Shpallen qytetarë nderi në Tropojë familja Jashari dhe Zarife Hasanaj

755
Sigal

Mëngjesi i 5 Marsit 2020 në Malësinë e Gjakovës në Tropojë, u zgjua me këngë e valle.

Në pikën doganore Shqipëri-Kosovë (Morinë) kishte dalë Kryetari i Bashkisë Tropojë, Z.Rexhë Byberi me një grup intelektualësh dhe veteranësh, ku shoqërohej nga ansambli i këngeve dhe valleve të Tropojës, për të pritur delegacionin e ardhur nga Kosova.

Takimin e parë Z.Rexhë Byberi e bëri me Lulzim Adem Jasharin dhe familjen Jasharaj si dhe me ish-Presidentin e Kosovës Z.Fatmir Sejdiu dhe delegacionin që e shoqëronin. Pas një programi artistik pjesëmarrësit u drejtuan drejt qytetit të Alpeve, Bajram Curri. Në emër të familjes Jashari dhe të bashkisë Bajram Curri u vëndosen kurora me lule tek lapidari i Heroit të Popullit Bajram Curri.

Kryetari i Bashkisë Z.Rexhë Byberi i dhurojë një shqiponjë Z.Lulzim Adem Jashari. Populli i Malësisë së Gjakovës me kënge dhe valle shoqëruan delegacionin e Kosovës për tek Pallati i Sportit. Me këtë rast Z.Rexhë Byberi i dorëzojë Z.Lulzim Adem Jashari titullin e lartë Qytetarë Nderi i Tropojës familjes Jashari. Z.Rexhë Byberi ndër të tjera tha:“Është emocion i madh për mua por dhe krenari e privilegj i veçantë që të kemi sot në mesin tonë një familje me lavdi dhe madhështi sa vetë lavdia dhe madhështia e kombit tonë, familjen Jashari nga Prekazi i Kosovës.

Po ashtu ndihem i bekuar që më jepet rasti fatlum që në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Gjakovës ti dorzojë sot mirënjohjen më të lartë që akordojmë “Nderi i Tropojës, familjes Jashari“. Ky titull është simbolika më modeste që mund të bëhet për të nderuar ketë derë heroike që me jetët e bijëve dhe bijave të sajë i hapi Kosovës derën e Lirisë dhe Pavarsisë. Qoftë në jetë të jetëve e nderuar dhe e bekuar kjo familje e sheëjntë e Shqipërisë.“ Duke marrë titullin e latrë Z.Lulzim Adem Jashari tha:“Marsi, me gjithëse muaji që paralajmëron pranverën, mund të jetë i ftohtë, por mund të jetë edhe shpresdhënës duke paralajmruar ndryshimet që do të vijnë.

I tillë ishte muaji Mars, i cili paralajmërojë shpresën dhe vendosmërinë tonë për çlirim, por njëkohësisht edhe rrugen e vështirë që na priste. Pra, Marsi i historisë sonë i ka dhënë ngjarje që na i ngrohin zemrat, që na i shtojnë shpresat dhe na e rrisin krenarinë. Marsi jo vetëm që gjallëron natyrën, por gjallëron edhe njerzit, edhe popujt dhe shpresat e tyre. Me Nëntorin dhe Marsin lidhen shpresat tona, vuajtjet tona, heroizmat e popullit tonë, rruga e tij drejtë lirisë, çlirimit dhe bashkimit. Në ketë rrugë vuajtjesh dhe heroizmash populli shqiptar deshmoi se ishte i gatshëm të sakrifikojë shumë për të ruajtur qenien e tij, identitetin e tij.

Gjatë këtij rrugëtimi u shquan një numër i konsiderushëm figurash që vunë në shërbim të atdheut gjithçka patën, madje edhe jetën e tyre. Mundi dhe gjaku i tyre sot qëndrojnë fuqishem në themelet e kombit shqiptar, në thelbin e identitetit tonë. Historia pa heronj nuk ka ashtu siç nuk ka ardhmëri të ndritur pa u mbështetur në flijimin e tyre, prandaj është obligimi ynë, moral dhe kombëtar, që ti ndriçojmë, ti përkujtojmë, ti nderojmë heronjët tanë dhe ti thërrasim ata sa herë që historia na vë përpara situata të rënda.

Jemi te sigurtë se ata do të na pergjigjen gjithmonë dhe me shembullin e tyre do të na ndriçojnë mëndjen dhe do të na i forcojnë zemrat. Kështu ata do të jenë gjithmonë në sherbim të Kombit. Ju duke nderuar familjen Jashari nderoni luftën e Kosovës për liri, nderoni sakrificën shekullore të Kosovës, nderoni gjithë dëshmorët dhe heronjtë e saj.

Vetëm të bashkuar mund të arrijmë synimet tona, se vetëm të bashkuar mund të sigurojmë të ardhmen e ndritur për veten dhe për brezat që do të vijnë.Kështu perfundoi fjalën e tij Z.Lulzim Adem Jashari.

Ish-Presidenti i Kosovës Z.Fatmir Sejdiu i dorëzojë titullin e lartë, Nderi i Tropojës babait të heroinës Zarife Hasanaj, e cila dha jetën në misionin e NATO`s në Lituani, duke u bërë burim frymëzimi për brezat. Babai i heroinës Z.Muharrem Kadri Hasanaj u shpreh me këtë rast se familja dhe fisi im, brez pas brezi do te jenë në sherbim të atdheut dhe të kombit duke dhënë jetën e tyre.

Prefekti i Qarkut të Kukësit me këtë rast përshëndeti në emër  të Popullit të Tropojës, Hasit dhe Kukësit Z.Zenel Kuçana ndër të tjera tha: Tropoja është Malësia e Gjakovës një pjesë e cunguar nga trungu historik për mëse një shekull dhe në sajë të gjakut të Familjes Jasharaj, heronjëve të UÇK´së dhe të aleateve euroatlantikë ne sot jemi jo vetëm një gjak por edhe një trup që nuk do të ndahet kurrë.

Ju i keni kullat tuaja në Prekaz por besoni në besen tonë se keni edhe një Kullë bujare në Malësinë e Gjakovës ku mund të rrini përjetë në histori këmbekryq me heronjtë e Tropojës Mic Sokoli, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hoxhë Dollapi, Col Delia, Bajram Rama, Tahir Sinani, Bylbyl Breçani e deri tek heroina e re Zarife Hasanaj. Edhe një herë homazh e nderim, rrespekt e lavdi për familjen Jashari dhe Familjen Hasanaj, legjendarë të cilet e shtojnë krenarinë që jemi shqiptarë, perfundojë fjalën e tij Prefekti i Qarkut Kukësit Z.Zenel Kuçana. Ish-Ambasadori i Shqipëris në Kosovë, Profesor Islam Laukaj mbajti një ligjeratë për epokën e lavdishme të familjes Jasharaj.

Ansambli i këngeve dhe valleve të Pallatit të Kulturës Dardania, dhanë një program të pasur artistik.

Pjesmarrësit kaluan një drekë të gëzueshme në Restorantin “REAL“.