Pëllumb Kulla/ Etydet fantastike të Borgesit

557
Sigal

Këto ditë më ka shkrepur të endem nëpër shtigjet e muzikës klasike. Ja për ju (dhe për vete, më shumë!) Rapsodia Hungareze nr.2 e Listit! Por në këtë rast, ajo nuk është në plan të parë. Në plan të parë unë po shquaj një komik, (në fakt dy komikë!), por sidomos një artist të jashtëzakonshëm, një nga zbulimet e mia më të vonuara, në vitet e qëndrimit në SHBA. E ku tjetër?! Ku mund ta zbuloja më parë?! Është një nga komikët më të mëdhenj që mund të njohë bota. Edhe shumë prej jush mund ta njohin, por më lejoni ta prezantoj për ata pak “injorantë” si unë, që arrita të bie në kontakt me të vetëm në muajt që ai do të mbyllte sytë. E njoha në ato ditë kur trupi I tij i stërmunduar u fut në banesën e përjetshme duke lënë mbi këtë dhè emrin dhe famën e tij të pavdekshme. Quhet Viktor Borges, me origjinë daneze dhe me një jetë të gjatë në Amerikë. Nuk ndodh shpesh që natyra të dhurojë kaq vlera tek i njëjti njeri. Ka patur sens humori të rrallë, për nënvizim dhe spontanitet; një zë të mrekullueshëm; një fizik tepër të përdorshëm; sy transparentë… Dhe këtyre dhuntive natyrore, me punë ngulmuese e pasion ai i ka shtuar kulturën e thellë artistike me prirje muzikore dhe virtuozitetin në ekzekutimin në piano, ku pat qenë shtyrë dhe dalluar që në moshë të re. Pastaj ju e merrni me mend se çfarë gjigandi na paraqitet në fushën e komedisë! Çfarë monumenti artistik përbën një njeri me një pajë të tillë! E përveçmja e Borges është se ai njihet pikërisht në humorin e fushave muzikore, të ekzekutimit, të dirigjimit, të improvizimit në tastierë, në shpjegimet humoristike të jetës dhe veprave të kompozitorëve. Kur ai u bë aq i famshëm, sa ta ndjenin për nder të luanin me të artistë të njohur, tenorë, soprano, instrumentistë e të pranonin të duronin shakatë në kurriz. atëherë kërkesat për duete me të, ishin të shumta. Ja këtu, ai do të luajë me një pianist tjetër: e prezanton atë, tregon që ai ka munguar ca kohë në Nju Jork,që e kupton anglishten por nuk e flet. Dhe Borgesi ofrohet me turqishten e tij, që ju …e kuptoni! Dhe pastaj anunçon rapsodinë e Listit, që për mungesë të një pianoje të dytë dhe për mungesë kohe, do ta luajnë të dy! E mbyllim dhe me etydet fantastike të Borges! Ato janë të shumta. Dhe nëse ato dy a tri që përzgjodha janë pëlqyer, mund të hyhet lehtësisht në youtube dhe mund të shihet gati i tërë repertori i tij i filmuar. Me sa shoh, bash në këto ditë në Facebook duket sikur unë jam në një garë me dikë tjetër i cili sjell çudira nga trojet amtare. Në këtë garë përqasja më e përshtatshme është bash (sa më pëlqen fjala bash!) etydi i sotëm. Në të paraqitet një orkestër që vihet nën drejtimin e Borges, dhe që mund të ta shpjerë fantazinë në orkestrat e tranzicionit të shoqërisë shqiptare. Nuk është e domosdoshme gjuha për të shijuar Borgen. Ai është aq ekspresiv sa e bën të panevojshëm mësimin e gjuhëve. Por meqenëse vendin tonë, ata që kanë udhëhequr punët, e kanë shpënë në moshën e internetit, për fshatrat ku dituria e gjuhëve është edhe më e pakët, për këtë etyd, po shënoj dy tre shpjegime të të qeshurave të bujshme. Borge e prezanton orkestrën me muzikantë meshkuj e femra të zotë, “problemi i tyre” thotë ai “është kur luajnë bashkë!” I pyet orkestrantët nëse i kanë të gjithë pjesët që do të lozin. “Unë nuk e kam” ankohet shefi. Pastaj, ai kërkon partiturat të cilat ia sjellin, por atij i duken si shumë. Në fund kërkon edhe një lexhie, ku t’i vendosë dhe duket sikur as lexhien nuk e ka parë ndonjëherë. E pastaj, për minuta të tëra ai flet gjuhën e plastikës që e kuptojmë të gjithë, sidomos tani në moshën e intern… Kam kënaqësi të tërheq vëmendjen në faktin që ky artist fenomenal luan me shkathtësinë e një të riu, teksa është në moshë të avancuar. Ju lë me Borgesin, duke ju uruar një fundjavë të bukur.