/Gazeta TELEGRAF
Në vitin 2022, Tirana do të marrë titullin: Kryeqyteti Evropian i Rinisë – një vlerësim, i cili do të sjellë në qytetin tonë mijëra të rinj nga e gjithë Evropa, për të marrë pjesë në mbi një mijë aktivitete rinore. Me këtë rast, në mjediset e amfiteatrit pranë Universitetit të Arteve, u zhvillua konferenca e donatorëve për “Tirana Youth Capital”. Kryebashkiaku Veliaj vuri theksin tek rëndësia e këtij eventi, që nuk është vetëm për të festuar dhe për t’u argëtuar, por për të krijuar një lidhje të rëndësishme mes të rinjve nga e gjithë bota. “Edhe për pak muaj Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë.
Do të jetë viti më fantastik për të rinjtë, jo vetëm të Shqipërisë, por do të prodhojmë vitin më energjik dhe më frymëzues edhe për të rinjtë e Evropës. E shoh këtë si një besëlidhje të madhe të djemve e vajzave të Evropës moderne”, Veliaj ftoi të gjithë të pranishmit që të japin sa më shumë ide dhe të ftojnë sa më shumë të rinj të talentuar nga vendet e tyre, që të bëhen pjesë e këtij eventi. Përfaqësuesi i BE-së, u shpreh se fuqizimi i të rinjve, është prioritet i Delegacionit Evropian dhe ky titull, është një çmim prestigjoz për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, rajonit dhe Evropës, sepse është fituar nga vetë ata.























