Pano Taçi: Populli im vulëhumbur, për rrenacakët voton

56
Sigal

Mos ma shani popullin tim mascara!

Shiko se bëhet njëra!

Paçka se sot maska i ra,

që dramat i luan komedi të tëra.

 

Mos ma shani popullin tim të pacipë,

kujdes, të thyen dhëmbë e dhëmballë!

Paçka se pas flokëve, te honi në zgrip,

nuk di si mbahet, vdekur a gjallë!

 

Mos ma shani popullin tim teveqel,

kujdes, se do gjeni belanë!

Paçka se këtu ujku në vathë delet i mjel

përpara se t’u pijë gjakun që kanë.

 

Mos ma shani popullin që i bje gjoksit,

kujdes, se me kallash t’ju qëllojë s’përton!

Paçka se nga qulli u dogj, e i fryn kosit,

Ai prapëseprapë për rrenacakët voton.

 

Mos ma shani popullin që merr flakë si kashtë,

kujdes, se tym ju nxjerr nga sytë!

Paçka se është populli më i lashtë,

nuk beson ç’i psallin mbi fron mbretëritë.

 

Mos ma shani popullin tim të përhumbur,

popullin tim vulëhumbur!