Gëzim Hidri punon në mozaik me gurët e Domosdovës Flamurin e Pavarësisë

1590
Sigal

LIBRAZHD/ Flet për “Telegraf” skulptori që ka menduar ta festojë ndryshe këtë 100-vjetor. Ja planet e këtij punimi

Skulptori Gëzim Hidri nga qytetit i Librazhdit mban premtimin e bërë për projektin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ai është drejt përfundimit të Flamurit të Pavarësisë, i cili është një punim guri i derdhur në Mozaik. Në këtë intervistë për “Telegraf”, Hidri zbulon të gjitha detajet e këtij punimi.

Ju premtuat para disa kohësh që do të realizonit Flamurin e Pavarësisë në mozaik, deri ku jemi me këto punime?

Po, para dy muajsh premtova që do të realizoj në mozaik Flamurin e Pavarësisë të 100-vjetorit dhe sot jam në detajet e fundit të tij. Realizova Flamurin e Marigosë, Flamurin e Muzakajve, Flamurin që ngriti Gjergj Kastrioti në 28 Nëntor në Krujë, flamurin që ngriti Ismail Qemali në “Nëntorin e Dytë”, për të cilin është derdhur shumë gjak, e këtë flamur po e bëj me gurët shqiptar që janë spërkatur me gjakun e luftëtarëve shqiptarë që kanë derdhur në shekuj. Janë këta gurët e kuq që unë i kam gjetur në fushën e Domosdovës. Flamuri do të udhëtojë drejt Tiranës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Do të jetë flamuri i “Nëntorit të Tretë”.

Mund të na jepni ndonjë detaj rreth punimit të Flamurit?

Unë e kisha ëndërr të realizoj një flamur për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe të jetë i gjithë në mozaik. Këtë flamur do jua bëj dhuratë shqiptarëve. Flamuri është i gjithi i punuar me gurë, me mozaik. Është 2012 milimetra ose 2 metra e 012 centimetra gjatësia, 1200 milimetra gjerësia. Pra jemi në vitin 2012, i thonë 1200 muaj që plotësojnë një shekull dhe kështu, kam punuar në një realizim artistik dhe historik. Një flamur i pakufizuar në natyrën artistike dhe i lënë hapur për 100-vjetorin tjetër që kushdo skulptor që do të punojë mozaikun të bëjë përfundimin e tij. Valëvitja e tij do të jetë origjinale.

Si do të fillojë ceremonia dhe prezantimi i flamurit?

Nisja e flamurit do të fillojë nga qyteti i Librazhdit, nga qyteti, ku unë jam lindur, që i ka dhënë historisë së popullit shqiptar prej shekujsh. Do të ekspozohet në mesin e qytetit më një ceremoni madhështore, ku do te jenë të ftuar gazetarë, qytetare dhe figura politike. Madje do të ftoja të dy përfaqësuesit Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha dhe Kreun e PS, z. Edi Rama, të dy do të vendosin dritën e syve në të dyja kokat e shqiponjës, atë vend do ta lë bosh me qëllim që të vendoset nga këto figura, sepse ajo ditë do të jetë si dita e dhëndrit e nuses që do të vendosin unazat, e cila ka vlerën e madhështisë. Flamuri im do të jetë simboli i madhështisë dhe i bashkimit të shqiptarëve.

Po në Vlorë do të shkojë Flamuri?

Pra nisja do të jetë nga qyteti i Librazhdit, do të ketë një ndalim në Bashkinë e Elbasanit, në sheshin kryesor, më pas në Vlorë e në Tiranë. Madje me këtë rast dua të falënderoj dhe Kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha që më priti në zyrën e tij dhe më premtoi vendin, se ku do të vendoset. Flamurin do ta shoqërojnë disa djem të veshur me kostumet kombëtar, me karrocën e Ismail Qemalit, me pushkët e vjetra gjithçka do të jetë bukur artistikisht.

Ju keni premtuar dhe bërjen në Mozaik të Shenjtores Nënë Tereza?

Po do të implementoj në të ardhmen, njërin nga projektet që i dedikohet  Nënë Terezës për shndërrimin e saj në rrugën e pavdekshmërisë në Mozaik. Është shenjtorja jonë Nënë Tereza dhe e meriton. Sivjet premtova Flamurin Kombëtar, vitin tjetër Nënë Terezën. Do të jetë një kryevepër mbarë kombëtare, do të realizoj pavdekshmërinë e Shenjtores së Madhe Nënë Terezë. E mbas kësaj do të realizoj pavdekshmërinë e Mbretëreshës Elisabetë të Anglisë.