/Gazeta TELEGRAF
Sot kritikat e evidentuara nga DASH i drejtohen direkt institucioneve të qeverisë shqiptare, e cila gjatë këtyre tetë viteve, ka pasur një përkeqësim të të gjithë treguesve të shtetit ligjor dhe demokracisë
Shpallja “Non Grata” e Berishës nga DASH është kryetema në Shqipëri, një vendim që ka tronditur politikën shqiptare. Gazeta “Telegraf” intervistoi Dr. Agim Nesho, ish- ambasador në SHBA, një njohës shumë i mirë i politikës amerikane. Diplomati Nesho, duke iu referuar vendimit të DASH, thotë se mungesa e ekuilibrave tregon se diplomacia amerikane duhet të fokusohet më tepër në promovimin e demokracisë, sesa të luajë me individë të veçantë. Dr. Nesho, pohon se kritikat e DASH, drejtohen institucioneve të qeverisë shqiptare, të cilat në 8 vitet e fundit kanë një përkeqësim të të gjithë treguesve ligjorë dhe demokracisë. Dr. Nesho, thotë se, nëse ka një rast të hapur korrupsioni shtetëror, është masakra elektorale e 25 prillit, që deformoi vullnetin popullor dhe pohon se, zoti Berisha është një lider historik shqiptar. Një akt i drejtpërdrejtë ndaj tij, mund të sjellë polarizim të opinionit publik dhe akti të ketë pasojën e një boomerang-u.
Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :
–Zoti Nesho, nëse lexojmë Raportin e DASH 2020 për Shqipërinë, theksohet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha institucionet e qeverisë dhe problem mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë. Kujt në Shqipëri i drejtohet kjo kritikë e DASH për korrupsion?
-Diplomacia Amerikane është shumë institucionale dhe vlerëson ecurinë e çdo shteti në bazë të standardeve të njëjta të vendosura dhe të respektuara prej tyre. Ka një diferencë midis politikës së ditës që ka prirje të ruajë stabilitetin dhe marrëdhëniet institucionale me shtetin dhe vlerësimin e një vendi të caktuar në bazë të kritereve kryesore dhe vlerave të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor. Në qoftë së diplomacia e ditës influencohet nga shumë faktorë dhe tenton ndaj një ekuilibri të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, përcaktimet e Departamentit të Shtetit influencojnë në përcaktimin e politikës së shtetit Amerikan ndaj vendit, në një perspektivë të largët. Sot kritikat e evidentuara nga Departamenti i Shtetit i drejtohen direkt institucioneve të qeverisë shqiptare, e cila gjatë këtyre tetë viteve ka pasur një përkeqësim të të gjithë treguesve të shtetit ligjor dhe demokracisë.
“Në qoftë se ka një rast të hapur korrupsioni shtetëror është masakra elektorale që solli deformim të rezultatit të zgjedhjeve dhe deformim të vullnetit popullor”
“Për t’i shërbyer rivendosjes së demokracisë në Shqipëri duhet që shembujt të jenë nga situata aktuale për të rikthyer shpresën dhe besimin tek opinioni publik që, korrupsioni dhe klientelizmi goditet dhe gjërat mund të korrigjohen”
– Kur vetë DASH në raportin e 2020 për Shqipërinë ngre shqetësim mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, së pari, për kë zyrtarë të pandëshkuar bën fjalë ky raport i DASH? Kush fajësohet që nuk ndëshkohen zyrtarët e korruptuar? Kush e pengon drejtësinë shqiptare të ndëshkojë zyrtarët e korruptuar?
-Raportet e Departamentit të Shtetit flasin gjithmonë për korrupsionin aktual dhe tani për korrupsionin galopant të qeverisë së zotit Rama. Ka aq shumë raste të korrupsionit, shpërdorim të fondeve publike, të bashkëpunimit të krimit me politikën dhe deri tani nuk kemi pasur raste të dënimeve dhe distancimit të politikës nga rastet konkrete. Për më tepër kjo qeveri nuk ka shprehur vullnetin e saj politik për të luftuar korrupsionin dhe as krimin elektoral të evidentuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Mungesa e vullnetit politik rrjedh si pasojë e mendësisë që ka ‘Rilindja’ që pushteti është gjithçka dhe mbajtja e tij justifikohet me çdo mjet. Fatkeqësisht kjo mendësi ka sjellë si pasojë kapjen e shtetit, akumulimin e pushtetit në një dorë, dhe shkarjen e Shqipërisë nga një demokraci liberale drejt një shteti jo liberal, autoritarist. Çështja kryesore për Shqipërinë sot është rivendosja e demokracisë funksionale dhe kthimi i balancave të nevojshme të shtetit ligjor. Raportet e Departamentit të Shtetit shërbejnë për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe është ky i fundit që është garant për ruajtjen e raporteve të funksionimit të demokracisë në vend. Demokracinë duhet ta mbrojmë vetë ne, se kjo është kontrata jonë sociale që kemi bërë me pushtetin në Shqipëri. Nuk duhet të presim që protektorët e Shqipërisë të na mësojnë së çfarë duhet të bëjmë.
“Demokracinë duhet ta mbrojmë vetë ne, se kjo është kontrata jonë sociale që kemi bërë me pushtetin në Shqipëri. Nuk duhet të presim që protektorët e Shqipërisë të na mësojnë së çfarë duhet të bëjmë”
“Raportet e Departamentit të Shtetit, flasin gjithmonë për korrupsionin aktual dhe tani për korrupsionin galopant të qeverisë së zotit Rama”
– Që të ketë besueshmëri, paanshmëri dhe t’i shërbejë demokracisë në Shqipëri, a duhet që DASH të shpallë NON GRATA pikërisht, zyrtarët shqiptarë të korruptuar, por jo të ndëshkuar? Ka kuptim, që DASH godet ish- zyrtarët dhe jo zyrtarët?
– Pyetja juaj është shumë e drejtë dhe ka të bëjë me besueshmërinë e institucioneve të shtetit Amerikan. Ajo që është pozitive në qëndrimet e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë është në radhë të parë kthimi i vëmendjes së SHBA-së ndaj rajonit dhe vendit tonë. Së dyti, kemi zbatimin e Doktrinës Biden që mbështetet në rivendosjen e demokracisë dhe rikthimin e rendit liberal botëror për të mundësuar përballjen ideologjike midis dy sistemeve, atij demokratik me atë autokratik. Për t’i shërbyer rivendosjes së demokracisë në Shqipëri, duhet që shembujt të jenë nga situata aktuale për të rikthyer shpresën dhe besimin tek opinioni publik, që korrupsioni dhe klientelizmi goditet dhe gjërat mund të korrigjohen. Është e rëndësishme që me raste konkrete të tregohet që politika e mosndëshkueshmërisë do të marrë fund në Shqipëri. Duke filluar me raste të vjetra, me figura që tani janë jashtë skenës aktive të politikës shqiptare, diplomacia Amerikane gabon ‘shënjestrën’ dhe për më tepër interpretohet si nevojë për të plotësuar politikën e ditës, dhe presion ndaj opozitës për të legjitimuar zgjedhjet. Në qoftë se ka një rast të hapur korrupsioni shtetëror është masakra elektorale që solli deformim të rezultatit të zgjedhjeve dhe deformim të vullnetit popullor. Kjo është luftë e opozitës shqiptare dhe jo e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Zoti Berisha është një lider historik shqiptar dhe është i aftë vetë t’i përballojë akuzat. Një akt i drejtpërdrejtë ndaj tij mund të sjellë polarizim të opinionit publik dhe akti të ketë pasojën e një boomerang-u”
“Mungesa e ekuilibrave tregon se diplomacia amerikane duhet të fokusohet më tepër në promovimin e demokracisë, se sa të luajë me individë të veçantë”
– Derisa në 8 vitet e opozitës, ndaj ish- kryeministrit Berisha nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj tij për korrupsion në Shqipëri, a mundet të jetë i besueshëm vendimi i DASH, derisa as nga drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë të publikuar?
– Veprimi i Departamentit të Shtetit është pozitiv në parim, për shumë shtete të botës, për individë të korruptuar dhe problematikë për proceset e demokracisë dhe shtetit ligjor. Kur këto veprime kryhen ndaj figurave të njohura publike kërkohet të ketë transparencë të plotë të fakteve dhe të ketë veprim të balancuar, duke respektuar parimet dhe jo individët. Zoti Berisha nuk është njohur si lider i korruptuar, por si lider që në karrierën e tij politike ka mbajtur qëndrime të forta politike që kanë shkaktuar tension dhe polarizim në vend. Ai nuk mund të jetë simboli i korrupsionit shqiptar, kur opinioni publik shqiptar nuk e percepton si të tillë, sidomos kur atë mund ta krahasosh me zotin Rama dhe të tjerë në politikën shqiptare. Transparenca ndaj fakteve që kanë influencuar në vendimmarrje do të sjellë dhe arsyen e marrjes së këtij vendimi dhe cilat kanë qenë influencat e jashtme që kanë influencuar në shtyrjen për marrjen e këtij vendimi.
– Sipas jush, cili është mesazhi politik që përcjell në Shqipëri vendimi i DASH ndaj Berishës?
– Pavarësisht individit, zotit Berisha, që është bazë e këtij akti nga Departamenti i Shtetit, mesazhi amerikan është një mesazh i drejtpërdrejtë për popullin shqiptar që, çdo rast korruptiv do të ndëshkohet, në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Kjo është një këmbanë alarmi për këdo që shkel ligjin dhe shpërdoron besimin e popullit. Kjo është një këmbanë alarmi për regjimin e zotit Rama, që sot është kthyer në një nga regjimet më të korruptuara të historisë së Shqipërisë. Është e rëndësishme të evidentohet, që zoti Berisha është një lider historik shqiptar dhe është i aftë vetë t’i përballojë akuzat, por legasia e tij shkon përtej veprimtarisë së familjes së tij. Ai mbetet një lider me përkrahje popullore dhe besim në të. Një akt i drejtpërdrejtë ndaj tij, mund të sjellë polarizim të opinionit publik dhe akti të ketë pasojën e një boomerang-u. Mungesa e ekuilibrave tregon se, diplomacia amerikane duhet të fokusohet më tepër në promovimin e demokracisë, se sa të luajë me individë të veçantë. Kjo do të bëjë të mundur realizimin sa më shpejt të doktrinës Biden, një nevojë e domosdoshme për demokracinë në botë.
– Faleminderit!
























