Brenda datës 15 tetor të pajisen me leje mjedisore lavazhot dhe minierat e gurit

605
Sigal

BERAT/ Aksioni i inspektorëve nuk ka kursyer as firmat e asfalto-betonit dhe as furrat e gëlqeres në këtë qark

Drejtoria Rajonale e Mjedisit po kalon në “sitë” të gjitha lavazhot dhe minierat e gurit që kryejnë aktivitetin në Qarkun e Beratit. Sipas të dhënave nga kjo drejtori bëhet e ditur për gazetën “Telegraf” se, këto ditë ka mbërritur në këtë zyrë urdhri i ministrit të Mjedisit, i cili kërkon që të gjitha lavazhot apo minierat e gurit, nëse nuk e kanë një të tillë të pajisen urgjent me leje mjedisi. Fill pas kësaj të gatshëm kanë qenë inspektorët, të cilët kanë filluar menjëherë kontrollet për të verifikuar nëse kanë leje mjedisi apo jo. Fillimi i punës ka nisur nga lavazhot, të cilët janë të shumtë në numër, ku nga kontrollet është vërtetuar se asnjëri prej tyre nuk ka pasur leje mjedisi dhe për këtë arsye menjëherë u është pezulluar aktiviteti deri në kompletimin e tyre me leje mjedisi. Burime nga kjo drejtori, bëjnë të ditur se, këto lavazho duhet që brenda datës 15 tetor të pajisen me leje mjedisi. Pas përfundimit të aksionit për pajisjen e lavazhove, inspektorët do të kryejnë kontrolle edhe në të gjitha minierat e qarkut, nëse ato kanë leje mjedisi, për të vazhduar aktivitet. Madje, disa miniera që përpunojnë gurin duhet të kompletohen me hidrantë uji, i cili shërben për të penguar daljen në atmosferë të pluhurit, i cili është shumë i rrezikshëm për jetën e njerëzve, pasi nga pluhuri krijohet sëmundja e silikozës. Nga Drejtoria e Mjedisit në Berat thuhet se, ky fenomen është vërejtur në minierat e gurores në qytetin e Urës- Vajgurore. Aksioni për zbatimin e urdhrit të ministrit do të vazhdojë edhe tek furrat e gëlqeres në zonën e Vodicës, Fushë-Peshtan dhe Vërtop. Nëse punojnë pa leje mjedisi do të bllokohen, gjithashtu, të gjitha fabrikat e asfalto-betonit që janë ndërtuar në periferi të qyteteve siç janë ato në Urë- Vajgurore, ku gjatë punës së tyre e gjithë bloza pushton zonën përreth, u shprehen inspektorët e mjedisit.

Merren në ruajtje edhe shtretërit e lumenjve

Nga inspektorët e mjedisit janë marrë në ruajtje edhe shtretërit e lumenjve, pasi nga marrja e zhavorrit nga firmat e ndërtimit kanë devijuar ujërat dhe për këtë arsye janë përmbytur fshatrat dhe qyteti i Urës- Vajgurore. Të gjitha këto firma nuk kanë leje mjedisorë, por punojnë në mënyrë të pa ligjshme, thonë inspektorët. Burime nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit, bëjnë me dije se nga ana e kësaj drejtori iu është kërkuar bashkive të Qarkut Beratit, që urgjentisht të ndalojnë hedhjen e plehrave në vende publike, të cilat janë kthyer në një epidemi të vërtet për banorët. Specialistët e mjedisit u shprehën se për këto plehra për momentin nuk ka një landfill dhe ende nuk dihet se çfarë do të bëhet.