Prof. Kastriot Islami/ Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, Shqipëria: Histori dështimi

466
Intervistë për TELEGRAF me Prof.Dr.  Kastriot Islami
Sigal

Rama, me masat drastike të pashembullta për vendet demokratike europiane, jo vetëm dështoi në menaxhimin e krizës sanitare, por edhe e ka zhytur vendin në një krizë ekonomike nga më të rëndat në Europë, duke dhunuar si në asnjë vend tjetër edhe të drejtat themelore të njeriut. Nga këto të dhëna rezulton se Shqipëria është në vendin e fundit dhe ndoshta më e rrezikuara gjatë kthimit në normalitet, mes të gjithë vendeve të rajonit, me vlerën më të lartë të R-efektive.

 Intervistoi Ëngjëll Musai 

Pandemia e COVID-19 në Shqipëri u trajtua në një mënyrë jo profesionale,  ndryshe nga bota e qytetëruar dhe vendet e tjera me pak traditë demokratike. Që në fillim u krijua ideja se kjo situatë do përdoret nga kryeministri Rama si një mundësi  për t’u thënë shqiptarëve që ju jeni në rrezik absolut për jetën, por mos u shqetësoni, se shpëtimtari juaj, do të jem Unë! Dhe kjo u duk  në daljet nga mëngjesi në darkë  të Kryeministrit, në të gjitha mediet vizive dhe online, aq sa qytetarët rrezik më të madh nuk po konsideronin  Covid-19, por vetë Ramën. Ilariteti arriti kulmin, kur Rama fliste herë si “babai” i  shqiptarëve, herë si  mjek, herë si ekspert i sëmundjeve infektive, herë si “bashkëpuntor i vjetër shkencor”,  duke mos u lënë radhë edhe ekipit nepotik dhe farefisnor të të ashtëquajturit “Komitet Anti-COVIDA”.  Vendi u ndodh para një të papriture të madhe, pasi spitalet kishin vetëm 19 respiratorë  në shkallë  Republike, mungesa të dorezave, maskave, solucioneve të dezifektimit dhe gjithçka që kishte të bënte me përballimin e pandemisë. Aq të paorganizuar ishin strukturat shtetërore, sa detyruan mbylljen e të gjitha shërbimeve  të specializuara në spitalet e kryeqytetit, stomatologji, poliklinika, shërbime pediatrike etj. Vetë kryeministri, dilte nga sarajet  e Surrelit dhe  urdhëronte arrestime,  gjoba dhe sekuestrime, kush nxirrte këmbën nga dera e shtëpisë, ndërkohë që la hapur dhe pa  masa mbrojtëse qindra mijëra punonjës të fasonëve,  duke e kthyer në qendër bazë për përhapjen e virusit. Tenderat skandalozë, babëzia me çmimet,  mospagesa e qytetarëve, të punësuarve dhe kompesimit të bizneseve është një tjetër krim,  që besoj se do të zgjedhet  me vendimet gjyqësore që qytetarët do të bëjnë  me  hapjen e dyerve të organeve  të drejtësisë. Kjo situatë vazhdoi  me urdhëra  nga  Surreli  dhe jo nga zyrat e Kryeministrisë, ku çfarë thuhej në darkë, anullohej  pa gdhirë mirë mëngjesi dhe facebook-u i kryeministrit  zëvendësoi  Fletoren Zyrtare.  Retorika tragjike për vendin dhe  komike për qytetarët, u përhap në rrjetet sociale, pikërisht  me papërgjegjshmërinë e “gjithëologut” që s’u linte hapësirë  televizive ekspertëve të vërtetë. Një herë nxirrte burrat,  pastaj gratë,  një herë pleqtë dhe  një here  fëmijët, njëherë i nxirrte pa zbardhur nata, dhe ditën tjetër në drekë. Restorantet thoshte “gjithologu” nuk lejohet të kenë njerëz brenda, pastaj urdhëronte besimtarët të mos faleshin jashtë ambienteve. Në lidhje me menaxhimin e situatës së  COVID-19,  gazeta “Telegraf” ju drejtua  për një intervistë  Prof.Dr.Kastriot Islamit:

 Zoti Islami, sa të sakta kanë qenë statistikat e publikuara nga qeveria për pandeminë? 

Menaxhimi i pandemisë së COVID-19 nga “kompetenti Rama” ka qënë diletant, pa strategji, pa program dhe pa profesionalizëm. Në mungesë të plotë transparence, në dhunim të rregullave minimale të një shteti ligjor dhe me një subjektivizëm e arrogancë ekstreme, duke shkelur rëndë të drejtat themelore të qytetarëve. Gjithçka e bazuar në mashtrime e gënjeshtra, në formë e shfaqjeve teatrale nga facebuk-u i Surrelit,  po ashtu si edhe qeverisja e tij 7-vjeçare… Më vjen keq të deklaroj një gjë të tillë kur formalisht për menaxhimin e saj kanë qenë të angazhuar për trajtimin e të sëmurëve edhe shumë mjekë e infiermierë të talentuar që duhen përgëzuar për rolin, angazhimin dhe kontributin e tyre njerëzor e profesional dhe që nuk janë shpërblyer aspak nga qeveria. Shifrat statistikore dhe gjithçka i është bërë me dije publikut është bërë nga bunkeri i “kompetentit” të Surrelit.  Në realitet, Rama e ka manipuluar gjatë të gjithë kohës kurbën e të infektuarëve nga koronavirusi që nga dita e parë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite… Ka pasur dhe ka vetëm një qëllim manjakal, të mburret se ëshë  “kompetenti më i mirë në botë për menaxhimin e pandemisë”, prandaj Shqipëria është një “histori suksesi” nga menaxhimi i tij. Por në realitet edhe përsa i përket menaxhimit të krizës sanitare ashtu edhe të krizës ekonomike e sociale Shqipëria është një “histori dështimi”. Madje Rama, me masat drastike të pashëmbullta për vëndet demokratike europiane, jo vetëm dështoi në menaxhimin e krizës sanitare por edhe e ka zhytur vëndin në një krizë ekonomike nga më të rëndat në Europë, duke dhunuar si në asnjë vënd tjetër edhe të drejtat themelore të njeriut.

 Ku e bazoni ju përfundimin se Rama i ka manipuluar statistikat për COVID-19?

Ndërkohë që e gjithë bota, e veçanërisht vendet europiane, rritën numrin e testeve për të marrë një informacion më të madh mbi përhapjen e virusit me synim menaxhimin e suksesshëm të pandemisë, Rama me kokëfortësi e arrogancë e mbajti shumë të ulët numrin e testeve për 1 milionë banorë, madje më të ultin nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Rama kishte vetëm një qëllim që Shqipëria për “meritë të tij” të rezultonte me numër të ulët të të infektuarëve. Pra, në fillim Rama me marifete deklaroi numër të ulët të të infektuarëve, por dhe të vdekjeve nga COVID-19. Këtë gjë e arriti duke bërë pak teste dhe kapur si “pozitivë” vetëm ata që shtroheshin në spital dhe duke mos evidentuar asnjë asimptomatik. Por duke mos shënuar si vdekje nga COVID ato raste që për shkak të COVID kishin vdekur nga komplikime të tjera. Bazuar në këtë skemë manipulimesh e marifetesh filloi të mburrej se në sajë të aftësive të tij, Shqipëria kishte numër të ulët infeksionesh dhe numrin më të ulët të vdekjeve në Europë. Dhe sa herë që në shtyp jepeshin argumente për manipulimet e tij, ai dilte nga bunkeri i Surrelit dhe deklaronte se për meritë të tij Shqipëria është një histori suksesi  -një turp i ngjashëm me “ceritifikatën e vendit më të mirëqushqyer në botë” të fituar në vitet ’80 kur shqiptarët ushqeheshin me tollona!!!

Po gjatë këtyre ditëve çfarë po ndodh? Si shpjegohet rritja e numrit të të infektuarëve ndërkohë që numri i vdekjeve fatmirësisht mbetet i ulët?

Rama vazhdon të manipulojë shifrat dhe të mashtrojë publikun. Prej 3-4 javësh, kur fuqia e virusit ka rënë, ndryshe nga më parë, Rama po tenton të rrisë numrin e të infektuarëve duke kapur përmes rritjes së testeve vetëm të sëmurët  asimptomatikë, por duke mbajtur të pandryshuar numrin e vdekjeve. Konkretisht, që nga fundi i prillit deri më sot, pra për më shumë se një muaj, Rama ka rritur numrin e të infektuarëve asimptomatikë me rreth 400 vetë, pra me më shumë se 1/3 apo me 33 % të numrit total të të infektuarëve, kurse numri i vdekjeve është rritur nga 31 në 33 pra me vetëm 6,5 %.  Kjo bëhet prej tij që të mburret duke treguar se është ulur përqindja e vdekjeve, (numri i vdekjeve për 100 të infektuar),  por edhe shërimet bëhen më shpejt, sepse në realitet asnjë nuk shtrohet në spital meqë pothuajse të gjithë janë asimptomatikë, duke mos pasur nevojë të  kërkojnë për shërbim shëndetsor të specializuar. Ky është turpi i rradhës që forcon bindjen se Shqipëria është veçse një histori dështimi për shkak të hileve, marifeteve dhe manipulimit të shifrave nga “kompetenti i Surrelit”. Kjo i shërbeu Ramës edhe për t’i mbajtur nën kontroll qytetarët e Tiranës, Durrësit e Fierit dhe 2-3 javë më shumë se të tjerët, edhe nga frika e reagimit të tyre, apo  shpërthimit të revoltave.

A i besojnë shqiptarët këto që ju thotë Rama, apo ndër të tjera, ata e kuptojnë se kjo është një lojë e Ramës për të forcuar pushtetin e tij personal?

Marifetet e Ramës me shifrat statistikore të pandemisë janë shumë të “trasha”, për të mos thënë tipike të një mediokri. Asgjë nuk besohet më nga ato që thotë Rama, por qytetarët janë treguar të kujdesshëm  duke qëndruar të heshtur në shtëpitë e tyre, për të mos u përballur me policinë në këto kohë të vështira dhe me shumë të panjohura. Të gjithë e kanë të qartë se Rama duke mbajtur fillimisht nën kontroll shifrën e ulët të testimeve, ndryshe nga rekomandimet apo eksperienca e vendeve të tjera, nuk ka evidentuar rastet “pozitive” asimptomatike, duke publikuar në këtë mënyrë, një shifër të ulët të numrit total të të infektuarëve. Kurse gjatë këtyre ditëve të fundit të majit, kur fuqia e virusit ka rënë, qytetarët e kanë kuptuar se Rama ka rritur numrin e testeve me synim rritjen e numrit të rasteve asimptomatike, duke krijuar perceptimin se është rritur edhe numri total i të infektuarëve. Ndërkohë që Rama, shifrën e vdekjeve, e ka mbajtur të ulët -në vlerat 31-33. Qytetarët deklarojnë nëpër tavolina e kafene, se i gjithë ky manipulim është bërë për të nxjerrë Ramën, një “kompetent të pandemisë” dhe për t’i dhënë mundësi liderit global, të mburret duke deklaruar se “Shqipëria është një Histori Suksesi”. Ndërkohë që menaxhimi i kësaj epidemie, po ashtu si edhe drejtimi i qeverisjes së vendit në 7 vitet e fundit, është një katastrofë e vërtetë dhe pa asnjë hezitim, mund të konsiderohet veçse një HISTORI DËSHTIMI.

Ju përsërisni se Shqipëria është një histori dështimi, ku e bazoni ju këtë përfundim, sepse Rama deklaron që Shqipëria është një histori suksesi, përsa i përket menaxhimit të pandemisë?

Le të mos marrim në konsideratë arsyetimin tim që Rama mund ta cilësojë subjektiv, por le të shqyrtojmë vetëm të dhënat statistikore ndërkombëtare të publikuara në portale të ndryshme. Për të qenë më konkretë, le t’i referohemi të dhënave të portalit https://ëëë.ëorldometers.info/coronavirus. Nga këto të dhëna për 215 shtete të botës, Shqipëria në datën 31 maj 2020 renditet:

  • Në vendin e 93-të, përsa i përket numrit të të infektuarve për 1 milionë banorë, me 395 të infektuar për 1 milionë shqiptarë, ndërkohë, që 122 vende të tjerë, kanë më pak të infektuar për 1 milionë banorë. Nuk po vë në dukje se edhe kjo shifër prej 395 të infektuar për 1 milionë shqiptarë, është ulur nga Rama me shumë marifete.
  • Në vendin e 86-të, me 11 vdekje për 1 milionë banorë, ndërkohë që, 129 vende të tjerë, kanë numër më të ulët vdekjesh për 1 milionë banorë, edhe shifra 11 vdekje për 1 milionë banorë është ulur me marifete nga Rama.

 Përse Shqipëria ka më pak të infektuar e vdekje për 1 milionë banorë se Italia, Spanja, Anglia, Franca e tjerë?

Në vendet e zhvilluara numri i të infektuarëve dhe vdekjeve është përkatësisht 3000-6000 të infektuar për 1 milionë banorë, kurse i vdekjeve është 450-600 vdekje/1 milionë banorë. Kurse në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit, këto shifra janë përkatësisht 400-700 të infektuar/1 milionë banorë (pra rreth 10-15 herë më të ulta) dhe 10-60 vdekje/1 milionë banorë (pra rreth 10-40 herë më të ulta). Por këto shifra nga vendet e Ballkanit janë disa dhjetra herë më të larta sesa ato të vendeve afrikane. Kjo shpjegon përse nga 215 shtete, Shqipëria renditet në vendin e 122 (nga vendi me numër të ulët në vendin me numër të lartë), përsa i përket numrit të të infektuarëve për 1 milionë banorë dhe në vendin e 129, vendin përsa i përket vdekjeve për 1 milionë banorë.  Kjo është e vërteta që duhet të mësojnë shqiptarët, një e vërtetë që nuk e them unë, por statistikat globale për  COVID-19.  Pyetja juaj është se si shpjegohet që Shqipëria është në këtë pozicion? Unë nuk jam ekspert i virusologjisë, por nga opinionet e shumë ekspertëve të shquar shqiptarë dhe nga analiza profesionale të ekspertëve ndërkombëtarë, kam mësuar se vëndet e rajonit tonë, rezultojnë me numër realtivisht të ulët të numrit të të infektuarëve dhe të vdekjeve nga COVID-19, për 1 milionë banorë, për arsyet “objektive” të mëposhtme:

  • dendësia më e ulët e popullsisë;
  • struktura moshore me shifër relative më të lartë të rinjve;
  • me numër të ulët ose edhe zero të të moshuarve të grumbulluar (azilet e të moshuarëve);
  • klima mesdhetare e favorshme kundër përhapjes së virusit;
  • komunikim më pak intensiv me vendet e zhvilluara dhe brenda vendit;
  • imunitet i krijuar nga një pjesë e popullsisë, kryesisht të moshuar, për shkak të mënyrës së jetesës;
  • imunitet i krijuar për shkak të vaksinimeve kundër tuberkulozit, malarjes, e tjerë…

Rama ka deklaruar se falë masave të tij drastike, numri i vdekjeve në Shqipëri është ulur nga 18 mijë në 33 mijë? Sa e vërtetë është kjo thënie?

Kjo nuk është thjesht e vetëm një gënjeshtër, por një mashtrim shumë i trashë, aq sa askush nuk e beson, madje as Rama vetë. E lexuar se në çfarë pozicioni renditet Shqipëria, përsa i përket numrit të të infektuarëve dhe vdekjeve për 1 milionë banorë dhe arsyet “objektive”, përse gjendet në atë poizicion,  nuk ka asnjë një lidhje me mburrjet e Ramës, madje mund të thoja se pozicioni i vendit tone, është i përkeqësuar për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë nga Rama. Për më tepër, mburrja e mashtrimet e Ramës se Shqipëria është një “Histori Suksesi”, për shkak të masave drastike që ai deklaronte dikur me ulërima, rezulton një bllof që askush nuk e beson, për më tepër që teza e tij është hedhur poshtë nga mbajtësi i çmimit Nobel, Micheal Levitt, një profesor britaniko-amerikan-izraelit, i cili ka deklaruar:  “…karantinat nuk kanë shpëtuar asnjë jetë nga COVID-19. Ndoshta mund të kenë shpëtuar disa jetë nga aksidentet rrugore dhe të ngjashme, por dëmi social nga abuzimi në familje, divorci, alkoolizmi qe ekstrem, plus ata që nuk u mjekuan për sëmundje të tjera, ishte i konsiderueshëm”.

Po aktualisht si paraqitet situata e përhapjes së virusit që Rama jo vetëm po mburret me menaxhimin e saj, por edhe ka filluar të lejojë kthimin në normalitet?

Nga të dhëna të besueshme rezulton se gjatë muajit maj 2020 fuqia e virusit ka rënë në pothuajse  të gjithë vendet europiane, përfshi Ballkanin e Shqipërinë.  Prandaj të gjithë vendet europiane kanë filluar të dalin gradualisht nga izolimi dhe të kthehen në normalitet. Pavarësisht dëshirës së shfrenuar të Ramës për t’i mbajtur shqiptarët nën kontroll e të mbyllur, ai ka qenë i detyruar, për arsye të revoltës së brendshme gjithnjë në rritje, por edhe të presionit ndërkombëtar që të deklarojë kthimin gradual edhe të Shqipërisë në normalitet. Por edhe në këtë faze, vendi ynë është më i prapambeturi në Europë e Ballkan. Për t’i vënë vulën mburrjeve të trasha të Ramës, e madje për të provuar të kundërtën, le t’i referohemi një parametri tjetër, që tregon se në çfarë niveli është përhapja/transmetimi i virusit gjatë këtyre ditëve në Shqipëri, krahasuar me vendet e rajonit e ato fqinje, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Kroaci dhe Serbi. Po t’i referohemi të dhënave për R-efektive (parametër që mat se në çfarë niveli transmetohet koronavirusi) të llogaritur nga Universiteti i Gjenevës dhe Qendra e të Dhënave Shkencore në Zyrih të Zvicrës. Nga këto të dhëna rezulton se Shqipëria është në vendin e fundit dhe ndoshta më e rrezikuara gjatë kthimit në normalitet mes të gjithë vendeve të rajonit me vlerën më të lartë të R-efektive (shiko grafikun dhe tabelën).  Ndoshta Shqipëria, do të ishte në një pozitë më të dobët në rajon,  po për “meritë” të marifeteve/manipulimeve të Ramës, vendi i fundit është siguruar me “sukses” me një R-efektive mesatare, më të lartën prej 1,27, ndërkohë që për vendet e tjera, kjo shifër është më e ulët: Mqedonia e Veriut-1.13; Kosova-0.89; Serbia–0.85; Bosnia-0.85, Italia-0.80, Greqia-0.70 dhe Kroacia-0.51.

Çfarë duhet të kenë parasysh shqiptarët?

 Si përfundim, shqiptarët duhet të mësojnë se për shumë arsye, historike, sociale, gjeografike, gjenetike e tjerë të përmendura më sipër, vendet e rajonit tonë renditet në mesin e listës prej 215 vendeve të prekura nga COVID-19, si përsa i përket dendësisë së infeksionit, ashtu edhe dendësisë së vdekjeve. Thënë ndryshe, shqiptarët edhe në sajë të reagimit të tyre të përgjegjshëm kanë qenë të favorizuar objektivisht nga kjo pandemi e rrezikshme, krahasuar me vendet e zhvilluara të Europës Qendrore, që kanë pasur  rreth 10-50  herë më shumë të infektuar e vdekje, se sa vendi ynë,  ndonëse ne kemi pasur rreth shifra dhjetra herë më të larta se ato të vendeve afrikane…Ndonëse vendet e zhvilluara janë shumë më të paisura me mjete e personel dhe me më shumë mjete financiare. Prandaj as që mund të bëhet fjalë për meritë të Ramës, madje, për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë nga Rama, Shqipëria, krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria fatkeqësisht gjendet në vendin e fundit në rajon aktualisht me një situatë problematike e të rënduar të transmetimit të virusit!!…Kurse situata ekonomike e sociale, për shkaqe të lidhura kryesisht, apo vetëm me keqqeverisjen e pandemisë, është katastrofike.

Shqiptarët edhe në sajë të reagimit të tyre të përgjegjshëm kanë qenë të favorizuar objektivisht nga kjo pandemi e rrezikshme krahasuar me vendet e zhvilluara të Europës Qendrore, që kanë pasur  rreth 10-50  herë më shumë të infektuar e vdekje se sa vendi ynë,  ndonëse ne kemi pasur rreth shifra dhjetra herë më të larta se ato të vendeve afrikane…