parlamentarët në krye, në pamje të parë të dukej kompakte. Ende ruhej hierarkia funksionale, por nuk do të vononte që grupe dhe individë do të mendonin secili për vete. Mbreti me më të afërtit dhe të besuarit e tij do të bënte përçapje të shumta politike e diplomatike për t’u larguar sa më parë nga Greqia.

ME NDËRGJEGJE TË PASTËR E DEVOCION TË LARTË

Shënimet e tij të fundit janë ato të  2 nëntor 1939 të Selanikut. Ato janë shënime të ndjera dhe të vërteta që tregojnë vuajtjen e një atdhetari që nuk e ndihmon asnjë njeri, që nuk e di asnjeri se ç’bën ai në atë vend të largët, të shurdhët dhe mosmirënjohës. Këto refleksione janë një burim informacioni për të njohur edhe më mirë Niazi Koren. Ai me objektivitet e si dëshmitar okular i luftës “vizaton” e përshkruan ngjarjet, por jep edhe vlerësimet dhe mendimet e tij për arsyet pse rrodhën ashtu ato ngjarje. Bën, si të themi, një analizë të shkaqeve dhe jep edhe vlerësime për rolin e disa njerëzve, përfshi edhe Mbretin, që pati rastin t’i njihte edhe më mirë në rrethanat e asaj lufte. Thirrja e komandës për t’u paraqitur në detyrë e gjeti në këmbë, në gatishmëri nr.1; të veshur e të armatosur që në orët e para të ditës 5 prill 1939. Në komandë shkoi me një frymë. Zyra e informimit ku u caktua Niazi Kore ishte e rëndësishme dhe me përgjegjësi. Niazi Kore nga ai post ndoqi për 3-4 ditë, me dhimbje, zemërim dhe revoltë marshimin e forcave fashiste në trojet e atdheut të tij. S’e mbante vendi. Donte të shkonte në istikamin e parë të rezistencës në Durrës. Nuk shkoi dot dhe kjo jo për fajin e tij. Si  ushtarak e vuante edhe më shumë gjendjen dhe e parashihte edhe më të errët të ardhmen e Atdheut e të popullit të tij nën pushtimit fashist.

KUSH ISHTE NJAZI KORE

Niazi Kore u lind më 26 dhjetor 1912, në lagjen Cfakë të Gjirokastrës. Gjatë vazhdimit të Liceut në Gjirokastër, në tetor 1928 shkojnë në  një shëtitje mësimi në Italinë e Jugut 20 studentë e 7 mësues nga të gjitha shkollat e mbretërisë. Nga Gjirokastra ishte Njaziu. Udhëtimi u krye në Bari, Barleta, Taranto, Cosenca, S.D. Korone, Napoli, Foggia, Pompei dhe Romë. Mbas disa ditëve si ishin kthyer nga Italia, Njazinë e kërkojnë për studime ushtarake në Akademinë Ushtarake të Rojës Mbretërore të Kufirit në Romë. Pas tre vjetësh, kthehet në Atdhe me detyrën e kryetarit të zyrës së shërbimit në Komandën e Përgjithshme të Rojës Mbretërore të Kufirit. Në prill të vitit 1939, kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë, e çojnë në Shtabin Madhor të Ushtrisë Mbretërore në Zyrën e Informacionit. Ja si shkruan vetë ai: “Plasi lufta me Italinë. Unë u thirra në shtabin madhor të ushtrisë në zyrën e informacionit. U largova prej shtëpisë duke puthur të gjithë. Lotët më duall prej syve dhe thashë: “a do të kthehem përsëri?”. Zoti desh të mos vritesha në luftë dhe së bashku me Mbretin dhe shokët e mi u hodhëm në Greq”.. Në Greqi ai u nda me shumë shqiptarë të tjerë u nda nga familja mbretërore. Shkon në Legatën shqiptare në Selanik për ndihmë, por aty ndeshi në rezistencën e punonjësve të Legatës, të cilët ishin kthyer në fashistë. Ndeshja në fillim me fjalë, pastaj edhe fizikisht më konsullin, është edhe akti i fundit i Niaziut që e çojnë në burgjet greke, ku vazhdon edhe kalvari i gjatë i vuajtjeve e torturave deri në eliminimin fizik të tij me helm.