Nderim për Artistin e popullit Demir Zykon, Xhevat Avdallin, Neço Mukën, Ali Kondin, Petrit Metushin, Arap Çeloleska
“Polifonia Shqiptare” 15- vjet në UNESCO
Yzeir Llanaj, Kryetar i Shoqatës “Polifonia Shqiptare”
Është pasuri e këtij populli, që përfaqëson denjësisht si një ndër pasuritë shpirtërore më të rralla të njerzimit në UNESCO. Është shpirti i etërve tanë, që na lanë këtë pasuri frymore, e cila mbi dy apo më shumë zëra sëbashku, formon tingujt e bukur të këngës vendëçe “Polifoninë tonë popullore”. Kjo pasuri, marrë në mbrojtje nga UNESCO, ecën nëpër shekuj si një shtegëtare e pa moshë, që shoqëron njërzimin. Ne bartësit e kësaj xhevaireje, e ndjejmë veten të privilegjuar që ruajmë dhe përcjellim nga shpirti ynë, tërë bukurinë e saj ëngjëllore, të ëmbël e të pastër, sikurse na i lanë të parët tanë gen pas geni. Le të lemë pak mundësira në këto ditë të shënuara të trashëgimisë, për të nderuar me zërin e saj, gjithë kontribuesit, që nga bartësit, studiuesit të cilët ditën të vjelin dhe të përcjellin vlerat e kësaj perle, duke e bërë të njohur kudo në Botë. Nderime për nderin e kombit Prof. Dr. Ramadan Sokolin, i cili ia përkushtoi tërë jetën e tij trashëgimisë tonë kombëtare, Prof. Dr.Benjamin Krutës, Nderin e Kombit, bashkëthemeluesin e “Shoqatës Polifonia Shqiptare” Kadri Roshin, bartësve të saj të ndjerë Artistin e Popullit Demir Zykon, Xhevat Avdallin, Neço Mukën, Ali Kondin, Petrit Metushin, Arap Çeloleska. Poetët dhe organizatorët Lefter, Çipa, Zao Balili, Maliq Lila si dhe gjithë grupet polifonike e shumë të tjerë që do shtegtonin të përjetshëm në panteonin e zërave të Polifonisë.
Do të shpresoja dhe t’i uroja që ministritë e kulturës në të ardhmen, të mësojnë nga pësimi këtyre 30 viteve të shkuar dhe t’i kthehen të ardhmes, kësaj pasurie që po thuaj se e kanë lënë në gradën e fundit, si një specie në zhdukje duke u syrgjynosur, që të sensibilizohen shkollat fillore në fshatra e kudo, që kjo pasuri mos të shuhet, por të transmetohet te e ardhmja si një ndër pasuritë identifikuese si komb. Sot këtë këngë duan ta deformojnë dhe ta tjetërsojnë si emërtim disa pseudo specialist, të cilët as e kanë kënduar ndonjëherë këtë këngë magjike. Por emrin e saj e ka vendosur populli dhe ku flet populli, individi hesht. Polifonia e bukur i ka rrënjët dhe gjakun te lashtësia e kombit tonë dhe askush s’ka të drejtë që ta mendojë tjetërsimin e këtij emri magjik. Le t’i urojmë të gjithë bartësit dhe dashamirësit e këngës së bukur shumë zërëshe Labe dhe Toske, polifonisë sonë popullore, “kudo ndodhur, si dhe gjithë shqiptarët, gëzuar ditën e trashëgimisë së Polifonisë.
























