Sefer Pasha: Përplasjet e Hysnit me Mehmetin dhe pse nuk e lejojë të kishte zyrë në Komitetin Qëndror. Çarja e Bllokut, 9 vrasjet në dy hektarë dhe si nisi gjuetia në radhët e Byrosë

1321
Sigal

Mehmet Shehu i vogël pasi pinte ujë te burimi lopa e tij, e trazonte burimin, që lopët e tjera të mos pinin ujë të pastër

– Lajmi i vetvvrasjes së Mehmet Shehut sikur ja zuri frymën, ky është fundi i ka thënë të birit, Gëzimit

-Për “humnerën” e mardhënieve midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut kishte vite, që dëgjonte mes kolegëve çudira.

-“Blloku u ça”- i kishte thënë miqësisht Llambi Peçini.

-“Hysni Kapua ka thënë që Mehmet Shehu të mos shkelë  në Komitetin Qëndror”, pasi këkron të ketë dy zyra

-“9 vrasje në dy hektarë” me emrat e Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Kadri Hazbiut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Mehmet Shehut, Koçi Xoxes, Llambi Ziçishtit….

Por nuk kanë munguar as çastet e bukura. Jaup Dabulla po bisedonte nën një bli me shoqëruesin kryesor të Enver Hoxhës, Axhem Abazin. Mehmet Shehu del befasisht nga shtëpia e Hysni Kapos me hap të shpejtë. Si Jaup Dabulla dhe Axhem Abazi morën qëndrimin “gatitu”. Mehmet Shehu, një metër ngjitur me dy oficerët, as nuk ua hodhi sytë. Që të dy i njihte mirë. Kur Mehmet Shehu u largua për nga vila e tij, Axhem Abazi, i tha Jaup Dabullës. “-Ti e di mirë që unë jam çorrushjot. Edhe sot e tregojnë në Çorrush se kur Mehmet Shehu ishte i vogël, e merrte lopën për dore dhe i jepte ujë tek Burimi i Shehut. Uji i burimit qe i kulluar. Pasi lopa e Shehut dëndej me ujë burimi, Mehmet Shehu, me shkopin, që kishte në dorë, e trazonte shumë herë ujin e burimit gjersa ai turbullohej si të qe moçal. Këtë e bënte, që në Burimin e Shehut, të mos pinin ujë lopët e tjera të çorrushjotëve”

   Thonë se edhe në situatat më të vështira, Jaup Dabulla, do të gjente shkëndija shprese.

Por lajmi i vrasjes së Mehmet Shehut sikur ia zuri frymën. “-Ky është fundi”- i ka thënë të birit, Gëzimit, atë mëngjes të zi, dhe e ka kyçuar gojën. Të pritej koka. Për “humnerën” e mardhënieve midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut kishte vite, që dëgjonte mes kolegëve çudira. “Blloku u ça” i kishte thënë miqësisht Llambi Peçini. “Hysni Kapua ka thënë që Mehmet Shehu të mos shkelë në Komitetin Qëndror”, se, ai, “Mehmet Shehu kërkonte të kishte një zyrë dhe në Komitetin Qëndror”. Edhe mes shoqëruesve ishin nxjerrë “koburet”.

Në mëngjes kur Kryeministri ishte i vrarë në dhomën e tij të gjumit, Jaup Dabulla,”disiplinoi” shërbimet rrotull vilës. Nuk ishte vetëm. Ai nuk tentoi të shkonte e ta shikonte Kryeministrin e vrarë. Ekspertët ishin miqtë e tij. Por Jaup Dabulla ishte në mjegull dhe si në një dramë përpara dhomës së gjumit të Mehmet Shehut të vrarë, ai, solli në mendje një ndodhi, të cilën ja kishte treguar miku i tij, shoqëruesi i Enver Hoxhës, Axhem Abazi. Axhemi e tregonte si punë përralle. Në vitet e luftës pati shkuar tek Mehmet Shehu në shtëpinë e tij në Çorrush, Enver Hoxha. Por babai i Mehmetit, Shehu nuk e kishte futur Enver Hoxhën sipër në odë. E la tek koçeku me misër dhe e pranoi pas lutjeve të Mehmetit se “e kishte shok për kokë”. Atë natë Shehu theri dhe shkoi në hell dhe një qingj. Kur Enver Hoxha ra gjumë në dhomën ngjitur me odën, Shehu, e thërret të birin, Mehmetin, aty ku hëngrën darkën me Enverin. Shehu mbante në dorë një shpatull të qingjit. Shikoje pllakën e shpatullës mërmërin Shehu. Kjo hija në mes të shpatullës, je ti Mehmet. Ky që të rri mbas ka një thikë në dorë. Njeriu me thikë në dorë është ai djali, që ne e pritëm dhe po fle në odë. Mbaje mend këtë që po ta thotë ati yt, Shehu. Do të vijë një ditë dhe thika e këtij djalit do ta presë kokën. Vështroje se sa bukur e tregon shpatulla e qingjit. Këtë ngjarje të treguar mote të shkuara nga Axhem Abazi, Jaup Dabulla, e pati quajtur lajthitje e siç thuhej rëndom aso kohe “propagandë armiqësore”. Atëherë Enveri dhe Mehmeti qenë më shumë se vëllezër. Tek dera e të vrarit Jaup Dabulla ndihej keq e më keq. E donte të vrarin, por më shumë të gjallin Enver Hoxhën, që mbërriti urgjent në zyrë i shoqëruar nga Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu.

            I vëllai, Fejzo Dabulla, i ka kërkuar Jaupit, që ai t’i shkruaj kujtimet.

Po kështu i kanë thënë dhe dy vëllezërit e tjerë, Arshiu dhe Aqifi. Thuhet nga të prasmit se Jaup Dabulla shkroi në një fletore disa rreshta nën titullin: – “9 vrasje në dy hektar”. Dhe ka rreshtuar emrat e Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Kadri Hazbiut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Mehmet Shehut, Koçi Xoxes, Llambi Ziçishtit….. Mirëpo lista i kishte dalë më e gjatë. Dhe Jaup Dabulla s’ka mundur të vazhdojë më tutje për t’i shkruar kujtimet. Ka shtuar vetëm një paragraf. Inxhinieri topograf, i cili e ka matur Bllokun e ka nxjer atë dy hektar.

  Ka pasur orë të errta në detyrat që mbulonte Jaup Dabulla në Drejtorinë e Dytë. 

Po litari ju qas në qafë  kur ai nuk e priste. Kundërzbulimi në Ministrinë e Brendshme informoi se një diplomat francez futej tek vila e “exhelit”. Flitej se francezi kishte tërhequr në rrjetin agjenturor të tij një nuse nga të Bllokut. Nëse kjo do të vërtetohej, varret do të hapeshin me thonj. Por pas hetimeve të imta u kthye mbrapsht ajo që qe përfolur. Francezi nuk qe futur dot në vilën e “exhelit”. Jaup Dabulla në krye të një ekipi për javë e muaj me rradhë kaloi në “sitë” në vilën e udhëheqësit dhe gjethet e pemëve. Jaup Dabulla pa vetëm se si përherë nuselalet dhe kunadhet, të cilat lëviznin pa lejë, që nga Blloku në lagjen “10 korriku”. Por gjatë atij përgjimi sfilitës u njoh me një mesele, të cilën e besoi kur e pa konkretisht. Nusja që përflitej se qe tërhequr në rrjetin agjenturor francez, ajo, “torturonte” një gardist në vendroje. Kur ajo delte natën në ballkon, nën dritën e neonit gjysëm lakuriq, gardisti në vendroje fërkohej pas pemës së ilqes, sa që të krijohej përshtypja, se po frynte stuhi e madhe. Dunavatasi, Jaup Dabulla, nuk të falte. Ai organizoi “kurthin” për një kohë të gjatë. Nusja e “francezit” ndjente kënaqësi kur delte në ballkon, dhe gardisti “histerik” “puthte” e shkulte pemën e ilqes. Ç’ishte kjo dashuri thoshte Jaup Dabulla? Megjithëse shumë vite më parë vajza e një ish- ministri u martua me një ushtar të Gardës. Mushka i do drutë shkurt tha Jaup Dabulla. Gardistin e “ilqes” ai e transferoi në Lozhan të Korçës, ku Garda kishte një objekt në ruajtje.

Enigma më e madhe e Jaup Dabullës është ajo që e tha gardisti nga Vlora, i cili qe me shërbim në shpinën e vilës së Mehmet Shehut. Gardisti i thotë komandantit të truprojes S. Derajt, se pas mesit të natës, ndërsa ishte nëpër gjumë, dhe era e përkundëte qeparisin e hollë si të qe fill thekrre,  ai, kishte parë Kadri Hazbiun të futej në vilën e Mehmet Shehut. Por gardisti nuk e kishte parë të delte. Ushtaraku i Gardës nuk e përcolli këtë informacion në Komandën e Batalionit, që merrej me sigurimin e rrethimit të jashtëm të vilës së Kryeministrit. Dhe më keq akoma, që gardisti i vendrojes 7 – të e përshpëriti këtë fakt në mbasditen e datës 18 dhjetor, pasi u mor vesh publikisht vrasja e Kryeministrit. Komandanti S. Deraj nuk kishte asgjë të shkruar në librin e shërbimit sipas rregullores. Dhe heshti. Nuk kishte asnjë provë. Por në bisedat e lira u mërmërit “broçkulla” e gardistit. Jaup Dabulla si gjithë të tjerët e mori vesh këtë mynxyrë. Specilistët u morën me thënien e gardistit. Jaup Dabulla ra në të thella. Kadri Hazbiu e vlerësonte atë si kudër të ndershëm. Ngjarjet u rrokullisën keq e më keq. Enver Hoxha kur i bëri analizën veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut  nuk i tha se, ai, Kadri Hazbiu  pas mbledhjes së Byrosë Politike, ishte futur tek dhoma, ku flinte Mehmet Shehu. Jaup Dabulla sa qe gjallë dyshoi në thënien e gardistit. Por bataloni i Gardës që siguronte vilën e Mehmet Shehut mbante krahun e shokut të tyre. Kadri Hazbiu u fut nga dera e pasme e vilës tek banesa e Kryeministrit. Nëse vjati tek Mehmet Sheu, Kadri Hazbiu çfarë i tha o zot i madh, thoshte me vete Jaup Dabulla. Vallë a e kishte shkruar letrën Mehmet Shehu para se t’ja fuste vetes? Ku e kishte pistoletën? Si i doli para syve Kadri Hazbiu, Mehmet Shehut, i cili në mbledhjen e Byrosë Politike e bëri leckë? “Jagoja” i dha urdhër që të vriste veten? Po nga cila derë doli Kadri Hazbiu? Shumë kokolepsej gjalmi i tragjedisë. Pra, Kadri Hazbiu, ishte “vrasësi”, paçka se këmbzën e shkrepjes nuk e hoqi ai. Këta na qenkeshin shokët për kokë. Unë nuk i sigurova gjithë jetën që ata të hanin njeri – tjetrin, dhe ata të bëheshin meze për krimbat, thoshte Jaup Dabulla i traumatizuar.

Djajtë e udhëheqësve i dinin vetëm shoqëruesit e tyre personalë. Po të sistemohen në libra ato që dina ata, stiva me shkarpa librash, do të arrinte majën e malit të Dajtit. Kjo ishte biseda më e preferuar e Jaup Dabullës. Një shoqe e Byrosë Politike u kthye rastësisht në vilën e Pogradecit. Por nuk e gjen aty oficerin e shërbimit. Ajo bën namin. Nuk kishte ku të urinonte. Komanda e Gardës me urdhër të ministrit, oficerin e pezullon nga detyra. “T’ëmën e s’ëmës”- kishte thënë aty për aty Jaup Dabulla i bezdisur. Po pse, u bë qameti, që personalitetja të shkonte e të urinonte në Hotel Turizmin e Pogradecit?”  Gjithsesi, dunavatasi ishte i vëmendshëm. Mërmëriste e kafshonte thonjtë nga inati sepse tha një kritikë, që mund t’i hante kokën.

Gjatë vizitës së Enver Hoxhës në Gjirokastër në vitin 1978, unë shërbeja në degën e brendshme. U mora me planet e masave, sigurimin e rrugëve, të vilës, strehimin e Gardës e të tjera. Enver Hoxhën nuk ma kapi syri. Në Gardë kisha qenë një metër afër tij. Në shërbimet e Drejtorisë së Dytë ishte dhe Jaup Dabulla, i cili i ka ritreguar mbresat e vizitës së Enver Hoxhës. Edhe pse i kam të fiksuara datën, orën, lëvizjet e takimet me popullin, shumë ndodhi janë kthyer në legjenda. Enver Hoxha kaloi në këmbë natën në Qafën e Pazarit, meqënëse kishte më pak kalimtarë. Ditën e asaj vizite të “dënuar” ishin pijanecët e qytetit me në krye Mellanin. Por kur kishte ndaluar Enver Hoxha në Qafën e Pazarit, pijaneci, Mellani, qe futur fshehtas në rostiçerinë në të djathtë të rrugës së kalasë. Oficerët e degës së brendshme thanë se kur Mellani i dehur e pa Enver Hoxhën nga dritarja e rostiçerisë e qëlloi xhamin me grusht, duke u gjakosur, dhe thirri: – “Rroftë komandanti botnor Enver Hoxha!”. Enver Hoxha ka kthyer kokën. Por Jaup Dabulla e ka mohuar ngjarjen me pijanecin. Për momentin e ndalimit të Enver Hoxhës në Qafën e Pazarit, Jaup Dabulla, ka shpjeguar se Sekretari i Parë i Partisë në Gjirokastër, Ali Manaj, i ka thënë Enver Hoxhës se paçka se janë dhënë porosi, që qyteti të jetë i qetë se pushon Enver Hoxha, në të gjitha lagjet e Gjirokastrës, bile dhe nëpër fshatra këndohet papushim. Ai i tha dhe disa vargje të kompozuara me motiv nga kënga, që u këndua nga Xhevat Avdalli, ku bëri iso vetë Enver Hoxha. Kënga e kompozuar për fëmijë niste me vargjet: – /Këndon qyteti/ /Këndon dhe fshati/ /Këndojmë dhe ne si xhaxhi Xhevati/.

Jaup Dabulla, si më jetëgjati  në sigurimin e udhëheqjes, jetoj dy kohë të çuditëshme. Qe një periudhë që e merje në lule të ballit po qe se nxirje sekrete nga shërbimet brenda Komitetit Qëndror, ku punonte Enver Hoxha. Në çdo derë kishte oficer të Drejtorisë së Dytë. Bëhej gjëma. Por erdhi si rrebesh dhe një kohë tjetër. Filluan të depërtojnë si nepërka lajmet që vinin nga jashtë Komitetit Qëndror. Mijëra thashetheme hynin si ciklon. Kapërcenin nga muret si të qenë nuselalet e kunadhet. Flitej hapur. Mehmet Shehu do t’i zërë vendin Enver Hoxhës. Flitej shqeto se mezi e pret vdekjen e tij. Enver Hoxha nuk takohej më me Mehmet Shehun. Qenë harruar kafet dhe drekat. Informacionet e zeza nuk e pyesnin as Haxhi Kroin. Enver Hoxhës i hodhën thonjtë në fyt këta “agjentë”. Kazani zjente dhe po derdhej. Nuk merrej vesh se kush e përhapte këtë tmerr. Oficerët rrokanisnin kokën derë më derë. Një ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kaloi në rrugën “Pashko Vasa” e veshur me të zeza Silva Turdiu. Jaup Dabulla, i cili mezi priste ditën, që të dilte në pension, i thotë një mikut të tij, po nga Gjirokastra, që shërbente prej vitesh në mjediset e brendshme të shtëpisë së re të Enver Hoxhës: – “E mjera vajzë! E mjera Silva! Më duket sikur është vajza ime. Silva Turdiu kujton se për dashurinë e saj me djalin e Kryeministrit u bë qameti. Jo, moj, jo! Fejesa qe sebepi. Enver Hoxha i ra lapsit. Në Malin e Gjerë flinte lepuri. Ku i prishej gjiza Enver Hoxhës për një fejesë të gabuar. Enver Hoxha dinte shumë e më shumë. Dhe ja ngriti “grackën” “debilit” Mehmet Shehu. Dhe “debili” bëri gjënë më të mençur në jetën e tij. Ja ktheu vetes.”

Shumë herë në jetën e tij Jaup Dabulla gjendej me vetulla të ngrysura. Një ankth i pambarimtë e ndiqte atë në çdo shërbim të Drejtorisë së Dytë. “Ilaçi” për ta qetësuar ishte i vëllai Fejzo Dabulla. Humori i Fejzos gurgullonte si përroi i Dunavatit, jo shumë larg nga mëhalla e Dabullajve, që gremiset midis Lazaratit dhe Dunavatit. Fajzua bënte shumë shaka me nënën, Zeqirenë. Ajo kishte shumë frikë nga bota e pabesë. Për të gjithë fëmijët ja bënte ubuu, këtu, e bubuu, atje. Kur Fejzua shërbente në Tropojë si ushtarak e merrte gjithnjë në telefon të ëmën, Zeqirenë dhe i thoshte ndodhi, që e mahnisinin nënën e përgjëruar. Fejzua një mbrëmje e merr në telefon nga Dragobia dhe i thotë: –  “Sot jam shumë i lodhur. Në faqen e malit të Shkëlzenit shkruam fjalën: – “Enver”. Gërmat ishin të gjata një kilometër. Fillojnë si në Dunavat dhe mbarojnë në Derviçan të Dropullit. Aman të keqen nëna e porosiste Zeqireja, Fejzon. Hapi mirë sytë se mos të zënë gërmat ndënë vete. Gjatë gjithë jetës çfarë nuk i kuturiste Zeqireja, Fejzos. Por, Fejzo sarahoshi, qe i papërballushëm. Kur Zeqireja ndihej ngushtë meqënëse i biri kishte një difekt fizik të lindur ajo i thoshte me shumë lezet: – “Fejzo! Ec mirë!”. Duhet një libër më vete për të përmbledhur humorin e florinjtë midis Fejzo Dabullës dhe nënës, Zeqiresë. Jaupi kur i dëgjonte shakatë pa fund të vëllait, Fejzos, me nënën e tyre  Zeqirenë, qeshte me lot. Dhe ndihej mirë. I iknin nga balli retë e zeza të ankthit. Vëllezërit dhe motrat Dabulla, nëse pas kaq motesh do të mbahen mend për mirë, është pikërisht ndjenja e dashurisë, që ata patën për atin e tyre, Tajarin, dhe nënën, Zeqirenë.

Tek postblloku i Drejtorisë së Dytë Jaup Dabullën e kërkonte një oficer nga Shijaku. Jaup Dabulla e priti. Çfarë i tha oficeri? Oficeri quhej Hysen dhe kishte qenë para dy vjetësh komandant i postës kufitare të Sopikut në Gjirokastër. Në kufi ai kishte kapur një diversant grek në shpatin e malit të Nemërçkës. Komandant Hyseni kur kishte kapur diversantin grek kishte qenë vetëm me guzhinierin. Komandanti e prangos grekun dhe e çon në zyrë. Efektivin e ngre në alarm. Në zyrë komandanti i gëzuar pinte raki me një kokë cjapi të egër të pjekur nga guzhinieri. Diversanti grek me duar të lidhura shikonte fotografinë e Enver Hoxhës të varur në mur. Komandant Hyseni e pyet diversantin se kush ishte ai në fotografi, që ai po e shikonte me aq vëmendje. Greku i thotë se ai ishte Enver Hoxha. Ai e çmonte Enver Hoxhën. E donin të gjithë grekërit. Femrat e bukura greke linin kokën për të. Komandant Hyseni që pinte raki habitet me ato që i tha diversanti grek. Në moment ja heq hekurat dhe e përcjell në vijën e kufirit afër së cilës ishte posta kufitare greke e Dërmadhës. Këtë ngjarje e dinte vetëm guzhinieri. Të gjithë kufitarët ishin në bllokim të kufirit. Por guzhineri që ishte “besnik” i komandantit qe në të njëjtën kohë dhe bashkëpunëtor i Kundrëzbulimit. Ai sipas pseudonimit që kishte e përcolli informacinin tek punëtori opertiv. E mer vesh Kadri Hazbiu dhe Enver Hoxha. Kadri Hazbiu po përgatiste arrestimin e komandant Hysenit. Një mbasdite Kadri Hazbiun e thërret Enver Hoxha dhe e porositë që të mos e arrestonte oficerin e Sopikut në Gjirokastër. Ta transferonin në thellësi të vendit. Dhe Kadri Hazbiu e transferon komandant Hysenin në Shijak. Kjo ishte ajo që i kishte ndodhur komandant Hysenit. Ai në takim i lutet Jaup Dabullës (vite më parë Jaup Dabulla kishte qenë Drejtor Kufiri), që ministri ta kthejë përsëri në kufi. Në Shijak nuk ndihej mirë. “Ik në Shijak” i thotë prerë Jaup Dabulla. Kthimi yt në kufi bëhet vetëm me urdhër të Enver Hoxhës. Po kush mund t’ja thotë këtë gjë Enver Hoxhës! Dhe komandant Hyseni nuk ja bën fjalën dysh Jaup Dabullën, të cilin e njihte që kur ai ishte shef i shërbimeve të kufirit.

Jaup Dabulla e thoshte shqeto. Jeta e udhëheqësve dhe e fëmijëve të tyre ishte një mynxyrë. Në çdo sekondë të jetës ishin në vrojtim e përgjim nga oficerët e gradistët e thjeshtë. Mes gardistëve kishte dhe plot maskarenj. Qimen e bënin tra. Trupa e shërbimit pikaste dashnorët e dashnoret të cilët afroheshin deri tek tytat e automatikëve, dhe që s’guxonin të bënin asnjë milimetër në brendësi të Bllokut. Udhëheqësve dhe familjarëve u mungonte liria. Vetëm prangat nuk kishin në duar. Në një nga vendrojet e rrethimit të parë një nga gardistët kishte parë në dritaren e dhomës së gjumit prej spostimit të perdes (dy gisht) veprime në shtrat të një ministri. Çau fjala nëpër automatikët si hunj gardhi. Jaup Dabullën e ngarkuan si më të moshuarin që ta bisedonte çështjen e puthitjes së perdes me të zonjën e vilës. Dhe Jaup Dabulla ashtu bëri. Ai e takoi bashkëshorten e ministrit dhe me shumë pedagogji Dunavati ja tha shqetësimin me shumë terezi. Perdja e dhomës së gjumit u puthit dhe e zonja e shtëpisë e ndërroi dhomën, ku flinte me bashkëshortin.

Kur Jaup Dabulla kthehej nga një dasëm në Dunavat ndalon në Ujin e Ftohtë të Tepelenës për të pirë kafe. Ishte me autobusin e linjës. Kurrë nuk udhëtoi me makinën e Drejtorisë së Dytë të cilën ja garantonte vendi i punës. Jaup Dabulla në kafenë e Ujit të Ftohtë takon Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tepelenës. Kryetari e fton dhe e pinë kafen bashkë. Meqënse ishin miq, Jaup Dabulla e pyet për Thoma Deljanën, i cili ishte internuar në fshatin Lopës. Ish ministri i Arsimit kishte banuar në Bllok. Qe shumë njerëzor dhe e respektonte Jaup Dabullën. Kryetari i Komitetit i përgjigjet pyetjes së mikut të tij Jaup Dabulla. “Thoma Deljana është katandisur për faqe të zezë”- i thotë kryetari. “-Punon si bujk me burrat dhe gratë e Lopësit. Tallen fshatarët me të varfërin. Në Lopës është një psikopat i dhunshëm. Thoma Deljana e ka shumë frikë. Burrat e brigadës e kishin porositur Thomain që të ruhej nga psikopati. Nëse e shikonte psikopatin në mes të brigadës, ai me vrap të futej në me të grave. Po të pa i çmenduri në mes të grave nuk të ngacmon. Ai ka frikë nga gratë. Dhe Thoma Deljana ashtu bënte. Me t’u shfaqur psikopati në brigadë, ai ja mbathte në mes të grave që shkonin vergje duhani. I gjithë Lopësi qeshte”. Jaup Dabulla nuk kishte folur. Si mundet të trajtohet kështu një ministër, i kishte thënë vetes i tronditur. Kafen e kishte lënë përgjysëm dhe qe qepur në autobusin e linjës Gjirokastër – Tiranë.

Përgatiti për botim Gazeta Telegraf

Nesër do lexoni

  • Si i bërtiti Enver Hoxha Minsitrit Nedin Hoxha: Jaup vëllai, sa u futa në zyrën e Enver Hoxhës u qorrova
  • Fyerja që ndjeu nga mburrja e oficërit që kishte marër pjesë në pushkatimin e Beqir Ballukut, Hita Çakos dhe Petrit Dumes
  • Enverit nuk i pëlqeu filmi “Ja vdekje, ja liri” sidomos e kishte zhgënjyer figura e Çerçiz Topullit
  • Dyshimet e Enverit dhe ndalimi i dramës “Njollat e Murrme” të Minush Jeros.