Ndryshimet në ligjin për emërimet në GJK/ Xhixho: Shkelje e Kushtetuës dhe grusht shteti

696
Sigal

Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho komentoi këtë të shtunë zhvillimet më të fundit politike. Në një intervistë për “Vizion Plus” ajo e quajti nismën e mazhorancës për të ndryshuar ligjin për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese një grusht shteti. Sipas saj, qeveria po shkel Kushtetutën me këtë nismë. Sa i takon paketës “Anti-KÇK”, Xhixho deklaroi se edhe ky akt normativ është anti-kushtetues dhe se po dublon organet e reja të drejtësisë. Ajo shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale, opozita do ta kishte kundërshtuar ligjin aty.

Më poshtë intervista e plotë:

 

-Çfarë nuk shkon sipas jush me aksionin “anti-KÇK”

 

Ne jemi dakord që të forcohen të gjitha aksionet në luftën kundër krimit të organizuar, Çështja është si po kryhet ky aksion. Ç’është ky akt normativ, kur është parashikuar shumë qartë që ai del vetëm në rast nevoje dhe emergjence, ndërkohë që qeveria e ka lançuar që në nëntor këtë ligj. Si ky ligj cenon të drejtat e njeriut? Si është organizuar ky ligj duke i dhënë kompetencat e prokurorisë dhe të gjykatës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Dua të vlerësoj një fakt, faktin që do të jetë, sipas Kodit të Procedurës Penale vetëm, prokuroria që vlerëson masën e sekuestros dhe më pas gjykata. Ligji i jep një superfuqi të paligjshme për të marrë masa pa kaluar në këto instanca duke anashkaluar dhe dubluar organet e reja të drejtësisë dhe të gjithë reformën në drejtësi. Ne ndërtuam një reformë të tërë drejtësie për të ndarë politikën nga drejtësia. I gjithë ky ligj, që është edhe dublim i ligjit antimafia, ne nuk kemi vuajtur nga ligjet, por nga zbatimi, nga vullneti për t’i zbatuar. Kjo mazhorancë pati gjithë kohën e mjaftueshme në këto 7 vjet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

 

-Por zoti Rama thotë se më përpara kanë ekzistuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe tashmë ne kemi organet e reja të drejtësisë. Kjo është pse vjen në këtë kohë ky aksion. A qëndron për ju ky argument?

 

Absolutisht që jo! Gjithë hetimi duhet të bëhet nga BKH që do të duhet të ngrihet, ndërkohë që këtë kompetencë ky ligj ja jep policisë. Nga e dimë që këto veproime të policisë së shtetit nuk do të sjellin një kosto për vendin dhe subjektet e këtij ligji s’do mund ta takojnë atë në Gjykatën e Strasburgut dhe ne mund të kemi edhe një faturë financiare.

 

-Meqë jemi te gjykata, a do të atakohet ky ligj në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse nuk është funksionale për momentin?

 

Në një situatë normale, ky akt do të ishte akti i parë që do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese që ditën e nesërme të miratimit të këtij akti normativ, i cili është anti-kushtetues sepse nuk jemi në situatën që parashikon Kushtetuta për nxjerrjen e një akti normativ, as të një nevoje, as të një urgjence imediate që ndodh vetëm në rastin e fatkeqësive natyrore. Mos-ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese sjell që qeveria shqiptare të veprojë me akte normative dhe këtë të bëjë normë.

 

-Ndërkohë që kemi “Anti-KÇK” një njërin krah, mazhoranca po bën edhe disa ndryshime të tjera ligjore. E fundit ishte një nga kompetencat e Presidentit të Republikës për t’u betuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Tashmë ata nuk do të shkojnë më tek presidenti, por ka një mënyrë tjetër. Si ju duket ky ndryshim?

 

Ky ndryshim është absolutisht një shkelje e Kushtetuës. Mjafton të jesh edhe një qytetar i thjeshtë dhe të lexosh nenin 129 të Kushtetutës, i cili thotë mjaft qartë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, për të marrë detyrën do të duhet të betohet përpara Presidentit të Republikës. Është shumë i qartë neni 129, nuk lë asnjë mundësi interpretimi. Është një e drejtë ekskluzive e Presidentit të Republikës. Në momentin që kjo është një klauzolë kushtetuese, si mundet kjo klauzolë të ndryshohet me ligj kur të gjithë e dimë hierarkinë e normave ligjore, ku Kushtetuta ndodhet në hierarkinë e këtyre normave. Nga ana tjetër, si mund ti të atakosh një moment solmen, i cili nuk është një akt formal. Përkundrazi, është një moment ku betimi i gjyqtarit është shumë i rëndësishëm sepse nga ky moment fillon ushtrimi i detyrës. Ti e heq dhe e bën me ligj dhe e bën anti-kushteuese. Për çfarë? E bën për arsye parimore? Absolutisht që jo! E bën për arsyen që ne dimë, për një konflikt që ka pasur institucional mes Presidentit dhe KED. Dhe ku zgjidhet ky konflikt? Në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatën Kushtetuese përsëri nuk e kemi. E gjithë kjo nismë ka vetëm një qëllim. Së pari, është një atak shumë i madh ndaj Kushtetutës dhe një shkelje flagrante e Kushtetutës. Është një shkelje e shtetit të së drejtës sesi ti e merr një kompetencë ekskluzive të Presidentit dhe si e kryen në çdo ambient tjetër, mjfton të nënshkruajë një deklaratë dhe t’ja dërgojë organit të emërtesës. Për mua është një grusht shteti i pastër gjithë kjo përpjekje e mazhorancës për të sulmuar Presidentin e Republikës, për ta dobësuar atë, si i vetmi institucion legjitim sot që flasim dhe i vetmi insitucion që po i bën ballë dhe është në mbrojtje të Kushtetutës kundër kësaj mazhorance të kriminalizuar.