Marash Logu: Kancelarive të Evropës dhe SHBA do t’u japim ‘librin e zi’ të masakrës elektorale të 25 prillit  

581
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në krye të skemës kriminale për tjetërsimin dhe manipulimin e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë kanë qenë drejtuesit më të lartë politikë të PS-së

Marash Logu, përfaqësuesi ligjor i PD-së për çështjet zgjedhore, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se, PD ka vënë në dispozicion të KAS dhe Kolegjit Zgjedhor mbi 1500 faqe shpjegimi dhe 450 prova shkresore, 333 kërksesa për marrjen e provave pranë organeve të administratës zgjedhore, si edhe 180 kallëzime penale në SPAK, mirëpo KAS, në vend që të zbatojë ligjin, i bindet urdhërave politikë të kryeministrit Rama. Zoti Logu, thotë se me miratimin e një flete votimi me numra nga mazhoranca, pa konsensus, solli pavlefshmërinë e vullnetit të 83 mijë qytetarëve, e përkthyer kjo në një numër mandatesh, që do të ndryshonte rezultatin zgjedhor, në favor të opozitës. Zoti Logu thekson se të gjitha provat dhe faktet e krimeve zgjedhore që ka paraqitur PD në KAS dhe Kolegj Zgjedhor, si edhe kallëzimet penale që ka depozituar në SPAK, gjenden të pasqyruara edhe në raportet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve të 25 prillit. Ndaj, edhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë masakra zgjedhore më e madhe në këta 30 vite, prandaj PD do t’u japë kancelarive të Evropës dhe SHBA “librin e zi” të krimeve zgjedhore të 25 prillit. 

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al : 

– Zoti Logu, cilat ishin krimet zgjedhore të kryera nga njerëz të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe të pranuara edhe nga KAS?

– Krimet zgjedhore të 25 prillit ndahen në 5 shtylla:

(i) blerje masive e votës e drejtuesve politikë të PS-së me individë me rekorde kriminale, për të cilat Partia Demokratike ka depozituar 50 kallëzime penale në SPAK. Besoj e keni ndjekur këto ditë se si nga dy hetime kanë dalë edhe përgjime, që lidhen me shitblerjen e votës;

(ii) përdorim masiv të burimeve njerëzore dhe aseteve shtetërore. Më lejoni të ilustroj me disa shembuj: 10.003 legalizime, 13 mijë të punësuar, 63 milionë euro paga më shumë, 2.5 milionë euro ndihma ekonomike, 125 milionë euro ndihma për tërmetin, 500% më shumë tendera publikë se mesatarja e 5 viteve të fundit. Të gjitha këto në vetëm 4 muaj, në kundërshtim flagrant me nenin 91 të Kodit Zgjedhor, që ndalon punësimet dhe dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara shoqërore në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve;

(iii) Të dhënat personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës u vodhën nga serverat shtetërorë për t’u vënë në dispozicion të PS-së. Pra, ID, nr.telefonit, vendi i punës, adresa ime, e juaja dhe 910 mijë bashkëqytetarëve tanë, si dhe shumë të dhëna të tjera sensitive u mblodhën, përpunuar dhe përdorën paligjshmërisht nga shtabet elektorale të PS-së. Ndërkohë drejtuesit më të lartë të kësaj partie kanë pranuar ekzistencën e patronazhistëve në të gjithë Shqipërinë;

“PD ka vënë në dispozicion të KAS dhe Kolegjit Zgjedhor mbi 1500 faqe shpjegime dhe 450 prova shkresore. Ndërkohë kemi paraqitur në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor 333 kërkesa për marrjen e provave pranë organeve të administratës publike”

“180 kallëzime penale, që PD ka bërë në SPAK dhe prokuroritë e rretheve për çdo zyrtar të PS-së, të përfshirë në krime elektorale”

(iv) Vetëm 1 javë para zgjedhjeve Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi t’u heqë të drejtën e votës 500 mijë shtetasve shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, çka ndikoi drejtpëdrejtë minimalisht me tre mandate në rezultatin e zgjedhjeve për opozitën në qarqet e Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës. Për të kuptuar sa politik ishte ai vendim, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dy fakte: e para, ne faktuam në KAS se votues të PS jo vetëm erdhën nga Greqia, por edhe ishin komisionerë, numërues të kësaj partie, dhe e dyta, vendimi u shfuqizua një javë pas zgjedhjeve. Së fundmi, si rezultat i një vendimi në kundërshtim flagrant me nenin 98 të Kodit Zgjedhor dhe Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore për miratimin e një flete votimi me numra, solli pavlefshmërinë e vullnetit të 83 mijë qytetarëve. E përkthyer në numër mandatesh, minimalisht ky numër do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në 5 qarqe në favor të opozitës, përkatësisht në qarqet Durrës, Korçë, Berat, Gjirokastër dhe Shkodër. Të gjitha këto të marra së bashku përbëjnë atë që ne e kemi konsideruar masakrën elektorale të 25 prillit.

-A keni fakte që zyrtarë të qeverisë dhe strukturave shtetërore kryen krime zgjedhore?

– Për të vërtetuar secilën prej shtyllave dhe elementët e masakrës zgjedhore të 25 prillit që përmendëm më herët, Partia Demokratike ka vënë në dispozicion të KAS dhe Kolegjit Zgjedhor mbi 1500 faqe shpjegime dhe 450 prova shkresore. Ndërkohë, kemi paraqitur në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor 333 kërkesa për marrjen e provave pranë organeve të administratës publike, të cilat janë rrëzuar në kundërshtim flagrant me nenin 137 të Kodit Zgjedhor, duke iu mohuar qytetarëve shqiptarë të drejtën për transparencë mbi zgjedhjet e 25 prillit. Jemi të bindur se nëse shpjegimet dhe provat tona do të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera, të kërkuara nga ne, KAS dhe Kolegji nuk do të kishin mundësi tjetër vendimmarrjeje, veçse pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.

– A u përfshinë anëtarë të piramidës së administratës zgjedhore në krime zgjedhore?

– Në krye të skemës kriminale për tjetërsimin dhe manipulimin e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë kanë qenë drejtuesit më të lartë politikë të PS-së, të cilët në bashkëpunim me drejtues të administratës qendrore dhe lokale, si dhe individë të skeduar për rekordet e tyre kriminale, përdorën çdo mjet dhe mekanizëm për të mos lejuar ndryshimin, aq shumë dëshiruar nga shqiptarët. Të 12 qarqet janë problematike, por Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe Fieri ishin më flagrantet sa i përket përmasave të masakrës elektorale. Në krimet zgjedhore në këto 5 qarqe ishin të përfshirë drejtpërdrejtë kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja Balluku, ministrja Manastirliu dhe administratat e tyre në qarkun Tiranë; administratori i OSHEE Ardian Çela në Durrës, ish-kryebashkiaku Dako, deputetët e dosjes 339 Ndraxhi dhe Çyrbja, dhe deputeti Rraja në qarkun Durrës; deputeti Ilir Beqaj, kryetari i PSD-së Tom Doshi, drejtori i KESH dhe kandidati për deputet Benet Beci, ish-deputeti Mark Frroku dhe kryetarët e bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz në qarkun Shkodër; sekretari i përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, kryebashkiaku i Elbasanit Llatja, kryebashkiaku i Librazhdit Gurra, kandidati për deputet Saimir Hasalla dhe sigurisht banda kriminale e Suel Çelës në qarkun Elbasan; kryeparlamentari Ruçi, zv.kryeministri Braçe, kryebashkiaku i Fierit, Subashi, kryebashkiaku i Divjakës, Kokoneshi, në qarkun e Fierit. Këta janë vetëm emrat e drejtuesve kryesorë, pasi nëse do t’i përmendnim të gjithë do të më duhej t’u listoja këtu 180 kallëzime penalë, që PD ka bërë në SPAK dhe prokuroritë e rretheve për çdo zyrtar të PS-së, të përfshirë në krime elektorale.

“Si rezultat i një vendimi në kundërshtim flagrant me nenin 98 të Kodit Zgjedhor dhe Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, për miratimin e një flete votimi me numra, solli pavlefshmërinë e vullnetit të 83 mijë qytetarëve”

“E përkthyer në numër mandatesh, minimalisht ky numër do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në 5 qarqe në favor të opozitës, përkatësisht në qarqet Durrës, Korçë, Berat, Gjirokastër dhe Shkodër”

– Zoti Logu, ju si përfaqësues ligjor i PD-së, por edhe Opozita, bëni deklarata publike se në 25 prill ndodhi masakër zgjedhore. KAS dhe Kolegji Zgjedhor jua rrëzoi këto ankimime. Gjithashtu, edhe raportet e OSBE/ODIHR-it, dhe së fundmi, edhe raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, (DASH e njohu që më 26 prill rezultatin dhe zgjedhjet si të rregullta), nuk përmendin masakër Zgjedhore, nuk përmendin krimet Zgjedhore që ju keni denoncuar, edhe pse kishin vëzhgues. Ku qëndron dallimi i realiteteve zgjedhore midis jush dhe ndërkombëtarëve?

– E thatë me të drejtë unë jam përfaqësues ligjor i PD-së. Si i tillë nuk bëj vetëm deklarata politike, por kam paraqitur fakte, prova, argumente dhe kërkesa për prova të reja pranë organeve kompetente, të cilat i shpjegova gjërësisht më herët. Ndërsa, sa i përket raporteve ndërkombëtare, mendoj se kemi një lexim të ndryshëm. Në raportin e OSBE/ODIHR-it dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ju do të gjeni referenca dhe raste konkrete, të secilit prej krimeve zgjedhore të denoncuara nga ana jonë. Janë pikërisht këto raporte ku përmendet se blerja e votës vazhdoi të ishte prezente, ministrat dhe zyrtarët shtetërore abuzuan pozitën e tyre për krijimin e avantazheve për PS-në, u përdorën incentiva të ndryshme për zgjedhësit, si leje legalizimi, punësime etj., presionet e vazhdueshme ndaj nëpunësve publikë, publikimi i të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve, veçanërisht bindjet politike, i bënë zgjedhësit më vulnerabël, mosgarantimi i të drejtës së votës për emigrantët, pavarësisht përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, si dhe masa të tjera, për shkak të pandemisë që sollën pengimin efektiv të emigrantëve për të votuar, dhe së fundmi ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor në kundërshtim me marrëveshjen e 5 qershorit të gjithëmbështetur nga faktori ndërkombëtar. Të gjitha këto fakte dhe të dhëna do t’i gjeni gjerësisht të ilustruara në raportet e OSBE/ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Nuk ka pra një denoncim të bërë nga opozita, që nuk gjen pasqyrim në raportet ndërkombëtare, të publikuara deri më tani. Madje më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se ‘Transparency International’ ka ngritur si një ndër problematikat më të rënda çēshtjen e patronazhistëve, duke kërkuar hetimin me përparësi të kësaj çështjeje. Unë kam shumë respekt për organizmat ndërkombëtarë dhe di për shembull se në Austri, vetëm për shkak të mbylljes së një qendre votimi më herët, apo në një rast tjetër, për shkak se një ministre kishte votuar në një qendër votimi të ndryshme nga e saj, Gjykata Kushtetuese atje, ka urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve. Këto janë standardet që kërkojmë edhe ne këtu në vendin tonë, se imagjinojeni pak ju, çfarë do ndodhte në Berlin, Paris, Bruksel apo Washington, sikur zgjedhjet të shoqëroheshin me shkelje të përmasave që u shpjeguan në pyetjen e parë.

– Si ka mundësi që pajisja elektronike e identifikimit lejonte votues të paraqesnin ID të ndryshme, por me të njëjtin gisht si indentifikim? ( Pra i njëjti person votonte disa herë po të paraqeste ID të ndryshme).

– Pajisja e identifikimit elektronik synonte pikërisht identifikimin e qytetarëve, të cilët mund të votonin dy ose më shumë herë në të njëjtën qendër votimi apo qendra të ndryshme. Pavarësisht problematikave logjistike, të cilat janë të mirëkuptueshme për shkak të aplikimit risi, teknologjia na dha mundësi të krijojmë një tablo të qartë të rasteve të votimit të shumëfishtë, votimit familjar apo për të tretët, të cilat kemi pasur mundësi t’i denoncojmë publikisht. Një hetim i thelluar i KAS, nëse do të ekzistonte vullneti, do të zbardhte plotësisht çfarë ka ndodhur në këto qendra votimi. Në këtë kuptim, vlerësoj se aplikimi i teknologjisë ishte një hap pozitiv që kërkon përsosje të mëtejshme në të ardhmen.

“Nuk ka pra një denoncim të bërë nga opozita, që nuk gjen pasqyrim në raportet ndërkombëtare, të publikuara deri më tani. ‘Transparency International’ ka ngritur si një ndër problematikat më të rënda çështjen e patronazhistëve”

– Ju, si e shpjegoni që KAS nuk pranoi të mblidhte fakte, të cilat do të ndihmonin në zbardhjen e provimin e krimit Zgjedhor nga institucionet shtetërore,  derisa Kodi Zgjedhor e detyron KAS ta kryejë këtë akt ligjor?

– Është për të ardhur keq që KAS, në testin e parë të tij, dështoi. Dështoi në zbardhjen e të vërtetës. Dështoi në bërjen e transparencës. Dështoi në dhënien e drejtësisë zgjedhore për 25 prillin. Ne e dimë arsyen. Fatkeqësisht, në vend të zbatimit të ligjit, KAS zgjodhi t’i bindet urdhërave politikë të Edi Ramës. Ky i fundit është personi më i investuar në Shqipëri për të vrarë çdo hapësirë lirie, demokracie dhe drejtësie në këtë vend. Nëse i shihni tre noterët e masakrës zgjedhore të Edi Ramës në KAS, të gradohen në shtator, mos u habisni aspak.

Po  Policia e Shtetit, Prokuroria dhe SPAK a hetuan krimet Zgjedhore, për të cilat ju dorëzuat padi?

– Partia Demokratike ka depozituar 180 kallëzime penale në SPAK dhe Prokuroritë e rretheve për krime zgjedhore. Deri më sot kemi dëgjuar deklarata nga kreu i SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, por nuk kemi parë asnjë zyrtar të lartë të  PS-së apo kriminelë të lidhur me ta, të arrestuar, hetuar dhe ndëshkuar. Mbetemi në pritje. Megjithatë, më duhet ta them se deklarata e gënjeshtërt që bëri Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe prokurori i çështjes lidhur me ngjarjen e Elbasanit, se në makinë nuk kishte pasur materiale zgjedhore, ka lënë një shije të hidhur dhe krijuar një klimë mosbesimi. Dhe meqë folëm për ndërkombëtarët më herët, nuk ka deklaratë apo raport ku nuk thuhet shprehimisht, të hetohen krimet zgjedhore me përparësi.

– Zoti Logu, me këtë model funksionimi dhe të marrjes së vendimit me shumicë të thjeshtë të KAS dhe Kolegjit Zgjedhor, (kur dihet se anëtarët e KAS janë përfaqësues partie dhe vendimmarrja e KAS është pronë e mazhorancës) a mund të hetohet krimi Zgjedhor? 

– Fatkeqësisht, Komisioni i Apelimit dhe i Sanksioneve, por edhe Kolegji Zgjedhor treguan mungesë vullneti dhe guximi për të hetuar në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme krimet zgjedhore të 25 prillit. E kam thënë edhe më herët në një artikull për median tuaj, fatkeqësisht e hasa çdo ditë në KAS dhe Kolegj Zgjedhor mungesën e kurajos dhe integritetit profesional për të bërë transparencë të plotë mbi masakrën elektorale të 25 prillit. Dhe më shumë se çështje formati të këtyre organeve, është çështje vullneti për të zbatuar me përpikëri ligjin dhe vetëm ligjin. Ky i fundit është nën një reprezalje të pashoqe prej 8 vitesh nga regjimi kriminal që ka ndërtuar një person i vetëm: Edi Rama.

“Fatkeqësisht, në vend të zbatimit të ligjit, KAS zgjodhi t’i bindet urdhërave politikë të Edi Ramës”

Çfarë duhet të ndryshojë, në Kod Zgjedhor, në mënyrë të atillë, që krimi Zgjedhor të marrë ndëshkimin që duhet dhe kushdo të jetë i barabartë para ligjit?

– Detyrë parësore e çdo institucioni publik është zbardhja e së vërtetës, garantimi i të drejtës për transparencë. Pikërisht mospërmbushja e kësaj detyre, mosgarantimi kësaj të drejte çoi në vendimet e padrejta të KAS dhe Kolegjit Zgjedhor. Pikërisht, këto çështje duhet të jenë pikënisje, premisë për reformat e ardhshme në Kodin Zgjedhor.

– A mendon PD dhe ju, që të përgatitni dosje të plotë të krimeve Zgjedhore të 25 prillit 2021 dhe t’jua jepni çdo kancelarie të çdo shteti të Evropës dhe SHBA-së? 

– Partia Demokratike ka gati ‘librin e zi’ të masakrës elektorale të 25 prillit. Është një punë e bërë me përkushtim dhe kujdes të posaçëm nga grupi i ekspertëve të çështjeve ligjore dhe zgjedhore, nën drejtimin e kryetarit Basha, i cili do t’u vihet në dispozicion të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë. Jemi të bindur se ky libër do t’i shërbejë çdo miku të sinqertë, që shqetësohet për trajektoren e rrezikshme që po merr demokracia në vendin tonë, për të kuptuar përmasat reale të masakrës elektorale.

– Faleminderit!