Jovan Bizhyti: Inxh. Leo Çani, projektuesi i parë i linjave të tensionit të lartë elektrik në Shqipëri në vitet 1960-70

104
Sigal

Shumë figura të shquara të ekonomisë, shkencës e kulturës sonë, i gjen sot të shpërndarë në të katër anët e botës, këtej e andej oqeanit. Njeri ndër ta është dhe ingj. Leo Çani, projektues i parë i linjave të tensionit të lartë elektrik në Shqipëri në vitet 1960-70. Ai jeton moshën e tretë me bashkëshorten, Bardhën, prej më se 25 vite në qytezën e Ashburnit në veri të Virxhinias, pranë Ëashingtonit. Ishin ditët e para të këtij nëntori të vitit 2023, kur mora rrugën nga Fredericksburgu i Virxhinias për t’i bërë një vizitë mikut tim ingj. Leo Çanit, 75 milje larg në afërsi të Ëashingtonit. Makina sipas adresës në xhipiest, ndali para një godine të shtëpive karakteristike amerikane në derën me numur 102 të një banese sociale ku banon ingj. Çani. Derën e hapi një zonjë e komunitetit spanik! Për një moment shtanga. Sa tentova t’i kërkoja ndjesë, duke menduar se trokita në familje tjetër, brofi pas saj në derë ingj. Çani!

-Mos u keqkupto,- më tha, kjo është një puntore sociale e ngarkuar nga shteti për të na shërbyer ne pleqve të moshës së tretë, në veçanti, për t’i shërbyer Bardhës që është e sëmurë në shtrat. U takuam si miq të vjetër. Shtëpia, një ambient i vogël dhomë e kuzhinë me një hollë të bollshëm për një çift të moshuar, por ambjent i ngrohtë dhe i paisur me gusto.

NOA

-Më solle një copë Shqipëri, që më mungon prej vitesh,- më tha ai plot mall dhe përpoqëm gotat e rakisë, raki shqiptare rrush safi.

-Edhe Shqipëria e ndjen mungesën tuaj,- i thashë; mungesën tënde dhe të shumë specialistëve dhe shkencëtarëve të tjerë, që sot jetojnë të larguar jashtë vendit.

-Ne lamë vitet e rinisë në Shqipëri,- më tha, ndërsa pleqërinë po e ngrysim në dhe të huaj si kurbetlinjtë dikur.

Ju latë kontributin tuaj të vyer,- i thashë. Emrin tuaj në listën e atyre që bënë Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Dhe biseda vazhdoi gjatë me kujtimet e atyre viteve, që shkuan e vanë.

Po kush është ingj. Leo Çani?

Ingj. Leo Çani i përket brezit të parë të kuadrove e specialistëve të dalë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës në vitet 50-të të shekullit të kaluar. Vinte nga një familje gjirokastrite me tradita patriotike, ku tre vëllezërit e tij më të mëdhenj, ishin partizanë në luftën Antifashiste Nac.Çl. Ata duke qenë të rinj dhe të etur për studime, shteti komunist i pasçlirimit, i dërgoi me studime jashtë shtetit, dy vëllezër studiuan në BS, njeri për inxhinier elektrik dhe tjetri për inxhinjer hekurudhash, ndërsa vëllai tjetër, studioi në Çekosllovaki, edhe ky për inxhinjer elektrik, ku pas studimeve, u kthyen si specialistë të zot në sektorët e ndryshëm të ekonomisë sonë. Leo ishte vëllai më i vogël dhe meqënëse kishte talent dhe të dhëna për muzikë, mori disa mësime në piano me pedagogen Lola Gjoka, në godinën ku sot është Instituti i Arteve, pasi Liceu Artistik “Jordan Misja” në atë kohë ende nuk ishte hapur. Në këto situata, djaloshi Leo Çani, pasi mbaroi gjimnazin e Tiranës, me hapjen e Universitetit Shtetëror të Tiranës, nisi studimet edhe ky në fakultetin e inxhinjerisë elektrike, ku ishte pedagog njeri nga vëllezërit, duke mos lënë pas dore dhe pianon e muzikën në përgjithësi, të cilën e kish pasion. Pas studimeve në vitin 1958, ai së bashku dhe me disa shokë të tjerë studentë që dolën me rezultate shumë të mira, u punësuan në drejtorinë e hidrocentraleve pranë Ministrisë së Ndërtimit, pasi ato kohë kishin nisur të ndërtoheshin kaskadat e hidrocentraleve në rrjetin malor të lumenjve të Shqipërisë së Veriut. Që në shkollën e mesme, Leo Çani u dashurua me një shoqen e klasës, Bardhën, lidhja pasionante me të cilën, bëri që të martoheshin shumë të rinj, që në bangat e shkollës në moshën 18 vjeçare. Dashuria e tyre erdhi duke u konsoliduar dhe me kohë krijuan një familje të shëndoshë, që edhe sot pas 60 e ca vitesh lidhjeje, ata jetojnë të lumtur e të pandarë me njeri-tjetrin. “Nuk e mbaj mend rininë time,- tregon Leo,- pasi më duket sikur kam lindur i martuar”! Lindën qysh herët dy fëmijë, djalin dhe vajzën, që sot janë mjekë të suksesshëm në SHBA. Leo, si djali më i vogël i familjes Çani, ka jetuar me prindërit, për të cilët ka treguar kujdes të veçantë, sidomos në vitet kur ata ishin në pension në moshën e tretë. Një meritë të veçantë ka bashkëshortja e tij, Bardha, e cila megjithëse një nuse shumë e re, diti të ndërtojë marrdhënie shumë të mira me prindërit e burrit, duke i respektuar e kujdesur për ta deri në fund të jetës. Në vitet 60-të, në serinë e veprave të mëdha industrial, që nisën të ndërtohen në Shqipëri, një arritje e madhe ishte puna për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, siç ishin: hidrocentrali i Vaut të Dejës, i Komanit dhe veçanërisht, ai i Fierzës vite më pas, kaskada dhe madhështia e të cilit, zuri vend në përmasat botërore. Dhe e gjithë kjo punë, u projektua dhe u realizua nga inxhinierët shqiptarë si: Prof. Petrit Radovicka, Prof. Farudin Hoxha, inxhinieri Emin Mysliu, që u shqua kryesisht në ndërtimin e digave të hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe të Bistricës, ku me punën e tij u quajt dhe “Mjeshtri i Digave”, e të tjerë, sigurisht duke patur parasysh dhe punën e djersën e qindra puntorëve e specialistëve shqiptarë që kontribuan në këto vepra. Ndërtimi i këtyre veprave të mëdha hidro-teknike, realizoi ëndërrën e madhe të elektrifikimit të gjithë territorit të Shqipërisë, që ishte një nga sukseset më të mëdha të atyre dekadave të viteve 60-70-të të shekullit që shkoi. Ato kohë Shqipëria sapo ishte ndarë nga kampi komunist i lindjes dhe kish nisur lidhjet me Kinën në Lindjen e Largët. Elektrifikimi i plotë i vendit, që përfundoi në vitin 1975, ishte një arritje e madhe, ku linjat e energjisë elektrike duhet të shtriheshin në gjithë territorin, e në çdo skaj të largët të vendit. Pranë Ministrisë së Ndërtimit, u ngrit një Institut Projektimesh për veprat madhore që po ngriheshin anë e mbanë vendit, midis tyre, u ngrit dhe grupi i specialistëve për projektimin e linjave të tensionit të lartë, që kërkohej të shtriheshin në gjithë territorin malorë, kodrinorë e fushorë të vendit. Shkolla nuk arrin t’i mësoj në detaje këto projekte, as dhe përvoja e munguar nuk u erdhi në ndihmë specialistëve tanë. Ndaj kërkohej iniciativë e mendim i thelluar, për të cilat këta inxhinierë të talentuar shpalosën aftësitë, talentin dhe mendimin e tyre shkencor, duke i dhënë zgjidhje mjaft problemeve që shtronte koha. Prof. Petrit Radovicka, mblodhi rreth vetes këta inxhinierë të talentuar të vendit, ku midis tyre u shqua ingj. Leo Çani e të tjerë. Nën drejtimin e Prof. Radovickës, këta specialistë të talentuar nisën nga puna siç ishin: Leo Çani, Aleko Hido, Eqrem Babameto, Hysen Kadare e tjerë. Inxhinieri Leo Çani, kryesoi punën për realizimin e këtij aksioni të rëndësishëm të projekteve për shtrirjen e linjave të tensionit të lartë, si dhe u projektuan shtyllat e nevojshme me konstruksion metalik të përshtatshme për terrenin malorë, kodrinorë e fushorë të vendit, me elemente çeliku të forta e funksionale të prodhimit vendas, duke i sjellë dhe kursime të konsiderueshme ekonomisë së vendit. Për këto merita të shquara profesionale e shkencore, Ingj. Leo Çani, u propozua për gradë shkencore për punën e kryer dhe desertacionin e realizuar me temën e shtrirjes së linjave të tensionit të lartë në gjithë territorin e Shqipërisë, për gradën “Docent në ekonomi” dhe më pas, “Bashkëpuntor i Vjetër Shkencor”. Në kulmin e kësaj pune vendimtare, jo pak, por rreth 17 vjet, familja Çani pësoi një tronditje të madhe politike. Njeri nga vëllezërit, që kish studiuar në BS dhe punonte si inxhinier i hekurudhave në Durrës, e kishte gruan ruse dhe prishja e marrdhënieve me kampin komunist të lindjes dhe me BS, e detyroi të divorcohej dhe ajo u largua me gjithë djalin 4 vjeç, Valerin, për në vendin e vet. S’kaluan pak kohë, meqënëse vëllai mbante lidhje me gruan me letra, rrallë herë dhe ndonjë telefonatë, u vu në ndjekje nga organet e sigurimit dhe një ditë papritur, u arrestua! Gjyqi u zhvillua në mënyrë të përshpejtuar dhe ai u dënua me 17 vjet burgim, me akuzën si “agjent i Rusisë”! Absurde! Vëllai ishte jo vetëm partizan i orëve të para, që kish luftuar me armë në formacionet e ushtrisë partizane kundër pushtuesve nazi-fashistë, por dhe komunist i orëve të para! Sigurisht, e gjithë familja u trondit dhe u distancua nga ky veprim me pasoja të rënda. Në këto kushte, organizata e partisë në Institutin e Projektimeve pranë Ministrisë së Ndërtimit, nuk ishte dakort, që ingj. Leo Çani të vlerësohej me gradë shkencore, për arsye të vëllait që kishte në burg politik, dhe me këtë biografi duhej parë dhe pozicioni i tij në Institut! Mirëpo Ministri i Ndërtimit në atë kohë, Shinasi Dragoti, me iniciativën e tij, duke parë punën e lartë shkencore të ingj. Leo Çanit, mbështetur dhe në mendimin e Prof. Petrit Radovickës, e firmosi propozimin drejtuar komisionit shkencor, që Inxhinier Leo Çani të vlerësohej shkencërisht, duke marrë gradën shkencore të “Docentit”, si dhe të “Bashkëpuntorit të Vjetër Shkencor”. Pa kaluar shumë kohë, hija e biografisë nuk e linte të qetë në punën e tij, ndaj një ditë, ingj. Leo Çanin, për arsye biografie, e lëvizën nga Instituti dhe nga Tirana familjarisht dhe u emërua inxhinier në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku punoi afërsisht 7 vjet. Dhe kjo shkëputje u bë plot pas 17 vitesh punë të palodhur pranë Institutit të Projektimeve për veprat industriale, në grupin e projektimit të linjave të tensionit të lartë, ku roli dhe kontributi i tij ishte në vlerësime të larta shkencore. Nevoja për këta specialistë të përgatitur ka qenë kudo dhe kurdoherë, ndaj në fillimet e viteve 80-të, ingj. Leo Çani u kthye sërish në Tiranë, në ndërmarjen e zbatimit të linjave të tensionit të lartë, për të vazhduar punën e nisur vite më parë. Në vitin 1984, Leo Çani së bashku dhe me kolegun e tij, ingj. Aleko Hido, projektuan dhe zbatuan njerën nga linjat e para të energjisë elektrike 400 kë me intinerar Elbasan-Greqi, deri në kufirin tonë, e cila u realizua me sukses dhe me kosto të ulët. Shumë vite më vonë, një linjë e tillë u ndërtua dhe në vitin 2005, nga të tjerë inxhinierë, me intinerar Tiranë-Shkodër, me të njëjtat karakteristika, por kostua e saj doli shumë herë më e lartë, duke patur parasysh korrupsionin me fitimin 20% që mernin titullarët e Ministrisë së Energjitikës në kohën e qeverive demokrarike të pas viteve 90-të. Dhe kjo bëhej në një kohë kur ingj. Leo Çani me shokët e tij u hodhën në rrugë pa punë, duke angazhuar në këto projekte inxhinjer të jashtëm me kosto shumë herë më të lartë. Në të njejtën kohë, Ingj. Leo Çani, krahas punës së tij shkencore ndër vite, nuk u nda kurdoherë dhe nga muzika, e cila e shoqëroi pas gjithë jetën. Shpirti i tij prej artisti, nuk u shfaq vetëm në punën e tij shkencore, por edhe si muzikant shumë i talentuar, ku në vitin 1962, ai përgatiti dhe një kompleks me këngëtarë nga radhët e punonjësve të Ministrisë së Ndërtimit, të cilët konkuruan me sukses në festivalin e parë të këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Po ashtu ai ka drejtuar për disa vite jashtë orëve të punës dhe kurset e muzikës pranë Pallatit të Pionierëve Tiranë, duke nxjerë me dhjetra e dhjetra talente instrumentistë në piano e fizarmonikë. Midis tyre, ai kujton dhe muzikantin e kompozitorin e talentuar Agim Krajka, talentin e të cilit e spikati që në moshë të re dhe punoi me të deri sa ai nisi i sigurt rrugën e artit të muzikës. Vite më vonë, Agim Krajka u bë një nga instrumentistët e kompozitorët e suksesshëm të muzikës shqiptare në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Pas viteve 90-të, me ndryshimet e sistemit politik, u mbyllën mjaft nga institutet shkencore të fushave të ndryshme dhe shumë nga këta specialistë të talentuar dhe me shumë kontribute, u larguan nga puna, nën pretekstin e reformave, duke mbetur rrugëve si shumë të tjerë. Një i tillë i flakur nga puna, doli dhe ingj. Leo Çani me shumë specialistë të tjerë. Ai tregon, se të gjitha hidrocentralet gjigande që janë ngritur me punën dhe djersën e popullit, linjat e tensionit të lartë të ngritura që në ato kohë, janë akoma edhe sot shumë funksionale, me të cilat mbahet ekonomia e jonë, por mua dhe shumë nga shokët e mi që kontribuam në to, nuk na mbajti njeri në punë kur erdhi demokracia. E kisha rrogën 10 mijë lek në muaj dhe isha i kënaqur. Me ardhjen e demokracisë, ai që më zëvëndësoi mua ishte inxhinier i huaj nga Çekia dhe u pagua me 60 mijë dollarë në muaj! Gjynah, për këtë popull e këtë vend të varfër! Me këto paga marramendëse, ishte pjesë dhe korrupsioni i pushtetarëve. Mernin inxhinier të huaj me rroga maramendëse në një kohë që ne specialistët e vendit na hodhën në rrugë pa punë! Kjo nuk është demokraci! Politikanët e pas viteve 90-të, shkatërruan çdo gjë të ngritur me mund e me djersë nga specialistët dhe populli; puntorë e fshatarë, që punuan me përkushtim për t’i ndryshuar faqen vendit. Por në ato pak vite të ndryshimeve politike, vendi shkoi në pikën zero, nën parrullën e “Luftës kundër komunizmit”, ku u shkatërruan dhe mjaft nga veprat industriale që ishin si, fabrika dhe uzina, u shkatërruan taracat me agrume e frutikulturë në kodrina e në brezaret e bregdetit, sistemi i bonifikimit dhe i ujitjes në bujqësi, çështjet e pronës e gjithçka, duke i etiketuar dhe ato si, “vepra komuniste” e tjera.

Dhe sot, këta politikanë të etiketuar si, “pengues të demokracisë”, apo “të korruptuar”, shfajësohen duke ngritur zërin se, nuk ka fakte korrupsioni, apo të cënimit të demokracisë në figurën e tyre dhe kërkojnë ende pushtet, megjithëse janë në politikë më shumë se 30 vite! Në ato situata të pas viteve 90-të, veç përjashtimit nga puna nën pretekstin e moshës dhe reformave, ingj. Leo Çani u la dhe pa shtëpi, për shkak se banesa ku jetonte prej vitesh, i doli pronari dhe një ditë pa pritur, policia e shtetit e nxori në rrugë të madhe familjarisht. Çdo përpjekje, që bëri për t’u strehuar si të gjithë qytetarët që morën në pronësi apartamentet ku banonin me një çmim të ulët shumë të arsyeshëm, ingj. Çani mbeti pa strehë. U ankua në instancat e pushtetit, deri dhe tek ish Presidenti i asaj kohe Sali Berisha, i cili nuk e mori për asnjë moment në konsideratë. Në këto rrethana, pa punë dhe pa shtëpi, inxhinieri i talentuar Leo Çani, ndoqi rrugën e emigrimit, si shumë specialistë të tjerë me kontribute e vlera të veçanta, duke përfunduar rrugëve të Europës, e deri në Amerikën e largët. Inxhinier Çani është vendosur prej rreth 25 vitesh në Virxhinia të SHBA me familjen e tij, ku jeton moshën e tretë. Kujton me nostalgji ato vite intensive të një pune të madhe që bëhej atëherë për ndërtimin e modernizimin e vendit dhe keqardhjen për Shqipërinë e pas viteve 90-të nën drejtimin politik të Sali Berishës dhe shumë demokratëve të tjerë, që prishën imazhin e demokracisë së vërtetë, për të cilën u ngritën shqiptarët, dhe nën emrin e kësaj demokracie e të luftës kundër komunizmit, shkatërruan dhe tjetërsuan ekonominë e vendit, duke injektuar tek njerëzit shpresën e “Çekut të Bardhë”, që s’erdhi kurrë. -Kam një amanet,- më tha ai emocionalisht,- ne sado punë të mëdha e të mira që kemi bërë, jemi të vegjël përpara disa kollosëve që kanë bërë shumë e më shumë për Shqipërinë, Një i tillë ka qenë Profesor Petrit Radovicka, dora dhe mendja e të cilit është e skalitur në digat gjigande të hidrocentraleve tona, e kryesisht në atë të Fierzës. Ai është historia e hidrocentraleve tona gjigande. Ndaj ju që shkruani në media e gazeta, transmetojeni zërin tonë që, “Hidrocentralit të Fierzës t’i vihet emri, Petrit Radovicka”. Sot ingj. Leo Çani jeton në Amerikë, ku shteti jo vetëm e ka strehuar në një shtëpi të bukur, të ngrohtë dhe shumë komode, por e ka mbështetur dhe me ndihmë ekonomike sociale, kujdes shëndetësor falas, si dhe një punonjëse sociale që u shërben dhe kujdeset për moshën e tretë. Ky është shteti demokratik i Amerikës, ndërsa në Shqipëri moshat e treta jo vetëm marrin një pension qesharak dhe një kujdes shumë të ulët shëndetësor, por dhe “Çekapi” për vizitat dhe analizat shëndetësore për moshat mbi 70 vjet, është hequr, duke i lënë këto mosha jashtë çdo kujdesi, sikur të ishin shtetas të huaj! I lamë për një çast këto halle të Shqipërisë dhe u drejtuam në një kënd të hollit ku ingj. Leo mbante pianon dhe fizarmonikën, që nuk i ndau asnjëherë gjithë jetën e tij. Me muzikë dhe këngë shqiptare kaluam disa çaste të bukura. -Megjithatë, Shqipëria e jonë është e bukur,- tha ai, për të cilën ne njerëzit e emigruar pavarësisht të jetës këtu fizikisht, pavarësisht dhe vrejtjeve e ndonjë pakënaqësie që shprehim emocionalisht, mendjen dhe zemrën e kemi atje në Atdheun tonë ku lindëm, u rritëm dhe kemi lënë pas varret e të parëve tanë dhe kontributin tonë modest për atë Shqipëri që brezi i ri po gëzon sot.