Nepotizmi/ Bashkia Himarë dorëzon “pyllin me pamje nga deti” motrës së kreut të Këshillit Bashkiak

271
Sigal

Bashkia e Himarës e shpalli procedurën për dhënien me qira të ekonomisë pyjore, “kënd lojrash, mjedise sportive, e të tjerë”

Në Himarë, shprehja “kush ka mik, ka çiflig”, vjen disi e moderuar: “kush ka mik kryetarin, merr një pyll thuajse falas”. Kompania “Abeille’s Resort” është shpallur fitues në procedurën e hapur për dhënie me qira të 10 hektarëve pyll publik në zonën e Gjomollës. Kompania është në pronësi të Bule Kapaj, motra e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj. Megjithëse situata krijon dyshime se është në kushtet e konfliktit të interesave, Bashkia e Himarës dhe shoqëria private tashmë kanë nënshkruar kontratën 10-vjeçare. Sipas dokumentave zyrtare, “Abeille’s Resort” do të paguajë një shumë minimale prej 10 milionë lekë të vjetra në vit për një periudhë 10-vjeçare për sipërfaqen pyjore 10 hektarë. Bashkia e Himarës e shpalli procedurën për dhënien me qira të ekonomisë pyjore, “për qëllime pushimi, argëtimi, për veprimtari turistike, kënd lojrash, mjedise sportive, e të tjerë”. Hapësira pyjore gjendet në zonën e quajtur Pylli i Gjomollës, pranë fshatit Qeparo, një hapësirë me pamje të mrekullueshme nga deti Jon. Pra, një perlë e vërtetë natyrore. Dhe këtë hapësirë, për 10 vitet e ardhshme, do ta shfrytëzojë për qëllime fitimi Bule Kapaj dhe kompania e saj, “Abeille’s Resort”.

Kush është kompania?

Kompania që do të marrë me qira hapësirën pyjore në Gjomollë është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në qershor 2021. Objekti i aktivitetit të saj është angazhimi në punime ndërtimore. Pronare dhe administratore e shoqërisë private është Bule Kapaj, që rezultoi se pronarja e kompanisë është motra e Dhimitër Kapaj, kryetari i Këshillit Bashkiak të Himarës. Ky detaj krijon dyshimet se e gjithë procedura është mbështetur në situatën e konfliktit të interesave. Funksioni i Kryetarit të Këshillit Bashkiak ka një rëndësi shumë të madhe në aktivitetin e pushtetin lokal. Roli thelbësor është miratimi i buxhetit vjetor të Bashkisë. Gjithashtu, në ligjin për “Qeverisjen Vendore”, Këshilli Bashkiak ka edhe një kompetencë specifike, që sanksionohet në nenin 54/e të tij: “Këshilli Bashkiak miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”. Pra, është kompetencë e Këshillit Bashkiak që të miratojë dhënien me qira të pronave të Bashkisë, përfshirë edhe ekonominë pyjore në Gjomollë. A ka qenë kreu i Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj, pjesë e procedurës për miratimin e dhënies me qira të pyllit të Gjomollës në favor të motrës së tij, Bule Kapaj? Nëse ka zgjedhur të shmanget nga kjo vendimmarrje, gjithësesi, a janë marrë masat që e gjithë procedura të mos dyshohet si në konflikt interesi? Me shumë mundësi, përgjigjet mbi këto pikëpyetje do të jenë diskutuar ndërmjet kryebashkiakut Jorgo Goro dhe kreut të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj. Ndoshta kanë shpresuar që detajet e kësaj procedure të kalojnë në heshtje, pa u mësuar nga publiku.