Ylli Asllani: Vitet e mia si asimzenelas!

69
Sigal

(Mbresa në 100 vjetorin e Liceut të Gjirokastrës, sot Gjimnazi “Asim Zeneli”)

Kthehem shpesh me imagjinatën time në bangat, korridoret dhe klasat e gjimnazit tim të shtrenjtë! Do të doja të takoja aty adoleshentin e dikurshëm, që mbante emrin tim! Me sytë e kujtesës shikoj shokët e shoqet e dikurshme, apo dikë që mungon, miqtë nga klasat e tjera, pedagogët, sekretarinë, ekipin e ushtarakes, mjeshtrit e punës praktike e deri tek xha Selimi, roja i shkollës… Risjell në mendje gjithçka përjetuam bashkë në vitet më të bukura të rinisë, të mbushur me ndjenja gëzimi e lumturie, shpresa e zhgënjime, dhembje e kënaqësie shpirtërore! Atëhere nuk e imagjinonim se përjetimet dhe kujtimet atyre viteve, në këtë vatër dijesh do të ngeleshin një nga pasuritë tona të përjetshme! Kalendari atë ditë shënonte 1 Shtator 1973, kur unë përshkova për herë të parë oborrin e gjimnazit të famshëm gjirokastrit! Qysh nga ajo ditë ne u quajtëm asimzenelas! Atë vit gjimnazi festonte me dinjitet 50 vjetorin e themelimit të tij! Ndiheshim edhe më shumë krenarë nga fakti se dikur, në nëntor 1923, gjimnazi ishte pagëzuar Liceu Francez i Gjinokastrës!

“Ne shijuam frytet e dijes, sepse dikush tjetër, 100 vite më parë, aty mbolli një pemë!”

Themelimi i Liceut ishte finalizimi i një përpjekje iluministe e atdhetare e të parëve tanë gjirokastritë për identitet kombëtar, progres, kulturë e gjuhë shqipe! 15 vite më parë, në vitin 1908 u çel në qytet shkolla e parë shqipe, si dhe një seri klubesh e shoqërish kulturore me emra domethënës si  “ Drita”,”Shpresa”, “Kandilja” “Kundër Bastisjes” etj. Liceu do të shënonte aktin më të lartë të gjithë kësaj rilindje civilizuese e kulturore, e cila nxorri në pah shumë cilësi dhe një bashkësi vlerash të botës gjirokastrite! Së pari Liceu përcaktoi orjentimin e rinisë gjirokastrite drejt dritës perëndimore të dijes! Në kaosin e atyre viteve ai ofroi modelin më të arrirë të kohës, sikurse ishte standarti francez i mësim dhënies! Ndërkohë kontributi i vetë banorëve në çeljen e tij përbën një mesazh të ndritshëm të civilizimit gjirokastrit! Gjirokastritët treguan se ishin partnerë të denjë të ndihmës franceze! Ata u përfshinë shpirtërisht, por dhe materialisht me kontribute në të holla në projektin e Liceut! Së treti mjeshtërit gjirokastritë e zbatuan dhe ndërtuan vetë  godinën e liceut,  nëpërmjet firmës së tyre më të mirë të kohës, “Shoqërisë Selfo”. Së katërti qyteti i gurtë ofroi në krah të pedagogëve francezë dhe zvicerianë, intelektualët e vet më të mirë! Së fundit, por jo për nga rëndësia, shoqëria gjirokastrite krahas djemve i dhuroi liceut 10 nxënëset e para në historinë e arsimit shqiptar, duke shënuar një shembull të lartë emancipimi dhe dashurie për dijen! Arritjet e 100 viteve të liceut vërtetuan mençurinë dhe largpamësinë e parardhësve tanë! Ndofta kohë më vonë, si Kryebashkiak i Gjirokastrës, duke vlerësuar vizionin e të parëve tanë, në vitin 1998, do t’i kërkoja zyrtarisht ambasadorit francez Patrick Chrismant që gjimnazit t’i rikthehej përsëri statusi francez fillestar. Por sipas ambasadorit, në kushte dhe rrethana të reja shteti francez e jepte këtë status vetëm në ato raste, kur numri i qytetarëve francez kalonte 5% të popullsisë të qytetit!  Ndofta në hapat drejt afrimit me Evropën kjo kërkesë do të duhet përsëritur si formë shkëmbimi vlerash…

Ne besuam tek Liceu i Qytetit!

Edhe pse koha kur ne mësuam ishte e pafavorshme për ëndrrat rinore, ne besuam verbërisht tek “magjia” e Liceut, dhe nuk u zhgënjyem asnjëherë! Në 1973 në Shqipërinë e diktaturës së proletariatit po frynte një erë liberale, e cila ofroi shpresë për një hapje të shoqërisë drejt perëndimit! Kjo klimë u shoqërua me një orjentimin kulturor të ri në shijet estetike, krijimtari artistike, letrare e aktivitete shoqërore të nxënësve. Kështu ne u dhamë pas shijeve estetike, gjuhëve, letërsisë, muzikës, sportit dhe modës së huaj! Por hapja ndaj botës konstistoi thjesht një mirazh i përkohshëm për një shoqëri liberale! Pasi në vitin e dytë të shkollës linja konservatore e diktaturës u rikthye e ashpër dhe solli terror në art, kulturë, e më vonë në ushtri dhe ekonomi! Ministri arsimit Deliana që futi anglishten nëpër shkolla u internua…Në këto kushte perspektiva e një pjese të madhe prej nesh ishte pothuajse mjaft e kufizuar. Për më tepër unë isha një prej nxënësve, familja e të cilit kishte marrë të drejta studimi. Sipas rregullit të kohës, diploma e gjimnazit nuk do të më shërbente për të vazhduar më tej universitetin. Nën zë Dritëro Agolli do shprehej atëhere me shpoti se, “Mirë që ky rregull nuk ka qenë në kohën e turkut, se do të kishim mbetur pa Sami dhe Naim Frashërin!” E ofrova këtë retrospektivë për të theksuar faktin se, pavarësisht perspektivës së zymtë, që ofronte politika dhe vështirësitë e kohës ne besuam tek Liceu i Qytetit. Ndaj pa mëdyshje vërshuam drejt tij me vrullin dhe merakun për të kapur trenin, i cili do të na çonte në destinacionin e ardhshëm të ëndrrave tona! Nuk u zhgënjyem! Në shpatet dhe monopatet e jetës, në ditë të mira dhe të vështira Gjimnazi ngeli përjetë busulla e sigurtë, universi jonë i dijes dhe engjëlli  ynë mbrojtës.

Të gjitha rrugët të çonin në Lice!

Për ne gjirokastritët liceu ishte Meka ku duhej të shkonim të gjithë pa dallim! Aty kishin studjuar im at dhe dy vëllezërit, Ermiri dhe Haxhiarti! Madje babai dhe vëllai i madh Ermiri kishin qenë edhe pedagogë të Gjimnazit. Im at Muzafer Asllani kishte qenë ndërkohë pedagog i figurave më emblematike të tij si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Agim Shehu, Bekim Harxhi, Jorgo Malita, Kristian Bukuroshi, Jorgo Bulo, Tajar Kokalari, Ylvi Vehbiu, Panajot Boga dhe shumë intelektualëve të ndritur gjirokastritë. Sot pas një shekulli u riktheva sërish aty! Vitet ja kishin rritur solemnitetin dhe  liceu më ngjau më i hijshëm se dikur! Brigada e restauruesve e mikut tim Selo Braho po i jepte dorën e fundit fasadës festive të 100 vjetorit! Dukej sikur bashkë me shtresat e kohës ata po mbulonin edhe kujtimet e çdo brezi. Kështu m’u desh të rëmoja për të gjetur gjurmët e brezit tim të viteve 1973-1977.

Ne filluam si Klasa e Parë C, e mbyllëm e Katërta C dhe ngelëm përjetë Matura 77 C!

Gëzimin e ditës së parë na i shtoi lajmi, që një pjesë e mirë e ne kotohoxhasve ishim përsëri bashkë në një klasë.  Na quanin jo pa humor grupi gjuhës dhe civilizimit francez, pasi gjuhë të huaj kishim frëngjishten. Një pjesë nga ne vinte nga klasa sportive dhe atë stinë vere ishim shpallur kampionë kombëtar të volejbollit për shkollat sportive të Shqipërisë. Ishim si të thuash një ekip kompakt me Vojsava Çabej, Vali Kaçi, Elisabeta Boga, Vjollca Kumbaro, Ilir Gushi, Roland Çarçani, Jorgo Xuhano, Fotaq Zhulati, Muzo Aloci, Petro Xharahu, Durim Zani, Kosta Lici, Frederik Kero, Ilia Meleqi, Roland Rapi…Për mua klasa do të ishte edhe më e kompletuar, nëse me ne do të ishin dhe miqtë e mi të vjetër Muhedin Çami, Ylli Ajdini, Ahmet Cumaku dhe Thisea Shyti… Ndërkohë, si për të plotësuar hartën e qytetit, gjysma tjetër e klasës vinte prej lagjeve të sipërme, nga shkolla “Naim Frashëri”. Djem e vajza të hijshëm, të sjellshëm dhe me pasione për kulturën si Adriana Peshkëpia, Merita Veliqoti, Nexhmie Muço, Eriketa Late, Salihe Majko, Lavdie Lazo, Donika Lani, Shpresa Kasi, Kalipso Lako, Pranvera Kore, Nazife Gozhita si dhe ekipi djemve me Edmond Angonin, Eduard Karagjozin, Sokol Karaullin, Drini Kopecin, Roland Gegën, Edmond Kore dhe Bashkim Gozhitën. Përrreth gjimnazit vërtitej e gjithë bota jonë! Fakti që ishim të gjithë nga qyteti na bënte më unik dhe na lejonte që të organizoheshim më mirë në kohën e lirë. Ndeshjet e futbollit, pinpongut dhe mbrëmjet e vallëzimit i kishin pothuajse të përjavshme. Gjimnazi përveç një shkolle dijesh e drejtuar me autoritet nga Z. Sotir Vardhami, ishte njëkohësisht dhe batalion luftarak me komandant, paqësorin Jasemin Idrizi dhe ekipin e tij toger Z. Agron Skenduli dhe kapter Z. Ferit. Mësimi zgjaste 6 ditë ku një ditë të javës i kushtohej edukimit ushtarak. Të dielave shkonim në ndihmë të bujqësisë ( ishte koha e mbjelljes së misërit në kubiqe), dhe hera herës në eskursione në Mal të Gjerë apo Çajup. Pak raste na ngelej ditë pushim… Për këtë arsye njëherë, për t’u treguar “krijues”, i sugjeroj jo pa humor mësuesit tonë të mirë Bastri Dalani, që vajtjen dhe ardhjen nga bujqësia ta kombinonim me variante taktike luftarake… Kështu përfitonim një ditë pushim për t’u argëtuar. Ai pasi u sigurua që nuk na dëgjoi njeri, më tha shprehjen e tij të njohur kur ne gabonim, – Ylli të kam djalin e profesorit, se ndryshe të kisha marrë nga zhap e barkut e të hidhja në përrua të Cullos! Mësues Bastriu ishte babaxhan, i dashur dhe me humor, na jepte fiskulturë dhe na mbulonte në stërvitjen ushtarake. Në Gjirokastër rrallë gjeje nxënës të dobët! Thuhej se budallai i fundit u largua me vitin 1901. Në klasën tonë, pothuaj të gjithë bashkënxënësit e mi ishin kapacitete e të aftë të merrnin maksimumin, kur ata do të donin! Por sikurse përmenda ajo kohë vriste shumë shpresa e ëndrra rinore! Shumica e të rinjve ishin krahëprerë dhe kjo krijonte diferencën dhe në rezultate. Kështu klasa ishte e ndarë, në ata që do të vazhdonin studimet e larta dhe të tjerët, që jo për faj të tyre nuk e kishin këtë fat. Këta të fundit përbënin 70%… Pavarësisht kësaj ne ishim shumë miq dhe e konsideronim privilegj diplomën e Liceut të dikurshëm!

Jeta kulturore artistike e letrare e gjimnazit ishte e larmishme.

Gjimnazi përtej kufizimeve të kohës të ofronte shumë mundësi zbavitje e kreacioni! Kishte rrethe letrarë, kurse të gjuhëve të huaj, kampionate atletike etj. Mbrëmjet e mëdha të vallëzimit ishin të mirë organizuara, tematike e të kulturuara. Më rastisi në një mbrëmje të kisha privilegjin të zgjidhja muzikën dhe damën që doja, pasi fitova konkursin që u bë aty me 2 vargjet më të bukur për dashurinë…  Për konformizëm zgjodha një valle popullore, që mos armiqësohesha me asnjë nga vajzat, veçanërisht me ato të klasave më të larta! Klasa jonë ishte kampion në futboll, pinpong, volejboll e basketboll, ku dalloheshin në sporte Petro Xharrahu si mbrojtës i Luftëtarit , Roland Çarçani kampion i pinpongut, Vjollca Kumbaro si basketbolliste Luftëtarit, Frederik Kero sprintier, Muzo Aloçi futboll, Roland Gega në basketboll, Durim Zani e Ilia Meleqi volejboll. Në art, muzikë e letërsi dallohej Edmond Angoni, Shqiponja Tahmazi, Sokol Karaulli dhe Edi Karagjozi. Shqiponja ishte nga këngëtaret më të mira të gjimnazit dhe përfaqësuese e tij e vlerësuar në koncertet e qytetit! Sokoli ishte talent në këngë, me një vesh muzikor të paparë dhe një zë si të Çelentanos. Me Kolin braktisnim orët e fundit të mësimit , për të ndjekur Hit Pared-in italian. Edi dallohej në letërsi dhe hartimet nga më të bukurit në shkollë. Mondi ishte piktor i lindur dhe merrte pjesë në garat profesioniste të piktorëve të qytetit. Suksesi tij ishte vulosur kur ja doli të pikturoi perfekt portretin e një “nxënëseje” pa patur përpara as fotografinë e saj. Mbaj mend kur shkonim së bashku në shumë nga debatet dhe ekspozitat e përvitshme të artistëve figurativë. Më kujtohet njëherë, kur Mjeshtri i Madh Soriraq Paskali, ekspozoi një pikturë të tij duke përkëdhelur një kalë të bukur, dhe tutje në sfond disa lopë… Për të cilën piktori Vaso Lili i tha me humor: Maestro e ke qarë tablonë, por mendoj se koha kërkon, që në vend të kalit të jenë lopët në qendër të vëmendjes…!!  Shkrimtari “hidhur” Koço Kosta na tha njëherë në konferencën e krijuesve;- djema nëse keni ardhur të dini se çfarë është skematizmi, atëhere ju ftoj të dëgjoni fjalën e kryetarit të Lidhjes kundër skematizmit, nuk ka fjalim më skematik!! Bashkëshortja e tij Zj. Krisanthi na jepte kimi dhe ishte mjaft e brishtë dhe zemër mirë! Në jetën kulturore artistike të gjimnazit e paharruar do të ngelej edhe pjesëmarrja në grupin koreografik të valleve! Ato vite në Gjirokastër kishte mbëritur një prej baletmaestrave më të mirë të Teatrit Kombëtar të Operës, i mirënjohuri Petrit Vorpsi. Ai kishte studjuar pranë Teatrit Bolshoi të Moskës dhe konsiderohej si një nga figurat më të rëndësishme të baletit klasik shqiptar. Ishim me fat që pikërisht ky artist kishte marrë përsipër të formonte trupën koreografike të qytetit me nxënës të gjimnazit. Në fillim me urdhër dhe pastaj me shumë kënaqësi nga klasa jonë në këtë trupë vallesh u përfshinë Sokol Karaulli, Jorgo Xuhanua, Roland Rapi, Edi Karagjozi, dhe unë. I kujtoj me mall të gjithë djemtë e vajzat e ansamblit, si dhe vallet që kërcyem së bashku…! Mund të them se Prof. Vorpsi i dha një risi jetës artistike të qytetit, si dhe një dimesion të ri edukimit tonë artistik dhe perceptimit për kulturën e valles dhe koreografinë.

Mësuesit

Dy vite para se të shkonim në gjimnaz në Gjiokastër u hap Instituti i lartë Pedagogjik, i cili thithi mësuesit më të mirë prej tij. Kjo rrezikoi cilësinë tradicionale të gjimnazit! Ishte një sfidë, e cila u përballua me shumë dinjitet e profesionalizëm nga pedagogët tanë, duke ruajtur nivelin e mësimdhënies dhe emrin e mirë të gjimnazit! Ndaj, edhe për këtë arsye e ndjej obligim t’i sjell emrat e tyre me respekt e nderim në këto rreshta kujtimesh. Ne patëm fatin, që të kishim pedagog kujdestar dy intelektualë të nderuar Z. Vaso Pesha dhe Z. Vangjel Kllapi!  Z. Vaso Pesha na jepte lëndën e mathematikës, e cila edhe falë tij u bë një nga lëndët e mi të preferuara! Profesor Vasua ishte i pajisur me një aftësi pedagogjike të veçantë dhe reflektonte mirësi, kulturë, autoritet dhe mirëkuptim. Nuk i harroi asnjëherë fjalët e tij në ditën e parë të gjimnazit: “Të dashur djem e vajza mirëserdhët në gjimnaz! E shikoj të arsyeshne sot më t’ju jap disa këshilla: Së pari dua t’ju kujtoj se stadi i ri që keni filluar është komplet ndryshe nga ajo që keni kryer deri tani. Harrojeni lavdinë apo difektet dhe sjelljet e dikurshme. Në gjimnaz çdo gjë fillon nga e para. Ka rregulla, dhe kërkesa shumë më të mëdha! Duhet prej jush një angazhim shumë serioz, një studim më i thelluar dhe i përditshëm. Të jesh asimzenelas është nder, por duhet ta meritoni atë me punën dhe përkushtimin tuaj…” Në dy vitet e fundit pedagog kujdestar patëm Z. Vangjel Kllapi. Një karakter impulsiv, i mençur, i çiltër dhe shumë i dashur me ne. Na jepte njëkohësisht lëndët e gjeografisë dhe historisë. Ai ishte një mbrojtës i paepur i klasës sonë. Njëherë pedagogu hijerëndë i fizikës na “goditi kolektivisht” si klasë në dy provime të befasishme. Por brenda ditës Z. Vangjel ju “kundërvu” klasës së tij kujdestare duke e penalizuar në të dy lëndët e tij, deri sa u vendos paqja në të dy kampet… Jo më kot ai përdorte shpesh shprehjen, se ti mund të jesh mur i lartë, por unë të heq gurin e fundit…!

Z. Petro Isufi, pedagogu ynë i gjuhës dhe qytetërimit francez ishte mësuesi që adhuronim të gjithë pa përjashtim! Në Gjirokastrën e përfshirë nga “revolucioni”, vetëm Z. Petro dhe arkitektura e liceut francez kishin ngelur ende gjurmët e kulturës perëndimore. Profesori ishte proverbial në sjelljet, shije, veshje, stil jete, korrektësi dhe standard pune, duke personifikuar kështu civilizimin e lëndës që na mësonte. Përtej sharmit dhe elegancës së tij, në klasë ai shndërrohej në një makineri të pandalur dijesh, bashkëpunimi e përkushtimi për ne nxënësi Brenda një seance mësimore vlerësoheshim me 3-4 nota dhe në një semestër mund të kishim mbi 70 nota. Falë tij mësuam jo vetëm frëngjishten, por prefeksionuam edhe gjuhën shqipe. “Nuk mund të njohësh gjuhën e kulturën e të tjerëve pa njohur kulturën tënde…”, përsëriste ai shpesh. Personalisht nuk e harroi dashamirësinë dhe përkrahjen e tij! Në maturë më thirri mënjanë, bashkë me të mirënjohurin Z.

Rami Harxhi… Dëgjo bir, më tha, e dimë që nuk ke nevojë për ne, por mos harro, se nuk je vetëm në betejën tënde për rezultate maksimale… Na thuaj pa ndrojtje për çdo hije që po mundohet të të prishë ty mesataren (duke lënë të kuptohej se kishin dyshim për këtë)! Mirënjohje përjetë! Ndër mësuesit klasikë nuk mund të le pa përmendur pedagogun e nderuar Nasho Ksera! Thuhej se në rininë e tij ishte dorëzuar prift, kishte luftuar më vonë në rradhët e partizanëve dhe pas çlirimit jepte historinë e Shqipërisë dhe të Partisë. E dëgjonim me ëndje për njohuritë e gjera, shpirtin njerëzor dhe të shprehurit e shqipes me theks grek. Ai vinte nga Derviçani dhe kishte një vullnet të pashembullt! Madje kishte ndërtuar shtëpinë e vet në lagjen Varrosh që nga themelet me forcat e veta. … Për këtë fakt, udhëheqësit lokal e mburrën tek diktatori. Por ai, i cili po vizitonte qytetin nuk i përtypte skenat që i kish shpikur vetë! Ai ju kthye Z. Nasho me pyetjen, se ku gjen kohë për të studjuar shkencë, nëse ti ndërton shtëpi tërë kohën? Më vonë Prof. Nashua, do t’i thoshte një miku të tij, se asnjëherë nuk ja ka dalë të bëjë rolin e revolucionarit… Pas viteve 90-të e kam takuar me mall në sheshin Omonia, në Athinë. Profesori kishte hapur një pikë shitje si për të vërtetuar thënien historike se mbijetesa është beteja më e gjatë e çdo njeriu!

Z.Alqi Jani ishte pedagogu i letërsisë! Në dy vitet e para do të doja ta thërrisja në duel, por kur mbarova gjimnazin dhe më pas në jetë e kam përqafuar me shumë mirënjohje! Kur erdha në gjimnaz nuk merrja vesh nga letërsia! Ai më mësoi me “dhunë” fillimisht, e pastaj me takt letërsinë e vërtetë, estetikën dhe si të shpreh në mënyrën më të mirë përjetimet, idetë dhe opinionin tim. Kam lexuar mijra faqe librash dhe kritikë letrare dy vitet e para, dhe për dy vite isha çdo ditë në dërrasë me miqtë e mi Ilir Gushi, Roland Gega dhe Roland Rapi. Mund të them se përtej temperamentit jo konformues, për mua ai ishte ndër metodistët dhe kritikët letrarë më të mirë të kohës! Për humor, e kujtoj dhe sot, kur këmbëngulte të çonim dorën, edhe kur nuk dinim të përgjigjeshim. Kështu klasa jonë dilte e pregatitur para çdo kontrolli nga drejtoria! Mësuesja e nderuar Zj. Zhaneta Nova, për kundër peshë të Z. Alqi më merrte shpesh në klasat e saj të bëja recensione librash apo filmash. I kujtoj dhe sot ato orë të këndshme, bashkëbisedimet dhe pedagogjinë perfekte të të mirënjohurës Zhanetë! Shpjegimi Z. Hasan Poga i përngjante një sonete lirike të ëmbël. Njëherë rëfente me zërin e tij të shtruar, se si plaku Grande çohej natën dhe numëronte fër- fër -fër paratë e tij të dashura, deri sa këndesi i parë këndonte kikiku… Kur në të njëjtin moment një këndes i lagjes ja dha këngës si për ta ilustruar tregimin e Z. Hasan. Gjithë klasa e përgjumur u shkri së qeshuri bashkë me profesorin! Z. Muhamet Sinani na jepte lëndën e kimisë. Si gjirokastrit i mençur kishte aftësinë ta shndronte lëndën e komplikuar të kimisë në lëndën më të lehtë e të dashur për ne! Përtej pamjes serioze ai ishte mishërimi i mirësisë! Qysh në orët e para mes nesh dhe atij u vendos një kimi e veçantë shoqërore që vazhdon edhe sot e kësaj dite! Zj. Eglantina Duka ose Nushi ishte për ne një nga mësueset më të dashura. Ajo na mësonte gjeografinë. E donin të gjithë për mençurinë, karakterin shoqëror dhe brishtësinë. “Problemi” për Nushin ishin nxënësit e fjetur..! Nuk shkon të jesh kaq i sjellshëm kur je i ri, linte të nënkuptonte ajo. Z. Shefqet Shehu na jepte lëndët politike dhe materializmin me shumë kompetencë e oratori. Në kundërshtim me seriozitetin e lëndës ishte mjaft liberal dhe njerëzor! Ishte i gatshëm që për të mirën tonë ta vinte në dispozicion orën e tij për të plotësuar mangësitë tona në lëndët e tjera. Z. Petrit Aliko na jepte me kompetencë astrologjinë dhe plotësonte me durim kureshtjen tonë për botën që na rrethon. Ai ishte me bonsens e dashamirës, me një mënyrë komunikimi shumë të sjellshëm! Z. Dashamir Mezini. Mjaft i pregatitur, energjik e ambicioz! Ishte intelektual i ri, i komunikueshëm dhe mjaft i dashur, të paktën me mua. Ai kërkonte punë sistematike dhe rritëm të lartë për kohën! I pëlqente disiplina dhe rregulli nga ne, gjë të cilën ne shpesh e kishim me pakicë! “Hobi” tij ishte të na kapte të papregatitur, por nuk ja arriti falë punës, por edhe ndonjë “sakrifice” tonë. Drejtor Sotir Vardhami vinte në orën e mathematikës me peshën e drejtuesit dhe me një oratori leksikore të veçantë! Kishte qenë nxënës i tim eti… Të gjithë e vlerësonim për aftësitë drejtuese, por edhe për përgjegjësinë dhe vigjilencën në mbarëvajtjen e shkollës! Z. Kosta Makariadhi ishte i veçantë për nga aftësia, veshja dhe pamja akademike me syza! Ishte shumë kërkues dhe ambicioz… Profesori dukej se nuk pranonte kompromise, por pas pamjes hijerëndë, në brendësi ishte një Makariadh i ndjeshëm, mjaft i këndshëm dhe ëndërrimtar. Më vonë do të bashkëpunonim ngushtë në Uzinën Metalike dhe do kalonim mirë dhe me shumë humor! Jo shumë i besuar i partisë! Do t’i rridhnin lot gëzimi ditën e parë të pluralizmit në Shqipëri.

Me Prof. Hulo Kokalarin kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Pavarësisht kërkesës së llogarisë nga ana e tij, të gjithë e dinim fundin e mirë me të! E kisha patur Drejtor në “Koto Hoxhi”. Si të besuar më kishte lenë celësin e drejtorisë, ku unë çdo mëngjes në 6.30 hapja atoparlantin me muzikë të vendosur në zyrën e tij, për të krijuar atmosferë të këndshme për nxënësit që po mbushnin oborrin e shkollës! Zj. Lefteri Gumi në biologji dhe Z. Petrit Gjokutaj në gjeometri ishin të saktë, korrekt dhe të ftohtë në detyrat që kishin marrë përsipër. Z. Vajo Kuka na jepte dituri makinash. Metodist, i pregatitur dhe njerëzor! Në teorinë e Fizikës shkëlqente! Sjell ndër mend këmbënguljen e tij për t’u përgjigjur pa gjestikulacione dhe lëvizje duarsh. Z. Koco Dedi  jepte lëndët e vizatimit teknik dhe mekanikës. Ishte i saktë, shkaktonte alegri dhe ishte i vetmi që vinte me motorr në shkollë, të cilin e rregullonte vet sa herë i prishej. Gjë që ndodhte shpesh! Kënaqësi për ne ishte grupi mësuesve të fiskulturës me ish kampionin e atletikës, Z. Thanas Kocin, Mbaj mend Z. Thanas kur na mësonte startin e 100 m, dhe mezi ndalonte vrapin… Xhaxhi Thanas me kujdes se të janë lagur frenat, e ngacmonte mësuese Nevrua, e cila merrej me vajzat. Zj. Nevro Angoni nuk na jepte mësim. Megjithatë ajo ishte pranë nesh më shumë se kushdo tjetër. Ajo ishte për ne mësuesja më e dashur për mirësinë, mbështetjen dhe humorin e saj të këndshëm! Nderim gjithashtu për trainerin e mirënjohur Z. Hito Hitaj.  Sjell në mend postulatin e tij, se në futboll ka rëndësi të ndjekim topin dhe jo këmbët e kundërshtarit. Kurse  Z. Dhori Kalluci, ishte futbollisti i talentuar dhe lavdia e Luftëtarit! Ishte i sjellshëm dhe me shumë personalitet. Ai ishte i drejtë dhe nuk e njihte frikën e pushtetit, e të vlerësonte pa pyetur për gradën e prindërve. Pedagogun Kristaq Mandi në gjimnaz jepte lëndën e rusishtes, vinte nga Libohova dhe ishte tepër i kulturuar, i mirë e racional! Ne na jepte lëndën e ushtarakes. Një ditë kishte vendosur ortoskopin në tytën e karabinës time dhe pasi më udhëzoi ta tërheqja gishtin me ngadalë -më tha,- shkrepe! Arma shpërtheu dhe të dy u hodhëm përjetë nga paniku. Por problemi ishte se kush e kishte futur fishekun luftarak! Bolori e madhe! Duhej gjetur një fajtor dhe nuk po e gjenin. U bënë shumë mbledhje të cilat u mbyllën me humorin e kapter Feritit: Thonë se pushkën e mbush shejtani nganjëherë, tha ai. Po i ndërpres këtu përshtypjet dhe kujtimet e mia, pasi e shoh se pas çdo rrjeshti shtohen edhe shumë të tjerë…

Epilog

Pas diplomimit secili prej nesh ndoqi fatin e vet nëpër udhët e ndryshme të jetës! Por ne ishim dhe ngelëm përherë Matura 77, lV-C. Para 50 vitesh, kur u ndamë vendosëm të takohemi çdo 5 vjet. E kemi mbajtur fjalën. Ndofta jemi të vetmit grup! Kjo nuk na bën më të mirë se të tjerët, por gjithsesi na bën krenarë për shoqërinë tonë gjimnaziste!

Në 4 vite së bashku kishim prodhuar kaq shumë ngjarje, miqësi, humor dhe histori të sinqertë, sa edhe sot ato na mbajnë të lidhur me njëri tjetrin, me shkollën dhe qytetin! Ndaj sot ndjejmë dhembje për shokët e klasës që na mungojnë. Kujtoj me mall miqtë e mi të dashur Edi Karagjozin, Kalipso Lakon, Muzafer Alocin, Drini Kopecin, Ilia Meleqin, Bashkim Gozhitën si dhe pedagogët e nderuar Petro Isufi, Vangjel Kllapi, Bastri Dalani, Shefqet Shehu, Petrit Aliko… Sot në këtë 100 vjetor përshëndes me shumë dashuri dhe emocion gjithë gjimnazistët  e pedagogët që i dhanë dritë dijesh klasave, auditoreve dhe koridoreve të Liceut 100 Vjeçar.  Edukimi arsimor dhe qytetaria mbetën lejtmotiv i pandryshuar i gjimnazit tonë të dashur për gjatë një shekulli! Ato ishin dhe ngelen armët më të sigurta që Gjirokastra pajiste fëmijët e saj në luftën e jetës. Ne besuam tek Liceu i Qytetit. Ndaj pa mëdyshje vërshuam drejt tij me vrullin dhe merakun për të kapur trenin, i cili do të na çonte në destinacionin e ardhshëm të ëndrrave tona! Nuk u zhgënjyem! Në shpatet dhe monopatet e jetës, në ditë të mira dhe të vështira Gjimnazi ngeli përjetë busulla e sigurtë, universi jonë i dijes dhe engjëlli  ynë mbrojtës.

T’i kthesh nxënësit në qytetarë është një mrekulli që gjimnazi ynë e ka kryer me krenari!

Nder, dritë e lavdi pastë përjetë!