VIDEO/ Postblloqe policie në gjithë Beratin, kontrollohen 145 persona

548
Sigal

Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka intensifikuar kontrollet duke blinduar rrugët e qytetit. Postblloqet policore janë ngritur paralelisht me Beratin edhe në të katër bashkitë e tjera të Qarkut. Në qendër të Beratit, por edhe në të gjitha pikat hyrëse e dalëse të tij janë vendosur që prej pasdites së të enjtes postblloqe me forca të shumta policore.

“Abc News” raporton se masat e ndërmarra nga DVP Berat kanë si qëllim kapjen e personave në kërkim, uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë rrugore. Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin atomjetet, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor.

Gjatë kontrolleve janë verifikuar edhe dokumentacionet e mjeteve si dhe lejet e drejtimit. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se vetëm në dy ditët e para të këtij aksioni janë kontrolluar rreth 100 automjete dhe janë vendosur 80 masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje.

Po kështu, gjatë këtij aksioni, policia ka ushtruar kontroll fizik për armë, drogë e sende të tjera të kundraligjshme mbi 145 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura.

Të njëjtat burime konfirmojnë se postblloqet policore do të vijojnë të qendrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit.