Thoma Goga: Lekët “kesh”, vota për lesh…

135

-1 Maj … Tërë bota bën protestë, ne e kthejmë në festë.

-Si më detyruan me 50 mijë lekë të ngrija gruan nga shtrati për të votuar!

-Kandidati për kryetar bashkie më dhuroi 100 mijë lekë për dhinë e ngordhur.

– Nuk mbetet Berati pa dhallë, pse ngordhi një dhi në Velabisht!

-Plaka në prag të agonisë  më la amanet partinë dhe jo dhinë.

– Të vjen tjetri pa të keq për ngushëllim, se ka ngodhur një dhi e nuk vjen se ndërron jetë një njeri.

Sigal

– Nga defteri i Çeços –

Fejton: Thoma Goga

 

1 Maj …

Çeçua, që nuk i lë të kalojnë ngjarjet historike pa i gdhendur në defter, edhe zgjedhjet e kaluara i skaliti në ditarin e tij.

 

1 Maj … 

Tërë bota bën protestë, ne e kthejmë në festë. Mua nuk më rreh çekani as te njëra, as te tjetra. Tjetër hall kisha. Dhija ime legjendare, që e mbaja si manare, prej ditësh lëngonte. I mora ca ilaçe, po …ëhë. Vate. Aty afër darkës mbylli sytë ajo që printe kopenë. E kisha dhe si shoqëruese këtej nga stani. I bëra shërbimet e fundit. Shokët e saj hyzmeqarë me lotë e kanë qarë.

Aty nga darka na vjen në shtëpi një si biçim korrieri. Na ftoi në një si biçim takimi me një si biçim kandidati. Eh, ku më digjte mua, ku korrierit! Nejse, shkova. Më duket se e kisha parë një herë atë surrat kandidat andej nga stanet e Dushkanit. Të ketë qënë çoban dhe ai, thua?!

5 maj…

Ktheva tufën e dhive në stan dhe u ula. Drodha një duhan. Kur vjen me vrap djali im. Më shkoi mendja për keq, se plakën e kam lënë si mos më keq.

– Ç’ka bërë vaki?

– Pas një ore vijnë në shtëpi ca miq për vizitë, – tha dhe iku.

Do jenë ata të veteranëve që vijnë çdo 5 maj, thashë me vete. Duan nga një gotë raki, se mos i ha meraku për dëshmorët…

Vërtetë pas një ore erdhën. Ishin tre djemuri. Nuk m’u dukën si “delegacion” veteranësh. Dola vetëm, se plaka lëngonte në shtrat. Ai më i vogli u ul në qoshe. Duhet të ketë patur ndonjë pozitë ai, se qoshenë s’ta liron njeri. U nxorra nga një gotë raki. Filloi prezantimi. Ishin “delegacion” partish. Nga gjithë kjo “ceremoni” mbaj mend vetëm atë të qoshesë. Djalë flori, se ma pëlqeu dhe rakinë. Më thanë dhe emrat e tyre, po unë s’i mbaj mend. Helbete, pleqëri. Më thanë dhe emrin e partisë, po nuk e tregoj se quhet “publicitet”. Si mbaruan gotat, më hodhën në tabaka një 50 mijëshe. Shqeva sytë se si ajo “lëpushka” nuk kisha parë asnjë herë. Pastaj më la numrin e telefonit e më porositi që, po të kem ndonjë hall, ta marr menjëherë.

– Po kjo me ç’rast, pse?- pyeta.

– Morëm vesh se dhija të ka lënë shëndenë. Na erdhi vërtet keq, – foli “i pikëlluar” njëri.

– Më rruaçi e ju paça! Për gëzime ju ardhça!

– Po plaka do votojë? – u hodh djaloshi tjetër.

– Allahile, këtë vit është rëndë. Qenkeni flori e shkuar floririt, more djem. Po për ju do ngrihet…

– Hallall, – ngriti zërin ai i qoshesë dhe vërviti një tjetër  “lëpushkë” 50 mijëshe. – Të shkuara plakës!

– Ç’e deshe?!- ia prita. – Miqësinë nuk e bën paraja…!

9 maj …

Nuk më shqiteshin nga mendja ata djelmoshat. Të mendjes i doje ti, të muhabetit i doje ti, të bukur i doje ti, parallinj i doje ti…! Apo nuk ma bënë dhe borxh. E për çfarë? Për një dhi. Për këtë dhi edhe komshiu s’më ka thënë një fjalë. Nuk thotë kot populli: “Nuk mbetet Berati pa dhallë, pse ngordhi një dhi në Velabisht”. Prandaj dhe unë e ndava mendjen me plakën; hallall besën, gotën dhe votën…

15 maj… 

Kandidati që votuam dje doli i humbur. Për gotat, qafsha tufën e dhive me gjithë zagarë, nuk më vjen keq. Edhe dhinë e zëvendësoj lehtë, se tufa do pjellë mbarë sivjet. Ama për votën më pikoi në zemër. Ta themi mes nesh; një votë që kisha më iku për lesh…Edhe këtë haber donte plaka ime. U farmakos fare dhe preu gojën.

 

16 maj …

Plaka më thirri pranë vetes e diç kërkonte. Thashë se do më linte amanetet e fundit. Belbëzonte thellë. Më tha vetëm këto fjalë: “Amanet ata çunat të partisë…” dhe mbylli sytë. E po, keni parë kështu; të veremoset tjetra më shumë për partinë, se për dhinë!…Megjithatë amanetin e saj e çova në vend. I bëra një telefonatë atij “bukuroshit” të qoshesë. U thashë se nëna më la…

– Ehu  xhaxha, – ulëriu ai, – ku më djeg mua, ku më kruan ti…!

Tunda kokën e thitha thellë duhanin. Hajde “miqësi”, hajde. Të vjen tjetri pa të keq për ngushëllim, se ka ngodhur një dhi e nuk vjen se ndërron jetë një njeri!

I thirra mendjes ca orë më vonë. Ata bukuroshat nuk i kishte prerë malli për plakën, as për mua e as për dhinë. Edhe ata mbi çdo gjë vinin partinë.

Eh, sikur të më vinin edhe një herë! Di unë se ku “i kruaj”…

(TH.G.)