Gëzon populli i lumtur!
Gëzon i riu dhe plaku,
Për ministren dixhitale,
as prej mishi, as prej gjaku.

Kemi përparuar shumë!
Vrullin tonë askush s’e ndal,
dhe pensione njëqind euro,
dhe ministër dixhital.
Bota le të marrë shembull!
Ne për shkencë na ka rënë pika;
të na ketë zili Europa,
dhe të pëlcasi Afrika.
Për ministren dixhitale
na bekoi vetë epoka.
Të pëlcasi Ilir Beqaj,
të pëlcasi Teri Koka.

Një ministre produktive,
e ka vetëm Shqipëria!
U tërbuan rusët fare,
prapa nesh dhe Japonia.
Do jetë në frontin e parë;
në luftë kundër korrupsionit,
por çdo vulë do ta hedhë
siç do shefi i timonit.

Një ministre tip roboti;
nuk do lodhet natë e ditë!
Çdo tender në shtetin tonë,
ajo do kalojë në sitë.
Një ministre e çuditshme,
që Edi mes nesh e zbriti,
që s’e ruan as për SPKUN,
as për profesor Pilinçin!

Ja mbaruan abuzimet:
U gjet zgjidhja, erdhi fati,
por ç’mbetet sipër sitës,
e cakton ai i gjati!
Këtë zonjë dhuratë të madhe,
fat e pati Shqipëria!
Nuk ka xhepa, s’ka ç’të vjedhë,
sepse do të vjedhë «tepsia».
Gëzon populli i lumtur!
Gëzon i riu dhe plaku
për ministren dixhitale,
as prej mishi, as prej gjaku.


















