Ylli Meçe, ish drejtues i Flotës Detare: Kryeministri shqiptar le të shesë pikturat e tij në tezgë, por detin nuk e lëmë ta shesë tek greku

566
Sigal

 

Zoti  Ylli Meçe, ju drejtohemi, sepse para viteve 90-të kini punuar në sektorë të rëndësishëm të Flotës Luftarako- Detare, që kishin të bënin dhe me ruajtjen e kufijve tanë detarë. Çfarë mendimi kini ju për “Paktin e detit me Greqinë” apo lëvizjen e fundit të Kryeministrit Rama i cili është i mendimit, që kjo çështje t’u kalojë për të vendosur t’i kalojë një gjykate ndërkombëtare?

–  Ky problem ka prapavija të djallëzuara të qarqeve shoviniste greke të “megalli idhesë”, të shoqëruara këto me një naivitet foshnjarak nga ana e kryeministrit tonë  Rama. Them foshnjarak, sepse me kujtohet disa vite më parë në fillesat e karrierës së tij, vetë Rama me plot gojën e ka pas deklaruar, se nuk ja thotë aq shumë për politikë, teksa tashmë, për çudi na bën politikë “të madhe”,  duke ja kaluar dhe Berishës, i cili e nxori Shqipërinë në ankand. Besoj se juve ju kujtohet citimi i tij tashmë postulat ”Shqipëria një euro”…çmim ky, nga ku një m2 tokë shqiptare kushtonte sa për një palë brekë në tregun e lirë. Por ja që Rama, për inat të vet Berishës, nisur nga konjuktura në prag elektoral, për të marrë dhe një ”pro” për në BE e sidomos nga Greqia, bën lëshime të tilla të cilat cënojnë rëndë sovranitetin e vendit tonë.
Ju mendoni, se firmosja e një pakti të tillë nuk është çështje me leverdi ekonomike nga ana e Greqisë?
 – Jo, aspak nuk mund ta mohoj këtë gjë, kur e di fort mirë se në Veri të ishullit të Sazanit ngjitur me bregun bulëzon gaz, por qarqet shoviniste greke nuk kanë vetëm hallin e leverdisë ekonomike me detin, por ata duke realizuar dhe nënshkruar këtë pakt, dalin përballë Himarës, atje ku kanë ëndrrën e tyre të vjetër, nga ku po prej andej disa herë na kanë provokuar, duke ngritur flamurin grek në Bashkinë e këtij qyteti dhe me këtë rast njëkohësisht afrohen shumë dhe do të ndodhen fare pak milje (25 – 30) në afërsi të ishullit të Sazanit. A e dini ju, se i dërguari i Greqisë në Konferencën e Paqes në Paris më 1946, përveçse kërkonte “Vorio – Epirin” pat ngritur pretendime, duke kërkuar në të njëjtën kohë dhe ishullin e Sazanit, se gjoja ky ishull, qysh më parë ka qenë i Greqisë dhe se më vonë atë, jua u pat marrë me forcë Italia, të cilën e kishin miratuar dhe Konferenca e Londrës në favor të Italisë?! Pra, historia nuk është kuriozitet dijesh nga e kaluara e një populli, por dhe një apel i madh për të nxjerrë mësime. Po ç’mësime të nxjerresh nga këta palo politikanë, të cilët e shkatërruan çdo gjë e sidomos ushtrinë?! Është fakt i pa mohueshëm, që sot, hapësirën detare tonën sikurse dhe atë ajrore, na e “mbrojnë” Italia dhe Greqia?!… Pikërisht ato vende që kanë patur aq shumë lakmi ndaj atdheut tonë. Kur kishim flotë detare dhe ajrore nuk guxonte askush të na shkelte kufijtë e jo më të kishte pretendime. Po ju kujtoj se vitin 1997, qarqet shoviniste greke tentonin të shpallnin “Republikën e Pavarur të Jugut”,  teksa divizioni i XXl i fanterisë greke, bënte stërvitje komando – shtabi, për kapjen e “Vorio Epirit” dhe nëse qarqet reaksionare brenda vendit “do kërkonin ndihmë”, ata do futeshin me trupa. Vërejeni me kujdes se sa shumë afër kemi qenë ndaj një pushtimi të mundshëm. Por çuditërisht dhe paralelisht në të njëjtën kohë dhe 100 sipërmarrës italianë në Shqipëri, i kërkuan senatit të tyre të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri, për të mbrojtur bizneset dhe interesat ekonomike e tyre (operacioni “Alba) . Dhe nuk ishte e rastësishme as deklarata e ministrit të Mbrojtjes italiane B. Andreatës … “Për interesat jetike të Italisë në Ballkan në përgjithësi – dhe në Shqipëri në veçanti”. Ja pra, se ç’na ka bërë politika e mbrapshtë.

Si ishte e përcaktuar me konventë n/kombëtare kufiri i detar Shqipërisë në kohën tuaj?

 – Dihet se Shqipëria doli dhe u rradhit ndër shtetet fituese të Luftës së Dytë Botërore dhe konventa n/kombëtare shtetet fituese të luftës, përballë shteteve që e humben luftën (marrim rastin konkret ish- Italinë fashiste) që lagen me det,  i ka përcaktur kufijtë me 12 milje detare nga bashkimi i dy kepeve të dala, dhe ky bashkim ecën kështu në vazhdimësi, deri në dalje, ku përfundon kufiri tokësor, ndërsa kanalet e ngushticat ndahen në 1/2 (përgjysëm). Gjithashtu, është me vend të theksohet se për shtetet që dolën të humbura të luftës e duke qenë se ato për nga natyra që kishin, paraqitin rrezik për fqinjët, po me anë konventash u kufizuan me 3 deri në 5 milje detare. Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore vërtetë nuk ka qenë e rreshtuar si një vend agresiv e fashist, por me këtë rast dua të them se nëse ajo futet në tratativa me Italinë është punë e tyre dhe marrëveshja që bëjnë me njëri tjetrin Itali – Greqi, nuk shërben si paralele dhe për Shqipërinë. Këtu i kishim grekërit pse nuk e kërkonin këtë “pjesë deti”dhe në kohën e Enver Hoxhës? Apo kujtojnë se u bë deti kos në kohën e Salës dhe të Ramë agës?! Jam unë, që i pyes qeveritarët tanë: Zotërinj qeveritarë, këtë çështje kaq madhore që ka të bëjë me tërësinë tonë territoriale, pse nuk e bëtë dhe meqënëse kini ende kohë, pse nuk e bëni me referendum mbarëpopullor? Kështu, që me këtë rast (edhe nëse vetë si lepuj që janë), do e kishin argumentin për të marrë guximin, duke u thënë demonëve grekë se s’kemi çfarë t’i bëjmë sovranit popull, nga që dhe vet fjala “demokraci” nga ju grekërit ka dalë, që do të thotë se autoriteti më i lartë është populli – është ai që vendos dhe për rrjedhojë do kishin një “ modus vivendi” e një mënyrë shfajësimi, paqenë aspak e nevojshme për t’ja shtruar me dreka e darka nën llamburitjen e llampave dhe buzuqeve helene, pse jo dhe buzëqeshjeve hipokrite të Qirjako Micotaqit.

Po buzëqeshni teksa ne flasim për një çështje serioze
 – Kot, kot nuk di pse m’u kujtua një këngë që thotë: Qirjakua e do Shqipërinë … or qi-rjakooo!

–  Ju nuk besoni në fqinjësinë e mirë me Greqinë dhe në takimet e ndryshme që bëjnë palët fqinje me njëri tjetrin? Mos ndofta jini pak ekstremist dhe i rrëmbyer nga pasionet?

– Jooo aspak! Duhet të kuptohemi mirë. Jam dashamirës i popullit grek i vitalitetit dhe bujarisë së tij, sepse në shekuj arvanitasit kanë jetuar në ato troje, sikurse dhe revolucioni grek u bë krah për krah me shqiptarët, ishte populli shqiptar, ai që në momente të vështira ekonomike në kohën e Enver Hoxhës ndihmoi ekonomikisht popullin grek, sikurse ishte po ky popull, që në ditët e vështira që kaloi Shqipëria, i hapi portat zemrës popullit shqiptar. Për interesa ultranacionaliste kanë vepruar e veprojnë dhe forca shoviniste të errëta sikurse ato të kishës, që nën petkun e peshkopëve e despotve me temjan në dorë e me tymin helmues “vorio-epiriot”në katedralet e Athinës dhe kishat e tjera madje dhe në Shqipëri kanë propoganduar me të madhe “megalli idhenë” pa folur këtu, që disa prej tyre kanë qenë dhe ende janë agjentë të shërbimit sekret të Greqisë. Organizata të tilla famëkeqe si “MAV”, të cilat arritën dhe bënë maskër në postën tonë kufitare të Peshkëpisë, thirrjet e shfrenuara fyese e deningruese, madje dhe brenda territorit shqiptar nën hundën e autoriteteve tona, fjalimet e disa liderëve të tyre, ku “Jugun e Shqipërisë “ende e cilësojnë si tokë greke, trysninë e ushtruar për helenizimin e emrave të shqiptarve emigrantë, në disa raste sjelljet raciste e diskriminuese ndaj shqiptarëve me banim në Greqi janë tregues sintetikë, jo vetëm të pa kundërshtueshëm, por dhe domethënëse, se qeveritë e të gjitha kohërave në Greqi, ndaj çështjes shqiptare kanë mbajtur një qëndrim konstant reaksionar. Pse ju e quani qëndrim timin ekstremist, ku Qeveria greke ende nuk ju u njeh pronat shqiptarëve të Çamërisë? Nuk u mjaftoi barbarizma zerviste ndaj tyre ?! E shikon ti apo jo ?! Janë me mijëra shqiptarë nga Çamëria që u dogjën, u vranë, u therën, i ndoqën nga trojet e tyre dhe ende Qeveria greke nuk u ka kërkuar falje, madje as pronat nuk jua u njeh. Fundja përse Greqia e ashtuquajtur demokratike e mban ende në këmbë “ Ligjin e luftës me Shqipërinë”? Ju kujtohet rasti me gazetarin tonë të nderuar M.Mema që nuk donin ta lejonin të filmonte, madje e shpallën dhe person “non grata” në Greqi.

–  Ju jini kundër marrëveshjes me detin?

– Po, dhe në mënyrë absolute. Madje do t’ju përgjigjesha me një citim të Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes: Unë deklaroj solemnisht se: as Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mundin të marrin një pëllëmbë tokë të vendit tonë, grekët duhet të vënë në lëvizje të tjera mekanizma përveç votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij…” Rama,  duke qenë se është i “rilindjes” me frymën tij “ringjalli” Mit’hat Frashërin, por kurrë, nuk ka për ta vdekur Shqipërinë. Rama, nëse ka dëshirë, le të marrë një tezgë dhe të nxjerrë në pazar pikturat dhe ikonat e tij, që disa i ka vjedhur në galerinë e arteve (sipas akuzave që i janë bërë herë pas here nga shypi dhe individë që e njohin mirë), le të bëjë pazarllëqe dhe me Karlo Bolinon po deshi, le t’i falë piktura dhe Merkelit, por jo, me Shqipërinë të mos luaj!