Fejton/ Thoma Goga: ‘’Stanin e madh’’ po e ha ‘’mola’’

48
Sigal

– “Tek stani” ka punësuar një afgan, një kinez, një irakian dhe presin të vijnë ca afrikanë.

– Afgani Kali Misir ka mësuar më mirë shqip, sepse kafsharët vendas i mbajnë afër muhaxhirët.

– Kinezi po “luftonte“ me një zhapik, kurse irakiani dhe afgani nuk dukeshin.

– Ti mund të rriç sa të duaç, po të mësoç shqip, sepse e tha edhe ”kryemisri” ynë.

 

Fejton: Thoma  Goga

– Nga defteri Çeços –

Në stanin e vogël të Çeços punët shkojnë për bukuri. Sahat, siç thotë populli. Aty ka punësuar një afgan, një kinez, një irakian dhe presin të vijnë ca afrikanë. Afgani ‘Kali Misir’ ka mësuar më mirë shqip. Kafsharët vendas i mbajnë afër muhaxhirët. Dje Çeçua kaloi për kontroll “të befasishëm“ nëpër stan. Kinezi po “luftonte“ me një zhapik, kurse irakiani dhe afgani nuk dukeshin.

– Ç’të ka bërë zhapiku që e ndjek, o mavri?- i tha kinezit.- Po sikur të ishe ti zhapik, do të vinte mirë të shtija unë me gurë?

– Hai. Ok. Xing fu në tigan për drekë,- u përgjigj kinezi.

– Ore kinezaxhi, lëre zhapikun në vendin e tij, se ndryshe të ndoqa në Peqin.

– No, no Peqini elbasançe. Jam Pekini i Qinës së madhe…

– Qofsh me shëndet, o qinez, – ngriti zërin Çeçua. – Ke ardhur si mik e rri si mik. Mos u merr me një zhapik, po hap defterat të mësoç shqip. Nashti u graduam si ‘’akademi’’. Ka rregulla e “dhisiplinë“ këtu në stanin tim. Do t’u marrë në provim. More vesh? Mora, thuaj.

Si bëri ca hapa, Çeçua gjeti irakianin që ruante dhitë, duke luajtur me qenin.

– Dëgjo këtu, o nipi Sadamit. Mos ma lodh Murron! Nuk lejoj të shkelen të “ndrejtat“ e zagarëve. Për të “ndrejtat“ e njeriut, nuk mbaj përgjegjësi… Prandaj shiko dhitë dhe mëso shqip. More vesh? Mora, thuaj. Po nuk kalove provimin, do të vë ty në vend të qenit.

Pak më tej gjeti muhaxhir afganin te kolibja e tij. Po shkruante në një defter. Ai dhe ca kafsharë të tjerë kanë pushimin e drekës.

– Ç‘po bën, o Kalli? Eja mo, eja këtu në bythë të fiqëve, – tha shefi stanit dhe çoi mbi kadishte ca djathë, gjizë, turshi dhe një faqore raki.

– Unë kujtime shkruaj nga lufta e mësoj gjuha jote.

– Shumë mirë bënë. Ta mësoç gjuhën tënë, se për atë kanë rënë shumë patriotë,- vazhdoi Çeçua dhe i hodhi në gavetë pak raki.

– No, no unë vetëm “lalë” pi.

– Birinxhi mirë! Ju muhaxhirët po ma kurseni rakinë. E po, merre gavetën tjetër me dhallë. Hajde gëzuar ! Më rruaç e të paça!…

– Ejvallah! Edhe ti të ma rruash…,- u përgjigj afgani, që nuk i njeh fare këto adete.

– Do mësoç mirë shqip, apo…, – ja ktheu Çeçua – Mos më thuaj ”të ma rruash”. Unë nuk ta rruaj, po ta pres fare e të bëj prapë synet…More vesh? Mora thuaj, lanet !

Kështu kaloi me shaka edhe ky keqkuptim. Meqë ishte pushimi i drekës, Çeçua thirri dhe kafsharët e tjerë. Me këtë rast kaloi radhën e “informacionit politik”.

– Dëgjoni këtu ju kafsharët e mi,- nisi kuvendimin shefi i stanit.- Rrogat do ua rris kur të mësoni edhe një gjuhë të huaj. Nashti u bëmë ‘’stan ndërkombëtar’’, kupton apo jo. Le ç’thotë ai ‘’i gjati’’. Të shikojë ata patronazhistët e shtetit, që bëjnë koqen e qejfit…

– Po mësuam gjuhë të huaj, ja mbathëm jashtë shtetit,- u hodh nipi Pinxho Kapellës.- Ndaj më mirë të mësojnë këta shqip.

Çeçua tundi kokën dhe u kthye nga muhaxhiri afgan.

– Ore Kalli, s’të kam pyetur. Ke familje, grua, fëmijë?

– Këtu jo grua. Atje në Kabul 4 grua kam.

– Domethënë paske atje 4 copë, dashke edhe këtu, ë? – thumboi Çeçua.

– Po ti Çeço sa grua ke?

– Një kam, po e kam për vete. Ore, ato gratë tuaja ç’bëjnë atje, mo?

– Luftojnë, luftojnë me peticione e protesta. Unë topçi, po top jo.

– A, e ndritët ju me topa llastiku e mbetën ato, – shtoi nipi i Pinxho Kapellës. – Po të ishit trima, qëndronit atje me gra e fëmijë të mbronit vatanin tuaj.

– Sa fëmijë ke, zotrote? – Pyeti hyzmeqar ”shuli”.

– 16 bambini.

– Marshallah. Një skuadër futbolli me gjithë rezervat, – tha Çeçua dhe ngriti faqoren e rakisë. – Ja një dolli për ata ”bambinit” e tu; Gëzuar!

– Po ne do bëjmë sehir, o Çeço? S’na dhe një pikë raki,- u hodh një kafshar.- Me çfarë ta ngremë të shkretën dolli?

Të gjithë morën nga një gavetë të vjetër me pak raki.

– Të kam gjetur, Kalli!

– Ëë,- ja bëri afgani, që nuk e kuptoi dollinë e ”shulit”.

– Ëngla m’u në byth, – ja priti Çeçua. – Të uron për ”bambinit” dhe gratë e tua, që i paske më shumicë.

– A po, ejvallah,- tha muhaxhiri dhe ktheu gavetën me dhallë.

– Nesër do bënet qeveria e fshatit. Do viç edhe ti,- foli Çeçua.

– Unë them ta bëjmë ”ministër të mbrojtjes”,- qeshi nipi Sherifesë. – Apo nuk ja thonë këta për luftë!…

– Allah, allah, no, no luftë. Mua mbaj Çeço. Puna dua.

– Atë e di unë,- ja preu shkurt Çeçua.- Ti mund të rriç sa të duaç, po të mësoç shqip. E tha edhe ”kryemisri” ynë. Bukë, punë. kripë e dhallë kemi sa të dhjeç. Nashti informacioni mbaroi. Të gjithë nëpër vendet e – Ti Çeço njeri i madh. Hero nacional,- tha afgani. Këtu ka qetësi, punë e bukë,  jo ‘’loqe’’…

– Ka, o Kalli, ka. Po ti rregullo atë llafin; thuaj ”llogje”. Dëgjove? Dëgjova, thuaj. Ta diç mirë; në stanin tim ka Çeçua biçak. Na ka dalë nami për “dhisiplinë“ e rregulla. Ndërsa ”stanit të madh” po i bie ‘’çatia’’ me gjithë tjegulla…Kështu ndodh kur e ‘’ha mola’’ trarin ‘’e gjatë’’ që i mban…Po ha, ha gjizë o Kalli. Gjiza të bën esëll…