Ish-ministri i drejtësisë skanon ngërçin ndërinstitucional. E drejta ekskluzive e emërimit të ministrit nga Presidenti, pse zv/ministrit i ndalohet nxjerrja e akteve nënligjore, pasojat e mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe analogjia e rrëzimit nga Kuvendit të propozimeve nga Presidenti

593
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Analiza/ Prof. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë

Presidenti që mban të drejtën ekskluzive të emërimit të ministrit, zëvendësministri nuk mund të nxjerrë dot urdhra dhe udhëzime

Prof. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se është Kryeministri që ka të drejtën ekskluzive të propozimit dhe, nga ana tjetër, Presidenti që mban të drejtën ekskluzive të emërimit të ministrit. Kur Presidenti ka argumente se kandidati i propozuar për ministër nuk plotëson qoftë edhe një kriter, të njëvlershme si ato të deputetit, atëherë Presidenti ka detyrimin ligjor që ta refuzojë emërimin, përndryshe do të shkelte Kushtetutën. Prof. Muçi pohon se tani analizat janë politike, por është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të bëjë interpretimin e Kushtetutës. Ndërsa a mundet zv.ministri i Brendshëm të kryejë detyrat e ministrit, Prof. Muçi thotë se zëvendësministri nuk mund të kryejë atë kategori të kompetencave që përfshihen në kompetencat ekskluzive të ministrit, në të kundërtën aktet e nxjerra prej tij do ishin absolutisht të pavlefshme, si të nxjerra nga një organ jokompetent.

-Prof. Muçi, Kushtetuta jonë a i jep kompetenca Presidentit të Republikës të mos emërojë një ministër, të cilin e ka propozuar kryeministri?

Nuk do të isha dakord me formulimin e pyetjes, sepse Kushtetuta nuk shprehet për atë që nuk mund ta bëjë Presidenti apo një organ tjetër kushtetues, por shprehet për atë që mund dhe duhet të bëjë. Tek ne, deri tani praktika e emërimit të ministrave ka qenë unike. Nuk ka pasur raste që të mos jetë pranuar nga Presidenti i Republikës propozimi i Kryeministrit për emërimin e ministrave të propozuar prej tij. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të kishte herë të parë që të thyhej kjo praktikë unike, ashtu sikurse ka ndodhur me rastin e mospranimit të propozimit për ministër të Brendshëm të z. Sandër Lleshi. Duke qenë ky rast i parë një i thyerjes së praktikës, me të drejtë shtrohet pyetja nëse Presidenti i Republikës ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në këtë rast të veçantë apo në shkelje të saj. Natyrisht, këtu mendimet janë të ndara, pro dhe kundër. Ajo që parashikohet në Kushtetutë se ministri emërohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e Kryeministrit, interpretohet në mënyra të ndryshme, shpesh në interes të politikave të çastit të grupimeve politike. Për të qenë i drejtë dhe i besueshëm, ky interpretim duhet të zhvishet nga këto interesa dhe të zbulohet fryma e vërtetë dhe qëllimi i dispozitës kushtetuese për këtë çështje, e cila lidhet me dy figurat kryesore të pushtetit shtetëror. Nga njëra anë është Kryeministri që ka të drejtën ekskluzive të propozimit dhe, nga ana tjetër, Presidenti që mban të drejtën ekskluzive të emërimit të ministrit. Kështu, të dy këta janë të lidhur ligjërisht me njëri tjetrin në atë mënyrë sa që asnjëri nuk vendos pa pëlqimin e tjetrit. Prandaj, në këto raste, ata janë të detyruar të bashkëpunojnë mes tyre të merreshin vesh paraprakisht, duke shmangur situatat e pakëndshme të krijimit të tensionit politik që çon në dobësimin e veprimtarisë së institucioneve të rëndësishme të shtetit, sidomos në dobësimin e luftës kundër kriminalitetit, i cili aktualisht është shqetësues në vendin tonë. Kundërvënia e figurave më të larta të shtetit dhe të pushtetit kundër njeri tjetrit, aq më keq karshillëku, nuk është as në të mirën e tyre dhe as në të mirën e vendit apo të popullit që përfaqësojnë. Ne kemi nevojë për një shtet të fuqishëm, që lufton kriminalitetin, trafiqet e ndryshme, e sidomos në situatën e tanishme që jemi nën vëzhgimin dhe monitorimin e institucioneve të Bashkimit Evropian për plotësimin e reformave dhe të kushteve për hapjen e negociatave të integrimit në këtë bashkësi. Por, e përsëris se ky është problem i diskutueshëm dhe ne japim mendimet tona për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes, pa pretenduar të bëjmë rolin e gjyqësorit apo të japim mendim kategorik. Ajo që do të vendoste, në situata të tilla, është vetëm Gjykata Kushtetuese.

– Mos vallë edhe vetë Kushtetuta ka boshllëk në përcaktimin më të saktë të kompetencave kushtetuese të Kryeministrit dhe Presidentit? Mos vallë qëllimisht është lënë kjo vakancë kushtetuese, që paskëtaj, palët të interpretojnë sipas interesave?

E thamë qysh në fillim se ndodhemi përpara nevojës së interpretimit kushtetues, i cili aktualisht nuk mund të realizohet pasi Gjykata Kushtetuese, që duhej ta bënte këtë lloj interpretimi, nuk funksionon për shkak të mungesë së quorumit të saj. Në situatën që jemi tani, secila palë shprehet politikisht, duke pretenduar se e drejta qëndron në anën e saj. Por vetëm kaq mund të bëjë, të pretendojë, sepse të drejtën nuk e vendos as njëra palë dhe as tjetra. Në se ka ose jo shkelje të kushtetutës nga Presidenti i Republikës e vendos vetëm organi kushtetues kompetent, që është Gjykata Kushtetuese.

– Në kuptimin juridik, derisa Presidenti ka të drejtën kushtetuese të emërojë propozimin e Kryeministrit, a nuk i buron edhe e drejta kushtetuese të mos emërojë?

E thamë më sipër se Kushtetuta nuk parashikon atë që nuk mund të bëjë Presidenti, por atë që duhet të bëjë. Pra, ajo nuk parashikon të drejtën e mos emërimit të ministrit, por të drejtën e emërimit të tij. Mendoj se Presidenti i Republikës është i detyruar që të bëjë verifikimin e kritereve që kërkon Kushtetuta dhe ligji për emërimin e një ministri, të cilat janë të njëjta me kërkesat që duhen plotësuar për zgjedhjen e deputetit. Në këto rrethana, detyra e Presidentit është që të kërkojë nëse personi i propozuar nga Kryeministri për t’u emëruar ministër i ka kriteret që i kërkon ligji, domethënë kriteret që duhet edhe për një deputet. Nëse mungon qoftë edhe një nga këto kritere, Presidenti ka detyrimin ligjor që ta refuzojë emërimin, përndryshe do të shkelte Kushtetutën. Ndërsa, nëse nuk ka shkaqe të tilla, ai është i detyruar të bëjë emërimin e kandidaturës së propozuar nga Kryeministri. Në të kundërtën, qëndrimi i tij do të ishte jo kushtetues. Për rastin konkret, të mosemërimit të z.Sandër Lleshit në detyrën Ministrit të Brendshëm, nuk mundemi të gjykojmë pa ditur se çfarë problemesh ligjore e kanë determinuar Presidentin e Republikës të refuzojë emërimin e kësaj kandidature, sepse problemi nuk është bërë ende mjaftueshëm transparent.

Kemi rastin kur Presidenti dekreton një kandidaturë për kreun e një institucioni kushtetues, ose për anëtar të një institucioni kushtetues, siç ishim deri tani për anëtar të Gjykatës së Lartë, që janë në kompetencat e tij kushtetuese dhe Parlamenti nuk e voton këtë kandidaturë të dekretuar nga Presidenti. A nuk është analog, nga këndvështrimi kushtetues, ky rast me propozimin e kandidaturës të Kryeministrit për ministër?

Për sa i përket rasteve që sillni, nuk mund të themi se janë identikë me rastin e kandidaturës së ministrit, ndonëse të ngjashëm. Emërimi i ministrit kalon në tri shkallë apo hallka, Kryeministër – Presidenti – Kuvend, kurse në rastin që përmendni ju kemi dy shkallë, President – Kuvend. Këto figura kushtetuese emërohen nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Por edhe këtu, në njëfarë mënyre, Kuvendi bën atë detyrë kushtetuese që bën Presidenti në rastin e emërimit të kandidaturës për ministër, verifikon nëse janë respektuar kriteret ligjore për atë funksion kushtetues. Do të kujtoja se edhe për këto emërime janë shkelur parimet kushtetuese nga vetë Kuvendi, i cili në disa raste nuk i ka pranuar pa arsye të justifikuara kandidaturat e emëruara nga Presidenti i Republikës, duke krijuar precedentë të diskutueshëm nga pikëpamja kushtetuese, që hapin rrugë për ta shtrirë këtë praktikë edhe në emërimin e ministrave apo të detyrave kushtetuese të barazuara me ta. Kështu, Kuvendi ia rrëzon kandidaturat e dekretuara nga Presidenti dhe Presidenti, me radhën e tij, rrëzon kandidaturat e Kryeministrit.

-Sipas jush, cila është rrugëzgjidhja?

Rrugët e zgjidhjes ekzistojnë po të ekzistojë edhe vullneti politik. Në radhë të parë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilën tani nuk e kemi. Së dyti, nëpërmjet përcaktimit në ligje organike, ku të përcaktohen kriteret që duhet të mbahen parasysh nga organet përkatëse, kryesisht në kompetencat e Presidenti të Republikës. Dhe së treti, sipas meje, në situatën ekzistuese zgjidhja arrihet me bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes Kryeministrit dhe Presidentit.

– Doni të thoni, se deri tani, ligjet organike, apo dispozitat ligjore të kompetencave kushtetuese të Presidentit, Kryeministrit, Parlamentit, porsa u përket emërimeve, kanë boshllëqe, sa duhet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese?

Neve nuk na mungojnë ligjet. Përkundrazi, ato janë pothuajse në përputhje të plotë me standardet e kërkuara nga BE-ja, por na mungon dëshira, vullneti për të mirëkuptuar njëri – tjetrin, për të bashkëpunuar me njëri – tjetrin për të mirën e përbashkët. Mungon vullneti politik për të zgjidhur problemet në rrugë institucionale. Tek ne krijohen përplasje të padrejta për shkak të kapriçiove dhe jo për shkak të zbatimit të ligjit. Atje ku ekziston konsensusi, ku ekziston e mira, ku drejtuesit janë të ndërgjegjshëm se funksionet që kanë marrë nuk janë për karshillëk, por për përmbushjen e detyrave në interes publik, në interes të popullit, problemi është fare i zgjidhur. Po të mendosh pozitivisht, nuk ka probleme. Por kur mendon për përfitime politike të padrejta etj., atëherë krijon situata të tilla, në të cilat gjendemi tani.

– A mundet një zv.ministër i emëruar me funksione ministri nga Kryeministri, të ketë autoritetin kushtetues të kryejë funksionet e ministrit, për më tepër, në një ministri kaq të rëndësishme sa është ministria e Brendshme?

– Së pari, dua të them se nuk ka ministër më të rëndësishme nga ministrat e tjera, në kuptimin e e funksioneve kushtetuese dhe jo të fushës që mbulon. Ata janë të barabartë. I pari mes tyre është Kryeministri. Ministri është ministër, në çdo ministri qoftë. Funksionet e ministrit janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk janë të përcaktuara ndryshe për Ministrin e Brendshëm e ndryshe për ministrin tjetër. Ministri drejton ministrinë, nxjerr urdhra dhe udhëzime, që janë të detyrueshme për personat që merren me zbatimin e tyre. Në këtë vështrim, zëvendësministri, edhe kur mbulon detyrën e Ministrit, në mungesë të tij, ngelet zëvendësministër dhe, veç detyrave të tij, kryen edhe ato detyra apo kompetenca të Ministrit që mund të delegohen. Mirëpo, disa kompetenca kanë karakter ekskluziv, mund të kryhen vetëm nga Ministri dhe nuk mund të delegohen. Në këtë vështrim, zëvendësministri nuk mund të kryejë atë kategori të kompetencave që përfshihen në kompetencat ekskluzive të ministrit, në të kundërtën aktet e nxjerra prej tij do ishin absolutisht të pavlefshme, si të nxjerra nga një organ jokompetent.

– Cilat janë këto kompetenca ekskluzive të ministrit, të cilat nuk mundet t’i kryejë zëvendësministri?

Për shembull, e tillë është nxjerrja e urdhrave dhe e udhëzimeve. Zëvendësministri nuk mundet që të nxjerrë urdhra dhe udhëzime, të cilat me Kushtetutë i nxjerr Ministri, ashtu sikurse, Këshilli i Ministrave apo Presidenti nuk nxjerrin dot ligje, pasi kompetenca e tyre është e drejtë ekskluzive e Kuvendit. Por ka edhe kompetenca të tjera, si emërimet që janë kompetencë të Ministrit, nënshkrimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare apo probleme të tjera që krijohen në praktikë, si komunikimi në nivel të barabartë me ministrat përkatës të vendeve partnere, etj. Pra, ka një kategori detyrash dhe kompetencash, që i përkasin vetëm ministrit. Megjithatë, zëvendësministri mundet të punojë edhe për një farë kohe relativisht të shkurtër, mund të zëvendësojë ministrin në kohën e vakancave, por natyrisht, do të punojë me urdhrat dhe udhëzimet që ka nxjerrë ministri paraardhës.

– Mund të krijohen boshllëqe dhe mangësi në drejtimin e ministrisë, nëse zëvendësministri qëndron i komanduar si ministër për nj kohë të gjatë?

Natyrisht që mungesa e Ministrit krijon boshllëk, shpesh të rëndësishëm. Prandaj, nuk mundet të qëndrojë për një kohë të gjatë i si i komanduar ministër, Gjersa zëvendësministri nuk përmbush dot të gjitha funksionet e ministrit, do të ketë edhe boshllëqe në drejtimin e Ministrisë, veçanërisht në nxjerrjen e akteve normative.

– Ka zëra nga mazhoranca, që thonë se Presidenti, duke mos emëruar kandidaturën e kryeministrit për ministrin, ka shkelur Kushtetutën. Ju çfarë gjykoni?

E përsëris se nuk jam në gjendje të jap mendim të drejtë në këtë drejtim, sepse duhet të njoh materialet dhe shkaqet pse nuk u pranua emri i Ministrit. Në qoftë se Presidenti ka shkaqe nga ato që parashikon Kushtetuta, pra në qoftë se kandidatura për ministër nuk plotëson kriteret që janë të njëjta edhe për një deputet, natyrisht që Presidenti është në përmbushje të rregullt të detyrës që i ngarkon Kushtetuta. Nëse Presidenti e ka refuzuar emërimin e kandidaturës së propozuar nga Kryeministri për ministër në mënyrë arbitrare, pa pasur shkaqe ligjore, kushtetuese, atëherë veprimi i tij do të vlerësohej si jokushtetues dhe do të ishte e dobishme të ndreqej.

– Kryeministri në Parlament deklaroi se arsyetimi i Presidentit për mos emërimin e kandidatit të propozuar për ministër ishte qesharak, por nuk e zbardhi këtë argument. A ka detyrë kushtetuese ta publikojë kryeministri arsyetimin e refuzimit të Presidentit për kandidaturën e ministrit, për të bërë transparent shkaqet?

Nuk jap dot vlerësime për ato që thonë drejtuesit më të lartë të pushtetit në takimet apo mbledhjet midis tyre. Ata kanë mendimet dhe vlerësimet e veta, ndërsa unë them atë që parashikohet në ligj, duke interpretuar dispozitat kushtetuese sipas bindjes sime juridike. .

– Po ligji, a i detyron drejtuesit më të lartë të shtetit të bëjnë transparencë për vendimmarrje të tilla, që krijojnë situata konflikti kushtetuese?

Kryeministri ka mendimin e vet se Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe nuk e pengon Kushtetuta që ai ta shfaqë dhe e tij. Madje, është e drejtë e Kryeministri që ta mbrojë pikëpamjen e tij, duke ia parashtruar atë me kërkesë Gjykatës Kushtetuese, vendimi i së cilës është i detyrueshëm për të gjithë, edhe për Presidentin , edhe për Kryeministrin. Tani që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ai detyrohet të respektojë vendimmarrjen e Presidentit të Republikës, derisa nuk mirëkuptohen.

– Jemi në këto kushte kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. A mund të presë kjo çështje, që zëvendësministri i emëruar me kompetencat e ministrit të ushtrojë funksionet, derisa sa, të krijohet sërish Gjykata Kushtetuese, e ta shqyrtojë, kur deri atëherë do të duhet periudhë shumë e gjatë kohore të papërcaktuar?

E theksoj edhe një herë se është në të mirë të shtetit tonë dhe të luftës kundër kriminalitetit e të sigurisë kombëtare që Kryeministri e Presidenti të merren vesh mes tyre që emërohet Ministri i Brendshëm, që punët të shkojnë mbarë.