Artur Sulçe: Duhet të liberalizohet kolaudimi i makinave

2138
Sigal

Artur Sulçe, ekspert i Sigurisë Rrugore

Mendoj, që programuesit e pyetësorit në provimet për marrjen e lejes së drejtimit të automjeteve ndërtojnë ca pyetje që nuk kanë lidhje me drejtimin e automjetit, kjo ndoshta kjo është edhe arsyeja që një pjesë e kandidatëve mbetet 

Jakup B. GJOÇA

 Artur Sulçe, ekspert i Sigurisë Rrugore në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se duhet të liberalizohet kolaudimi i makinave, meqë përfundon edhe koha e koncesionit në 2019-n, dhe serviset e licencuara të jenë të autorizuara me ligj të bëjnë kolaudimin e makinave. Inxhinieri Sulçe thotë se edhe mënyra e ndërtimit të pyetjeve në provime për marrjen e lejeve të drejtimit bëhet e vështirë, ndoshta me qëllim që kandidatët të ripërsëritin provimet dhe shteti të përfitojë nga ata pagesat për herë të dytë.

 -Zoti Sulçe, përditë radhë të gjata në pikat e kolaudimit. A ia ka arritur qëllimit për të cilin u dha koncesioni përkatës?

– Në lidhje me SGS, qendrën e kolaudimit e cila ka një qëllim, që cilësia e mjeteve që janë në qarkullim, duhet të plotësojnë kushtet minimale që të qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë. Për këtë qëllim, për sa kohë, qendrat e licencuara i ka vetëm SGS-ja dhe pajisjet në këto qendra janë të testuara, mjetet që u nënshtrohen kontrollit, janë të rregullta për të qarkulluar.

– Cilat janë problemet?

– Përqendrimi i kolaudimit në një dorë, monopol, ka sjellë çmimin monopol dhe vonesa e humbje kohe të panumërta, sepse pikat e kolaudimit nuk përballojnë dot fluksin në rritje të makinave.

– Mirë monopoli, po përse SGS-ja nuk hap pika të saj të tjera në qytet, për të mënjanuar radhët e gjata të makinave në pritje?

– Ndoshta është kostoja e lartë e ngritjes së pikave të tjera. Tani në 2019-n, mbaron edhe koha e këtij koncesioni dhe meqë në 2006-n u përgatit edhe ligji për licencimin e serviseve, dhe fakti fakti që tani po implementohet të mos lejohet asnjë servisi palicencuar, pa drejtues teknik, që të punojnë, kjo do rritë edhe cilësinë e shërbimeve të servisit, dhe të gjithë këto servise, do të kenë librin e shërbimit të serviseve, të shërbimeve që u bën mjetit, mund të japin edhe kolaudimin.

– Njëfarësoj, të bëhet liberalizimi i kolaudimeve të makinave?

– Ky këndvështrim, ky implementim i ligjit 9573 për serviset dhe formalizimin e tyre do të sjellë natyrisht edhe liberalizimin e kolaudimeve.

– A mendoni se qeveria ka vullnet të liberalizojë kolaudimin?

– Unë jam pak skeptik për këtë, pasi deri më sot qeveria është e dhënë pas koncesioneve.

– Po ndërkoha midis dy kolaudimeve pse duhet të jetë 1 vjeçare, edhe për makinat që nuk bëjnë një shumë minimale të kilometrazhit?

– Fakti që tek ne serviset janë bërë pa një drejtues teknik, nuk kanë pasur një regjistër të shërbimit të automjeteve, që, nëse një mjet i ndodh aksident për shkak të një servisi të gabuar, do të kishte detyrimin ligjor, që t’i paguante gjithë dëmshpërblimin. Për këtë problem deri dje, nuk është shqetësuar askush. Ndoshta edhe për shkak të këtij informalizimi në servise, është vendosur që kolaudimet të bëhen për çdo vit, për makinat e vogla dhe çdo 6 muaj për mjetet e rënda e të transportit publik, për të rritur sigurinë. Ky shteti ynë, që është copë-copë nga të gjitha anët, funksionon me konceptin që ne shtrëngojmë ligjin për kolaudimin çdo vit të makinave, që të kemi mundësi që ne (shteti me mosveprim) të mos bëhet palë e pasojave, duke ditur këtë informalitet, që është faji i shtetit.

– Sa për qind janë aksidentet që ndodhin në Shqipëri, për shkak të gjendjes teknike të keqe të makinave?

– Një përqindje shumë e vogël. Por ka një gjë, që mjetet, pas aksidenteve rrugore, asnjëherë nuk kontrollohen, siç kërkon neni 11 dhe 12 I Kodit Rrugor, që thotë se pas aksidenteve të rënda mjeti duhet t’i nënshtrohet kontrollit teknik. Pra, nuk jemi të saktë në zbatimin e ligjit.

– Kush fajësohet, për moszbatim të ligjit?

– Ne i kemi firmosur të gjitha konventat e BE-së, që lidhen me fushën e transportit. Por, problematikat, sikurse i njohim mirë, është se ne asnjëherë nuk i kemi zbatuar ato konventa. P.sh, për përdoruesit e drogës që drejtojnë makinat, nuk ka asnjë lloj kontrolli, sikurse kontrollohet për alkoolin. Për këtë problem, për përdoruesit e lëndëve narkotike, kemi biseduar me titullarin e ministrisë së Brendshme dhe na është dhënë premtimi që do të ndryshojnë kuadrin ligjor.

– Edhe pse makinat (supozohet) se kalojnë çdo vit në kolaudim, sërish këto janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. Pse ndodh?

– Përditë e më shumë ndodh ndotja skandaloze e mjedisit, për shkak të karburantit, aq sa marmita e automjeteve duhet të ndërrohet shpesh, për shkak të bllokimit nga shkalla e lartë e papastërtive që janë në karburant.

– Doni të thoni, që organet e institucionet shtetërore nuk kontrollojnë cilësinë e karburantit që tregtohet?

– Absolutisht, jo, sepse të gjitha këto organe e institucione kontrolluese janë shtetërore, dhe kjo është pjesë e megaskandalit që ka mbuluar këtë qeveri.

– Cilat janë hijet e procesit të provimeve për marrjen e lejes së drejtimit të automjeteve?

– Ndoshta, kam përshtypjen se, në disa nga autoshkollat, nuk bëhet mësimi në mënyrën e duhur. Problemi që lidhet me provimin është sesi është orientuar pyetësori, nga programuesi, a zgjidhen ato pyetje, të cilat bëjnë në autoshkolla, ato që i duhet në të vërtetë drejtuesit të automjetit? Mendoj, që programuesit e pyetësorit në provimet për marrjen e lejes së drejtimit të automjeteve ndërtojnë ca pyetje që nuk kanë lidhje me drejtimin e automjetit, kjo ndoshta kjo është edhe arsyeja që një pjesë e kandidatëve mbeten.

Mos është e qëllimshme, programimi i pyetjeve, në mënyrë që të mbeten në provim kandidatët, për të ripaguar tarifat e riprovimit?

– Nuk kam statistikë, ndaj nuk shprehem dot drejtpërdrejtë. Por, ky opsion shprehet shpesh nga të gjithë.

– A ka akoma metoda korruptive në marrjen e lejeve të drejtimit të automjeteve?

– Për sa kohë, që në institucionet e tilla shtetërore, titullarët janë të komanduar politikisht dhe jo specialistë, gjithmonë do të kemi fenomenin e korruptimit.

Ju, si specialist i sigurisë rrugore, a keni përshtypjen se Policia Rrugore parandalon aksidentet me prezencën e saj në pikat më të rrezikshme për aksidente në rrugët nacionale?

– Faktikisht, do t’i rekomandoja Policisë Rrugore në rrugët inter-urbane kryesore, nuk duhet të jetë stacionere, por duhet të jetë e lëvizshme, që të mos bëhet pengesë, duke ndaluar mjetet, pasi kështu, mund të bëhen ata një shkaktar për ndodhjen e aksidenteve dhe, njëkohësisht, këto kategori rruge duhet të kenë shërbime 24-orëshe me karroatrec, për rastet kur ndodhin aksident, të hiqen menjëherë nga rruga.