Liridon Mziu: Baleti për mua është oksigjen

491
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Intervistuar nga E.B., Nju Jork

Liridon Mziu ka lindur në vitin 1990 në Mitrovicë, Kosovë. Është balerin profesionist i diplomuar prej 12 vitesh. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë në 2010. Ka përfunduar Akademinë e Arteve, dega Muzikë në vitin 2017.

Kërcimin e ka filluar që në moshën 15 vjeçare kur filloi të mësojë hapat e baletit, karrierë të cilën e ka ndjekur dhe si një profesionist i talentuar nën kujdesin e profesorëve Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Veçon vallëzimin neoklasik dhe kontemporan për stilet e tij të preferuara.

Në vitin 2010 Liridon Mziu u bë pjesë e trupës profesionale të Baletit Kombëtar të Kosovës. Njihet për shfaqet: Bukuroshja e fjetur, Carmen, Oh my god, Don Quixote, O. Taka, Andërr, La fille mal gardée, Sisters, Spartacus, etj. Në vitin 2011ka marrë pjesë në festivalin e Zyrihut në Zvicër me shfaqen “Oh my God”, e cila bëri shumë bujë për publikun zviceran.

-Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?

Jeta e një balerini në Kosovë nuk është aspak e lehtë për faktin se kushtet në të cilat punojmë janë të mjerueshme.

 

-Cilat janë ëndërrat e tua?

Ëndrrat e mia janë qe të krijoj shfaqje dhe të arrijmë një nivel më të lartë artistik.

-Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?

Në vitin 2006 si student pastaj në vitin 2010 si profesionist. Është mjaft privilegj dhe kënaqësi të jesh pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës.

-Cilën shfaqe do veçonit?

Shfaqja “Ngjyrat e Vallzimit” me koreografi nga Mehmet Ballkan. Nuk kam patur ndonjë rol të veçantë, mirpo gërshetimi i muzikës me lëvizjet e Baletit është arsyeja pse me bën t’a veçoj.

-Çfarë është baleti për ju?

Baleti është pjesë e jetës sime, me të jetoj. Është vallëzim i cili të bën t’i harrosh të gjitha problemet në botën e jashtme. Baleti për mua është Oksigjen.

-Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?

Zakonisht e kërcejmë atë çfarë koreografi e kërkon mirpo vallëzimi neoklasik dhe kontemporan janë vallëzime të cilat i kisha veçuar.

-Ku jeni përgatitur si balerin? 

Në Prishtinë.

-Për cilat shfaqe ruani kujtimet më të mira dhe pse?

Gjatë përgatitjeve të shfaqjeve gjithmonë kemi kujtime të mira por e kisha veçuar shfaqjen “Bukuroshja e fjetur” sepse ka qenë njëra ndër shfaqjet e para që kam marr pjesë si balerin.

-Po për mentorin apo profesorin tuaj?

Fatmirësisht kam pas fatin t’i kem dy profesor, profesorin Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Këta kanë dhënë një kontribut të madh në ngritjen dhe nivelin tim e sidomos prof. Ahmet i cili jo vetëm për mua por për të gjithë balerinët ka dhënë shumë.

-Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?

Do ta veçoja pjesmarrjen në festivalin e Zyrihut në Zvicër, ku kemi pas një pritje të jashtëzakonshme si nga organizatorët ashtu edhe nga publiku.

-Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Krenohemi me atë qe jemi pjesë e një trupe profesionale dhe me ndikimin që kemi tek publiku i cili deri më tani nuk na ka braktisur as edhe një herë.

-Me cilën shfaqe po angazhoheni tani?

Tani jemi duke punuar në shfaqjen “Entres des Aguas” dhe “Troy Game”, një shfaqje e punuar nga koreografi i mirënjohur amerikan Robert North.

-Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?

Përveç baletit më pëlqen të luaj kitar ose piano dhe ecja në natyrë.