Thoma Goga: Dikur thoshim se pensioni është për të ngrënë vetëm bukë me djathë, tani do të hamë bukë me “foton” e djathit…

128
Sigal

-Do “hamë” bukë me foto…- “fotomania” e fukarasë është varfëria…

– Në autobus, duke hipur, duke zbritur, pasagjerët presin sa të mbarojë punë “fotomodelja” injorante.

Fejton: Thoma Goga

”Fotomania” po kthehet në një “sëmundje ngjitëse”. Del nga shtëpia bëj foto, hyr në dyqan a në pazar bëj foto…Në autobus, duke hipur, duke zbritur. Pasagjerët presin sa të mbarojë punë “fotomodelja” injorante. Shyqyr që erdhi elektronika dhe shkrep këtu e shkrep atje, në restorant, në det, në hale…* Më kanë bërë përshtypje ca veprimtari, ku qëllimi kryesor nuk është transmetimi i mesazheve kulturore-historike, apo letrare-artistike. E keni parë, besoj, një kryetar bashkie që shpërndan grosh e supë në një qendër sociale. Po vetëm sa të bëjë një video, apo ca foto. Se pastaj…Të hanë foton. Do mbjellë një pemë, hedh një lopatë pleh dhe bënë foto, se ndryshe nuk mbin pema…

* Te diga e liqenit artificial një ditë ishin mbledhur njerëzi e madhe. Ç’kishte bërë vaki? Të gjithë bënin video dhe foto, sepse një person, po mbytej. I shkreti, nuk dinte not. Askush nuk merrte guximin të hynte për të shpëtuar një njeri. Dhe njëri që guxoi, ju hodhën në fyt “fotografët”.

– Ku shkon ti, a derëzi. Fotot kishin më shumë rëndësi… * Në një kopësht fëmijësh kuzhinierja po zbatonte ca receta të reja gatimi. Kalamaja u mblodhën jo vetëm të shikonin, por edhe të mësonin e pastaj të shijonin gatimet.

– O teta, hë shpejt se na mori uria,- tha një djalosh topolak.

– Jo zemër, këto janë sa për të bërë një video dhe ca foto. Ju do hani supën që keni lënë dje…

* Një ditë hyra në një dyqan me artikuj të përzjerë. Më tepër për të parë, se sa për të marrë. Shitësi, një shul i gjatë, sa më pa në hyrje, më buzëqeshi dhe shkrepi celularin. – Ç’e deshe?- thashë pa e prishur terezinë.

– Ç’të duhet surrati im?

– Na ka dhënë urdhër shefi, – sqaroi “shuli”.- Fotografojeni dhe publikojeni çdo gjë që ka lidhje me firmën tonë. Fotografia është histori.

– Qenkeni firmë e modernizuar. Keni veprimtari të zgjeruar?

– Po, po. Çdo gjë e fotografojmë dhe për transparencë i publikojmë.

– E si e ka emrin kompania juaj?

– KÇK. Kurse sllogani ynë është: “Vjedhim, shesim, hamë, dhjesim”… * Me Selimin, mikun tim “opozitar”, çdo ditë “qajmë hallet” e fukarasë. Tema kryesore është rritja e çmimeve. Tani në behar nuk qahemi dhe aq shumë, se “barishtet” kanë qenë të mbara këtë vit.

– Problem kemi bulmetin, o Selim vëllai,- i hodha “benzinë” muhabetit.

– Jemi qarë kot,- ma ktheu Selimi.- Dikur thoshim se pensioni është për të ngrënë vetëm bukë me djathë. Po tani do të hamë bukë me “foton” e djathit… Hera e parë që i dhashë të drejtë mikut tim “opozitar”. Me pensionet tona, të vemë kujen për të qarë…

 


PËR PUSHIME TE HALLA

Janë ditët e para të vitit të ri shkollor. Nxënësit akoma përjetojnë emocionet dhe kënaqësinë që u dhuruan pushimet verore. Dhe në bisedat e lira ata shkëmbejnë përvojat që fituan secili nga këto pushime.

Edhe personazhi ynë Albani i ka të freskëta kujtimet nga pushimet. Në këto ditë të para, si me porosi edhe mësuesja e letërsisë u dha si detyrë të përshkruanin mbresat dhe kujtimet nga këto pushime. Aq donte Albani. Gjithë frymëzim e derdhi talentin e tij në këtë hartim:

…”Sapo mbaroi shkolla, mezi i prita pushimet e këtij behari të nxehtë. Shkova në fshat te halla Esma. Kushedi sa herë më merrte në telefon, që unë të shkoja sa më shpejt. Kjo është halla më e mirë në botë. Po ta njihni edhe ju, do bindeni se unë nuk shkruaj kot. Nuk do ta harroj sidomos ditën e parë të pushimeve. M’u desh të udhëtoja në mes të vapës dhe goja më ishte tharë për ujë. Më në fund mbërrita. Halla kishte dalë te porta dhe më priti me krahë hapur. I shkëlqente fytyra nga gëzimi. Si më puthi në të dyja faqet, halla më uli në ballkon. Më pyeti për shëndetin, për mamin e babin. Më pyeti se si kisha dalë me mësimet. U gëzua edhe më shumë kur i tregova dëftesën e notave. Më puthi edhe një herë në të dyja faqet. Pastaj fjala shkoi te ushqimet. Ishte kohë dreke dhe papritur qielli u mbush me re. Kështu ndodh shpesh në verë. Hallën e mbuloi një hije trishtimi.

– T’u bëftë halla, qielli u nxi. Kam merak si do kthehesh në shtëpi. Sikur të të bëj halla pak bukë, ti do kesh ngrënë besoj.

– Ëhë,- thashë unë që s’kisha pirë as ujë.

– Sikur të japi halla nja dy kokrra vezë, ato të thyhen rrugës e të bëjnë helaq.

– Ëhë,- ja bëra unë.

– Apo të japë ca arra. Edhe ato të shqyejnë xhepat dhe ja bëjnë rrëk-rrëk. Ç’i do, sa për bela…

– Ëhë,- thashë prapë unë.

– Dëgjo hallën, ktheu në shtëpi pa filluar shiu, se do të bëjë xurxull. Mos të zëntë shiu i verës as dy hapa larg derës, thotë një fjalë e urtë. Kështu është shiu i beharit, si vrapi gomarit.

– Mirë hallë, po nisem pa vonesë.

– Hajd të puth halla në dy faqet dhe nxito. Po shiko, mos kalo nga fiku se është qeni zgjidhur…”.

Kjo që thoni ju, ishte vetëm një ditë nga pushimet e mia te halla. Nuk kam të drejtë të shajë të gjitha hallat. Po halla ime është shtriga më të mirë në këtë botë. Kur ta njihni edhe ju, do bindeni, se unë nuk shkruaj kot. Më puthi mirë e mirë në të dyja faqet, po një gotë ujë nuk më dha kur goja më ishte tharë. Mirë këtë, po nuk më la të ha asnjë kokërr fik. Dhe unë hartimit këtu po i vë pikë…”.