Sigal

Ëngjëll Musai 

Drejtori i gazetës “Telegraf”

Alfred Moisiu, ish-president i Shqipërisë, flet për gazetën “Telegraf” për 10 Korrikun, ditën e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke sjellë edhe mbresa nga kjo Luftë, jo vetëm si partizan, por edhe sepse babai i tij, major Spiro Mojsiu u zgjodh në 10 Korrik 1943 Komandant i Përgjithshëm i Shtabit Madhor të UNÇL shqiptare.

– I nderuar zoti President Moisiu, sot është 10 Korriku. Çfarë mbresa ju sjell juve?

– Ushtria jonë ka histori, aq sa ka histori edhe shteti shqiptar. Ushtria shqiptare u krijua në 4 Dhjetor 1912. Lufta e Parë Botërore e ndërpreu aktivitetin e shtetit tonë shqiptar, Shqipëria u bë shesh lufte. Gjatë kohës së mbretërisë së Zogut, ushtria shqiptare kishte atë rol që duhet të kishte një ushtri, që për fat të keq nuk qe në gjendje ta luajë. Në atë kohë, ushtrinë shqiptare e përgatisnin oficerët fashistë italianë dhe furnizimi luftarak vinte i tëri nga Italia. Kur erdhi 1939-ta, më kujtohet, sepse në atë kohë kam qenë rreth 10 vjeç, im atë ka qenë komandant i batalionit të kufirit në Shkodër. Një togë e këtij reparti me 30 ushtarë, luftoi në Shëngjin. Ajo togë vetëm me një mitraloz të rëndë, 3 herë i ka zmbrapsur italianët, që vinin me barka nga anijet e mëdha, duke i hedhur në det, por më pas iu mbaruan fishekët. Mitralozi kishte gjithsej 3.000 copë. Pas kësaj komandanti i togës i raporton komandantit të batalionit: “Zoti Komandant, nuk kemi më fishekë, çfarë të bëjmë”. Atëherë morën urdhrin, të tërhiqeshin, pasi nuk kishin me se të luftonin. Ndërsa bateria “Drini”, që asokohe mbështeste këto forca, nuk hodhi asnjë predhë, sepse instruktorët italianë u kishin hequr topave gjilpërat. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ushtria shqiptare, mori përmasa të mëdha dhe u ndesh me pushtuesit gjatë tre viteve, pavarësisht se sot fliten shumë gjëra keqdashëse, për të cilat unë nuk jam absolutisht dakord. Historia është histori dhe nuk mund të shkruhet e të shtrembërohet si e do njëri apo tjetri. Historia bazohet në dokumente dhe dokumentet historike janë dokumente që nuk lëvizin nga vendi. Për arsye të ndryshme shqiptarët, historikisht gjithmonë kanë luftuar, por në shumicën e rasteve për të tjerët. Ata kanë derdhur gjak për bizantin, për romakët, për turqit, për mbretin e Napolit, për Napolon Bonapartin e të tjerë, por vetëm tre herë kanë luftuar për vete, për Shqipërinë. Në kohën e Skënderbeut, në luftën Nacionalçlirimtare dhe në luftën e Kosovës.

– A ishte Lufta Nacionalçlirimtare luftë civile në Shqipëri?

– Jo ajo nuk ka qenë luftë civile, pavarësisht se ka pasur episode të kësaj natyre. Është e njohur që ka pasur rryma të ndryshme bashkëpunëtorësh, kuislingësh e tradhtarësh. Por është fakt që ky fenomen ka qenë në të gjitha vendet e Evropës së pushtuar asokohe. Megjithatë, duhet thënë se pa atë Luftë ne nuk do ta kishim këtë Shqipëri që kemi sot. Vendi ynë edhe ashtu u rrezikua të copëtohej nga fqinjët, duke na konsideruar si bashkëpunëtorë të boshtit nazi-fashist. Si pasojë e kësaj u krijua një traditë e Luftës çlirimtare, që solli si pasojë hap pas hapi krijimin dhe më pas zgjerimin e ushtrisë partizane. Për pasojë, ajo kërkonte një organizim dhe drejtim më të specializuar, kështu në 10 Korrik 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku komandant i tij u zgjodh major Spiro Moisiu dhe komisar Enver Hoxha. Dihet që luftën nga ana ushtarake e drejtuan ish-oficerët shqiptarë, me në krye Spiro Moisiun dhe komandantët e tjerë të brigadave sulmuese partizane shqiptare, të cilët gjithashtu kanë qenë ushtarakë shqiptarë të ushtrisë mbretërore. Kështu komandant i Brigadës së Parë ka qenë Mehmet Shehu, ushtarak, i së Dytës, Beqir Balluku, ushtarak, i Brigadës së Tretë, Bedri Spahiu ka qenë ushtarak, Brigada e Pestë ka qenë Shefqet Peçi ushtarak, Brigada e Gjashtë Tahir Kadareja, ushtarak, pra të gjitha Brigadat partizane kryesore që përbënin bazën e Ushtrisë sonë drejtoheshin nga ish-ushtarakë shqiptarë..

                                                        (Spiro Moisiu)

– A ishte Enver Hoxha udhëheqësi i Luftës Nacionalçlirimtare?

– Sigurisht, komisarët ishin drejtuesit e vijës politike të PKSH me në krye Enver Hoxhën, ata përballuan organizimin dhe drejtimin politik të luftës. Ky është fakt. Nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat me atë se çfarë ndodhi më pas. Duhet hequr dorë nga mllefet, gjërat duhen ndarë. Lufta dhe Paslufta. Lufta është për kohën, kur shqiptarët luftuan për lirinë e tyre kundër fashizmit e nazizmit. Rinia, që përbënte masën kryesore të partizanëve dhe të njësiteve guerile në qytete, ka luajtur një rol të madh. Edhe të rënët në Luftë në masën e 80% kanë qenë të rinjtë. Kjo duket qartë në varrezat e dëshmorëve. Unë kam qenë pjesëtar i asaj Lufte dhe bashkë me shumë të rinj kemi dhënë kontributin tonë. Asnjeri atëherë nuk mendonte se do bëheshim komandantë apo drejtues ministrish dhe drejtorish. Të gjithë kemi dhënë kontributin tonë në ilegalitet, ose partizan. Luftuan dhe mjaft nuk arritën ta shohin vendin të lirë, pasi ranë në betejat për liri. Lufta kishte një organizim të përsosur për kohën dhe kushtet. Edhe kur ishim në ilegalitet, çdo gjë ishte strikte, e fshehtë deri në kulm. Më kujtohet, unë atëherë kisha pseudonimin Tomor Kuka, i pajisur edhe me letër njoftimi të rreme, e cila përballoi shumë kontrolle pa u kuptuar se ishte e tillë. Pas Lufte, ushtria duhej të përgatitej ushtarakisht, për të qenë në gjendje të përballonte në rast nevoje luftën frontale, gjë që kërkonte kuadro të përgatitura për këtë qëllim. Kështu përgatitje ushtarake e oficerëve partizanë, me njohuritë e nevojshme të artit ushtarak, filloi që në tetor 1944-n, pasi u çlirua Berati, ku u ngrit shkolla e parë e përgatitjes ushtarake të kuadrove të ushtrisë. Komandanti i kësaj shkolle, u emërua nënkolonel Irfan Peshtani, gjithashtu një ish-oficer i ushtrisë mbretërore shqiptare. Duhet thënë se në Kongresin e Përmetit ndryshoi drejtimi i Ushtrisë, pasi Komandant u zgjodh Enver Hoxha, dhe Spiro Moisiu mbeti në detyrën e Shefit të Shtabit Madhor të Ushtrisë. Në lidhje me përgatitjen e mëtejshme të ushtrisë, në 1946 Spiro Moisiu ka pasur një debat me Enver Hoxhën për punën e këshilltarëve në Ushtri. Enveri i thotë Spiros, që t’i themi shokut Tito, të na dërgojë ca këshilltarë për ushtrinë tonë. Spirua, i thotë: “Shoku Enver oficerë të vjetër ata, oficerë të vjetër edhe ne, kaçakë ata, kaçakë edhe ne (dmth partizanë ata edhe ne), çfarë do na mësojnë ata neve?! Më mirë t’i kërkojmë këshilltarë Stalinit, sepse ata kanë ushtri të rregullt, kanë art ushtarak dhe përvojë të një lufte të rregullt pesë-vjeçare”- Dhe, që atëherë, Spiro Moisiu u etiketua si anti-jugosllav dhe mbas dy vitesh e nxorën në pension, pa mbushur as 48 vjeç. Më vonë Ushtria shqiptare eci, pasi krijoi kuadrot e reja të sajat që u stërvitën në shkollat ushtarake të BRSS. Kështu në Tiranë u organizua shkolla ushtarake me një cilësi shumë të mirë. Nga radhët e saj dolën mjaft oficerë të aftë e të përgatitur më së miri. Do t’ju sjell një shembull. Në 1995-n, kur unë isha zëvendësministër i Mbrojtjes për politikën e mbrojtjes, një ditë më merr në telefon ambasadori ynë në Malajzi dhe, më thotë:” Z. Alfred, kam një problem me ministrinë e Mbrojtjes këtu. (Asokohe kishim dërguar ca ushtarakë për kualifikim në shkollat ushtarake të Malajzisë). Ai më thotë se e kishin thirrur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i kishin thënë: “Pse na i keni sjellë këtu këta oficerë. Pedagogët tanë thonë se ata janë shumë të përgatitur, në disa raste edhe më të mirë se ata. Nuk kemi se çfarë t’u mësojmë, prandaj duhet t’i tërhiqni.” Dhe, kështu, ushtarakët tanë u kthyen. Domethënë, niveli ushtarak profesional i ushtarakëve tanë ishte shumë i lartë.

Zoti President Moisiu, komandanti i parë i Ushtrisë së rregullt Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, ishte babai juaj, Spiro Moisiu. Rastësisht ndodhi, që pikërisht ju, Moisi, ishit i pari personalitet që krijuat Shoqatën e madhe të NATO-s në Shqipëri?

– Shqipëria hyri në rrugën e ndryshimeve demokratike. Ne nga Traktati i Varshavës de fakto ishim shkëputur që në 1961-shin, ndërsa de jure nga 1968, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Pragën. Strategjia ushtarake e Shqipërisë në ato kohë, ishte që ushtria jonë të përballojë edhe sulmet e imperializmit amerikan, por edhe të revizionistëve sovjetikë, qoftë edhe së bashku ata dhe ne të dilnim fitimtarë. E megjithatë, lufta jonë kundër të gjithë armiqve ishte parashikuar me dy faza. Faza e parë, lufta frontale dhe faza e dytë, lufta partizane. Që këtu kuptohet, që ushtarakisht, ne do tërhiqeshim nga lufta frontale, sepse nuk do t’i përballonim dot armiqtë. U bë një fortifikim masiv në gjithë Shqipërinë, duke u nisur nga teoria që ne do t’i përballonim të gjitha sulmet frontalisht. Pas ardhjes së Demokracisë, Shqipëria duhej të aderohej në një aleancë të madhe ushtarake, sepse problemet në Rajonin tonë, edhe sot ende nuk kanë mbaruar. Më kujtohet, që në 1992-shin, unë isha ministër i Mbrojtjes, kam bërë një vizitë në Divizionin e Kukësit, sepse disa ditë përpara, Millosheviçi pati thënë, që unë Shqipërinë e marr me një skuadër gjuetarësh. Kjo, jo vetëm na shqetësoi, por na indinjoi dhe andej nga radio Kukësi, bëra një deklaratë publike. Në rast se dikush do të vijë me gjuetarë të marrë Shqipërinë, le ta provojë, nëse ia mban. Dhe duket se përgjigja ishte e duhura në të vetmen gjuhë që ai dinte.

NATO është një aleancë tepër e fuqishme, politiko-ushtarake, sepse deri atëherë në botë kanë qenë vetëm aleanca ushtarake. Por në fakt asnjë aleancë ushtarake nuk i ka rezistuar kohës. Unë me disa ushtarakë, në vitin 1994 krijuam Shoqatën dhe, duhet thënë, se me shumë vështirësi na njohën dhe na pranuan. Vetëm në mesin e vitit 1995 ATA (shoqata e përbashkët ku bëjnë pjesë të gjitha shoqatat evropiane), na pranoi në gjirin e saj. Në atë kohë, ne punuam fuqishëm, pasi NATO në Shqipëri, sipas propagandës së Monizmit, njihej si gogol, dhe na duhej t’u shpjegonim njerëzve në Shqipëri se çfarë është NATO-ja dhe pse ne duhet të bëhemi anëtarë të NATO-s. Por, na duhej të bindnim edhe njerëzit jashtë, sepse na thoshin: Çfarë jeni ju, që doni të hyni në NATO? Pra, duhet të bindnim të gjithë, pse Shqipëria duhet të hyjë në NATO. Bëmë një sondazh asokohe dhe pati një rezultat shumë interesant. 98 % e njerëzve donin të hynin në NATO. Ky rezultat na erdhi papritur, si neve, ashtu edhe njerëzve jashtë. Dëshiroj të them diçka që është tepër serioze. Duke gjykuar ngjarjet nga mllefet personale ne rrezikohemi të mbetemi pa histori. Dhe një komb pa histori mund të shkojë drejt hiçit. rrezikohemi të asgjësohemi, të humbasim. Sigurisht nuk ishte e drejtë që 10 Korriku të festohej si dita e Ushtrisë, pasi, në fakt, sipas dekretit të qeverisë së parë shqiptare ushtria është krijuar në 4 Dhjetor 1912, por ama 10 Korriku është dita e organizimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL. Pra, është një eveniment i rëndësishëm historik ushtarak. Tani kemi ardhur në të kundërtën. Festojmë 4 Dhjetorin, por harrojmë 10 Korrikun e 1943-it. Kjo nuk është e drejtë. Historia është histori.

– Zoti President, ju përmendët deklaratën e Milosheviçit në 1992, që Shqipërinë e merr me një skuadër gjuetarësh. Po sot, edhe pse jemi në NATO, ushtria jonë nuk ka një tank, një aeroplan luftarak, a nuk duhet të jemi më të vëmendshëm për një ushtri të rregullt?

– Kur isha President i Shqipërisë, kam bërë debate me të gjithë ata që ishin ministra të Mbrojtjes, por edhe më vonë, sepse gjithnjë u thosha, që pavarësisht se jemi anëtarë të NATO-s, ne na duhet të mendojmë në radhë të parë vetë të mos kapemi në befasi dhe të jemi në gjendje t’i përgjigjemi çdo rasti të rrezikimit të kufijve. NATO ka detyrime ushtarake ndaj nesh, por ato duan kohën e vet të zbatohen. Ne duhet ta kemi ushtrinë, ushtri. Ne kishin një ushtri shumë të madhe, atë nuk mund ta mbanim, por në 1997-n, ne kaluam në ushtri zero. Ne kemi pasur 1.200 tanke dhe tani, nuk e di, a kemi ndonjë për muze. Kjo që bëmë ne ishte terapi e “shokut” për ushtrinë. Është shumë e gabuar për mendimin tim. Ne kështu vepruam edhe me industrinë, duke rrafshuar çdo gjë dhe tani na duhet të importojmë edhe gozhdët. Ne, shqiptarët, jemi një çikë ekstremistë, rrëmbehemi, nuk thellohemi, ne kemi drejtues që na thonë: Të bëhet kështu si dua unë,!- dhe ne të tjerët rrimë e bindemi. Duhet më shumë konsultim, më shumë mendim, në mënyrë të veçantë me specialistët, me njerëzit që i njohin problemet. Pra, siç thotë populli: “Mat 7 herë, e pre një herë”. Ne bëjmë të kundërtën: Matim 1 herë, e presim 7 herë. Sigurisht tani po punohet për të ndërtuar një ushtri të kohës mbështetur nga NATO dhe aleatët tanë kryesorë, veçanërisht SHBA dhe në këtë drejtim ka arritje.

Zoti President, Shqipëria ende nuk ka një muze as për Nënë Terezën. Ju si e shpjegoni, që vetë ne, shqiptarët kemi një indicie, që heronjtë tanë, personalitetet tona historike dhe kombëtare, heronjtë e Luftërave tona kombëtare, ata që shkruan Historinë e Shqipërisë, i përflasim i përdhosim, i nënvlerësojmë, i shajmë? Mos ka ndonjë prapavijë të qëllimshme denigrimi ndaj tyre?

– Edhe unë kam menduar, që këtu vërtet, diçka duhet të ketë, pasi kemi një tendencë shumë të gabuar, një tendencë, që heronjtë tanë, personalitetet tona, t’i ulim dhe t’i zerojmë dhe në vend të tyre, ose ta lëmë vendin bosh, ose vëmë ndonjë tjetër, që nuk i ka aspak vlerat e të mëparshmit. Kjo është vrasëse, sepse duke lënë një popull pa emra, pa histori, është shumë lehtë ta asgjësosh. Unë mund të sjell, një thënie të Balzakut: “Kush humbet respektin për të parët e tij, ndihmon në shkatërrime atdheut të vet”. Në këtë pikë, fatkeqësisht, kemi rënë dhe kemi rënë prej kohësh, nuk është se kemi rënë tani. Unë mendoj që edhe Akademia e Shkencave duhet të bëjë punën e saj. Nuk them që nuk ka bërë asgjë, por nuk ka bërë atë që duhet të bëjë. Po jap edhe një shembull. Në 1993-shin ishim në Lugano të Zvicrës, ku do të organizohej një simpozium ndërkombëtar për Aleksandër Moisiun. Në një takim me kryepeshkopin e qytetit, ai më tha: “Unë tani marr vesh që Nënë Tereza është shqiptare. Që Aleksandër Moisiu ka qenë shqiptar. Çfarë bëni ju? Këta personalitete kanë dhënë kontribut botëror, por ju nuk punoni të njihen si shqiptarë“. Ne ende nuk kemi një muze për Aleksandër Moisiun. Kam krijuar fondacionin Moisiu, pikërisht për të ngritur një muze në Kavajë, ku kanë rrënjët Moisitë, por deri nuk kam gjetur mbështetje, as kur isha President i Shqipërisë, dhe as tani. Kryeministri Rama u duk fillimisht entuziast, por më vonë edhe ai nuk bëri asgjë.

– Këshilla juaj për shqiptarët, për drejtësinë, për popullin për situatën që jemi tani, si njeri që i keni kaluar të gjitha rendet shoqërore, problemet, jeni një personalitet i Elitës historike të Shqipërisë, ishit Presidenti i Shqipërisë, i keni përjetuar të gjitha proceset e evolucionit të brendshëm të shoqërisë sonë?

– Marrja me politikë për mua, është sakrificë. Është njësoj, sikur shkon në luftë. Unë kështu e kuptova, momentin kur më zgjodhën President. Nuk mendova për gjëra të tjera. Mendova sesi t’i shërbej vendit tim më mirë dhe më shumë. Këtë detyrë i vura vetes time. Nuk shkova për mandat të dytë, sepse për fat të keq, e kuptova që asnjëra palë (politike) nuk dëshironte që të vazhdoja edhe një mandat.

– Shumë Faleminderit!